Reagimi qytetar ndaj premtimeve elektorale dhe programeve qeverisëse

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Eduart Gjokutaj

Në zgjedhjet për Kuvendin në periudhën 2009 -2021 ka ulje të numrit të pjesëmarrjes së qytetarëve në votime. Ndërkohë, votuesit për partinë e majtë kanë rritje, e cila duket se vjen në një nivel konsistent, votuesit për partinë e djathtë paraqiten me ulje-ngritje dhe mungesë konsistence.

1. Nga perspektiva e arsyetimit për votuesin e pavendosur, mekanizmi i llogaridhënies nuk ka funksionuar dhe është më keq sesa ishte më parë. Kjo gjetje shihet në uljen e numrit të votuesve në përgjithësi nga njëra zgjedhje në tjetrën. Nëpërmjet të dhënave në tabelë shihet se besueshmëria në dy partitë e mëdha së bashku ka rënie, duke marrë shkas në mungesën e një llogaridhënie sipas kërkesave të votuesve dhe mungesën e një dialogu të sinqertë mbi nevojat reale dhe zbatimi i programeve politike sipas një qasje bazuar te kërkesat që dalin nga konteksti elektoral dhe produktiviteti fiskal i buxhetit të vendit.               

2. Nëse do të llogaritim që fatin e fitores në zgjedhje nuk e vendos fokusimi te kategoria e votuesit ideologjik, por në një betejë zgjedhore faktorët ndikuesë janë të lidhur me një gamë  më të gjerë elementësh, atëherë analizimi me përmbajtje gjithëpërfshirëse është edhe metodologjia e analizës për të arritur në përfundimin e kërkuar.

Në tabelë, shihet se edhe pse premtimet për shtim buxheti për sektorët ekonomikë është më shumë në zgjedhjet politike të vitit 2009 dhe 2013, duket se nuk përkojnë me një rritje të rezultatit zgjedhor për Partinë Demokratike në këto zgjedhje. Po kështu edhe për PS vlen të përmendet i njëjti fakt lidhur me premtimet në vitin 2013 dhe 2021, ku rezultatet zgjedhore janë më të larta se zgjedhjet e kaluara, por me premtime të ulura të shtimit të financimeve buxhetore.

Nën supozimet e bazuara te faktet e votimeve të dekadës së fundit, me gjithë ndryshimet e politikave ekonomike dhe mosmbajtjen e premtimeve të transformuara pjesërisht në programe qeverisëse, vota popullore është orientuar e ndikuar në mënyrë të moderuar nga niveli i mbajtjes së premtimeve dhe përmbushjes së programeve të qeverisjes.

3. Nëse votuesi i pavendosur do të mbështeste logjikën për orientimin e votës së tij, sipas programeve politike dhe ekonomike, si dhe nga qasja e fakteve retrospektive të qeverisjeve të kaluara, atëherë vota që do të përcaktonte fitoren duhet të dilte pikërisht nga kjo kategori votuesi.

Por, ky konstatim duket se kundërshtohet nga treguesit e votimit për secilën parti në raport me nivelin e numrit gjithsej të qytetarëve me të drejtë vote.   Kështu, edhe pse programet politike të qeverisë Rama 1 dhe Rama 2 kanë një dinamikë që prek sektorë jetikë për interesat e një komuniteti sa më të gjerë të mundshëm duket se nuk ka një ndikim rritë me më shumë se 1-2 pikë përqindje (shih tabelën më lart). Në rastin e zgjedhjeve të vitit 2017 duket se diferenca në rritjen e numrit të votuesve është më së shumti një vendimmarrje e ndikuar nga votuesi i pavendosur, i cili përfshin kategorinë e votuesve që nisen nga qasja politike programore, se sa nga programe të mirëfillta ekonomike. Në fushatën zgjedhore të vitit 2017, PS pati një vijimësi të programeve të filluara në vitin 2013, por jo programe ekonomike që ndryshonin nga zgjedhjet e kaluara dhe të përbënin dallimin në filozofinë e modelimit të ri ekonomik.

