“Mos ma prekni lumin tim”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Një rrëfim historik i autorit Sakip Cami për luftërat, eksodet dhe epidemitë e viteve 1912 – 1920

Ahmet Prençi, recensent i librit

 

Kur publicisti dhe studiuesi Sakip Cami ma besoi recensën e librit të tij “Mos ma prekni lumin tim”, unë e lexova me shumë ëndje dorëshkrimin. Gjatë leximit mendja u arratis në udhëtimin e atyre viteve, 100 vite më parë dhe, kuptova se si disa ngjarje të historisë përsëriten, për fajin e shoqërisë, ose jo të saj. Autori është ndodhur historikisht në buzë të lumit të Drinit të Zi. Ai është i lidhur pazgjidhshmërisht me historitë dhe kujtimet e këtij lumi. Që në titull ai ngre zërin ashtu si gjyshërit tanë që u ngritën dhe morën armët kundër Serbisë që donte të na pushtonte tokën tonë dhe të na grabiste lumin tonë. Ky lumë dhe kjo tokë është vetë historia dhe jeta jonë.  Nëpërmjet një rrëfimi herë popullor, herë letrar e historik, autori në këtë libër ka përshkruar luftërat e popullit dibran dhe atij shqiptar kundër serbëve dhe të gjithë pushtuesve, luftën e parë ballkanike, luftën e dytë ballkanike, luftën e parë botërore, luftën e vitit 1920, luftë e gërshetuar me epidemitë dhe pandeminë botërore 1918 – 1920 si dhe me eksodet më të tmershme të dibranëve të qytetit të Dibrës së madhe drejt Tiranës, Elbasanit e Durrësit. Ky rrëfim shtrihet në shtratin e një romani historik. Personazh kryesor në këtë vepër është populli me qëndresën e tij. Brenda këtij personazhi lartojnë majat e maleve dhe prijësit e krahinave të Dibrës, Lumës, Steblevës dhe më tej të Koplikut, Vlorës, etj.

Ishin jo pak, por nandë vjet luftë me krajlët pushtues 1912 – 1921 derisa më në fund pushtuesit u zbrapsën matanë kufirit të vitit 1913. Lidhja e Kombeve pranoi Shqipërinë anëtare të saj. Në këto nandë vjet nuk mjaftoi vetëm pushtuesi, por u shfaq edhe flama, një flamë vrastare që në nivel botëror vrau miliona njerëz , edhe më shumë se lufta e parë botërore. Kur armiqtë e Shqipërisë nuk arritën ta mposhtnin popullin e Dibrës së madhe, e detyruan me forcë atë që të linte trojet në vitet 1913 dhe 1920 e të largohej, por përsëri nuk e mposhtën. Dibranët mbijetuan në Dibër dhe mbijetuan në Tiranë, bile edhe më të fortë dhe më vitalë.

Libri fillon me ngjarjet e nëntorit 1912, kur në Vlorë shpallej pavarësia ndërsa Dibrën e sulmoi Serbia. Dibra i kreu me suksese të dy detyrat ndaj atdheut; përcolli delegatët për në Vlorë dhe u vu përballë pushtuesit serb, duke mos e lejuar atë të merrte territore.

Na paraqitet mjaft interesante në libër, pritja nga dibranët e Mehmet Dërrallës dhe Isa Boletinit. Shoqërimi i tyre ishte një traditë e spikatur, një protokoll unikal, që për nga ana ushtarake do ta kishte zili çdo ushtri e polici dhe, për nga mikpritja e jashtëzakonshme njihet gjërësisht veçantia e Dibrës. Përshkrimet për lumin e Drinit të Zi dhe të qytetit të Dibrës janë përshkrime që do i admironte çdo kineast që do të dëshironte të bënte një film epik të këtyre ngjarjeve.

