Shteti providencial dhe rendi ekonomik digjital

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Florjan Bombaj

Shteti vjen në ekzistencë për hir të jetës dhe vazhdon të ekzistojë për hir të një jete të mirë.” Aristotel (384-322 para erës sonë). Nocioni i “Shtetit Providencial” historikisht vjen nga dy modele. Sipas Bruno Palier dhe Giuliano Bonoli (1996) modeli i parë vjen nga ai i shtetit providencial Bismarck-ian (Otto von Bismarck, 1815-1898) i themeluar në Gjermani nga ligjet e vitit 1880.

Ky model bazohet në mekanizmin e sigurimeve shoqërore, në të cilin përfitimet janë homologu i kontributeve. Motivet që janë në zanafillën e sistemit Bismarck-ian janë jashtëzakonisht politike dhe qëndrojnë në shqetësimin për të shtypur lëvizjet sindikaliste dhe socialiste duke përmirësuar kushtet e jetesës së proletariatit të klasës punëtore.

Ndër parimet që mbështesin këtë model mund të citojmë atë të mbrojtjes bazuar vetëm në punë dhe në aftësinë e individëve për të fituar të drejta përmes veprimtarisë së tyre profesionale; mbrojtjen e bazuar në pjesëmarrjen financiare të punëtorëve dhe punëdhënësve në formën e kontributeve shoqërore si dhe në parimin e kontributeve të cilat nuk janë proporcionale me rreziqet (si në logjikën e pastër të sigurimeve) por me pagat duke identifikuar kështu atë që quhet “socializimi i rrezikut”.

Modeli i dytë vjen nga ai i shtetit providencial Beveridge-ian, emëruar sipas themeluesit të tij, ekonomistit anglez William Beveridge (1879 -1963). Ky model, i financuar nga taksat, siguron përfitime uniforme për të gjithë pjesëmarrësit në sektorin e sigurimeve shoqërore. Ndër parimet që mbështesin këtë model mund të citojmë atë të universalitetit të mbrojtjes sociale duke mbuluar tërë popullatën dhe të gjitha rreziqet; uniformitetit të përfitimeve, bazuar në nevojat e individëve dhe jo në humbjen e tyre të të ardhurave në rast rreziku si dhe në parimin e shtetit si njësia e menaxhimit për të gjithë mbrojtjen sociale. Shumica e shteteve perëndimore dhe jo vetëm, kanë huazuar historikisht elemente nga të dy modelet.

Kur në shekullin e 19-të klasa e re industriale punëtore filloi të organizohej, qeveritë e shteteve respektive patën sukses në shuarjen e kërcënimit të një revolucioni nga poshtë-lart të njoftuar nga Karl Marx (1818-1883), duke zhvilluar të drejta politike dhe shoqërore, duke rregulluar tregjet, duke ngritur një shtet providencial që garantonte mekanizmat e sigurimeve shoqërore. Sipas profesorit dhe financierit Bruno Colmant (2017), këta shtete me të vërtetë e kanë shpikur kapitalizmin, duke e bërë atë më gjithëpërfshirës dhe duke lejuar që punëtorët të ekzistojnë brenda sistemit.

Por nëse ky model i shtetit providencial është i fuqishëm në një ekonomi të prosperuar, e karakterizuar nga një amplifikim i demografisë dhe një rritje në fitimet e produktivitetit, kufijtë e tij u arritën në vitet 1970, një periudhë ku u përjetuan dy tronditje ekonomike siç ishte ajo e naftës dhe e çrregullimeve monetare.

Modeli ekonomik dominant braktisi industrinë për të hyrë në sektorin terciar dhe shteti kompensoi këtë goditje të punësimit me një politikë të transferimeve shoqërore e cila e rriti borxhin publik derisa të kalonte mbi 100% të PBB-së në fillim të viteve 1990 në shumë shtete europiane. Megjithëse kjo përqindje ra fillimisht, shtetet filluan t’a rrisin borxhin e tyre publik për të zbutur tranzicionin drejt ekonomisë së shërbimeve, e cila është shumë e ndryshme nga konteksti industrial. Shtetet europiane shpresuan se demografia dhe produktiviteti i ardhshëm do të reduktonte borxhin e tyre publik.

Fatkeqësisht, formulimi aktual i shtetit providencial ka krijuar një borxh publik i cili konsiston në prevalimin e konsumit mbi prodhimin. Pra, shtetet e zhvilluara ekonomikisht nuk kanë bërë një rishpërndarje të rritjes së tyre ekonomike por i janë drejtuar borxhit ndaj brezave pasardhës të cilët natyrisht mund edhe të refuzojnë të mos t’i shlyejnë këto borxhe. Sot, ne po hyjmë në një tranzicion të ri, i cili është ai i revolucionit teknologjik (Klaus Schwab, 2021). Por a po përjetojmë realisht kalimin drejt një rendi ekonomik digjital?

Rendi ekonomik digjital.

