Rama: “Ballkani i Hapur” është jo vetëm e ardhmja për prosperitetin e kombit, por edhe një mundësi drejt njohjes së Kosovës nga Serbia

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Kryeministri Edi Rama përmes një shkrimi në Facebook ka analizuar sipas tij situatën e diskutimeve në Kosovë e Shqipëri për shqiptarët në Ballkan.Ai iu është përgjigjur të gjitha atyre që e kanë akuzuar së fundmi si tradhtar për shkak të nismë ‘Ballkani i hapur’.

POSTIMI I PLOTE

Dje pata kënaqësinë e posaçme të kem për vizitë nga Kosova dy vajzat e arta shqiptare të Tokios, së bashku me trainerin e tyre fenomena. Kërkuan të më takonin dhe u ndjeva shumë i nderuar.

Biseda me vajzat e me trainerin dhe miqtë që i shoqëronin, ishte frymëzuese dhe me disa ide të bukura bashkëpunimi, që dakorduam t’i zhvillojmë së bashku.

Kur kërkuan të dilnim edhe në fotografi, u thashë “Po unë jam tradhëtar, s’dua t’ju hap telashe!”.

Qeshën shumë në fakt dhe i bëmë fotografitë, që kishin dëshirë edhe t’i postoja në faqen time.

Mirëpo, siç e prisja, ushtria digjitale e kinse patriotëve matanë kufirit, që të sharat e mallkimet i kanë armët e tyre të luftës qorre të shqiptarit me shqiptarin dhe që s’po dinë hiç çka t’i bëjnë gomarit e po i bien samarit, u lëshua uturishëm në lumin e komenteve të postimit tim. Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë, është më e mira që duhet thënë në këto raste.

Dhe falur i kam, ata e kë ata i frymëzon e i ushqen me helmin verbues të urrejtjes, dasisë, frikës nga e ardhmja.

Por dy fjalë sa më shkurt për një bisedë kaq të gjatë, s’po i le pa thënë me këtë rast.

Koha nuk ndalet dhe paqja nuk fitohet me mjetet e luftës.

Kosova e fitoi luftën falë aleancës së pathyeshme të Shteteve të Bashkuara me fuqitë më të mëdha europiane, në mbështetje të ushtrisë së saj çlirimtare. Pa atë aleancë as liria, as shtetësia, as paqja për popullin e Kosovës nuk do të kishte ardhur dot sot e gjithë ditën.

Po a mund ta fitojë Kosova paqen përfundimtare dhe a mund të prosperojë kombi shqiptar, duke u ftohur e siç i themi ne, duke “i treguar babait arat”, kur flet me Amerikën, Gjermaninë, Francën a me vetë Bashkimin Europian?

E bëj këtë pyetje, sepse e kam jetuar në vetë të parë “tregimin e arave”, deri në pikën që një lider kosovar i’a futi në sy të Merkelit e Macronit, “mu nuk më han luli për kta!” dhe mu aty e humbi rastin historik t’ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike.

A mund ta fitojë Kosova paqen dhe a mund të lulëzojë shteti i saj i ri, po edhe shqiptaria si e tërë, duke e kthyer Dialogun me Serbinë në një monolog që nuk i prish asnjë punë Serbisë (përkundrazi acaron prej vitesh tanimë nervat e aleatëve tanë të pazëvendësueshëm strategjikë, të cilëve për krejt fajin e monologuesve të Kosovës, Serbia u duket gjithnjë e më e pafajshme, ndërsa Kosova gjithnjë e më pak e arsyeshme)?

Lexo edhe :  Shkolla 9-vjeçare 'Murat Toptani' në Selitë gati për 360 nxënës në shtator/ Veliaj: Gati 10 shkolla të reja!

E bëj këtë pyetje, sepse prej 8 vjetësh tanimë e dëshmoj në vetë të parë, trajektoren gjithnjë e më në rënie të respektit e të durimit të tyre me Prishtinën zyrtare dhe më dhembin gjithnjë e më shumë shtrembërimet e buzëve të tyre, kur flitet për Kosovën.