Lufta në Lumë dhe në Dibër, na paraqitet e pandarë në libër, ashtu siç ka ndodhur në të vërtetë ku lumjanë e dibranë me heroizmin e vet epik kanë përballuar së bashku betejat heroike në mbrojtje të vatanit. Po kështu një vënd të veçantë në këtë vepër zë vend lufta e Grykës së Vogël që ndodhi në dhjetor 1912 – janar 1913, zgjati 19 ditë dhe 19 netë dhe na jepet e përshkruar deri në detaje. Me shumë rëndësi historike është lufta që dibranët zhvilluan në ndihmë të Shkodrës në luftë me Malin e Zi. Gjashtë muaj luftime të viteve 1912 – 1913, na paraqitet një tjetër epope e lavdishme që autori, i mbështetur në gjurmimet historike dhe kumtin popullor e ka përshkruar në mënyrë të hollësishme. Eksodi i viteve 1912 – 1913 i banorëve të qytetit të Dibrës së Madhe u shoqërua me dhunë masive nga serbët që pothuajse e zbrazën të gjithë qytetin. Kjo në këtë libër paraqitet me hollësi si një kronikë tragjike që shkrimtari Haki Stërmilli në shënimet e tij e ka përshkruan qytetin si një thertore njerëzish.

Lexo edhe :  “Kisha vetëm 3 euro të fundit, mami po qante”, si mbyti varfërinë Olen Çezari në Itali

Libri trajton edhe tema të tjera si lufta për pushtet, vizitën e Esat Pashë Toptanit në Dibër në vitin 1914 dhe përcjelljen e tij andej nga kishte ardhur. Esati kërkonte ndihmë për të ardhur në pushtet, ndërsa populli i Dibrës përballej me zinë e bukës. Viti 1915 përmbledh shumë vrasje politike të drejtuesve të luftës së popullit dibran si atë të Hoxhë Moglicës, që u varros për së gjalli duke thënë: “Në këtë vend ku unë po bi/ ka qenë, asht dhe do të jetë Shqipni.” Vrasja e Mersim Demës, që njihej si mbreti i maleve edhe nga Princ Vidi, ishte një tjetër vrasje misterioze e kohës. Vrasja nga serbët e Elez Koçit, prijësit të Gollobordës sepse nuk u bindej atyre dhe mbronte tokën amtare ishte një tjetër ngjarje që tronditi lëvizjen atdhetare të kohës. Po në vitin 1915 vritet në pabesi Hoxhë Hazis Efendi Lila nga Stebleva, delegat i Kongresit të Manastirit dhe të Dibrës, i shkolluar në Francë, që kishte si devizë:”ta bëjmë popullin tonë më të pasur dhe më të lumtur njëlloj si kombet e qytetëruara” duke e dëshiruar atë si Franca ku edhe studioi.

Që të gjithë myslimanë e të krishterë, përpara se të jemi të tillë, jemi shqiptarë, deklaronte ortodoksi nga Klenja e Gollobordës Vasil Pleushku dhe transportonte abetaret që sillte nga Stambolli e Bukureshti Hazis Lila e Hasan Moglica. Sapo e diktuan serbo – bullgarët e vranë dhe ja zhdukën kufomën. Libri është i ndarë edhe me ngjarje edhe me vitet e zhvillimit të tyre. Në vitin 1916 trajtohet lufta me bullgarët gjatë luftës së parë botërore si dhe lufta me kolerën. Në vitin 1917 austro – hungarezët apo nemcet siç i quante populli u përfshinë edhe ato në raprezalje të popullsisë saqë populli ka lënë shprehjen:”koha e nemces, mos ardhtë kurrë”

Viti 1918 është viti i mbarimit të luftës së parë botërore. Ato që la pa vrarë e zhdukur lufta, i zhduku një flamë vrastare, siç ishte gripi spanjoll. Autori tregon një ngjarje drithëruese të jetuar, ku gjyshes së tij i vdiqën shtatë fëmijët e saj brenda një jave ajo mbeti me duar në gji.

