“Kushtetuesja e politizuar dhe pa integritet, më 2019 s’pati zgjedhje”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Karaj

Pas një pritje të gjatë për krijimin e institicioneve të reja të drejtësisë, u formësua edhe Gjykata Kushtetuese, por çështjen e parë, të ndjeshme që mori në shqyrtim në lidhje me ligjshmërinë ose jo të zgjedhjeve vendore 2019, ajo ia delegoi për interpretim Komisionit të Venecias. Përse ky vendim?

Teorikisht Gjykata Kushtetuese mund ti drejtohet një organi të lartë konsultativ sikundër është Komisioni i Venecias. Por në rastin konkret ka diçka që nuk e përligj këtë gjë, të paktën moralisht. Shqipëria ka qenë ndër të paktat vende në botë, për të mos thënë e vetmja, që ka qenë pa Gjykatë Kushtetuese për gati 4 vjet, dhe rindërtimi i këtij organi është pritur nga qytetarët si “uji në shkretëtirë”. Në këtë këndvështrim, pritshmëritë ndaj kësaj gjykate janë jashtëzakonisht të larta, dhe për më tepër kur bëhet fjalë për çështje të nxehta, sikundër “30 qershori”, apo edhe shkarkimi i presidentit Meta. Unë kuptoj situatën ekstra-ligjore, pasi nuk ka pasur asnjë rast të mëparshëm në botë, ku zgjedhjet të jenë bojkotuar në atë lloj mënyre nga disa forca të rëndësishme politike dhe sërish të jenë zhvilluar. Por kjo nuk duhet asesi të krijojë një lloj justifikimi për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Pasi ata janë aty pikërisht për t’u dhënë përgjigje të tilla çështjeve të rëndësishme. Ata presupozohet se janë (ose minimalisht duhet të ishin), “ajka e juristëve” të këtij vendi, ndaj nuk do duhej që të ishin kaq konfuzë për të marrë një vendim, sidoqoftë ai vendim. Nëse edhe Gjykata Kushtetuese kërkon mendim nga Komisioni i Venecias, atëherë përse na u paska dashur ngritja me kaq mundim e kësaj gjykate(?!). Kur këta anëtarë nuk qenkan të aftë për të marrë vendime të rëndësishme, gjithsesi në tagrin e tyre totalisht ligjor, përse na nevojitet në fund të fundit një gjykatë e tillë(?!). Mjafton që kur të kemi çështje të këtij karakteri i drejtohemi “Venecias”, dhe ja ku u zgjidh. Pse u dashka që të paguajmë një institucion të këtij niveli, i cili më pas të merret me gjëra më së shumti periferike ose që nuk kanë ndonjë impakt kushedi se çfarë në jetën e këtij vendi, të tipit: dekretimi ose jo i ministrave, apo qoftë edhe ektraterritorialiteti ligjor(?!) Kjo pastaj kthehet në një situatë qesharake që ua kalon edhe telenovelave indiane, plot pathos amatoresk. Nuk e di se përse Gjykata Kushtetuese e ka kaq të vështirë të japë një vendim kur e vetmja gjë, objekt gjykimi, i është kërkuar, nëse “30 qershori” ka qenë kushtetues apo jo. Dhe për të dhënë një vendim të tillë mjafton ti referohesh nenit 45 pika 4 i Kushetutës, ku thet se: “Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”. Mjafton interpretimi i vetëm këtij paragrafi… A ishte vota vetjake? Unë them se po. Ai ishte e lirë? Sigurisht që po. Por a ishte e barabartë dhe e fshehtë? Absolutisht jo, përderisa në të paktën 33 bashki kishte vetëm 1 kandidat (gjithnjë nëse marrim të mirëqenë edhe kandidatët e partisë Bindja Demokratike, e cila sipas meje është rregjistruar në zgjedhje në shkelje flagrante të ligjit). Kaq i është kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të interpretojë dhe të marrë një vendim në lidhje me këtë nen të Kushtetutës dhe asgjë më shumë se kaq. Tani, unë nuk e di se për çfarë arsyesh u dashka shkuar deri në “Venecia”, kur Kushtetuta ta thotë shumë qartë…

Në gjykimin tuaj, 7 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk janë të aftë profesionalisht për një vendim apo i druhen atakimit nga politika?

