Me largimin e Antonio Contes dhe lojtarëve si Hakimi dhe Lukaku të shumtë ishin ata që menduan e mendojnë se Interi i këtij sezoni është jashtë luftës për mbrojtjen e titullit kampion.
E në fakt zikaltërit kuotohen pas Juventusit në garën për titullin e këtij sezoni. Por, ndeshja e parë provoi se si largimi i Contes, ashtu edhe e dyshes Hakimi-Lukaku jo vetëm që nuk ka ndikuar në marrjen e rezultateve pozitive, por përkundrazi.
Ndryshe nga Interi i Antonio Contes që luante më shumë nga krahët dhe me topa të gjatë për të shfrytëzuar shtatlartësinë e Lukakut, Interi i Simone Inzaghit luan më fort në qendër dhe është më argëtues në fushë dhe lojtari që duket se do ta marrë përdore këtë sezon është turku Calhanoglu.
Me një gol dhe një asist, fantazisti ish-milanist është përshtatur shpejt me skuadrën e re, po ashtu si boshnjaku Edin Dzeko, që gjithashtu shënoi një gol dhe dha asistin në golin e Calhanoglu.
Dy golat e tjerë u shënuan nga Vidal dhe Skriniar. Ndërkohë, edhe Sasuolo fitoi në transfertë 3-1 ndaj Veronës, ndërsa Atalanta dhe Lacio luajnë në mbrëmje përballë Torinos dhe Empolit.