Portreti Poetik i Petrit Rukës   

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Ago Nezha

 

Këto ditë përlotshëm me dhimbje të thellë përcollëm për në banesën e fundit poetin e talentuar, “Personalitetin e Shquar të Labërisë” dhe të poezisë, “Mjeshtrin e Madh”, Petrit Rukën.

Petrit Rukën, e kam njohur para se të takohesha e më vonë të miqësohesha me të, nëpërmjet poezive të tija, që kishin bërë emër në mjedisin letrar shqiptar. Ishin vitet1976-1980, që në qiellin e poezisë shqipe ndriçoi me një shkëlqim të veçantë si meteor në horizontin Tepelena., Petrit Ruka, me flladin e poezisë së tij dehëse çahu rrugën e thepisur monopateve të fshatrave të Tepelenës dhe me mundim me një trastë leshi në krahë  të “mbushura me poezi” doli në autostradën e krijimtarisë së tij plot tharm. Poezia, në ato vite të zbrazëta ishte nga kënaqësitë kulturore që sillte jeta, kishte jehonë dhe klientelë të madhe jo vetëm për aristokracinë intelektuale, por dhe më gjerë, për shtresat e tjera të lexuesve. Sa dilte një libër i ri në treg, e përpinte lexuesi me një etje të madhe dhe në librari nuk gjeje kurrë stoqe për libra të mirë. Ashtu ka ndodhur dhe me librin e parë të Petritit, “Rinia ime”, botuar në vitin 1978. Poezia e Petritit, nuk e ka ndalur vrapin te vëllimi i parë por ka vijuar me të tjerë si: “Atdheu fillon te zemrat”1983, që u shpall dhe libri më i mirë poetik i vitit në Shqipëri, “Mirupafshim, hënë e vendlindjes” 1990, “Vërtitu, kokë e prerë”, 2000, “Në zemër bie shi…”, 2003 dhe “Shtatë mijë shirat e mi” poezi të zgjedhura,2008. Krahas poezive ai ka botuar dhe një ese monografike për Kadri Roshin, në 2009. Petriti, ka gjashtë vëllime me poezi të botuara, pa folur për ato që “flenë” në raftet e bibliotekës se intelektualit që ka talent me bollëk por fatkeqësisht nuk kishte para. Kjo është ironia e kohës, që përkund fatin e intelektualit në këto 30 vjet të ashtuquajtura demokraci. Hierarkia e vlerave për krijuesit në vendin tonë, ka marrë arratinë, e mesa duket, me këtë klasë politike që trashëgojmë, s’ka për ta gjetur kurrë vendlindjen e saj.