A mundet të zgjidhet çështja e madhe e njohjes së Kosovës nga Serbia, duke e thelluar më tutje deformimin e madh disavjeçar tashmë në Kosovë, të bërjes së politikës së brendshme të Prishtinës politikë të jashtme të Kosovës dhe anasjelltas, si edhe duke e futur në shabllonin vulgar të tradhëtisë dhe vetë politikën e re rajonale të Tiranës zyrtare?

E bëj këtë pyetje këtu, për t’iu thënë të gjithë atyre në Kosovë që e kanë gjetur tradhëtarin tek unë, se së pari, unë jam po ai që në mes të Beogradit fola me zë të lartë për njohjen e Kosovës nga Serbia dhe sikur të tërë ta mbronin njohjen e Kosovës në gjuhë të huaj të paktën siç e mbroj unë, kudo e kurdoherë, sot Kosova do të ishte shumë më e respektuar ndërkombëtarisht.

Së dyti, Ballkani i Hapur është jo vetëm rruga e të ardhmes për prosperitetin e kombit shqiptar, si komb europian që përkatësinë e vet e ka në Europën e Bashkuar, por është edhe një mundësi e re dhe e madhe më shumë, në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia; sa për një nga shumë shembuj të dobisë së madhe të Ballkanit të Hapur, kush nuk do që ta kuptojë pse Ballkani i Hapur e heq më në fund kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, le të më thotë pse nuk e kanë hequr dot deri më sot, ata që e kanë premtuar me bujë dhe pse nuk e heq dot pa Ballkanin e Hapur atë kufi, asnjë prej atyre të cilëve “nuk u han luli” për aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Kosovës e të Shqipërisë bashkë, që e mbështesin plotësisht nismën Open Balkan.

Dhe së fundi, kush në Kosovë mendon se duke më sharë e mallkuar mua e bën Kosovën më të fortë në luftën diplomatike për njohjen nga Serbia, pushka top le t’i bëhet, e ka të gjithë bekimin tim të nxjerrë krejt gjuhën jashtë.

Por ama askush në Kosovë a në Shqipëri qoftë, të mos presë assesi që unë dhe shumica e re qeverisëse e Shqipërisë, të heqim dorë nga lufta diplomatike për paqe e prosperitet ekonomik e social në Ballkanin e Hapur – përfshirë edhe njohjen e Kosovës nga Serbia.

E cila bëhet me mend, krah për krah me aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Shqipërisë e të Kosovës, e jo me “lulin” e kinse patriotizmin digjital.

 


Të fundit

Zjarret në vend/ Kim takim me ministrin Peleshi dhe krerët e emergjencave civile

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim, ka zhvilluar një takim në Pashaliman, së bashku me ekspertët...

Rama: “Ballkani i Hapur” është jo vetëm e ardhmja për prosperitetin e kombit, por edhe një mundësi drejt njohjes së Kosovës nga Serbia

Kryeministri Edi Rama përmes një shkrimi në Facebook ka analizuar sipas tij situatën e diskutimeve në Kosovë e Shqipëri për shqiptarët në Ballkan.Ai iu...

Daily Mail shkruan për jetën luksoze të Morena Tarakut, ja çfarë komenton prestigjozja britanike

Prestigjozia britanike “Daily Mail” ka shkruar për pushimet luksoze të figurave më të njohura publike, ku mes tyre është edhe shqiptarja Morena Taraku. Mes të...

Ngacmoi seksualisht të miturën, arrestohet pedofili në Gjirokastër

Një person është arrestuar në Gjirokastër pasi akuzohet se ka ngacmuar një të mitur. “Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër arrestuan...

Refuzuan të bënin vaksinën, e gjithë familja shuhet nga koronavirusi për një javë!

Një familje është shuar nga COVID-19, vetëm pak ditë pasi kishin refuzuar të marrin vaksinën kundër COVID-19. Ka qenë djali i familjes i mbetur gjallë...

Lajme të tjera

Web TV