Përfitimet e mundshme të një numri zbulimesh dhe aplikimesh të reja në robotikë, bioteknologji, teknologji digjitale dhe fusha të tjera, tani janë të kudogjendshme dhe të lehta për t’u parë. Në të vërtetë, shumë besojnë se ekonomia botërore mund të jetë në prag të një shpërthimi tjetër të teknologjive moderne.

Vështirësia qëndron në faktin se shumica e këtyre teknologjive të reja ka të ngjarë të zëvendësojnë punën njerëzore. Punëtorët e kualifikuar të ulët dhe të mesëm rrezikojnë të zëvendësohen nga makineritë që operohen nga më pak punëtorë të kualifikuar. Një botë në të cilën robotët dhe makineritë kryejnë detyrat e qenieve njerëzore nuk do të jetë domosdoshmërisht një botë me papunësi të lartë. Por padyshim që do të jetë një univers në të cilin pjesa më e madhe e fitimeve të produktivitetit do të shkojë për pronarët e teknologjive të reja dhe makineritë që i mishërojnë ato. Kështu, pjesa më e madhe e fuqisë punëtore dënohet ose për papunësi ose për të marrë paga të ulëta.

Në librin e tij të titulluar “Straight Talk on Trade: Ideas for a Sane World Economy” botuar në vitin 2017, ekonomisti Dani Rodrik, rrëfen se kjo prirje tashmë është e dukshme në vendet e zhvilluara. Teknologjitë që mobilizojnë shumë aftësi dhe kapital kanë qenë shkaku kryesor i zgjerimit të pabarazive që nga fundi i viteve 1970. Të gjitha shenjat sugjerojnë që kjo prirje do të vazhdojë, duke prodhuar nivele pabarazie pa precedent historik, si dhe një kërcënim për konflikte shoqërore dhe politike në të ardhmen.

Gjithsesi, çdo sipërmarrës inovativ mund të shpresojë për një model biznesi të suksesshëm, por gjithashtu ai është i ekspozuar ndaj një niveli të lartë të rrezikut. Kur një inovacion është i suksesshëm, krijuesi i tij merr përfitime të konsiderueshme, ashtu si edhe shoqëria në tërësi. Kur dështon, është thjesht një fat i keq nga ana e krijuesit. Midis morisë së ideve të reja të hulumtuara, vetëm disa çojnë në suksesin e biznesit.

Lexo edhe :  COVID-19/ FMN alokon 650 miliardë dollarë kundër krizës

Këto rreziqe janë veçanërisht të larta në agimin e një epoke të re të rendit digjital. Arritja e nivelit të dëshiruar të përpjekjeve inovative kërkon praninë e sipërmarrësve kurajozë, të gatshëm për të ndërmarrë rreziqe serioze, ose ekzistencën e një rezerve të mjaftueshme të kapitalit të rrezikut. Tregjet financiare në ekonomitë e zhvilluara e sigurojnë këtë kapital rreziku përmes formave të ndryshme të rregullimeve, fondeve të përbashkëta, tregtisë së kapitalit publik, kapitalit privat, etj.

Por nuk ka asnjë arsye pse shteti nuk duhet të luajë këtë rol në një shkallë edhe më të gjerë, duke promovuar jo vetëm inovacion më të madh teknologjik, por edhe duke kanalizuar përfitimet e kësaj risie drejtpërdrejt në shoqërinë, shoqërinë në tërësi.

Në librin e saj të titulluar “The Entrepreneurial State” botuar në vitin 2011, autorja Mariana Mazzucato rrëfen se shteti tashmë po luan një rol të rëndësishëm në financimin e teknologjive të reja. Interneti dhe shumë prej teknologjive kryesore të përdorura nga iPhone rrjedhin nga programe R&D (Kërkim dhe Zhvillim) të financuara nga publiku, ose nga projekte të Departamentit të Mbrojtjes të Sh.B.A-ve. Sidoqoftë, shteti në përgjithësi nuk merr ndonjë interes në komercializimin e teknologjive të tilla të suksesshme, duke i lënë investitorët privatë të marrin përfitimet e plota.

Sipas saj nuk duhet neglizhuar fakti që një shtet mund të krijojë një numër fondesh të kapitalit sipërmarrës publik, i cili do të merrte një pjesë në një organ të madh ndër-funksional të teknologjive të reja, duke mbledhur fondet e nevojshme dhe duke lëshuar bono në tregjet financiare. Këto fonde do të funksiononin në përputhje me parimet e tregut dhe do të duhet të paraqisnin llogari periodike tek autoritetet politike, duke qenë autonom në të gjitha aspektet e tjera.

Pjesa e fitimeve të këtyre fondeve publike nga komercializimi i teknologjive të reja do t’u kthehej qytetarëve të zakonshëm në formën e një dividendi të  titulluar “inovacioni shoqëror”, një fluks i të ardhurave, pra, që do të plotësonte atë që punëtorët marrin në tregun e punës. Kjo gjithashtu do të zvogëlojë orët e punës, duke na sjellë më afër ëndrrës së Karl Marx-it për një shoqëri në të cilën përparimi teknologjik lejon njerëzit të “dalin për gjueti në mëngjes, të peshkojnë pasdite, të merren me blegtori në mbrëmje dhe të kënaqen me biseda kritike pas darkës”.