Por le të kthehemi nga rruga që nisëm për të prekur dinamikën e jetës të Petritit në vite. Ai, u lind në vitin 1954, një fshat të vogël malor të Tepelenës, në Turan, që mbështillet në krahët e masivit të madh të malit të Këndrevicës, kokën e vendos në malin e Turanit, ndërsa shpinën në malin e Trebeshinës, duke parë në horizont malin e Golikut. Në fshatin e lindjes mbaroi shkollën 7 vjeçare. Shkollën e Mesme të Përgjithshme e kreu plot sakrifica në qytetin e Tepelenës në vitin 1969. Nxënësi i mirë i gjimnazit, zhurmëpak e punëshumë e shfaqte talentin që flinte i strukur në strofkën labërore të Turanit, që e dallonte nga shokët e tij të shkollës. Kjo shkëndi e vogël që ishte ndezur në vatrën e baltë të Turanit, do vinte një ditë që do kthehej në një zjarr të fuqishëm, që do ngrohte zëmrat “partisë” së poetëve. Falë cilësive të tija krijuese, djaloshi i talentuar u dërgua për studime në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës në degën Gjuhë-Letërsi, që e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1976. Pas përfundimit të studimeve të larta, nisi punën si mësues andej nga kishte ardhur, në Shkollën e Mesme të Përgjithshme, në Tepelenë. Talenti nuk ka fre. Ai, shpërthen si ujëvarat në malet më të larta. Në vitet si pedagog në shkollën e mesme, me botimet e tija poetike nisi të vizatojë karakterin e tij me penë. Me vëllimet e para poetike, spikati si një poet që fjala e tij flet rrëmbyeshëm si lumi. Burimi i poezisë së tij e kishte truallin atje në fshat, në mjedisin e thjesht lab. E prej aty, u rrit e u ngjit në majat më të larta të poezisë duke shkelur në rrugë malli e dashurie për vendlindjen dhe njerëzit e gjakut. Kur lexon poezitë e Petritit, natyrshëm ndjen se në poezitë e tij ka një operim mjeshtëror, me një gjuhë  të zhdërvjelltë, plot muzikalitet polifonie. Në vëllimet e tija poetike vjen natyrshëm jeta e fshatit, duke u pasuruar me sferat e gjëra të jetës intelektuale. Çdo gjë që i servirte jeta e fshatit, ai e ndiente veten të varur në pemën e moralit të krahinës së tij, me nuanca të theksuara labe. Vëren qartazi se krijimtaria e tij poetike buron nga sfera e ndërgjegjes, instinkti poetik, ëndrrat rinore, përçartjet e natyrës dhe aluçinacionet. Poezia e tij ka një hapësirë të gjerë në tematikë, të pasur me muzikalitet ritmik, mendime të pjekura qysh në moshën e rinisë që janë të përvetësueshme e asimilueshme për lexuesin dhe që kthehen në shprehje të praktikës jetësore. Po të hysh “vjedhurazi” në pyllin e poezisë së Petritit, do shohësh se ka shumë lule mali, manushaqe e trëndelinë, blegërima, fyej e këmborë, që krijojnë një simfoni baritore. Në tërë lëmin e poezisë së tij do takosh sinqeritetin njerëzor, realitetin kohor e mjedisor, madhështinë e natyrës, filozofinë dhe meditimin romantik, për gjërat që e rrethojnë te shtëpia e lindjes, fshati, gjitonët dhe tërësia e mjedisit lab. Për Petritin, të gjitha qeniet e natyrës janë të dashura, duke depërtuar përmes tyre mundohej të zbulonte raportet dialektike të njeriut me natyrën. Me mjeshtërinë e tij poetike u jepte jetë dhe plotfuqishmëri fenomeneve natyrore e njerëzore. Me këtë tendencë do të tregonte  fuqinë magjepse që ka poezia në pakufinë e vargut. Ai, ishte i kursyer në lëvdata, koprrac në hiperbolizimet moderniste, por me bukurinë e vargut të emocionon. Ka një vjershërim, që siç thotë i madhi Dritëro Agolli me mendim të koncentruar, të fuqishëm, me një ritëm spontan dhe një gërshetim magjik të fjalëve. Dritëroi duke lexuar poezit e Petritit në fillimet e tij, ka thënë se:”Unë mësoj nga poezia e poetëve tepelenas si ajo e Petrit Rukës, Qazim Shemes dhe Ilirjan Zhupës”. Në vargjet e Petritit, ka plot asonanca dhe muzikalitet. Metaforën e ka përdorur si shpatën e kalorësit për të shkuar në betejën, që do ndeshet me lexuesin. Poezia e Petrit Rukës, është plot ngjyra, plot lëvizje, që të mbërthen pas vetes. Figurat aty lëvizin si ushtar me uniformë të gjelbër, që ndërrojnë shpesh peizazhet dhe gjendjen shpirtërore, pohimet dhe mohimet, kundërshtitë dhe miratimet. Gjendja shpirtërore e tij lëviz si një hije që ndjek lëvizjen e diellit. Lirikat e Petritit, të shpien në hapësirat e natyrës së fshatit të tij të lindjes. Ato mund t’i quajmë piktura të jetës së fshatit, ku secili gjen veten. Në poezitë e tija përshkruhen emocione të holla e të kadifenjta me intimitet e sinqeritet. Aty gjejmë një dashuri dimesionale, nga familja, te atdheu e kombi. Me ndjenja të holla poetike përshkruan bukurinë që ka fshati , por dhe trishtimet që vijnë nga varfëria, prapambetja, që i shkrin këto dukuri në një terren jetësor. Ndjenja për fshatin aty nuk është një ndjenjë e rrëmbyer, pasionante, por një ndjenjë që e prodhon realiteti i përditshëm në tërë koloritin e tij. Petrit Ruka, nuk erdhi nga një familje e shtresave të privilegjuara apo piramida e politikës, por nga një familje fshatare, majë malesh dhe falë talentit të tij, u ngjit në majën më të lartë të “malit” të poezisë. Origjinën dhe fëmijërinë e tij i përshkruan bukur, realisht, me nota nostalgjike atje në fshatin e largët malor e ku varfëria ishte ulur këmbëkryq në çdo vatër familjare. Ai, thotë se jeta në fshat ishte tepër e zymtë, me skamje, ku në sofër kishte bukë misri pak qumësht e ndonjë vezë. Nëna e tij, Seftja, siç thonte Petriti e kaloi jetën me të zeza, sipas zakoneve të Labërisë do mbaje zi për çdo pjesëtar të fisit, kur dihet që lidhjet në fshat ishin shumë të afërta. Në Labëri nënat tona qanin me ligje në vargje. Nëna e Petrit dinte të vargëzonte natyralisht. Të gjithëve na kujtohet  fëmijëria në fshat, që kur kalonte ndonjë 50 vjeçar, thonim se kaloi ai plaku i lagjes. Por edhe babai i tij Novruzi, megjithëse ishte murator, mjeshtër ndërtimesh, falë dhuntive të tija natyrore, nëpërmjet përkëdhelive atërore  kishte prirje të tregonte histori, tregime e përralla, që ngjanin me fabulat e fabulistëve të shquar. Ky mjedis familjar edhe pse i pakultivuar intelektualisht ka pasur ndikimin e vet në formimin poetik të Petritit. Zbrazëtia e jetës së fshatit, kulturalisht, krijonte pesimizëm dhe deziluzion për fëmijë me interesa të zgjuara.