Edhe viti 1919 është vit lufte, pasi serbët nuk duan të largohen. Ata kanë vendosur karakollet e tyre brenda kufijve të vitit 1913 dhe kërkojnë të zotërojnë tre qafat, Qafë Buall, Qafë Murë dhe Qafë Mërkurth. Flama vrastare e gripit spanjoll vazhdon. Njëkohësisht vazhdon edhe eksodi i brendshëm nga fshatrat buzë kufirit, buzë Drinit të Zi për në thellësi në Katër Grykët e Dibrës.

Viti 1920 është viti i Shqipërisë në luftë. Lufton Vlora ndaj italianëve, Kopliku ndaj malaziasve dhe Dibra ndaj serbve. Në Dibër luftohet që nga Luma në Steblevë. Në Dibër zhvillohet Kuvendi i Arrasit dhe dibranët marrin një vendim të rëndësishëm që të vetëçlirohen, që të luftojnë dhe t’i detyrojnë serbët që të zbrapsen nga trojet e tyre. Dhe kështu ndodhi. Luftëtarët dibranë të komanduar nga Elez Isufi dhe Isuf Xhelili i zbrapsën serbët tej kufirit. Në betejën e Salbastrës ra si hero Osman Paci, që e mbuloi me gjoksin e tij mitrolozin armik. Shëmbuj të tillë ka edhe të tjerë. Heroizmi masiv nuk përshkruhet.

E veçanta e këtij libri është paraqitja edhe e luftërave të njëpasnjëshme, edhe e eksodeve e shpërnguljeve masive të zhvilluara, edhe e epidemive e zisë së bukës që ishin shoqëruese gjatë këtyre nandë viteve. Mbijetesa e popullit ka qenë dhe mbetet karakteristika kryesore e tij ndër breza dhe ky është edhe shqetësimi i autorit që këto përpjekje titanike të popullit tonë t’i transmetohen brezave të rinj. Kanë kaluar 100 vjet, por duken si 100 ditë për ata që nuk harrojnë. Të ecim përpara, por të mos e harrojmë të kaluarën tonë të lavdishme. Ky është mesazhi kryesor që transmeton ky libër me vlera letrare dhe historike. Autori ka bërë një punë të jashtëzakonshme duke na sjellë në vëmendje udhëtimin titanik të të parëve, sakrificën dhe heroizmin, traditën dhe qëndresën heroike të paraardhësve tanë. Ky libër është një manual memoristik që duhet të lexohet nga secili dhe zë një vend nderi në çdo bibliotekë.

 

Të fundit

Liverpool mposht Atalantën por eliminohet nga Europa, Leverkusen mbetet e pathyeshme

Atalanta nxjerr jashtë Europës Liverpoolin. Skuadra bergamaske u mposht 0-1 në shtëpi nga “The Reds”, por kualifikohen në gjysmëfinale...

Roma triumfon sërish ndaj Milanit dhe kualifikohet në gjysmëfinalen e Europa League

Roma kalon në gjysmëfinalet e Europa League, ndërsa eliminon Milan-in, pas fitores me rezultatin e përgjithshëm 3-1 të dy ndeshjeve çerekfinale. Pas takimit në “San...

Më 20 Prill, Dielli kalon në Dem, ja çfarë u ndodh këtyre 5 shenjave të Zodiakut

Më 20 Prill, Dielli kalon në Dem dhe fillon zyrtarisht sezoni i shenjës së dytë të kalendarit astrologjik. Kjo ditë do të sjellë ndryshime...

Çfarë është “mashtrimi i së ardhmes? Flamuri i kuq në një raport në çift

Është normale të imagjinoni një të ardhme me dikë që ju intereson, sidomos pasi takimi i parë ka shkuar shumë mirë dhe jeni në...

“Ajo që po bën Meta nuk është sjellje politike”/ Çani reagon ashpër: Ish-presidentit …

Gazetari Arian Çani në një intervistë për një emision televiziv ka komentuar deklaratat e kreut të Partisë së Lirisë ndaj SPAK. Ai theksoi se kjo...

Lajme të tjera

Web TV