Mblidhet kryesia/ PD pa “busull”, një këmbë në rrugë, një në Parlament

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike në mbledhjen e djeshme përcaktoi “agjendën” politike për të analizuar zgjedhjet e 25 prillit që i paracaktoi për diskutantët si “masakër zgjedhore”.

Kryetari i rikonfirmuar Lulzim Basha ka premtuar para anëtarëve të kryesisë se do vazhdojë betejën për të kthyer sipas tij demokracinë në çfarë do lloj forme, duke mos e përjashtuar edhe daljen me protesta.

 

Nga Fernada Cenko

 

Pas dy palë zgjedhjeve, Partia Demokratike ka mbledhur Kryesinë e saj, për të analizuar humbjen në zgjedhjet e 25 prillit. Basha ka folur në kryesi edhe për zgjedhjet e brendshme në Partinë Demokratike. Sipas kryetarit të rizgjedhur, ato treguan se demokratët janë të vendosur ta vazhdojnë betejën për demokraci dhe për të sjellë ndryshimin në Shqipëri. Burime brenda Kryesisë së Partisë Demokratike bëjnë me dije se Basha ka thënë para anëtarëve së çdo ditë që nuk përdoret për të përsosur Partinë Demokratike është ditë pushteti që i dhurohet armikut të demokracisë. Po ashtu, lideri i opozitës është shprehur se pavarësisht humbjes në 25 prill, shqiptarët i kanë dhënë një fuqi edhe më të madhe, ndaj kërkon që shoqërisë t’i shtrihet dora e bashkëpunimit. “Muajt në vijim do të jenë të vrullshëm, sepse e tillë është beteja që na pret. Ne jemi të vetëdijshëm që ato që janë në dorën tonë për t’u përmirësuar duhen të përmirësohen një orë e më parë, sepse çdo ditë e humbur, çdo ditë që nuk përdoret për përsosjen e PD, është një ditë pushtetit që i dhurojmë armikut të demokracisë”, tha Basha. Sipas tij, shqiptarët i dhanë Partisë Demokratike një fuqi edhe më të madhe në 25 prill. “Demokratët mbështetën vizionin që ju parashtrova gjatë kësaj gare, ndaj detyra jonë është t’i përgjigjemi kësaj mbështetje të shqiptarëve dhe demokratëve duke treguar që jemi dhe do të mbetemi një parti e shoqërisë, një parti e hapur. Ndaj detyra ime është që në përgjigje të kësaj mbështetje shoqërore që morëm, pa asnjë pushtet, të jemi edhe më të hapur edhe më pranë shoqërisë, t’i shtrijmë dorën e bashkëpunimit shoqërisë dhe t’ju themi ejani ta ndryshojmë bashkë këtë realitet, ejani ta rrëzojmë bashkë këtë regjim armik të demokracisë, ejani në PD dhe ta ndërtojmë bashkë një të ardhme më të mirë për vendin”, është shprehur ndër të tjera kreu demokrat. Basha mësohet të ketë thënë se reformat janë në funksion të suksesit të betejës për fitore, duke theksuar se do ta forcojnë dhe thellojmë aleancën me shoqërinë. “Ne do ta forcojmë dhe thellojmë aleancën me njerëzit dhe grupet e interesit duke i përfshirë ata më shumë në vendimmarrje. Kjo është detyra jonë. Përballë kemi një kundërshtar që e ka përcaktuar qartë aleancën e tij, atë me krimin dhe oligarikinë. Ne kemi një mision më të madh, të marrim me vete shumicën dërrmuese të shqiptarëve që duan ndryshimin, duan demokracinë dhe shohin te ne shpresën e vetme për realizimin e tyre”, mësohet të ketë thënë Basha në takimin me dyer të mbyllura. Basha ka premtuar para anëtarëve të kryesisë se PD do ta vazhdojë edhe më tej betejen duke u bërë zëri i çdo shqiptari. “Do të kemi platforma politike për përfshirjen e tyre në vendimmarrje dhe po ashtu do të mundësojmë nëpërmjet iniciativave ligjore ndryshime që të mundësojnë përfaqësim më të mirë, më të denjë dhe më demokratike. Ne kemi lindur si partia e njerëzve të lirë, përgjegjësia dhe misioni ynë mbetet shërbimi ndaj njerëzve për të sjellë liri dhe demokraci për të gjithë, në këto ditë të vështira për vendin, kjo arrihet vetëm duke i përfshirë edhe më shumë njerëzit, duke i dhënë zë më të fortë rolit të tyre në parti dhe në shoqëri. Ky duhet të jetë synimi ynë dhe bashkë, demokratë dhe qytetarë të thjeshtë, do ta bëjmë realitet” ka thënë Basha.

