Shqipëria dhe Kosova përballë problematikës së TVSH-së së munguar

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Eduart Gjokutaj, Altax

Në këto dy vite të fundit pandemia e Covid-19 ka marrë një përhapje të madhe në Shqipëri e Kosovë, ashtu si në gjithë ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë situatë ku ende ndikimi nga pandemia nuk është larguar duhet të rritet vëmendja ndaj boshllëkut tatimor, si një çështje që përfshin direkt analizën e diferencës së tatimeve dhe taksave që duhet të ishin mbledhur për buxhetin e shtetit me ato që janë mbledhur realisht. E gjithë kjo panoramë e tatimeve dhe taksave të munguara shihet brenda sistemeve aktuale tatimore me ndryshime të ndikuara nga specifikat e vendeve. Efikasiteti i autoriteteve tatimore në shumë vende me administrim të avancuar është i matshëm nga rezultatet e efektshme të mbledhjes së të ardhurave, për të ndikuar në krijimin e balancave më të plota të buxhetit.

Trajtimi i çështjes së taksave të papaguara është një përgjegjësi kolektive e cila fillon me të kuptuarit e shkallës dhe fushëveprimit të kësaj politike.

Vlerësimet e boshllëkut tatimor janë tregues të përafërt me ato të humbjes së të ardhurave. Në vitet e kaluara janë zhvilluar disa metoda nga administratat tatimore dhe institucionet ndërkombëtare për të vlerësuar humbjen e të ardhurave.

Trajtimi i çështjes së taksave të papaguara është një përgjegjësi kolektive e cila fillon me të kuptuarit e shkallës dhe fushëveprimit të kësaj politike.

Prandaj nuk është për t’u habitur që në praktikë shuma e taksës së mbledhur është më e vogël se shuma totale e detyrimit tatimor që duhet të paguajë një biznes apo individ.

Është e rëndësishme të theksohet, për vendet e BP6, si dhe specifikisht për Shqipërinë dhe Kosovën, se veprimi për të trajtuar boshllëkun tatimor nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të vijnë automatikisht më shumë të ardhura tatimore, megjithëse ky efekt mund të jetë i mundur, nëse shoqërohet me veprimet dhe masat antievazion dhe duke ndryshuar edhe mënyrën e llogaridhënies dhe matjes së performancës së administrimit dhe politikës fiskale në tërësi.

Në radhë parë nëpërmjet matjes së boshllëkut të TVSH-së secili mund të kuptojë efektivitetin e gjithë veprimeve të ndërmarra për të bërë sistemin tatimor të pranueshëm dhe në funksion të tatimpaguesve që kuptojnë pajtueshmërinë, të cilët paguajnë të gjithë tatimet dhe taksat që priten prej tyre.

Në radhë të dytë ne mund të shohin normat tatimore që funksionojnë edhe duke u ulur nëse do të rritet rendimenti fiskal. Kjo mund të arrihet duke ulur normën tatimore ose bazën e tatueshme në disa zona të zgjedhura nga një qeveri në mënyra të hartuara për të përmbushur objektivat e saj socialë dhe ekonomikë.

Në radhë të tretë, trajtimi i boshllëkut tatimor mund të jetë ndikues në zvogëlimin e pabarazisë ekonomike midis atyre që i binden ligjit dhe atyre që nuk i binden atij në mënyrë vullnetare. Ky aspekt i boshllëkut tatimor dhe marrëdhënia e tij me pabarazinë është një hulumtim i diskutuar pak në hapësirat e vendeve të BP6, por që mund të ketë një rëndësi të konsiderueshme sociale dhe ekonomike.

Pjesa më e madhe e tatimeve dhe taksave që përcakton sistemi tatimor në Shqipëri dhe Kosovë deklarohen dhe paguhen në mënyrë vullnetare. Një pjesë tjetër paguhen me vonesë, por që janë pjesë e pagesës vullnetare për sa kohë ata paguajnë edhe gjobat e interesat të lidhura me detyrimet që paguhen me vonesë. Por, gjithsesi disa taksa dhe tatime nuk paguhen fare, apo janë pjesë e mbledhjes me forcë pas kontrolleve dhe investigimit tatimor. Këto të ardhura, bashkë me ato të ardhura të tjera që nuk arrijnë të identifikohen apo të jenë pjesë e barrës tatimore të vendit përbëjnë mungesën e të ardhurave tatimore.