Të dyja bashkë. Së pari unë dyshoj fort në profesionalitetin e anëtarëve të kësaj gjykate. Që nga mënyra sesi u zgjodhën por më së shumti tek të dhënat e tyre profesionale. Që të jesh anëtar i Gjykatës Kushtetuese, “A”-ja e gjithçkaje është se duhet të jesh magjistrat dhe me një CV për tu lavdëruar. Në dijeninë time, vetëm 2 nga 7 anëtarët e kësaj gjykate janë magjistratë: znj.Vitore Tusha dhe znj.Marsida Xhaferrllari. Pesë të tjerët, jo vetëm që nuk kanë mbaruar magjistraturën, por përgjithësisht kanë punuar në fushën e avokatisë dhe të prokurorisë. Madje Sonila Bejtja vjen as më pak dhe as më shumë se nga “shkolla e noterisë”. Pra, nuk kanë profil gjykatësi, sikundër do duhej të ishin, përderisa përfaqësojnë ose duhet të kryejnë detyrën e një gjykatësit më të lartë në hireakinë e gjyqësorit shqiptar. Që këtu, dyshimet për këta anëtarë lindin vetvetiu. Së dyti, të gjithë anëtarët e kësaj gjykate janë zgjedhur nga politika: tre nga parlamenti dhe tre nga presidenti (Vitore Tusha ka qenë aty që përpara nisjes së reformës në drejtësi). Dhe si të tillë, sado që të aftë profesionalisht që ata mund të jenë, përsëri ndikohen nga politika. Ose më mirë nga ata që i kanë çuar deri në atë post, më të lartin e mundshëm në gjyqësorin shqiptar. Dhe fakti që kjo gjykatë i është drejtuar “Venecias” për një çështje thelbësisht politike i shton edhe më shumë dyshimet ndaj atënatërve të kësaj Gjykate për varësinë apo edhe partizanitetin ndaj njërës apo forcës tjetër poltitike.

Lexo edhe :  Ja ç’duhet të bësh për të pasur një lëkurë me shkëlqim

Cilado të jetë arsyeja a tregon kjo që edhe institucionet e reja të drejtësisë nuk po dalin nga “zhgualli politik”?

Shqipëria kishte vërtet nevojë për një reformë në drejtësi, por ajo përçka u nis të bëhej, krahasuar me atë çka po bitiset, për mendimin tim është shumë, shumë larg asaj që meritojnë dhe pretendojnë shqiptarët. Nga sistemi i drejtësisë janë larguar shumë emra të përfolur si të korruptuar, por “fshesa” fatkeqësisht ka kapur edhe shumë emra të tjera, tejet të rëndësishëm, profesionistë të fushës si Antoneta Sevdari, Dritan Rreshka, Fuat Boci, Anton Martini, etj, persionalitete që pikërisht se i janë bërë pengesë politikës korruptive, sot janë jashtë sistemit gjyqësor. Është e vështirë të pranosh dhe kuptosh sesi largohet me veting, një prokuror si Anton Martini, gjoja se nuk justifikon një shtëpi 94m2 (të vetmen shtëpi që ka në pronësi) dhe nuk i hyri asnjë gjemb në këmbë “Kampionit të luftës kundër Korrupsionit”, Ardian Dvoranit, bashkëshortja e të cilit, thjesht “kishte harruar” të deklaronte nja 100 milionë lekë në një llogari bankare. Raste të tilla ka pafund dhe duket hapatzi se në këtë reformë kaq jetike për vendin, politika ka “përveshur mëngët” për të ruajtur sadopak vetvehten nga zullumet që ka bërë gjatë këtyre 30 viteve. Nuk këtë kontekst nuk bëjnë fare përjashtim edhe anëtarët e kësaj Gjykate Kushtetuese.