Aksioni i opozitës

Lulzim Basha gjendet mes dy dilemash, pasi në diskursin e tij politik flet për “masakër zgjedhore”, çka nënkupton se nuk e njeh parlamentin e ri dhe si pasojë mund ta braktisë atë, por nga ana tjetër shprehet se do të luftojë me çdo mjet demokratik. Në këtë mënyrë PD duket ende e dyzuar, pasi daljen nga sistemi e provoi dy vjet më parë dhe opozita nuk njohu gjë tjetër perveçse katastrofës së saj politike. Në mbledhjen me dyer të mbyllura mësohet se Basha ka thënë se Shqipëria dhe shqiptarët s’mund të presin zhvillimin e zgjedhjeve të radhës më vitin 2025. “… dhe për të arritur ketë, detyra jonë është të përgatitemi me të gjitha format dhe mjetet për këtë përballje. Një përballje që kërkon që Partia Demokratike të jetë e gatshme për ta kryer detyrën e saj ndaj regjimit një orë e më parë, sepse Shqipëria, shqiptaret dhe demokratët nuk mund të presin deri në 2025”, ka mësohet të ketë thënë Basha. Basha mësohet se ka thënë se është detyra e PD-së që të përballet një orë me parë me ‘regjimin’, ndërkohë që ka theksuar se kjo forcë politike duhet të përgatitet për çdo përballje. Gjithashtu pritet që PD të dalë me një raport për zgjedhjet e 25 rpillit. Por derisa të përfundojë raporti që do të prezantohen në Këshillin Kombëtar, Basha tha se demokratët e dinë më mirë se kë kanë votuar. Ai theksoi se Kryesia e PD dhe Këshilli Kombëtar do e lexojnë siç duhet vendimin e demokratëve për zgjedhjet brenda në parti.

Kadillli: PD duhet të t’ju kthehet institucioneve

Anëtari i Kryesisë së PD, Fatbardh Kadilli në përfundim të mbledhjes së Kryesisë tha se kauzat kryesore të kësaj force politike duhet të jenë “rishikimi kodit zgjedhor, kushtuetës, ndarjes territoriale dje reforma në drejtësi”. Kadilli theksoi se PD ka nevojë për ndryshim rrënjësor, teksa nënvizoi se nuk nuk mungon gatishmëria për ringritje dhe momentet e vështira duhen parë si momente shprese e ndryshimi. I pyetur nëse Kryesia e PD do ta njoh parlamentin e ri në shtator, Kadilli tha se forca e tij politike duhet të jetë e pranishme në institucione për të vijuar betejën. “Një legjislaturë që nis pavarësisht çfarë mendon kryesia e partisë me njohje apo mosnjohje. Mendon se duhet të jemi një force politike në institucione në çdo moment që duhet. Këto janë sfida të mëdha politike për të cilat do duhet të impenjohet gjithë forca jonë politike. Jam i bindur që ekziston gatishmëria për të ndryshuar e për ta ringritur. Momentet e vështira duhen parë si momente shprese e ndryshimi. Shpresoj shumë të reflektohet shumë më thelllë edhe se sa sot”, tha Kadilli. 

PD drejt ndryshimit të statutit

Përveç propozimit për ndryshim të statutit, Partia Demokratike ka miratuar dje metodologjinë e analizës së zgjedhjeve të 25 prillit e cila do zgjasë deri më 30 shtator 2021. Të gjitha “celulat” e PD do të japin komentet e tyre për humbjen më 25 prill

Lexo edhe :  "Tregu të mos hapi vakanca të panevojshme"/Rama: S'kemi mungesë njerëzish por kualifikimi