Boshllëku i TVSH-së përcaktohet duke zbritur TVSH-në aktuale nga TVSH-ja potencialisht për tu mbledhur, e cila llogaritet mbi bazën e arkëtimeve, e vlerësuar duke përdorur kuadrin ligjor aktual.

Sipas llogaritjeve të studimit të ALTAX për boshllëkun e TVSH-së, pesha që zë evazioni fiskal dhe politikat përjashtuese dhe lehtësuese në boshllëkun tatimor, raporti shkon nga 76 deri 90 përqind të tij.

Së pari, boshllëku tatimor nuk është shkaku, por pasoja e evazionit tatimor. Ai nuk barazohet vetëm me evazionin tatimor. Në matjen e boshllëkut tatimor nuk bëhet thjesht matja e evazionit tatimor. Vetë evazioni fiskal kuptohet me mospagesat e tatimeve duke mos zbatuar legjislacionin nëpërmjet përdorimit të (a) formave të deklarimit të gënjeshtërt të të ardhurave të realizuara nga qytetari apo biznesi, (b) mosdeklarimit dhe si rrjedhojë mospagesa e detyrimeve të pjesës së padeklaruar, (c) deklarim i gënjeshtërt i shpenzimeve më të larta.

Së dyti, boshllëku tatimor është pasojë edhe e shmangies tatimore, ku tatimpaguesit përdorin hapësirat ligjore, apo parregullsitë e skemave të përjashtimeve dhe lehtësirave fiskale, që kanë synuar tjetër qëllim (nxitje investimesh, rishpërndarje barre), por që i shërbejnë përdoruesit të tyre për uljen e shumës së detyrimit real.

Së treti, boshllëku tatimor ka lidhje me gabimet në llogaritjen e detyrimeve fiskale prej administratës, të pasuar dhe nga kultura fiskale në vend.

Së katërti, boshllëku tatimor është pasojë e etikës dhe cilësisë së ulët të shërbimit të administratës. Kapacitetet e dobëta të administrimit, vëmendja e pakët ndaj ankesave të tatimpaguesve, si dhe korrupsioni në hierarkinë administrative bën të mundur ulje të shumës së detyrimit real për tu paguar dhe rritje të boshllëkut me zbatimin e ligjeve.

Është e rëndësishme të theksohet se boshllëku i TVSH-së, ashtu si për çdo tatim vjen më shumë prej politikave fiskale (si do ta shohim në shtjellimin e tij më poshtë), por gjithashtu edhe nga ndryshime në elementë të tjerë të rëndësishëm të tij që lidhen me vullnetarizmin ndaj TVSH-së, siç janë zhvendosjet në akumulimin dhe zvogëlimin e borxhit tatimor, kultura e tatimpaguesit, ambjenti i të bërit biznes, përhapja e korrupsionit, niveli i përdorimit të teknologjisë etj. Në mënyrë që të kuptohet natyra e boshllëkut të TVSH-së dhe pse ai ka ndryshuar me kalimin e kohës, nevojiten vlerësime sipas metodologjisë së përcaktuar për këtë qëllim.

Boshllëku tatimor prej politikës fiskale krijohet nga:

  • Përjashtimet e sektorëve ekonomikë dhe aktiviteteve të përcaktuara në ligjin e TVSH-së, apo përjashtime me ligje specifike dhe Marrvëveshje ndërkombëtare për investime të caktuara
  • Reduktime/ulje të normës tatimore nën normën standarte të TVSH-së;
  • Aplikim të pragut të patatueshëm nga TVSH-ja.

Boshllëku tatimor nga problemet me pajtueshmërinë krijohet nga një sërë qëndrimesh të individëve dhe bizneseve, që të përmbledhura janë:

  • Pakujdesia/pamaturia në mbajtjen e librave të kontabilitetit dhe atyre tatimorë duke u reflektuar në deklaratat tatimore;
  • Mungesa e njohjes së legjislacionit dhe detyrimeve në respektim të ligjit;
  • Kryerja e evazionit të paramenduar, si dhe përdorimi i skemave të shmangies tatimore për qëllime të raportimeve të rreme apo mosraportimeve;
  • Mosdeklarimi dhe mospagesa e detyrimeve;

Këto karakteristika tregojnë edhe mënyrën se si duhet ndarë tatimi i munguar. Në llogaritjen bruto të boshllëkut janë mungesa teorike e tatimeve që vlerësohen se duhet të paguhen. Në llogaritjen neto të boshllëkut janë vlerësimet për tatimet që kanë mbetur pa deklaruar, pa raportuar dhe pa paguar.