Lexo edhe :  Petrit Ruka, shuhet simfonia e vargjeve  

Petrit Ruka, me poezitë e tija të spikatura tërhoqi vëmendjen e institucioneve të larta kulturore për talentin e tij. Për këto aftësi u mor si skenarist-regjisor në Kinostudion “Shqipëria e Re”dhe Alba Film Tiranë. Këtu nisi dhe karriera e tij artistike që do pasohesh me detyra të njëpasnjëshme si Drejtor në Teatrin Kombëtar të Fëmijëve, Kryetar i Qendrës Kombëtare Kinematografike Shqiptare dhe pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve të Bukura, në degën e Regjisë së Filmit. Krijimtaria në sektorin e Kinematografisë është shumë e pasur. Ai, ka bërë pesë skenar filmash artistik, pesëmbëdhjetë filma dokumentar, tre filma vizatimor dhe ka realizuar rreth njëzetë skenar e regji për filma e dokumentar artistik. Për aftësitë e tija krijuese ka qenë anëtar i disa bordeve artistik, pjesëmarrës në disa Konferenca Kombëtare e Ndërkombëtare për Kinematografinë, si dhe autor i shumë shkrimeve në shtypin letrar, si reportazhe, ese, artikuj për kulturën e kinematografinë. Këto e të tjera veprimtari e kanë bërë Petritin një personalitet në fushën e artit e kulturës. Është për të ardhur keq, që kjo eksperiencë e akumuluar në vite është lënë në harresë prej dhjetë vjetësh nga qeveritë paradë e djathtë e majtë.

Vështirësitë që i kanë dalë përpara në jetë i ka sfiduar me qetësinë e tij olimpike, aftësitë profesionale dhe duke pasur në krah një familje të shëndoshë. Një familje intelektualësh multikolor duke filluar nga bashkëshortja Zhaneta ekonomiste, vajza Nigela, që ecën në gjurmët e babait, regjisore teatri dhe aktore, si dhe djali Jurist Deradiani, përbëjnë një ansambël profesionesh që kompensojnë njëri tjetrin.

Ne u ndamë fizikisht me Petritin, por me poezinë dhe krijimtarinë e tij jo. Ajo i ngjan një burimi që sa herë që shkon të pish ujë ndien freski dhe shuan etjen si një udhëtar i lodhur në vapën e verës. Krijimtaria e tij do mbetet e gjallë në kujtesën e njerëzve si një homazh për poetin dhe kineastin e shquar Petrit Ruka.


Të fundit

Angli-Shqipëri marrëveshje për dëbimin e emigrantëve ilegal

Shqiptarët kriminelë, si dhe ata që nuk arrijnë të marrin azil në Angli do të përballen me kthim të...

Kamioni në Lezhë përmbyset në rrugë, bllokohet qarkullimi

Një kamion është përmbysur në rrugë mëngjesin e sotëm. Ngjarja ka ndodhur në Lezhë, ndërsa nga sa mësohet shoferi ka arritur të shpëtojë për...

SHBA i jep fund luftës në Afganistan, Biden: Udhëheqësit afganë duhet të orientojnë vetë vendin

Presidenti Joe Biden tha të enjten se misioni ushtarak amerikan në Afganistan do të përfundojë më 31 gusht, duke shtuar se "shpejtësia garanton siguri",...

9 Korrik 1816/ Argentina, lufta civile që e ndau nga Spanja

Në 9 Korrik të vitit 1816, Argentina shpall pavarësinë nga Spanja. Kolonizimi spanjoll i rajonit kishte filluar në 1512. Pavarësia u pasua nga një luftë...

20- vjeçari humbet kontrollin e makinës, plagos 4 persona

Një aksident rrugor ka ndodhur në mesantë në qytetin bregdetar të Durrësit. Një 20-vjeçar, i identifikuar me inicialet E. K., ka humbur kontollin e mjetit...

Lajme të tjera

Web TV