Qeveria e re/ “Rama 3”, surpriza në kabinet dhe sfidë me “Ballkanin e Hapur”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e fundit të qeverisjes së mandatit 2017-2021, vlerësoi disa reforma të kryera, por la pezull të gjithë ministrat nëse do të rikonfirmohen ose jo. Rama vuri theksin në dy prioritetet si infrastruktura e vendit dhe vendosmëria për ta çuar më tej marrëveshjen “Ballkani i Hapur”, pavarësisht mosdakordësisë së Kosovës.

Kryeministri Edi Rama ka lajmëruar se javën që vjen do të mandatojë qeverinë e re. Në mbledhjen e fundit të qeverisë “Rama 2” ai ka njoftuar një formacion të ri në kabinet. Që në fillim të fushatës elektorale vuri theksin tek të rinjtë, ndaj në këtë mandat ai do të surprizojë me emrat që do të ulen në kabinetin e tij. Kryeministri njihet për lëvizjet e gurëve të minutën e fundit, ndaj është e vështirë “ti hysh në kokë” dhe të “lexosh” se kush ikën, apo kush vjen. Ministrat që kanë qëndruar në hije dhe larg mediave, do të jenë të parët që do fshihen nga “fshesa Rama”.

Mbledhja e qeverisë

Në fjalën e tij përmbyllëse të mandatit të dytë qeverisës, Rama deklaroi se qeveria e re kërkon një formacion të mirë qeverisës, një kryesi të mirë të grupit parlamentar, si dhe një stol rezervash të gjatë, për të pasur mundësi energjizimi të partisë. “Qeveria e re do të shpallet javën e ardhshme dhe ju do të vijoni të gjithë punën deri në minutën e kalimit të detyrës, pa lënë asnjë ditë të shkojë kot. Kemi një skuadër kampione, ku ka shumë zgjedhje për çdo rol. Kampionati 4-vjeçar që ka nisur të nesërmen e zgjedhjeve të fundit kërkon jo vetëm formacion të mirë qeverisës, një kryesi të mirë të grupit parlamentar apo një kryesi efektive të vetë partisë, por një stol rezervash të gjatë, për të pasur mundësi energjizimi të partisë”, tha kryeministri. Më tej, Rama foli për arritjet e këtyre dy mandateve në të gjitha fushat, si në kulturë, mbrojtje, apo politikën e jashtme. “Edhe për kulturën kemi bërë, por shumë e shumë do bëjmë me projekte që janë rrugës, si realizimi i Teatrit Kombëtar, apo të tjerë. Më shumë mund të kishim bërë me formalizimin e ekonomisë, por kemi bërë një punë të vyer me ndërtimin e sistemet të ri digjital të fiskalizimit, prej të cilit presim një hop të madh cilësor e sasior në administrimin e të ardhurave. Ulja e taksave, rritja e pagave për mësuesit dhe mjekët, pavarësisht pandemisë, nuk janë pak për një shtet akoma në kantier në aspektin e konsolidimit të strukturave të tij. Jemi vendi me papunësinë më të ulët në rajon”, tha kryeministri Edi Rama. Ai ka folur për investimet e mëdha siç janë edhe portet. “Katër portet e reja turistike, ai i Sarandës, ku ka nisur puna, ai i Vlorës, ku puna nis në muajt apo javët e ardhshme, si dhe ai më i madhi në Durrës, janë një nga blloqet e mëdha të investimeve konkrete të huaja, që do të na mundësojnë rritje ekonomike”, tha ai.

Korrupsioni

Kryeministri Edi Rama ka bërë edhe një premtim sa i takon minimizimit të korrupsionit në vend. Ai tha se çdo konktakt që është mes qytetarit dhe administratës do të bëhet në rrugë online, pikërisht për të shmangur korrupsionin. “Do ta çojmë në një nivel tjetër marrëdhënien qytetar-shtet, si dhe goditjen e korrupsionit në administratë. Do e fusim shtetin në smartphone e qytetarit dhe do e shkulim nga xhepat e korrupsionit. Para 8 vitesh ishim brima e zezë në fund të kavallit të këtij rajoni, ndërsa tani e mbyllim këtë mandat me rezultate pozitive”, tha Rama.

Lexo edhe :  Dua Lipa thotë se e ka manifestuar jetën e saj dhe s’i kursen disa detaje për Kosovën

Lufta ndaj krimit

Ai është ndalur edhe tek lufta kundër krimit të organizuar dhe rritjen e sigurisë së jetës në vend. “Mandate pozitive kemi edhe në luftën kundër krimit. Do të rrisim më tej sigurinë në çdo drejtim, që nga qarkullimi rrugor, e deri te sigurimi i një kontrolli permanent në kohë reale 24 orë i territorit. Kjo sfidë i kalon qeverisë tjetër, me një bazë garancie për t’ia dalë me sukses”, tha ai.