Boshllëku TVSH-së ndikohet nga efektet e politikës kombëtare, por edhe nga ajo ndërkombëtare. Për të parën është sqaruar edhe më lart se si ndikon ajo në krijimin e boshllëkut tatimor. Për politikën ndërkombëtare, ndikimi vjen nëpërmjet skemës së lëvizjes së kapitaleve dhe transaksioneve midis shoqërive tregtare rezidente në Shqipëri me lidhjet që kanë me personat e lidhur, sipas parimeve të përfshira në transferimet e fitimit nëpërmjet çmimit, lëvizjet kufitare të mallrave dhe shërbimeve, skemat e përfshira në planifikimin tatimor agresiv. Boshllëku tatimor duhet të kërkohet në mungesën që lind nga obligimi kushtetues për të paguar tatime sipas të ardhurave që regjistron qytetari apo biznesi me atë çfarë realisht paguan secili, e shprehur si barrë tatimore.

Në këtë proces marëdhëniesh ka një diferencë midis përgjegjësisë për të paracaktuar taksat dhe tatimet për çdonjërin qytetar dhe biznes dhe arkëtimit të shumës së duhur sipas legjislacionit në fuqi. Megjithatë, edhe nëse mund të hartohet gjithë kuadri ligjor fiskal për të mbyllur “vrimat e rrjetës fiskale” mbetet gjithsesi mundësi për evazion tatimor dhe informalitet, për arsye të formave të shumta të fshehjes së të ardhurave.

Shumica e të ardhurave buxhetore në Kosovë përbëhet nga barra tatimore që mban një peshë sa 88.7% e të ardhurave buxhetore gjithsej dhe në Shqipëri barra tatimore është sa 92.8 % e të ardhurave buxhetore gjithsej.

Buxheti i shtetit të Kosovës ka arkëtuar për vitin 2019 shumën 1.95 miliard Euro detyrime ndaj buxhetit, ku të ardhurat tatimore janë 1.73 miliard Euro.

Buxheti i shtetit të Shqipërisë ka arkëtuar në buxhet 3.76 miliard Euro, ku të ardhurat tatimore janë

3.49 miliard Euro. Megjithatë, administratat fiskale të të dy vendeve mund të kishin mbledhur më shumë të ardhura tatimore nëse nuk do të kishin të bënin me evazionin tatimor, shmangiet tatimore, dhe mungesën e vullnetarizmit në zbatimin e ligjit, por edhe nëse nuk do të kishte një sasi të madhe të përjashtimeve dhe lehtësimeve të barrës tatimore të përcaktuar në politikat tatimore të këtyre shteteve.

Nëse boshllëkun e TVSH-së e krahasojmë me nivelin aktual të TVSH-së që mblidhet për buxhetin e shtetit shqiptar, atëherë llogaritet të arrijë deri në nivelet sa 43.9% e saj.

Sipas metodologjisë nga lart-poshtë, e mbështetur te treguesit makroekonomikë, ajo përbëhet përmbledhtazi nga pesë komponentë të veçantë:

  • TVSH në Konsumin e Familjes,
  • TVSH e pakthyeshme në konsumin e ndërmjetëm nga sektorë të përjashtuar,
  • TVSH e pakthyeshme për shpenzimet e qeverisë dhe OJF-të,
  • TVSH e pakthyeshme në Formimin e Kapitalit Fiks Bruto të sektorëve të përjashtuar, si dhe
  • disa sistemime që vijnë nga korrigjimi i TVSH-së bruto në TVSH neto, ku ndryshimi është rimbursimi i TVSH së kthyer mbrapsht

Nga llogaritjet e kryera për matjen e boshllëkut të TVSH, rezulton se nëse do të kishim një sistem ideal pa përjashtime dhe lehtësira, si dhe me një vullnetarizëm dhe nivel administrimi optimal, atëherë shuma e TVSH-së teorikisht e mbledhshme do të jetë 255.4 miliard lekë, nga 155.9 miliard lekë që mblidhet aktualisht, apo një diferencë prej 99.5 miliard lekë.

Lexo edhe :  Rama në Vlorë, shmang Lelin, shoqërohet nga nënkryetari i bashkisë

Nëse analizojmë peshën që mban politika fiskale, duket se ajo ndikon shumë më tepër se niveli i administrimit dhe vullnetarizmit me ligjin. Kështu, humbjet nga përjashtimet dhe lehtsëitë e TVSH-së arrijnë në 91.3 miliardë lekë, ndërsa humbjet e TVSH-së nga niveli i administrimit dhe pajtueshmërisë së tatimpaguesve me ligjin është 8.2 miliard lekë.

