Gjithçka artificiale

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Njeriu është munduar ta bëjë gjithmonë e më të mirë jetën e tij. Dhe ia ka arritur. Ka ngritur mbi tokë një mekanizëm gjigant industrial, për të prodhuar nga gjilpërat e makinave qepëse e kopsat e këmishëve deri te raketat kozmike, me të cilat ka nisur të eksplorojë një segment të papërfillshëm të Universit.
Dhe pse më shumë se 3500 vjet njeriu luftoi sipas të njëjtit parim: me shpatë mbi kalë dhe ndriçohej natën me anë të urave të zjarrit, duhet thënë se 150 vitet e fundit përparimi teknologjik ka qenë i mahnitshëm.

Tanimë, në ecjen marramendëse që po bën industria dhe laboratorët si pararendëse e saj, duhet të përgatitemi se gjithmonë e më tepër do të ballafaqohemi me ato që quhen: prodhime artificiale. Janë pikërisht këto elementë artificialë, që nis me oksigjenin e presuar në një bombol, të cilat do të na mbajnë në jetë.

Fjala vjen: prodhimet bujqësore OMGJ tanimë janë bërë pjesë e kulturës tonë. Por së shpejti do të kemi edhe prodhim shtazor OMGJ. Pra: mish sintetik. Dhe OMGJ ia kalon ku e ku plehut kimik dhe superfosfatit që ndihmonin në rritjen e prodhimit.
Për të gjitha këto zhvillime, njeriu ka pasur një indikacion që e ka vënë në dijeni, edhe pse në psikikën e tij ana vizuale e asaj çfarë i është ofruar nuk është marrë si e tillë.
“Lucy” është film francez i vitit 2014 me regji dhe skenar të Luc Besson. Në të luajnë aktorë të njohur si Scarlett Johansson e Morgan Freeman. E që të mos merremi me përmbajtjen e filmit po shkojmë drejt e te përfundimi i tij: Lucy, një personazh femër, nën efektin e një droge sintetike shumë të fuqishme, fiton aftësi gjithnjë e më të zgjeruara fizike dhe mendore, si telepatia, telekineza e udhëtimi në kohë. Kapaciteti i trurit të saj nën ndikimin e kësaj droge rritet nga 10 përqind në kushte normale, për të kapur ekstremet e saj. Dhe sa më shumë zgjerohej kufiri i trurit, aq më e aftë bëhej ajo në të gjitha dimensionet. Kur arrin 100 përqind të kapacitetit cerebral personazhi zhduket duke u zhvendosur në hapësirën kozmike.
Edhe pse fantashkencë, filmi jep të kuptosh se me rritjen e kapacitetit cerebral, njeriu mund të bëjë çudira, të cilat në kushtet e përdorimit të 10 përqind të kapacitetit, – aq sa e ka një njeri normal, – nuk do ta arrinte ta ëndërronte dot.
Deri tani njeriu me aftësitë e tij, duke vënë në zbatim teknologjinë, ka mundur që shumë gjëra deri dje natyrale, në mungesë të tyre t’i zëvendësojë me artificiale. Dhe kjo u vjen në ndihmë gati 8 miliardë njerëzve që gjallojnë mbi këtë tokë.
Lajmet e fundit bënë të ditur se në Emiratet e Bashkuara Arabe, në përpjekje për të sfiduar temperaturat e larta është stimuluar shiu artificial. Janë përdorur dronë që fluturojnë mbi re, të cilët lëshojnë ngarkesa elektrike, në mënyrë që të grumbullohen retë e të lëshojnë reshje.
Sa për borën artificiale ajo ka kohë që është futur në trend e nuk mungon as atje ku nuk ka rënë asnjëherë.

Lexo edhe :  Basha nuk i duhet më Ramës

Nga ana tjetër, multimiliarderi Bill Gates, – që i ka vënë detyrë vetes të shpëtojë botën, – ka bërë thirrje për konsumin e mishit sintetik të viçit në mënyrë që të ulen emetimet e gazeve serë që çojnë në ndryshimin e klimës. Sipas studimeve besohet se viçi është një kontribues masiv në emetimet e metanit të fuqishëm të gazit serë. Mishi sintetik, i prodhuar nga kulturat qelizore të kafshëve “in vitro” nuk kërkon therjen e kafshëve.
Pra gjithçka artificiale.

Dhe nëse nëpër markata, nga nesër e tutje do të gjeni mish artificial, mos mendoni se asortimentet e tjera të tavolinës do të jenë natyrale. Ato do të jenë po aq artificiale, por jo si mollët, dardhat e bananet plastike që mbahen për zbukurim mbi syprinën e frigoriferit.
Një tjetër film “Inteligjenca artificiale” prodhim i vitit 2001, me regji të Stiven Spilberg, shkon deri aty sa të na thotë se në një kohë jo fort të largët, industria do të prodhojë veç robotëve që do vihen në shërbim të njerëzve për punët e shtëpisë, edhe fëmijë, me ndjenja të vërteta, për ata prindër që duan të adoptojnë një të tillë.
Pra, një fëmijë artificial që do t’i dhurojë dashuri nënës që do ta “rrisë”.

Ky film, edhe pse po aq fantashkencë, të vë në mendime. Në shumë raste, mendja njerëzore e ka të vështirë t’i kuptojë këto ndryshime, dhe të ambientohet me to.
Por duket se shumë nga filmat e prodhuar në kohë, e që janë konsideruar si argëtues, si pjesë e zhanrit të fantashkencës, vite më vonë kanë vërtetuar se diçka e përafërt ka ndodhur. Në mos ka ndodhur ekzaktësisht siç është parashikuar. Në njëfarë mënyre kinemaja, por dhe letërsia e gjinitë e tjera të artit i paraprijnë vetë shkencës, ashtu si Zhyl Verni dikur me trillimet e tij shkencore.

Dhe si xhevahir mbi gjithçka që deri tani ka prodhuar dora njerëzore, duke u udhëhequr nga truri i tij, është zemra artificiale. Për këtë organ kaq jetësor specialistët thonë se ka më shumë avantazhe në trupin e njeriut, se ajo natyrale.
Sot po jetojmë me mjete e asortimente artificialë. Se çfarë do të ndodhë nesër askush nuk e di. Veç në daltë ndonjë Nostradamus i ri, e të na përcjellë përmes kuartinave imazhet e së ardhmes.


Të fundit

Gjithçka artificiale

Leonard Veizi

Administrata e re/ Rama “thith trurin” e të rinjve që jetojnë jashtë

Kryeministri Edi Rama në kuadër të nismës “Gati për Shqipërinë”, në këtë mandat të tretë pritet që të bëjë ndryshime në administratë. Nisma për...

Parashikimi i yjeve për ditën e sotme, 23 korrik 2021

Dashi Do e kuptoni më mirë gjatë kësaj dite se marrëdhënia në çift nuk i përmbush të gjitha objektivat e duhura, prandaj mund të merren...

Lajme të tjera

Web TV