Open Balkan

Kreu i Qeverisë ka folur para kabinetit të vjetër edhe nismën për “Ballkanin e Hapur”, duke thënë se nuk e shqetësojnë aspak polemikat dhe akuzat. “Kjo qeveri e mbyll mandatin me realizimin e të gjitha kushteve dhe stërkushteve për integrimin dhe me hapjen e një kapitulli të ri, si nismëtare e “Ballkanit të Hapur”. Polemika për Ballkanin e Hapur dhe akuzat e hatashme ndaj qeverisë dhe ndaj meje, nuk më shqetësojnë fare dhe nuk duhet të na shqetësojnë aspak në mandatin e tretë. Ka shumë tym e zjarr të ndezur, por qeveria e re do të vazhdojë përpara edhe në këtë drejtim, pa humbur asnjë ditë të vetme. Kam besim se me qeverinë e Kosovës do bëjmë plot punë të mira, pavarësisht mosdakordësisë me “Ballkanin e Hapur””, deklaroi Rama. Ai tha se është rritur edhe reputaconi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. “Reputacioni ndërkombëtar, respekti i aleatëve tanë, përfshirja si asnjëherë më parë i diasporës në raport me qeverinë, vetë imazhi i vendit tonë, nuk kanë asnjë krahasim fare me vitin 2013. Janë shumë më lart sot se në vitin 2017”, nënvizoi shefi i qeverisë.

Rama jep “fletë lavdërimi” dhe harron ministra
Edi Rama mbajti dje mbledhjen e fundit të qeverisë së tij si përmbyllje zyrtare të mandatit të dytë duke lajmëruar se së shpejti do të njoftojë kabinetin e ri të ministrave, sapo të nisë punë dhe parlamenti i ri. Të gjithë ministrat e ulur në tryezën e rrumbullakët fshihnin ankthin e fatit të tyre: “A do të jem sërish ministër?!” Asnjëri prej tyre nuk e di nëse do të vijojë të ketë besimin e Ramës dhe për një mandat të ri, por mjafton të lexohet mes rreshtave fjalimi i kryeministrit për të kuptuar se cilët prej tyre morën “fletë lavdërimi” dhe cilët “ngelën në klasë”, vlerësime këto që nënkuptojnë dhe vijimin e karrierës si ministra. Nëse do të bazoheshim tek fjalët e Ramës, e para ministre që rikonfirmohet në detyrë do të jetë Ogerta Manastirliu e Shëndetësisë. Një tjetër grua ministre u vlerësua dje nga shefi i saj duke lënë të kuptohet se do të vijojë punën në kabinetin e ri dhe bëhej fjalë për Belinda Ballukun, Ministren e Infrastrukturës. Ministrja e Bujqësisë, Milva Ikonomi, mori po ashtu lëvdata. Por, shefi i qeverisë, nuk kishte ruajtur lavdërime për ministren e Arsimit, Evis Kushi. Fjalë të mira ai kishte për Kulturën që e drejton Elva Margariti, por ndërkohë vlerësimet për punën në sektorët e tjerë lidheshin me nevojën për më shumë punë e ndryshim në mandatin e tretë në këto sektorë. Ai gjithashtu vlerësoi punën tek Rendi, por foli dhe për sfidat e reja të Policisë së Shtetit. Fjalë të mira ai tha dhe për diplomacinë, por pa etiketuar me emër ministren Xhaçka e cila prej pak kohësh e drejton këtë ministri. Në fund të fjalës së tij Rama theksoi se për zgjedhjen e ministrave të rinj do ta ketë shumë mundësi zgjedhjeje duke pasur parasysh kualitetet që i ofron grupi i ri parlamentar.

Të fundit

Ruleta e penalltive i buzëqesh Los Blancos, Real Madrid triumfon ndaj Manchester Cityt

Reali i Madridit triumfon 4-3 në ruletën e penalltive përballë Manchester City-t dhe kualifikohet në gjysmëfinale të Championsit, ku...

VIDEO/ Bayern Munich mposht minimalisht Arsenalin dhe kualifikohet në gjysmëfinale

Bayerni i Mynihut ruan traditën, fiton 1-0 përballë Arsenalit në “Allianz Arena” me me rezultat të përgjithshëm 3-2 kualifikohet në gjysmëfinale të Champions League....

Hemofilia, sëmundja që prek meshkujt, ja sa pacientë trajtohen në Shqipëri

250 pacientë jetojnë me hemofili në Shqipëri. Sëmundja e gjakut që trashëgohet nga nëna, shfaqet vetëm tek djemtë ndërsa vajzat janë bartëse të saj....

Aktorit Mirush Kabashi i jepet titulli “Qytetar Nderi” i Durrësit

Bashkia e Durrësit miratoi ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi” aktorin e mirënjohur të teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi (pas vdekjes). Sot në qytetin...

“Kërkesa për divorc është bërë nga Besi?” Gazetarja zbulon detaje për ish-çiftin

Disa ditë më parë, ishte Xhensila ajo që përmes projektit të saj muzikor, la të nënkuptohej se i kishte dhënë fund martesës së saj,...

Lajme të tjera

Web TV