Në tërësinë e llogaritjeve të pjesës që i  përket  boshllëkut  tatimor  nga politika  fiskale  shqiptare rezulton se 91.7% e TVSH-së së munguar, si boshllëk në buxhet vjen prej politikës së përjashtimeve dhe lehtësirave fiskale, nëpërmjet miratimit të tyre në Kuvendin e Shqipërisë.

Boshllëku tatimor nga përjashtimet dhe lehtësirat fiskale ka një madhësi sa 59% e të ardhurave bruto të TVSH-së në vitin 2019.

Në tërësinë e llogaritjeve të pjesës që i përket boshllëkut tatimor nga zbatimi i politikës fiskale shqiptare rezulton se 8.3% e TVSH-së së munguar, si boshllëk në buxhet vjen prej moszbatimit të ligjit në mënyrë vullnetare dhe performancës së administrimit fiskal.

Boshllëku tatimor nga niveli i administrimit dhe pajtueshmërisë me ligjin ka një madhësi sa 5.2% e të ardhurave bruto të TVSH-së në vitin 2019.

Nëse boshllëkun e TVSH-së e krahasojmë me nivelin aktual të TVSH-së që mblidhet për buxhetin e shtetit kosovar, atëherë llogaritet të arrijë deri në nivelet sa 58.5% e saj. Ky raport i nivelit të përjashtimeve dhe lehtësirave të llogaritura sipas referencës dhe kuadrit ligjor në fuqi është një kosto e shtuar për administrimin dhe tatimpaguesit, të cilët janë përpara kushteve të pabarabarta për të njëjtin tatim, pavarësisht se operojnë në sektorë të ndryshëm që nuk konkurojnë njeri-tjetrin, por që të gjithë operatorët konkurojnë brenda të njëjtës ekonomi.

Kur analizojmë peshën që mban politika fiskale, duket se ajo ndikon më tepër se niveli i administrimit dhe vullnetarizmit me ligjin, por shumë më pak se sa ndikon politika përjashtuese në Shqipëri.

Nga llogaritjet e kryera për matjen e boshllëkut të TVSH, rezulton se nëse do të kishim një sistem ideal pa përjashtime dhe lehtësira, si dhe me një vullnetarizëm dhe nivel administrimi optimal, atëherë shuma e TVSH-së teorikisht e mbledhshme do të jetë 1.22 miliard Euro, nga 848.1 milion Euro që mblidhet aktualisht, apo një diferencë prej 372.7 milion Euro.

Kështu, humbjet nga përjashtimet dhe lehtësitë e TVSH-së arrijnë në 253.6 milion Euro, ndërsa humbjet e TVSH-së nga niveli i administrimit dhe pajtueshmërisë së tatimpaguesve me ligjin është

119.1 milion Euro.

Nga politika e përjashtimeve dhe lehtësive të TVSH-së rezulton se 23.8% e BPV nuk tatohet dhe vetëm pjesa e mbetur e tij prej 76.2% është objekt i tatimit të vlerës së shtuar.

Politika e përjashtimit dhe lehtësimit nëpërmjet reduktimit të normës së TVSH të segmenteve ekonomike dhe aktiviteteve dhe mallrave e produkteve jep një efekt në boshllëkun gjithsej të TVSH-së me 67.9%.

Ndikimin më të madh në krijimin e boshllëkut të TVSH nga politika vjen nga aktivitetet me pasuritë e patundshme, por edhe nga aktivitetet financiare dhe të risigurimit. Një efekt më të vogël kanë në boshllëkun e TVSH aktivitetet në të cilat ka përdorim norma e reduktuar.

Në tërësinë e llogaritjeve të pjesës që i përket boshllëkut tatimor nga politika fiskale shqiptare rezulton se 32.1% e TVSH-së së munguar, si boshllëk në buxhet vjen prej moszbatimit të ligjit në mënyrë vullnetare dhe performancës së administrimit fiskal.

Boshllëku tatimor nga niveli i administrimit dhe pajtueshmërisë me ligjin ka një madhësi sa 5.2% e të ardhurave bruto të TVSH-së në vitin 2019.

