“Vëllai i madh” po na vëzhgon… deri në tualet

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Vëllai i madh po na vëzhgon. Ai është shumë i zoti, kujdeset gjithmonë për ne. Padyshim, përderisa është “vëlla i madh”. Domethënë nëna e ka bërë të parin, me qëllim që të na marrë në mbrojtje ne më të vegjëlve.
Në fakt “big brother”-i nuk është një qenie njerëzore, me instinkte të prapambetura, por me tru të avancuar. Ai është një mekanizëm, që shumëfishohet në vazhdimësi, për t’u bërë një pafundësi vëllezërish. Janë aparatura elektronike, lente zmadhuese, sensorë. Janë ata që të ndjekin pas kudo, kur ti e dëshiron një gjë të tillë, por dhe kur kërkon t’i fshihesh se ke ndonjë prapësi për të bërë.

Gjithçka po futet në një monitorim të vazhdueshëm, dramatik e monoton hera-herës. Sepse mendja shfokusohet në përditshmërinë e saj. Dhe shpesh e harron apo bëhet indiferente ndaj spiunit që nuk lë gjithçka pa treguar për të.
Askush nuk i shpëton dot këtij vëzhgimi të detyruar. Dhe qenia njerëzore tanimë ka nisur të mësohet me idenë se pas vetes është gjithmonë dikush që raporton për çdo veprimin të tijin. Prandaj, që në mëngjes herët, kur del nga apartamenti, nis t’i thotë vetes se nuk duhet të lajthisë rrugës e të bëjë veprime për të cilat do të pendohet. Pra, duhet të jetë serioz. Një gjë e tillë, e përditshme, e shmang njeriun nga njerëzorja dhe fillon ta kuadratojë atë si një mekanizëm roboti.
Por njeriu, me mish, gjak e nerva, sado i kujdesshëm që të jetë, do të gabojë diku. Sepse e tillë është qenia njerëzore, që në gjenezën e tij. Në ndërgjegjen ai kërkon të jetë i pastër dhe i hijshëm, por në nënndërgjegje veprojnë rryma të tjera, të cilat e detyrojnë të bëjë një veprim të pahijshëm, në një cep të errët ku mendon se nuk e sheh njeri.
Por sot jo. Ke më pak shanse të jesh vetvetja. Sepse je i monitoruar kudo. Dhe shumë më tepër do të jesh në të ardhmen. Veç në je i marrë, rrëmben një torbë e ca plaçka, e shkon të jetosh në ndonjë shpellë, ku nuk ka valë satelitorë që të zbulojnë. Nuk ka nevojë të shkosh deri në malin Athos për t’u kthyer në një eremit. Mund të strehohesh në Tomor, apo me keq akoma, në Korab. Dhe ke shpëtuar.

Lajmi se Shqipëria do të monitorohet nga kamera e dronë që do na vijnë nga Turqia, mori dhenë. Aplikimet për një vend pune tek zyrat qendrore të agjencisë, në mos kanë filluar, do të nisin së shpejti, me siguri.
Lum si ata që do të ulen një karrige të tillë… me ekrane përpara syve nga mund të shohësh gjithçka. Nuk janë dokumentarë nga ato të “National Geographic” apo “Discovery Channel” dhe as filma të “Netflix”. Është një “Reality Show” i paparë. I gjithë perversiteti i jetës njerëzore do të jetë aty. Veç duhet arkivuar gjithçka me kujdes, që nesër t’ia tundësh tjetrit para syve: Këtu t’i kam të gjitha.

Lexo edhe :  Nis hedhja e insektit që lufton 'grerëzën e zezë' të gështenjave/ Rama: Sigurojmë cilësinë e këtij produkti

Se thonë që Tirana do bëhet si Londra. Kamera kudo, madje edhe në tualetet e lokaleve. Për sigurinë kombëtare bëhet fjalë, sigurisht. Se çfarë nuk ndodh nëpër banjat publike. Hataja. Mund të parandalosh krimin, por dhe të kënaqësh pasionet e fshehura. Se në banja ndodhin ato që dhe fantazia më e shfrenuar t’i censuron.