4. Në analizën e realizimit të objektivave zgjedhore për maksimalizim të votave në të dyja kategoritë, në grafikun më poshtë vërehet pikërisht se ndërsa partitë janë në opozitë kanë tendencën të rritin sasinë e premtimeve për politika tatimore zbutëse dhe angazhime politikash për grupe interesi specifike (pronarët e tokave, ushtarakët, minatorët, etj). Ndërsa partitë fitojnë mandatin për të qeverisur, premtimet elektorale janë të natyrës buxhetore, por pa harruar të përmendin si vijimësi të politikave tatimore, shtim buxhetesh për sektorët, por në fakt janë vetëm për efekt konkurence elektorale.

Kjo shikohet nëse vërejmë se premtimet nuk arrijnë të realizohen në rastin më të mirë më shumë se sa gjysma e tyre. Në tërësinë e tyre, të dy kategoritë e votuesve (i pavendosur dhe ideologjik) edhe pse kanë bërë zgjedhjet e tyre të ndikuara edhe nga politika, ata nuk kanë rritur dobinë e zgjedhjes në funksion të leverdisë ekonomike edhe pse politika është zhvendosur në pozicione ideologjike më larg pikës së tyre ideale. Në të njëjtën distancë, që ato janë zhvendosur nga ideologjia e tyre në momentin kur u (ri)krijuan, po aq duhej të ishte zhvendosur edhe votuesi ideologjik në raport me bindjet e tij fillestare. Nisur nga intensiteti i pjesëmarrjes së grup moshave mbi 60-65 vjeç në votime (një grup moshë me përvojë politike nga ideologjia me prirje të majtë), si dhe duke u bazuar te fakti i një mungese në tregun e botimeve politike të studimeve që mund të orientonin zhvendosjen ideologjike drejt të menduarit bazuar te modeli ekonomik dhe ekonomia mbi politikën ka ndodhur një ndryshim i vogël i zhvendosjes së prirjes politike të votuesve drejt qendrës apo partisë me prirje të djathtë.

5. Partitë politike në Shqipëri (veçanërisht partitë e mëdha) nuk janë analizuar e gjykuar me votë në tërësinë e tyre për rishikimin e përgjegjësisë që drejtim të mosmbajtjes së premtimeve apo devijimit nga premtimet kur drejtojnë qeverinë. Arsyeja kryesore gjendet pikërisht te sistemi politik dypartiak, në një model demokracie të brishtë, ku kontrolli dhe balancat e pushtetit janë të dobëta. Një arsye tjetër, që ka diktuar këtë qasje gjendet edhe te faktorë të tjerë që merren në konsideratë nga votuesit e pavendosur dhe ata klientelistë, të cilët nuk e kushtëzojnë votën e tyre me informacionin ekonomik. Nga perspektiva e arsyetimit për votuesin e pavendosur, mekanizmi i llogaridhënies nuk ka funksionuar dhe është më keq sesa ishte më parë. Kjo gjetje shihet në uljen e numrit të votuesve në përgjithësi nga njëra zgjedhje në tjetrën. Për partitë e sotme, të gjithë votuesit e synuar janë pikërisht këto dy kategori (i pavendosur dhe klientelist), që mbështesin një parti duke u nisur nga qasje personale dhe jo ajo ideologjike. Por, gjithashtu këto kategori përbëjnë edhe rriskun më të madh nëse mandati qeverisës nuk është konsumuar ashtu si është premtuar, pasi ata mund t’i kërkojnë llogari qeverisë me zë më të fortë se kategoria e votuesve ideologjikë. Ndërsa partitë janë në opozitë kanë tendencën të rritin sasinë e premtimeve për politika tatimore zbutëse dhe angazhime politikash për grupe interesi specifike (pronarët e tokave, ushtarakët, minatorët, etj). Ndërsa partitë fitojnë mandatin për të qeverisur, premtimet elektorale janë të natyrës buxhetore, por pa harruar të përmendin si vijimësi të politikave tatimore, shtim buxhetesh për sektorët, por në fakt janë vetëm për efekt konkurence elektorale.