Efekti i politikës fiskale në boshllëkun e TVSH-së është ndjeshëm më i lartë në Shqipëri me një peshë sa 5.4% e PBB-së, apo 1.8 pikë përqind më shumë se në Kosovë. Ndërsa shihet se efekti i administrimit dhe pajtueshmërisë në Kosovë është më i lartë se në Shqipëri duke patur një peshë sa 1.7% e BPV-së, apo 1.2 pikë përqind më shumë.

Në ballafaqimin e boshllëkut të TVSH-së me të ardhurat tatimore shikohet më dukshëm efekti nga politikat përjashtuese, veçanërisht në Shqipëri. Ndërkohë, në Kosovë duket se vëmendje më e madhe duhet ti kushtohet pajtueshmërisë dhe administrimit.

Nëse duam të njihemi me efikasitetin e administrimit të TVSH-së, mënyra më e shpejtë e analizimit të efektivitetit të TVSH-së është matja e produktivitetit të TVSH-së, nëpërmjet Raportit të Efikasitetit, i cili përcaktohet si pjesa e TVSH-së në konsum i ndarë nga norma standarte e TVSH- së.

Raporti i efikasitetit në Shqipëri është 0.65, ndërsa në Kosovë është 0.93.

Nisur nga këto dy raporte, ne shikojmë se niveli i efikasitetit në Kosovë është më i lartë se në Shqipëri. E gjitha kjo lidhet sa me pjesën e administrimit të TVSH-së së brendshme, po ashtu edhe me TVSH e fshehur në ekonominë informale dhe që është pjesë e evazionit.

Në rastin e administrimit të TVSH-së në Shqipëri dhe në Kosovë është e njohur se boshllëku tatimor egziston së pari për arsye të evazionit tatimor.

Nëse krahasojmë arkëtimet e TVSH-së në Shqipëri në vitin 2019 me vitin 2009, duket se janë rritur me 20%, një rritje mesatare vjetore prej 2%. Kjo rritje e TVSH nëse krahasohet vetëm me rritjen nominale të prodhimit të brendshëm bruto në këto 10 vite të fundit, i cili është rritur me 30.3% tregon qartë boshllëkun e TVSH-së që ka humbur nga administrimi përsa i përket ndikimit që ka dhënë evazioni.

Ndikim me peshë në efikasitetin e administrimit të TVSH-së është vlera e zbulimeve nga evazioni, i cili në vitin 2019 arrin në nivelin 6.8 miliard lekë, që përbën 4.3% të totalit të TVSH-së së mbledhur. Zbulimet e të ardhurave nga evazioni i TVSH-së konsiderohen se mesatarisht në dekadën e fundit arrijnë në nivelet 3.5% të totalit të TVSH-së. Por, duket se një pjesë e tyre janë zbulime të pambështetura në referenca, pasi vetëm 25-30% e tyre paguhen nga bizneset e gjetura në shkelje, ndërsa pjesa tjetër është në procese gjyqësore apo ka fituar ndaj administratës.

Kur krahasojmë arkëtimet e TVSH-së në Kosovë në vitin 2019 me vitin 2017, shikohet një rritje e ndjeshme me 23% në një periudhë afatshkurtër. Kjo rritje e TVSH nëse krahasohet me rritjet e arkëtimeve për tatimet e tjera (tatimi mbi pagat, tatimi mbi fitimin korporativ) tregon qartë se boshllëku i TVSH-së, i llogaritur më lart është i shoqëruar edhe nga boshllëqet në tatimin mbi pagat dhe mbi fitimin korporativ. Në krahasimin e të ardhurave midis viteve shihet se ka një boshllëk të dukshëm, që përbëhet nga të hyra tatimore të humbura nga administrimi dhe efekti i evazionit.

Në luftën ndaj evazionit, i cili duhet të ketë efektin kryesor në efikasitetin e administrimit të TVSH- së shikohet se vlera e zbulimeve nga evazioni në vitin 2019 arrin në nivelin 55.5 milion Euro, që përbën 6.5% të totalit të TVSH-së së mbledhur. Zbulimet e të ardhurave nga evazioni i TVSH-së konsiderohen se mesatarisht në dekadën e fundit arrijnë në nivelet 4.5% të totalit të TVSH-së. Një nivel i tillë zbulimesh, në rastin e arkëtimeve në nivele që ndryshojnë me të paktën 12% nga viti në vit, duket se ky nivel zbulimesh nuk përkon me nivelin e evazionit dhe pajtueshmërisë në zbatimin e ligjit. Është e nevojshme që qasja strategjike në drejtim të luftës ndaj evazionit të jetë e bazuar mbi tregues të matshëm dhe një forcim të kapaciteteve të administrimit.