Duket, pra, se shteti providencial nuk është asgjë tjetër përveç se një inovacion që na lejoi të demokratizojmë, dhe logjikisht të stabilizojmë kapitalizmin në shekullin e 20-të. Shekulli i 21-të përsëri kërkon një zhvendosje drejt një “rendi digjital inovativ”. Thembra e Akilit e shtetit providencial është se ai kërkon një nivel të lartë të taksimit pa stimuluar investimet kompensuese në kapacitete inovative.

Kalimi në një “rend digjital inovativ”, i vendosur brenda kufijve të përmendur më lart, do të na lejonte të pajtojmë kapitalin me mekanizmat stimulues që kërkon një investim i tillë. Por a mund të jetë ky rend i ri ekonomik një zgjidhje për sistemet tradicionale të mbrojtjes shoqërore të trashëguar nga shteti providencial?

Kur kriza sanitare u shfaq në horizont, ishte e qartë se ajo do të ishte e pashembullt. Në të kaluarën e afërt, kriza financiare globale ka sjellë një epokë të rritjes së ngadaltë, normave të ulëta të interesit dhe ndërhyrjes së përsëritur të bankave qendrore. Në ditët e sotme, kriza sanitare do të përshpejtojë trende të caktuara ekzistuese dhe do të çojë në ndryshime në sistemin ekonomik aktual. Sipas Philip Alston (2021) jemi duke përjetuar kalimin nga shteti providencial tek shteti digjital.

Në raportin e tij dërguar Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin 2020, ai analizon revolucionin e vërtetë që sistemet e mbrojtjes shoqërore po përjetojnë në një shkallë globale si rezultat i transformimit të tyre digjital. Kudo, kompjuterët dhe teknikat që rezultojnë nga kërkimet në inteligjencën artificiale mobilizohen për të automatizuar, parashikuar, identifikuar, monitoruar, zbuluar, shënjestruar dhe ndëshkuar.

Ky transformim digjital sipas tij zakonisht justifikohet nga objektivi i sigurimit të një administrate më efikase dhe më të sigurt. Sidoqoftë, ky revolucion shoqërohet në praktikë nga kufizime buxhetore, një ulje e numrit të përfituesve, vendosja e kushteve kufizuese dhe ndërhyrëse për dhënien e ndihmës si dhe mekanizma që synojnë të ndryshojnë sjelljen e përfituesve.

Sipas këtij raporti, transformimi digjital i Shtetit dhe i shërbimeve publike, duke u zhvilluar në të katër anët e botës, kryhet me indiferencë të përgjithësuar ndërsa përbën një revolucion të vërtetë politik dhe ligjor. Teknologjia nuk mund të jetë një zëvendësim i vullnetit të sovranit, as një zëvendësim i ligjit.

Është  e nevojshme, pra, që mbrojtësit e të drejtave dhe vlerave themelore të shtetit të së drejtës të rimarrin kontrollin duke i dhënë fund besimit në “pashmangshmërinë e një të ardhmeje thjesht digjitale”. Sipas tij, transformimi digjital duhet të jetë një projekt sesa një destini. Por ka një mësim për të nxjerrë nga ky raport. Shtetet janë treguar miopë duke besuar se mund të huazonin mirëqenien ekonomike në të ardhmen pa marrë parasysh ndryshimet ekonomike dhe prerogativat demografike.

Kjo situatë do të përkeqësohet me digjitalizimin e ekonomisë. Do të duhet domosdoshmërisht që shtetet të kalojnë vendimmarrjen përmes vendosjes së një vizioni realist afatgjatë të së ardhmes së tyre ekonomike dhe rolit që ata do të duhet të luajnë në të.

A do të jetë roli i shtetit në të ardhmen më ndërhyrës apo inteligjenca artificiale do të zëvëndësojë racionalitetin instrumental të individit? Ad Meliora


Të fundit


14 Korrik 1789/ Revolucioni Francez, sulmi ndaj Bastijas që solli ndryshimet rrënjësore në Evropë

Revolucioni francez, është njëri prej uraganeve politikë më të rëndësishëm në historinë botërore. Kryengritja e klasës së mesme, e cila quhet “klasa borgjeze”, filloi...

Në kërkim ndërkombëtar nga Interpol/ SPAK sekuestron pasuritë e familjarëve të Gerti dhe Armand Markut

SPAK ka sekuestruar disa pasurive në zotërim nga familjarë të Gerti Marku dhe Armand Marku. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë...

Lino Ventura, gjigandi italian që iu kushtua kinemasë franceze

Ai quhet Angiolino Giuseppe Pasquale Ventura. U lind më 14 korrik 1919 në Parma, Itali, dhe u nda nga jeta  më 22 tetor 1987...

Kongresi i Berlinit, çështja shqiptare nuk përfillet nga Fuqitë e Mëdha

Kongresi i Berlinit u hap më 13 qershor 1878, (do të vazhdonte deri më 13 korrik 1878) me rend dite rishikimin e Traktatit të...

Lajme të tjera

Web TV