SHBA: Çështja e Ujmanit të rregullohet sipas traktatit të lumit Kolumbia

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Shtetet e Bashkuara u kanë dorëzuar Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit. Në një postim në Twitter të Ambasadës amerikane në Kosovë thuhet se raporti i Departamentit amerikan të Energjisë – Laboratori Kombëtar “Veriperëndimor i Paqësorit”, shënon përmbushjen e një nga angazhimeve të Marrëveshjes së Uashingtonit të arritur më 4 shtator 2020. Raporti propozon formimin e një komisioni apo komiteti për lumin Ibër që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore. Ujmani është një liqe artificial i ndërtuar në shtratin e lumit Ibër, në veri të Kosovës. “Në propozojmë që Kosova dhe Serbia të marrin në konsideratë aranzhimet teknike nga traktati ndërmjet SHBA-së dhe Kanadasë për lumin Kolumbia në lidhje me furnizimin me ujë, të agjencive të energjisë dhe kontrollimit të përmbytjeve duke modeluar nevojat institucionale për të mbështetur një komision të tillë edhe për lumin Ibër”, thuhet në dokument. Aty theksohet se sistemi i Ujmanit duket se luan një rol të njëjtë të digës në lumin Kolumbia në Paqësorin Veri-Perëndimor në Shtetet e Bashkuara sa i takon kontributit të tij për shërbimet e ruajtjes për furnizimin me ujë sezonal, energjisë dhe në shërbimet e kontrollit të përmbytjeve. Traktaki i lumit Kolumbia është arritur në vitin 1961 midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara. Sipas kësaj marrëveshje u ndërtuan katër diga: tri në Kanada dhe një në shtetin Montana në SHBA. Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, traktati mundëson menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet dhe ofron përfitime thelbësore për miliona njerëz në të dy anët e kufirit. “Traktati ka lehtësuar përfitime shtesë si ujitja, përdorimi i ujit për nevoja lokale, përdorimi industrial, lundrimi dhe rekreacioni”, thuhet në ueb faqen e DASH-it.

Më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Ato u ndërmjetësuan nga i dërguari i atëhershëm i Trumpit për dialogun, Richard Grenell. Marrëveshja përfshin një sërë projektesh ekonomike, si ndërtimi i autostradës, i linjës hekurudhore dhe nisja e fluturimeve Prishtinë-Beograd. Në këtë marrëveshje, palët ishin pajtuar që SHBA-ja të kryejë studim fizibiliteti në Liqenin e Ujmanit me “me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”. Më 20 tetor, një ditë pasi Qeveria e Kosovës miratoi Planin e zbatimit të marrëveshjes së Uashingtonit, në Kosovë qëndroi një delegacion amerikan me qëllim të bisedimeve për studimin e fizibilitetit për Ujmanin. Në procesin e dialogut, Serbia kishte insistuar vazhdimisht që menaxhimi i Ujmanit të jetë në kompetencë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjë të cilën e kishte refuzuar kategorikisht pala kosovare. Ky liqe konsiderohet pikë strategjike vitale për Kosovën, pasi pos tjerash, aktualisht furnizon me ujë, një zonë me mbi 500 mijë kosovarë. Nga Ujmani furnizohen me ujë 7 komuna, në jug dhe veri të lumit Ibër; Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës. Pos tyre, termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, “Trepça” dhe “Ferronikeli” varen tërësisht nga furnizimi me ujë nga ky liqe artificial. Po ashtu, prodhohen edhe 32 megavat (MË) rrymë në hidrocentralin e Vallaçit.REL