Nga krahasimi i qasjesve strategjike, ashtu si përshkruhen në studim dhe nivelin e administrimit të TVSH-së dhe pajtueshmërisë së tatimpaguesve me të duket se vlerësimet e boshllëkut të TVSH- së tregojnë shtrembërime në parimin e barazisë në tatime. Barazia horizontale kërkon që tatimpaguesit me një aftësi të ngjashme për të paguar taksat, të paguajnë shumën e njëjtë ose të ngjashme të taksës, ndërsa barazia vertikale kërkon që tatimpaguesit me një aftësi më të madhe për të paguar taksat, të paguajnë më shumë taksa, sipas aftësisë së tyre për të paguar.

Mosrespektimi i legjislacionit tatimor, veçanërisht mbi një bazë strukturore, minon taksimin e barabartë dhe çon në padrejtësi për ata që paguajnë tatime e taksa, pasi ata do të duhet të paguajnë më shumë sepse disa të tjerë nuk paguajnë pjesën e tyre të drejtë.

Nga ana tjetër, futja e sektorit joformal në ekonominë formale është ndoshta një nga sfidat më të rëndësishme për hartimin e politikave për Shqipërinë dhe tërë rajonin e Ballkanit. Në këtë drejtim, modelet e reja për aplikimin e teknologjisë, së bashku me flukset e reja dhe përsosjen e teknologjisë për pagesat janë thelbësore për zgjerimin e territoreve të formalitetit.

Vende të ndryshme të BE-së e zbatojnë sistematikisht në format zyrtar vlerësimin boshllëkut tatimor, ndërsa ka edhe shtete të tjera që ende nuk e kanë krijuar këtë traditë të nevojshme të analizës së performimit tatimor. Vlerësimet e boshllëkut tatimor mund të jenë tregues të dobishëm për administratat tatimore dhe qeveritë për të vlerësuar shkallën e mosrespektimit të ligjit prej taksapaguesve dhe nevojën për përmirësimin e politikës tatimore dhe administrimit tatimor. Për të qenë në gjendje të interpretojmë në mënyrë të përshtatshme vlerësimet, është megjithatë thelbësore të kuptojmë tiparet kryesore metodologjike të vlerësimit.

Për Ministrinë e Financave, nëpërmjet njohjes me nivelin e boshllëkut tatimor duhet të kuptohet qartë rreziku fiskal në zhvillimin dhe nevojën për mobilizim shtesë të të ardhurave. Boshllëku i pajtueshmërisë tatimore dhe ai i politikës tatimore mund të ndikojnë veprimet për moscënimin e integritetit të administrimit të sistemit aktual, si dhe qëndrueshmërinë e modelit aktual të politikës fiskale, ndërsa do të duhet që të ardhurat e humbura të kërkohen të rikuperohen përmes miratimit të një sistemi ndryshe duke hequr dorë nga modelet e referuara deri më sot si efektive për tu zbatuar nga administrata tatimore.


Të fundit

Shqipëria dhe Kosova përballë problematikës së TVSH-së së munguar

Eduart Gjokutaj, Altax Në këto dy vite të fundit pandemia e Covid-19 ka marrë një përhapje të madhe në Shqipëri...

Dita e dytë e vaksinimit masiv/ Manastirliu: Paraqituni me kartë identiteti, qendrat do jenë të hapura deri në orën 20:00

Vijon sot dita e ditë e vaksinimit masiv kundër koronavirusit në vend. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, iu bën thirrje qytetarëve mbi 18 vjeç, që...

Majk Tajson, “Njeriu më i keq në Planet”, që fitoi të gjitha trofetë

Michael Gerard Tyson u lind më 30 qershor 1966. Ai është një ish-boksier profesionist amerikan i cili garoi nga viti 1985 deri në 2005....

I vendosën eksploziv ndërtesës në Shëngjin, arrestohet autori i dytë nga Fushë-Kruja

Policia e Lezhës vijon operacionin “Eksplozivi”, duke e çuar në dy numrin e të arrestuarve. Në pranga ka rënë 21-vjeçari Angli Stafuka, nga Fushë Kruja,...

Enver Hoxha shiste mish derri të prishur dhe djathë me erë të keqe, ja gjoba që mori

Ish-drejtori i Arkivit në Ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi ka publikuar një foto të hershme ditën e sotme, ku tregon një gjobë të marrë...

Lajme të tjera

Web TV