Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe komuniteti Mysliman kanë reaguar për situatën e krijuar në Afganistan dhe vendimin e Shqipërisë për të pranuar afganë, që kanë punuar për qeverinë amerikane.
Kryegjyshi Botëror, Baba Mondi, shprehet se mbështet nismën për pranimin e afganëve në vendin tonë, ndërsa ju drejtohet shqiptarëve me thirrjen “Hapni zemrat Shqiptarë ashtu siç ju ka hije ,e tradita e shqiptarit e ka zakon dhe pranoni këta njerëz të pafajshëm që aq shumë e duan jetën e luftojnë për të!”.
Deklarata e Kryegjyshit Botëror:
Ashtu sikundër çdo shtet demokratik , çdo shtet paqedashës , edhe shteti Shqiptarë dhe qeveria shqiptare renditet ndër shtetet që me humanizmin e mikpritjen që e karakterizon, mirëpret popullin afgan, në mënyrë që ti mbrohet jeta e të mos kërcënohet e asgjesohet nga talebanët barbarshit, pse qëndroi në krah të NATOS, këtij institucioni paqedashës e ruajtës i jetës dhe i rendit.
I bashkohem dhe uroj përzemërsisht, shtetin dhe qeverinë Shqiptare, që ju përgjigj shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të ndihmuar këtë popull që kërkon liri, paqe, ngrohtësi e dashamirësi. Që kërkon ti mbrohet jeta e të mos vritet brutalisht e pa mëshirë nga talebanët.
Misioni i komuniteteve fetare jo vetëm në Shqipëri por kudo në botë, është përhapja e vlerave morale, paqedashëse , dhe mikëpritja e shpirtmadhësia. Kryegjyshata Botërore Bektashiane mbështet këtij nismë për strehimin e popullit Afgan në shtetin Shqiptarë, me qëllim mbrojtjen e jetës, shëndetit e të gjithë atyre familjeve që enden rrugëve e kërkojnë një strehë ku të mbështeten , një përkrahje humane, e një sofër të ngrohtë.
Hapni zemrat Shqiptarë ashtu siç ju ka hije ,e tradita e shqiptarit e ka zakon dhe pranoni këta njerëz të pafajshëm që aq shumë e duan jetën e luftojnë për të!
Jeta është e shtrenjtë dhe e shenjtë dhe shqiptarët kurdoherë , historikisht e kanë treguar zemërgjerësinë e dashamirësinë për çdo kënd që ka patur nevojë për ta, ju ka ofruar ndihmën, përkrahjen, sofrën e dashurinë vëllazërore! Edhe këtë herë mikëpritja e zemra çdo besimtari shqiptarë do të hapet e do të mirëpres këtë popull të vuajtur por me besim në Zot e që kërkon të jetojë!
KRYEGJYSHI BOTËROR I BEKTASHINJVE
SHENJTËRIA E TIJ
HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ
Ndërsa komuniteti mysliman shkruan se: motra dhe vëllezër, ditët e fundit u njohëm me lajmin se vendi ynë, Shqipëria, do të strehojë qindra mërgimtarë nga Afganistani, të cilët ikin nga përndjekja e regjimit të ri që po vjen në vendin e tyre. Si besimtarë dhe si shqiptarë ne na takon t’i mirëpresim dhe të tregohemi bujarë me ta.
Postimi i komunitetit mysliman:
Me emrin e Zotit, Mëshiruesit Mëshirëbërësit! Të dashur qytetarë, myslimanët anë e kënd botës, këto ditë, janë në muajin e parë të vitit të ri hixhri. Viti i ri në fenë islame është përkujtimi i emigrimit të Profetit Muhamed (a.s.) dhe myslimanëve nga Meka për në Medinë, si shkak i persekutimit dhe përndjekjes.
Motra dhe vëllezër, ditët e fundit u njohëm me lajmin se vendi ynë, Shqipëria, do të strehojë qindra mërgimtarë nga Afganistani, të cilët ikin nga përndjekja e regjimit të ri që po vjen në vendin e tyre. Si besimtarë dhe si shqiptarë ne na takon t’i mirëpresim dhe të tregohemi bujarë me ta.
Mysafiri është amanet i Zotit për mikpritësin. Institucionet e vendit dhe aleatët e vendit tonë kanë marrë të gjitha masat e duhura që kjo situatë të menaxhohet më së miri. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është i gatshtshëm të japë ndihmesën e tij, në qoftë se nevojitet, për këtë rast. Gjithashtu, ne i bëjmë thirrje besimtarëve të tregohen bujarë, të paqtë dhe mikpritës me mërgimtarët për hir të Allahut. I lutemi Zotit të gjithësisë që konfliktet dhe luftërat të marrin fund në çdo vend të botës!/Gazeta Shqip