Vjosa Osmani takon kancelarin austriak: Dialogu Kosovë-Serbi të jetë i barabartë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar në Austri kancelarin Sebastian Kurtz ku ndër të tjera ka cekur edhe temën e dialogut. Kryetarja e shtetit thotë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i barabartë mes palëve dhe duhet të përfundojë me njohje reciproke. Po ashtu ajo i ka vënë në dukje Kurzit se populli i Kosovës është më proevropiani dhe ka kërkuar nga BE të mbajë premtimin e të liberalizojë vizat. Në takim me kancelarin Kurz, Presidentja Osmani ka shprehur falënderim për mbështetjen e vazhdueshme austriake ndaj Kosovës. Ka theksuar se është në interesin e Kosovës që kjo mbështetje të vazhdojë me procesin e liberalizimit të vizave si dhe fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Presidentja Osmani ka theksuar, gjithashtu edhe gatishmërinë e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka potencuar mundësitë për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e ekonomisë, teknologjisë informative, agjendës së gjelbërt dhe fushave të tjera. Në këtë takim, zonja Osmani ka falënderuar kancelarin Kurz për 95 mijë vaksina Pfizer, të cilat janë siguruar për Kosovën nga Bashkimi Evropian, për të cilat Austria kishte ndihmuar në aspektin procedural. Presidentja Osmani në takim me kancelarin Kurz, ka theksuar se populli i Kosovës janë më proevropianët, ndaj ka kërkuar që BE-ja t`i liberalizojë vizat, duke mbajtur premtimin. Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka ritheksuar qëndrimin për dialog të barabartë ndërmjet palëve, i cili përfundon me njohje reciproke. Presidentja Osmani poashtu ka theksuar se parakushte për paqen e qëndrueshme në rajon janë drejtësia për viktimat e luftës së fundit në Kosovë, zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe respektimi i sovranitetit dhe integritetit kushtetues e territorial të Republikës së Kosovës.

Vuçiç për kompromis me Kosovën, Prishtina kërkon vetëm njohje nga Serbia

Serbia nuk ka nevojë për një konflikt të ngrirë me Kosovën, por kërkon një zgjidhje kompromisi tha presidenti serb në kuvendin e Serbisë. Për Prishtinën e vetmja zgjidhje në dialogun me Serbinë është njohja reciproke. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha para deputetëve të parlamentit në Serbi, se vendi i tij nuk ka nevojë për një konflikt të ngrirë me Kosovën. Sipas tij, serbët në Kosovë duan që negociatat të zhvillohen me Kosovën në mënyrë që të arrihet ndonjë zgjidhje kompromisi në të ardhmen, por nuk ishte në gjendje të thotë se për çfarë kompromisi bëhet fjalë. Këto deklarata presidenti i Serbisë i bëri gjatë një raportimi në parlamentin serb për dialogun me Kosovën. “Kur të më pyesni se çfarë është kompromisi, unë do të them, nuk e di. Fuqitë perëndimore nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës dhe ato do të pajtohen për një Kosovë të pavarur me çdo kusht. Pra, ne nuk kemi detyrë të lehtë dhe kohë për humor festiv, as kohë për pritje të tepërta, por kohë për t’u përballur me realitetin që na rrethon”, tha Vuçiç.

Lexo edhe :  Megi Pojani rrëfen se është ngacmuar nga një pronar televizioni

Vuçiç: Shqiptarët nuk janë gati për të përmbushur ujditë

Presidenti i Serbisë tha, se dialogu me Kosovën është transparent. “Dialogu është korniza e vetme e mundshme, derisa të arrihet një kompromis me shqiptarët. Ne i kemi informuar në mënyrë të vazhdueshme përfaqësuesit e Bashkimit Evropian se kemi përmbushur gati gjithçka nga Marrëveshja e Brukselit. Të tjerat janë detaje që jemi gati t’i përmbushim. Shqiptarët nuk janë gati për të përmbushur atë, për të cilën është rënë dakord”, tha Aleksandër Vuçiç. Sipas tij, “situata është shumë më e vështirë dhe më serioze si për ne, ashtu edhe për ta. Një zgjidhje kompromisi është diçka që duhet të kërkojmë”, u tha Vuçiç deputetëve të parlamentit të Serbisë. Por kompromisin në dialog me Kosovën, për të cilin flet presidenti i Serbisë, Prishtina zyrtare e kundërshton në mënyrë të prerë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite në Austri ritheksoi qëndrimin e Prishtinës zyrtare se “dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë brenda kufijve aktualë”. Në të njëjtën linjë shprehet edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili e ripërsëriti qëndrimin e shprehur edhe në takimin e fundit me presidentin e Serbisë, se “Kosova dhe Serbia të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim dhe që Serbia ta njohë shtetësinë e Kosovës”.