Në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së PD është miratuar dhe pika ku Kuvendit Kombëtar që mbahet më 17 korrik të ketë mundësinë të shqyrtojë çdo propozim që mund të sillet për ndryshimet statutore të Partisë Demokratike. “Vlerësimi i mundësisë për ndryshime në Statutin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, në funksion të rritjes së eficencës së organeve të partisë apo demokratizimin e mëtejshëm të mënyrës së funksionimit të strukturave të Partisë”, thuhet në pikën e miratuar. Për këtë pikë jashtë selisë blu ka folur edhe Fatbardh Kadilli, një prej zërave të parë që doli kundër Lulzim Bashës duke i kërkuar dorëheqjen por edhe i pari që u fut në garë për kreun e ri të PD-së. “Komunikimi me kryesinë do vazhdojë, me gjithë anëtarësinë e partisë, do materializohen shpresoj nëse do gjendet mirëkuptimi që ato që janë ndryshime statuore të bëhen realitet që në kuvendin e datës 17 korrik. Një pjesë e atyre që propozon manifesti i përkasin sjelljes e mënyrës si do komportohet organizmi ynë politik. Këto i përkasin më shumë praktikës se do duhet një ndryshim mendësie se një ndryshim rrënjësor nuk bëhet thjesht me ndryshim statuti”, tha ai për mediat.

Raporti për Kuvendin

Dje në Kryesinë e Partisë Demokratike është miratuar edhe metodologjia e analizës së zgjedhjeve të 25 prillit, e cila do zgjasë deri më 30 shtator 2021. Kryesia e Partisë Demokratike vendosi metodologjinë e analizës së zgjedhjeve të 25 prillit që do të realizohet në të gjitha nivelet lokale të partisë, duke nisur nga çdo seksion e deri në nivel Qarku. Drejtuesi Politik i Qarkut, ngarkon dhe bashkëpunon me Degët e Partisë që brenda datës 1 Korrik 2021, të paraqesin analizën e rezultatit të zgjedhjeve për çdo seksion dhe grupseksion, duke analizuar parametrat e performancës në raport me objektivat e synuara, si dhe shkaqet, rrethanat, faktorët dhe të dhënat historike elektorale për secilin prej tyre. Për këtë qëllim, në çdo Degë të Partisë, ngrihet një grup pune, që ka në përbërje Kryetarin dhe Sekretarin e Degës, Nënkryetarët e Degës dhe Sekretarin Organizativ dhe Sekretarin për Çështjet Zgjedhore. Përpara dorëzimit të Raportit në nivel Dege, Grupi i Punës informon Kryesinë e Degës për të dhënat e përgjithshme të analizës, dhe pasqyron në Raport çdo vlerësim apo konstatim të Kryesisë së Degës. Brenda datës 5 Korrik 2021 Drejtuesi Politik i Qarkut paraqet Raportin përmbledhës të analizës në nivel qarku për zgjedhjet e 25 prillit dhe brenda 10 korrikut raporti i dorëzohet për shqyrtim Kryesisë së Partisë. Pas dorëzimit të raporteve në nivel qarku për analizën e zgjedhjeve të 25 prillit fillon faza e dytë ku Sekretariati Organizativ i Partisë, gjatë periudhës 11 Korrik – 31 Gusht 2021, kryen në mënyrë të detajuar për çdo seksion dhe grupseksion, verifikon dhe analizon performancën e të gjitha niveleve lokale të partisë, evidenton mangësitë dhe nevojat për të nxitur rritjen e performancës. Brenda datës 1 Shtator 2021, Sekretariati Organizativ i Partisë i paraqet Kryesisë së Partisë një informacion të plotë për gjendjen dhe veprimtarinë e strukturave vendore të partisë, si dhe i propozon, sipas rastit, ushtrimin e të drejtës së ndërhyrjes sipas nenit 45 të Statutit dhe/ose nevojën objektive për zgjedhje të reja në strukturat vendore të Partisë. I gjithë procesi i analizës dhe, aty ku është rasti, i ristrukturimit të organeve vendore të Partisë, përfundon brenda datës 30 Shtator 2021. “Vlerësimi i mundësisë për ndryshime në Statutin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, në funksion të rritjes së eficencës së organeve të partisë apo demokratizimin e mëtejshëm të mënyrës së funksionimit të strukturave të Partisë”, thuhet në pikën e miratuar.

Kryesia e re

Në mbledhjen e Kryesisë u vendos edhe që Kuvendi të zgjedhë Këshillin e ri Kombëtar që më pas do të zgjedhë kryesinë e re të PD dhe organet e reja drejtuese, si nënkryetarët, sekretarët apo Sekretari i Përgjithshëm, nisur edhe nga performanca e tyre në zgjedhjet e fundit.

 

Komisioni për ndryshimet statutore

Gjatë mbledhjes së djeshme të Kryesisë u miratua edhe ngritja e Komisionit të Përhershëm Statutor që do të bëjë edhe vlerësimin nëse do të bëhen apo jo ndryshime në statutin e Partisë Demokratike. Në komisionin e përbërë nga 9 anëtarë me në krye sekretarin e Përgjithshëm Gazment Bardhi, deri më datën 3 korrik do të zhvillojnë takime me kryetarët e degëve dhe Lidhjen Demokratike të Gruas dhe Forumit Rinor të PD për t’u konsultuar mbi zgjedhjet dhe analizat brenda partisë.