  1. Përveç sigurimit të qasjes populiste me një mundësi për të kapur pakënaqësinë në rritje lidhur me situatën ekonomike dhe nivelin e mirëqenies, korrupsionin që e rendit Shqipërinë ndër vendet më të korruptuara në Europë, zhvendosja politike e së djathtës shërbeu për të rritur epërsinë e ankesave sociale dhe ekonomike, por duke mos kaluar dot të arrijë të konvertojë në vota votuesit e pavendosur. Ndërsa e majta dhe e djathta tentojnë të konvergojnë në çështjet e politikës ekonomike, politizimi i çështjeve joekonomike u bë, tema që synuan të tërheqin votuesit, por pa arritur të depërtojnë me analiza të thelluara dhe shteruese, si dhe me një vetëbindje irracionale se ndryshimi i tendencës së votës do të vinte për forcë rotacioni historik ciklik, i cili në 30 vitet e fundit ka ndodhur pas 8 viteve qeverisje të partisë së djathtë./të majtë.

Në fakt, në analizën e premtimeve elektorale të partisë së djathtë dhe të majtë shikohet se mungon konkurrenca e ideve në një fushë/çështje të re duke u paraqitur para votuesve me pak ose aspak dallime ideologjike/të dukshme nga njëri-tjetri. Kjo qasje strategjike elektorale e partisë së djathtë dhe të majtë  nuk e kanë shmangur dot humbjen e votuesve si pasojë e indiferencës ndaj politikës. Këto dinamika gjithashtu nxitën parti/lëvizje të reja të shfaqen dhe të konkurrojnë në çështje jo-ekonomike, por polarizimi i madh i elektoratit dhe propaganda e shfrenuar deri në shkelje të Kodit (etikës) Zgjedhor. Në mënyrë të ngjashme, me pak diferenca midis të majtës dhe të djathtës, duke u bazuar te një qasje tradicionale në mungesën e duhur të vëmendjes në çështjet e politikës ekonomike, votuesit gjetën arsye t’u kushtonin më shumë vëmendje faktorëve joekonomikë.

  1. Ne argumentojmë, se zhvendosja e së majtës në qendër për çështjet ekonomike, dhe në veçanti pranimi i saj i reformave “neoliberale” siç është privatizimi të pjesëve të sektorit publik, ulje të taksave dhe shtetit të mirëqenies kanë dhënë efektin e tyre në rritjen e përkrahejs nga votuesit e pavendosur. Megjithëse kjo zhvendosje ka një kuptim në periudhën afatshkurtër, për një periudhë afatgjatë mundet të ketë pasoja të dëmshme, ndoshta edhe fatale, pasi orientimi drejt votuesit të pavendosur dhe klientelist në kurriz të votuesit ideologjik ul profilin politik të partisë, por edhe vijimësinë e përkrahjes në zonat ku konsiderohen bastione politike. Zhvendosja në profilin politik të së djathtës, duket se u pasqyrua në humbjen e votave ideologjike në bastionet e saj (Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë). Për më tepër, kjo zhvendosje dhe pasojat e saj kanë qenë thelbësore për ngritjen e një të djathte nativiste, populiste dhe për tu identifikuar me zgjidhjen e problemeve më të gjera me të cilat përballet demokracia sot në vendin tonë.

 Zhvendosja e boshtit kryesor të konkurrencës politike nga çështjet ekonomike në ato sociale në realitetin e fushatave elektorale në këto 12 vite të fundit ka qenë një përfitim më shumë për të djathtën populiste sesa për të majtën tradicionale. Kështu, premtimet për rritje pensioni, për rritjen e pagës, për uljen e taksave dhe forcimin e politikave sociale kanë prodhuar vota më të mëdha në zonat rurale për PD dhe aleatët e saj.

