Kryeministri kanadez, Justin Trudeau ka emëruar në postin e Guvernatores së Përgjithshme të Kanadasë, Mary Simon. Për herë të parë në historinë e shtetit vendoset në një post të tillë një person me origjinë autoktone.
Ky njoftim, vjen gati gjashtë muaj pasi ish-guvernatorja e përgjithshme, Julie Payette, dha dorëheqjen pas akuzave për ngacmim.
“Unë mund të them me besim të plotë se emërimi im është një moment historik dhe frymëzues për Kanadanë dhe një hap i rëndësishëm për rrugën e gjatë drejt pajtimit”, është shprehur Simon.
E pyetur lidhur me mungesën e rrjedhshmërisë së saj në gjuhën frënge, ajo tha se asnjëherë nuk i është dhënë mundësia ta mësojë atë, teksa po ndiqte një shkollë ditore federale në Quebec.
“Mua mu mohua e drejta të mësoja gjuhën tjetër zyrtare të Kanadasë, por premtoj se do ta mësoj atë gjatë punës”, tha Simon.
Ky është padyshim një emërim historik dhe sigurisht i ndikuar edhe nga zhvillimet e fundit në vend, pas zbulimit të mbi 1000 varreve anonimë fëmijësh autoktonë në territorin e disa ish-shkollave rezidenciale në British Columbia dhe Saskatchewan.
Emërimi i saj në postin e Mëkëmbëses së Mbretëreshës është aprovuar tashmë edhe nga Elizabeth II, kryetarja e shtetit kanadez.
Simon është lindur në veri në Quebec dhe është shprehur se është rritur për të mbajtur një lidhje aktive me kulturën dhe trashëgiminë e saj inuite.
Ajo ka shërbyer si ambasadore në Danimarkë dhe si Presidente e Inuit Tapiriit Kanatami, organizata nacionale Inuit e Kanadasë.