 

Komisioni i Përhershëm Statutor përbëhet nga:

1  Gazment Bardhi, Sekretar i Pergjithshem

2  Edi Paloka, Nenkryetar

3  Edmond Spaho, Nënkryetar,

  1. Albana Vokshi, Kryetare e Lidhjes Demokratike te Gruas (LDG);
  2. Belind Kelliçi, Kryetar i Forumit Rinor të PD (FRPD);
  3. Jorida Tabaku, përfaqësuese e Kryesisë së Partisë,
  4. Enkelejd Alibeaj, përfaqësues i Kryesise se Partise,
  5. Enno Bordo, perfaqesues i Kryesise se Partisë
  6. Grida Duma, perfaqesuese e Kryesise se Partise

Sekretariati Komisionit te Perhershem Statutor përbërë nga

  1. Ervin Minarolli, Sekretar për Burimet Njerëzore
  2. Ivi Kaso, Sekretar per Çështjet Zgjedhore
  3. Çlirim Gjata, Sekretar për Çështjet Ligjore.

Këlliçi: Kandidatët duhet të ishin shpallur kohë më përpara

Belind Këlliçi, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, deklaroi se do të kishte qenë më mirë nëse kandidatët për deputetë dhe ekipi garues i PD-së do të ishin shpallur zyrtarisht kohë më përpara, që të kishim më shumë kohë për të takuar më shumë qytetarë dhe të denonconim më shumë shkelje. “Por, ky është qëndrimi im. Ka persona të tjerë në PD, me më shumë eksperiencë, që mendojnë që nuk është kjo më e mira. Se si do të dalim në konkluzione, kjo mbetet për t’u parë gjatë analizës. Unë gjykoj që këtij procesi nuk duhet t’i shpëtojnë as aleatët e Partisë Demokratike, çfarë kontributi kanë sjellë në fushatë, çfarë fushate kanë bërë, sa kanë ndihmuar me vota dhe a mund të kishte qenë më mirë një kandidat i PD-së në një zonë të caktuar apo një aleat në zonë të sigurt? Votat e tyre duhen parë të përkthyera në mandate”, u shpreh Këlliçi. Në lidhje me përgjegjësinë për rezultatin në zgjedhje, Këlliçi u shpreh: “Ne kemi qenë një ekip dhe i gjithë ekipi ka garuar bashkë me zotin Basha. Përgjegjësia është e të gjithëve, jo vetëm e kryetarit”. Në fund, Këlliçi theksoi: “Duhet të shfrytëzojmë çdo medium të mundshëm për të bërë opozitë dhe për të qenë në krah të qytetarëve. Unë vetë kam votuar pro djegies së mandateve në ato rrethana, por ngjarjet më pas treguan se morëm një kosto jo të vogël. Ka ardhur momenti edhe për një analizë për vendimet e gabuara që kemi marrë”.

Të fundit

Kur do të zhvillohet/ Shtyhet mbledhja për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Himarës

Është shtyrë mbledhja për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Himarës pas tensioneve të krijuara në mbledhjen e Këshillit...

Sondazhi: 80% e të pyeturve mendojnë se java e punës me katër ditë përmirëson balancën

Një javë me vetëm katër ditë pune mund të sjellë një balancë më të mirë mes punës dhe jetës personale. Një sondazh i zhvilluar nga...

Rekord/ Biden mblodhi rreth 25 milionë dollarë në fushatën e tij në Nju Jork

Presidenti amerikan Joe Biden mori pjesë në një mbledhje fondesh për fushatën e tij presidenciale në Nju Jork së bashku me ish-presidentët demokratë Barack...

Rikthehet kaosi në kufirin me Shqipërinë, doganat greke paralajmërojnë grevë 48-orëshe

Nga data 2 prill në orën 08.00 të mëngjesit, për 48 orë, do të paralizohet lëvizja në pikat kufitare me Shqipërinë. Kjo pasi doganat...

Dasmë në Big Brother, Heidi dhe Romeo do të martohen

Heidi dhe Romeo pas një shkëputje të lidhjes së tyre u ribashkuan fill pas spektaklit të së martës, ku shkëmbyen puthje dhe përqafime. Dyshja simpatike...

Lajme të tjera

Web TV