Historikisht, të paktën në periudhën që po analizojmë, e majta ka përfituar më shumë kur identiteti elektoral i saj është orientuar i përqëndruar drejt grupeve/shtresave të margjinalizuara duke u prirur të jetë në simbiozë me pakënaqësinë e votuesit të majtë, i cili nuk identifikon si të keqen e vet partinë politike, por sistemin politik. Ky kamuflim strategjik i partisë së majtë nën ombrellën ideologjike duke synuar të zgjerojë bazën e votimit të partisë së majtë në larmishmërinë e saj (diversifikim të bazës) është më i dukshëm se baza e votuesve të së djathtës (për sa i përket etnisë, fesë dhe identitetit seksual). Natyrshëm, që nëpërmjet politikës së diversifikimit të bazës së votuesve është arritur edhe të ndahet orientimi politik midis një të majte “të re” dhe një të majte “të vjetër” që ka spikatur për normat shoqërore tradicionale, të trashëguara nga sistemi i kaluar.

Pra, kur konkurrenca politike përqendrohet në çështje sociale, bëhet më e vështirë për partitë e majta të ndërtojnë dhe mbajnë koalicione të gjera, kohezive elektorale, ndërsa heqja dorë prej kësaj qasje elektorale politike prej partive të djathta ka rezultuar në mpakjen dhe mungesën e zgjerimit të bazës së votuesve, në një mënyrë të ngjashme si partia e majtë.

Lexo edhe :  Sara Gjordeni në pritje të ëmbël! Së shpejti ajo dhe Bardhi bëhen prindër

8. Një arsye, ku skenari i abstenimit të votuesve nuk ka ndodhur në mënyrë masive është edhe prania e partive të vogla, të cilat u kanë ofruar votuesve mundësinë për të hedhur votat e protestës për këto parti. Një rast shembull në këtë orientim është LSI, e cila është rritur deri në zgjedhjet e vitit 2021 kryesisht duke ruajtur një profil anti establishment edhe pse në dy qeverisjet (Berisha 2 dhe Rama 1) kanë qene pjesë faktoriale e këtyre kabineteve. Votat e përfituara nga kjo parti janë pjesërisht vota kundër partisë qeverisëse, por ato janë edhe vota të votuesve të pavendosur dhe votuesve materialistë, që tregojnë një mosgatishmëri për të votuar për partinë kryesore të opozitës.

Votuesit që mbështesin partitë e vogla (LSI, PR, PSD, PDIU, PAA, LZHK etj.) në mënyrë të efektshme abstenojnë nga zgjedhja si opsion votimi për qeverinë, sepse ata shikojnë te këto parti mundësinë që të fitojnë pozicione. Edhe nivelet e konsiderueshme të mbështetjes elektorale të partive të vogla/reja rezultuan se nuk mund të funksionojnë më shumë se të jenë në funksion të mirëmbajtjes së një sistemi parlamentar kryesisht dy-partiak, por që nuk lejohen të jenë përtej këtij formati bllokues të sanksionuar edhe në Kodin Zgjedhor. Në këtë model sistemi politik, partitë e vogla shihen si valvola sigurie për dy partitë e mëdha, duke mundësuar mbijetesën e tyre, pa lënë mundësi dhe burime që ato të konkurojnë partitë e mëdha.    

  Ky model politik funksional në këto tre dekada ka ndikuar që mbështetja për partitë e vogla të ketë rënë dhe rrjedha e votës ka qenë pasoja më e dukshme. Votimi për partitë e vogla është një reagim që tregon difektet e sistemit, por tregon edhe nevojën për informimin dhe edukimin e votuesit që të jenë të orientuar në votën e tyre ndaj dështimeve të llogaridhënies në sistemin dy-partiak, i cili bazohet pikërisht nga votat e votuesit materialist dhe votuesit të pavendosur.