Me delegimin e çështjeve kryesore në Venecia, a mund të kthehet në një precedent që për çështje të rëndësishme Kushtetuesja jonë mos jetë në gjendje të marrë vendime?

Teorikisht po. Por unë besoj fort se delegimi, gjoja për konsultim në Venecia i kësi çështjesh të rëndëisshme është vetëm një metodë tinzare për të fituar kohë. Duhet të kuptojmë se që Gjykata Kushtetuese të japë një vendim të arsyetuar, duhet që të paktën 5 anëtarët të saj të jenë dakord me atë vendim. Në të kundërt nuk ka vendim, nuk ka çështje. Në rastin konkret, për “30 qershorin” ekzistojnë sipas meje dy skenarë, që kanë gjithsesi lidhje më njeri-tjetrin.

-Së pari, ka gjasa që mes anëtarëve të kësaj gjykate të mos ketë pasur një dakordësi për marrjen e një vendimi (mund të kenë qenë 4 me 3, ashtu sikundër janë ndarë politikisht, duke qenë se 4 anëtarë janë aty nga presidenti dhe 3 nga parlamenti). Kjo ka bërë që për të dalë nga ky ngërç, anëtarët kanë kërkuar një vendim gjoja më të specializuar për “ti mbushur mendjen” njëri-tjetrit.

-Së dyti, mundet që politika të kenë aq shumë ndikim në këtë gjykatë (dhe unë besoj se ka shumë ndikim), sa të jetë dakordësuar mes vetes (PS+PD), që zgjedhjet vendore të bëhen jo më parë se pranvera e 2022-it. Kjo pasi Rama kërkon nga njëra anë të bëjë “babaxhanin” duke “falur” pak pushtet, por gjithsesi në mënyrën e tij, teksa edhe vetë Basha ka kërkuar kohë, duke qenë se PD-ja është në një moment ristrukturimi dhe nuk është e gatshme të futet në zgjedhje në vjeshtën e këtij viti. Në këtë kontekst, dërgimi i çështjes në Venecia, e cila mund të japë një mendim jo më shpejt se nëntori (madje edhe në dhjetor) i këtij viti, “gëzon” të dyja palët politike. Sakaq, është shumë e vërtetë se kjo gjë mund të krijojë precedent edhe sa i përket shkarkimit të presidentit. Dhe nuk është fare çudi që sërish kjo gjykatë të kërkojë mendimin e Venecias dhe derisa ky komision të japë konsultën e vet mbi atë çështje dhe derisa Kushtetuesja jonë më pas të marrë vendim mbi mendimin e Venecias, mandati i Metës ka mbaruar dhe shkarkimi nuk vlen për asgjë.

 

Të fundit

Kategoritë që përfitojnë rritje rroge nga 1 Korriku, ja sa do të jetë shtesa

Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga...

Gazetari bën paralajmërimin e frikshëm: Serbia është gati të sulmojë Policinë e Kosovës

Gazetari Venhar Isufi tha në një intervistë televizive se grupi që po trajnohet nga xhandarmëria serbe në Rashkë janë një grup më profesional, me...

Plas skandali, okulistja i ngatërron numrin e syve qytetares tek “Iraniani”

Një qytetare u ankua në Fiks Fare se, pasi bëri një vizitë te një okuliste te Poliklinika e Specialiteteve Nr.1, ‘Iraniani”, shkoi dhe bëri...

Albano Bogdo ‘thumbon’ Robert Berishën për Nora Istrefin, moderatori habit me përgjigjen

Konkurrentët e “Ferma VIP” janë vënë përballë disa pyetjeve pikante në sfidën “E vërtetë ose Dënim”. “Ne të dyve na pëlqen shumë kënga  “Ana” të...

Ndahet nga jeta në moshën 82 vjeçare ish-senatori amerikan

Ka ndërruar jetë Ish-senatori amerikan Joe Lieberman, i cili ishte shumë pranë postit të Nënpresidentin kur kandidoi me demokratin Al Gore në zgjedhjet e...

Lajme të tjera

Web TV