BE: Bashkëpunim shumë i mirë ndërmjet Uashingtonit dhe Brukselit për çështjen e dialogut

Takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës me presidentin e Serbisë pritet të zhvillohet në fund të muajit korrik nën ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Ky i fundit dy ditë më parë në një takim me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së tha, se “së fundi, ka biseduar me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe sipas tij, ekziston një bashkëpunim shumë i mirë ndërmjet Uashingtonit dhe Brukselit për çështjen e dialogut. “Pala amerikane nuk po përpiqet më për t’u fuqizuar në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Ky bashkëpunim i ngushtë do ta ndihmojë dialogun”, tha Borrell para gazetarëve në Bruksel, duke bërë të ditur se edhe pas takimit të dytë mes Kurtit dhe Vuҫiçit do t’i njoftojë ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur qysh në vitin 2011. Procesi është ndërmjetësuar vazhdimisht nga Bashkimi Evropian dhe është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Kohët e fundit si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, temë debati vazhdon të jetë çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Serbia insiston që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive, gjë që hidhet poshtë në mënyrë kategorike nga Prishtina zyrtare. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sërish se nuk mund të ketë Asociacion të komunave mbi baza etnike dhe sipas tij kjo është e përkufizuar mirë edhe në aktvendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese. Kjo deklaratë e kryeministrit të Kosovës erdhi pas një deklarimi të ambasadorit amerikan në Kosovë Philip Kosnet, i cili tha të mërkurën (17.06) se Kosova e ka detyrim të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. “Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por, asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015″, deklaroi kryeministri i Kosovës. Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, gjatë një vizite që javën e shkuar në veri të Kosovës tha se “Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka një detyrim për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe. Historia nuk filloi në ditën kur u formua qeveria e Albin Kurtit, dhe ne besojmë se vendet kanë detyrimin të respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e bëra më herët”, tha ambasadori Philip Kosnett./DW

Të fundit

“Në maj do mbërrijnë emigrantët e parë”/ Publikon detaje nga tenderi me vlerë 34 mln euro

Që nga 20 maji 2024, kampet në Shqipëri që do të përpunojnë kërkesat për azil të individëve të shpëtuar...

Skema e re për vitet e punës/ Vështirësitë e pagesave me bankën për pensionet

Një pensionist që merr aktualisht 9.600 lekë pension mujor, me shtesën 5 për qind që do të aplikohet do të marrë 500 më tepër. Por...

“Të bashkojmë forcat”/ Rama: Procesi i integrimit në BE kërkon dije të reja

Kryeministri Edi Rama nga mbledhja e Këshillit Ekonomik Kombëtar që po mbahet këtë të enjte theksoi se procesi i integrimit në BE kërkon dije...

Instagram me ndryshime të reja, fillon të kufizojë “përmbajtjen politike”

Kompania Meta ka nisur të praktikojë një opsion të ri në Instagram dhe Treads, i cili është kufizimi i “përmbajtjes politike”. Firma njoftoi lançimin e...

Meta jep lajmin e mirë: Do rriten pagat për sektorin publik, ja kategoritë që përfitojnë

Qeveria pritet të miratojë gjatë javës së ardhshme detajet në lidhje me instrumentin e Garancisë Sovrane për sektorin e industrisë përpunuese fason. Kjo gjë...

Lajme të tjera

Web TV