9. Partitë politike në Shqipëri (veçanërisht partitë e mëdha) nuk janë analizuar e gjykuar me votë në tërësinë e tyre për rishikimin e përgjegjësisë që drejtim të mosmbajtjes së premtimeve apo devijimit nga premtimet kur drejtojnë qeverinë. Në shikim të parë, kjo formë e përgjegjësisë duket se ndodh në ditën e votimit duke ju nënshtruar hamendësimit se votuesi është i kujdesshëm të mbajë qëndrim për përgjegjësinë politike dhe qeverisëse të partive. Një marëdhënie në këtë format mundet të ndodh nëse performanca politike/qeverisëse konsiderohet nga votuesi e papranueshme dhe mbi këtë argument përcaktohet përgjegjësia dhe bëhet shkëmbimi i bindjes në votën në adresën e partisë që është në krahun e përgjegjshmërisë. Por, në analizën e katër zgjedhjeve parlamentare të fundit, qeveritë edhe pse kanë treguar se i kanë shkelur premtimet që duhet ti përmbushnin gjatë mandatit të tyre ose janë prezantuar si të paafta në ushtrimin e detyrës (drejtuesë institucionesh qendrore me kapacitete dhe integritet të cunguar), elektorati përsëri nuk i ka “pushuar”, por i ka rivotuar në zgjedhjet e ardhshme. Arsyeja kryesore gjendet pikërisht te sistemi politik dypartiak, në një model demokracie të brishtë, ku kontrolli dhe balancat e pushtetit janë të dobëta. Sistemet dy-partiake nuk mishërojnë strukturat e konkurrencës për qeverinë. Ato përfshijnë të njëjtat parti të alternuara në administrata me shumicë partiake. Strukturat partiake  janë konkurrenca e pandershme e modelit të qeverisjes së hapur që zbatohet në vendet që aplikojnë me sukses një sistem demokratik liberal.

10. A kanë ndonjë pasojë elektorale partitë qeveritare nga mosmbajtja e premtimeve? A duhet që partitë qeveritare të kenë frikë nga humbje të zgjedhjeve politike, nëse shfaqin një performancë të dobët në përmbushjen e programeve të tyre? Në fakt edhe Shqipëria nuk bën ndryshim nga lidhja e fortë midis mbajtjes së premtimeve dhe rizgjedhjes së tyre. Një nga dilemat që konstatohet nga historiku i rezultateve zgjedhore në periudhën 2009-2021 është fakti, nëse qytetarët e konsiderojnë këtë ndryshim në performancë në zgjedhjen e partisë që ata votojnë?

 Duke e parë nga ky këndvështrim i analizës, nga tabela më lart shikojmë se mund të ketë pasoja të konsiderueshme në rizgjedhjen e partisë duke u nisur nga mbajtja/mosmbajtja e nivelit të performancës së premtimeve elektorale në programet politike të partisë kryesore qeverisëse.

Kjo duket nga fakti i matur, se ndërsa niveli i mbajtjes së premtimeve nga partia e djathtë, si parti kryesore e koalicionit qeverisës ka rezultuar në një nivel mosmbajtje të lartë të deklaratave politike dhe programeve bazuar mbi deklaratat nuk është rizgjedhur dot. Ndërkohë, një performancë më e lartë e partisë së majtë në tregon se është një arsye për tu rivotuar dhe rizgjedhur për të qeverisur. Natyrisht, vetëm kjo nuk mjafton si arsye për të tërhequr votat e të pavendosurve, por është një faktor direkt dhe i matshëm për të orientuar argumentimin e një shansi për të fituar zgjedhjet politike.             

  Performanca e premtimit të një partie ndikon në shanset e saj për t’u rizgjedhur, pasi idetë e prezantuara me elementin e argumentit logjik dhe atë politiko-ekonomik mundëson një përkrahje më të madhe nga votuesit. Në qeverisjen Berisha 1 (në koalicion me LSI dhe parti të tjera), niveli i realizimit të premtimeve është 20% deri në mbylljen e mandatit qeverisës në vitin 2013. Në qeverisjen Rama 1, niveli i realizimit të premtimeve është 36% (në koalicion me LSI dhe parti të tjera), ndërsa në qeverisjen Rama 2 (PS e vetme në qeverisje), niveli i realizimit të premtimeve është 52%.