Xhorxh Oruelli, një shkrimtar britanik që ka bërë namin me librat e tij, i doli përpara së keqes. Botoi që në qershorin e vitit 1949 një roman me titullin “1984”. Mund të cilësohej si fantashkencë, fillimisht. Por sot për shumëkënd është një manual përdorimi. Xhorxh Oruelli e kishte kapërcyer të tashmen. Ai kishte shkuar përtej. E megjithatë në konceptin e tij revolucionarizimi i teknologjisë elektronike qe ca më i shpejtë. Në të vërtetë gjithçka do të ndodhte pak vite më vonë nga parashikimi i tij. Bota e Oruell tek “1984” është ajo ku jeta private e individit nuk ekziston. Gjithçka kontrollohej nga “Big Brother”.
U deshën ca vite më shumë që Londra e Xhorxh Oruellit të bëhej gjithashtu qyteti më i monitoruar në botë. Por Xhorxh Oruelli nuk jetoi aq sa të mblidhte dhe frutet e punës së tij. Ai ka 71 vite që ka vdekur, që më 1950.
Sot, në vitin 2021, Tirana e Shqipërisë kërkon të ecë krah për krah me Londrën. Të ketë të monitoruar të gjitha territorin e saj, me kamera e dronë. Nga sipër e nga poshtë. Nga e majta dhe nga e djathta.

Kjo duket e frikshme.
Them “duket”, sepse në fakt ne jemi të monitoruar tashmë. Kamerat që janë vendosur kudo, në rrugë, kryqëzime, lokale, supermarkete e hyrje pallatesh, shumë shpejt do të futen më thellë për të kontrolluar njeriun. Kjo nuk i përket të ardhmes. Kjo është e tashmja. Sepse potencialisht, çdo aparat, qoftë një celular që e mban në dorë, qoftë dhe një ekran televizori që e ke vendosur mbi komodinën e dhomës së gjumit, automatikisht janë dhe spiunët e tu.
Për këtë nuk ta ka fajin kush. Nuk të ka detyruar njeri. Ti vetë ke shkuar në një dyqan që shet sende elektroshtëpiake dhe ke porositur televizorin më të mirë të mundshëm, me ekran “high definition” që të ketë dhe opsionin e lidhjes me wifi. Dhe pasi e ke montuar në shtëpi dhe je ulur për të parë programin tënd të preferuar, ende nuk e di se kush po sheh përmes monitorit, ti televizorin apo televizori ty.
Nuk po flasim për celularin, ku ti me qejf të madh i ke besuar spiunit tënd gjithfarë fotosh intime, dhe mesazhe te pakoduara.
Vëllai i madh po na vëzhgon. Nuk i shpëtojmë dot. Veç në marrosemi vërtetë dhe shkojmë të jetojmë në ndonjë guvë a shpellë si eremitët e malit Athos.


Të fundit

“Vëllai i madh” po na vëzhgon… deri në tualet

Nga Leonard Veizi Vëllai i madh po na vëzhgon. Ai është shumë i zoti, kujdeset gjithmonë për ne. Padyshim, përderisa...

Kur të tunden 30 miliardë euro në fytyrë

Nga Plator Nesturi Vendet e Ballkanit kanë patur stereotipin e të urtëve e të dëgjueshmëve ndaj të mëdhejve të Evropës dhe të qënit grindavec me...

Varhelyi: Ky do të jetë qershori i vendimeve të mëdha

Nga Fernada Cenko Për një ditë Tirana u bë “kryeqyteti” i Ballkanit Perëndimor ku dje u mbajt samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor nën “dirgjimin”...

Horoskopi për ditën e sotme, 11 qershor 2021

Dashi Mund të keni dëshirë të ngriheni dhe të largoheni sot nga rrëmuja e përditshme. Ndiqni këtë instinkt dhe filloni ta zbatoni në praktikë. Çelësi...

Lajme të tjera

Web TV