Në dukje shihet se niveli i realizimit të programeve qeverisëse të bazuara në premtimet elektorale është në rritje, por në fakt edhe në rastin kur kemi të bëjmë me një parti të vetme në qeverisje ky nivel është i ulët. Arsyet e një niveli të ulët realizimi vijnë sa nga orientimi i premtimeve drejt dëshirave të kategorive të votuesve të pavendosur dhe klientelistë, por edhe një maturim ende i paplotë i modelit politik që zbatohet sipas sistemit që partitë e mëdha kanë preferuar të zbatohet në gjithë këto vite.            

   Në rastin, kur qeverisja është drejtuar nga vetëm një parti politike, ajo mbetet përgjegjëse në përputhje me konseguencën e politikave të zbatuara edhe nga qeverisja më parë në fusha të ndryshme të jetës së vendit. Me këtë qasje, ajo mundet të ndikojë orientimin e votës edhe për votuesit e pavendosur, por edhe ata materialistë  duke e konsideruar se është më afër preferencave të tyre. Nga njëra anë, premtimet që bëhen në fushatë priren të kënaqin dëshirat personale të këtyre votuesve. Nga ana tjetër, shndërrimi i një pjese më të madhe të premtimeve në programe për zbatim në krahasim me partinë kundërshtare përbën një bazë të sigurt për një tërheqje më të madhe të votuesve të pavendosur dhe materialistë në favor të saj. Kjo strategji elektorale që ka përdorur me sukses Partia socialiste ka funksionuar si një largpamësi për të kënaqur pritshmëritë e votuesve për të ardhmen duke përdorur performancën e kaluar qeveritare si burimin e besueshëm të informacionit dhe argumentit.

  11. Ashtu si edhe në sistemet demokratikë të shteteve të rajonit ballkanik, të ngjashëm me sistemet pluraliste në vendet e tjera në zhvillim, politika shqiptare në dy proceset e zgjedhjeve politike më të fundit (2017 dhe 2021) është karakterizuar nga politika klienteliste. Synimi i fushatës për të pasur pak ose aspak përmbajtje të politikave ka ndryshuar modelin e fushatave zgjedhore të kaluara, duke i orientuar partitë më shumë me frymën që përçon udhëheqësi/t e saj se sa  me prezantime platformash dhe programesh të modeleve që jemi njohur deri pak vite më parë. Edhe premtimet e politikave dhe veprimeve që deklarohen për mandatin qeverisës në tentativë duken që janë në funksion të modelit klientelist, se sa objektive politike.

Një fakt që e provon këtë është mospërfshirja e nje sasie jo të pandjeshme të premtimeve të fushatës zgjedhore në programin politik qeverisës.“Blerja e votave është e përhapur dhe e pranuar gjerësisht, dhe çmimi për votim zakonisht varion nga 10 mijë Lekë deri në 37 mijë Lekë për familje”, megjithëse këto akuza të opozitës janë të vështira për tu provuar nga drejtësia. Çmimi ndryshon me kushtet ekonomike lokale dhe konkurrencën e zgjedhjeve dhe çfarë përmendim më lart janë  referenca nga media investigative, bashkë me deklaratat publike të lidershipit politik. Këto janë shuma të konsiderueshme, duke pasur parasysh se pragu i varfërisë në 2015 nuk e kalon  500 Lekë në ditë për një familje.

Edhe pse këto çmime janë jashtë normës ligjore dhe morale duke shërbyer si një faktor anormal në procesin parazgjedhor, blerja e votës është ende një strategji relativisht me kosto efikase, përderisa vijueshmëria arrin të sfidojë ligjin për pjesën e krimit zgjedhor me gjithë ashpërsimin e tij në dënimin e këtij fenomeni kriminal. Për më tepër, blerja e votës dhe nivelet e sfidimit të ligjit janë të ndërlidhura pozitivisht, duke përdorur mundësinë e mungesës së fakteve që mund të provojnë kryerjen direkte të krimit të blerjes së votës. Hendeku midis mangësive në informacionin e plotë dhe bazuar mbi prova dhe analiza, si dhe strategjitë elektorale klienteliste nxjerrin në pah një arsyetim të vlefshëm për mungesën e përmbajtjes referuese të politikës në ndryshimet e Kodit zgjedhor në këto zgjedhje. Mungesa e angazhimit në ligjërimin programor dhe mungesa e shpërndarjes së informacionit vijoi të jetë një praktikë jo pozitive në fushatat parazgjedhore dhe gjatë procesit zyrtar të tyre .

Në rrethanat e ambjentit politik, social dhe ekonomik, në të cilin premtohet dhe zhvillohen programet politike të partive është një detyrë mjaft e vështirë për votuesit që t’u atribuojnë përgjegjësi partisë qeverisëse. Ekonomia dhe performanca e saj kanë në brendinë e proceseve  fenomene shumë komplekse për tu identifikuar, sqaruar dhe prezantuar si përfshirje dhe përgjegjësi e vetëm një partie politike. Zhvillimi i ekonomisë dhe performanca e saj ndërthuret nga  aktorë të ndryshëm, të tillë si: kompani biznesi, grupe interesi, interesa publike, interesa të shteteve dhe bizneseve shumëkombëshe, si dhe ndikime nga tregtia ndërkufitare. Nisur nga kombinimet e ndryshme në jetën e përditshme, përgjegjësia nuk arrin dot t’i atribuohet në mënyrë të qartë njërit prej këtyre aktorëve, për ti bërë përgjegjës për një gjendje të keqe të ekonomisë.

Nga këndvështrimi i votimit të premtimit retrospektiv, sidoqoftë, partitë mund të konstatohen nga votuesi si përgjegjëse për politika dhe rezultate të ndryshme. Kështu, votimi i bazuar te premtimi retrospektiv krijon një lidhje midis pritjeve që janë krijuar nga vetë premtimet e një partie dhe përmbushjes aktuale të këtyre premtimeve gjatë kohës së saj në qeveri (apo mospërmbushja e premtimeve politike, për nisma ligjore specifike gjatë kohës së një partie në opozitë). Motoja e ardhme e shoqërisë civile munde të ishte “Një elektorat i mirë informuar dhe i mobilizuar politikisht ka më shumë rëndësi se niveli i zhvillimit ekonomik për të siguruar një qeverisje të mirë”.

Të fundit

Kina mund të përpiqet të marrë nën kontroll Hënën? Ja çfarë thotë NASA

NASA ka paralajmëruar se Kina mund të tentojë të marrë përsipër pjesë të Hënës brenda vetëm disa viteve. Administratori...

Mark Marku: Kërkova Rithemelimin e PD kur ishte në pushtet, më thanë ik na ler rehat

Ditën e sotme, gjatë një rrëfimi ndryshe në podcastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Mark Marku, ka treguar se ka...

Tiranë/ Pamje tmerri, automjeti tërheq zvarrë qenin në rrugët e kryeqytetit

Një video e pazakontë është shpërndarë në rrjetet sociale. Një qytetar ka kapur përmes telefonit të tij, momentin teksa një automjet tërheq pas vetes...

Meta e Kryemadhi nuk janë Çausheskët e Tiranës, Berisha dhe leksioni Veliaj për të tre

Nga Lorenc Vangjeli Eshtë e pamundur t’i shpjegosh një “alieni” që vjen për herë të parë në Tiranë, se çfarë po ndodh me politikën në...

Rama: Nis puna për investime të reja në pesë shkolla në Shkodër

Kryeministri Edi Rama njofton se së shpejti do të çelen investimet e shumëpritura në pesë shkolla në qytetin e Shkodrës. Përmes një postimi në rrjetin...

Lajme të tjera

Web TV