Mbresa nga një udhëtim profesional në Francë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Mentor HOXHA

Për tre muaj rresht (28 prill -30 korrik 2021) pata fatin të ndjek një kurs intensiv profesional tre mujor në Les clés de l’Atelier në Vénisseux në Lyon në projektin “Batir”, një projekt i shkëlqyer për integrimin profesional dhe social të refugjatëve të ligjshëm në Francë, i financuar nga Ministria e Punës Franceze në bashkëpunim me Zyrën e Punës në Prefekturën e Lyonit. Stazhierët u përzgjodhën nga 60 konkurrentë që konkuruan për këtë udhëtim të bukur profesional në këtë qendër me një përvojë të gjatë e të suksesshme. Stazhierët u përkasin vendeve dhe kategorive të ndryshme shoqërore. Ata janë nga të katër kontientet: Lazimi dhe Alnuri nga Sudani, Xhorxhi nga Iraku, Dahiri nga Somalia, Omeri nga Eritrea, Muhamed dhe Zudu nga Etiopia, unë nga Shqipëria, Mabubi dhe Gulani nga vendet arabe, të tjerët nga Franca. Ky diversitet etnik, kulturor dhe historik e bëri më të larmishme jetën tonë në këtë qendër me salla të shumta trajnimi dhe me një staf të mrekullueshëm administrativ dhe pedagogjik. Secili stazhier pati mjetet e tij të punës për të punuar në mënyrë individuale ose në grup. Brenda këtij trajnimi tre mujor u zhvillua edhe një kurs intensiv i gjuhës frënge prej 250 orësh me formatore znj. Andrea Salinas Rojas, e diplomuar në Francë, dega Gjuhë frënge për të huaj. Jo vetëm kaq! Projekti “Batir” dhe “Les clés de l’Atelier” u rezervon stazhierëve edhe surpriza të tjera. Ai u mundëson atyre, jo vetë mësimin e gjuhës frënge dhe trajnimin praktik në profesione të ndryshme, por edhe i mbështet dhe i ndihmon në strehim, kujdes shëndetësor dhe punësim. Integrimi profesional dhe social i refugjatëve të ligjshëm është qëllimi kryesor i projektit “Batir” dhe i “Les clés de l’Atelier”. Çdo stazhier ka asistentët që kujdesen për integrimin e tyre social dhe profesional. Gjatë këtij kursi tre mujor teorik dhe praktik në Les clés de l’Atelier ne mësuam disa profesione që nuk i dinim më parë, si dhe bëmë progres në gjuhën frënge, ndaj kam një falënderim për mësuesen e frëngjishtes, Andrean, për profesorin gojëmjaltë dhe duarartë të lëndëve profesionale, Jean Marc, për formatorët e tjerë, si dhe për personelin administrativ: Vladimirin, Elenin, Sofin, Antonia De Miollis, Judith, Nathalie Bachelier, Isabelle Tudot, Anën etj. “Les clés de l’Atelier” bashkëpunon ngushtësisht me një rrjet të madh shoqatash solidare të njohura në Lyon si Emmaus, ERIS, etj., shoqata që ndihmojnë refugjatët edhe azilanët në Francë. Shoqata ERIS, e cila ndihmon azilantët dhe refugjatët në mësimin e frëngjishtes dhe integrimin e tyre na mundësoi vizita falas në disa nga muzetë dhe ndërtesat e vendet më turistike dhe më natyrore të Lionit. Veçohet vizita në Mussée des confluences, në Distriktin La Confluence, në Bazilikën Notre-Dame de Fourvière dhe Cathédrale Saint-Jean-Baptiste, në Lionin e Vjetër -Vieux Lyon, si dhe pikniku në një nga zonat më të gjelbra të Lionit, ndaj kam një grand merci për zonjushat e mrekulleshme të ERIS që na njohën me historinë, kulturën dhe peisazhet e mrekullueshme natyrore të qytetit fantastik të Lionit. Bazilika Notre-Dame de Fourvière është e njohur si mbrojtësja e qytetit dhe është destinacioni kryesor në listën e çdo vizitori. Ajo është ndërtesa më mbreslënëse në Lion dhe vizitohet për çdo vit nga 1.5 milionë vizitorë.

Lioni i Vjetër-Vieux Lyon ka karakteristikë ndërtesat e Rilindjes, kurse Musée des Confluences është pika e takimit midis dy lumenjve, Rhône et Saône dhe pika e takimit e dy rrjedhave të mendimit. Ky muze me një arkitekturë moderne, i veshur në kristal dhe në xham dhe i mbuluar me pllaka inoxi simbolizon hapjen ndaj botës. Muzeu u hap në dhjetor të 2014-ës. Përmes milionave ekzemplarëve që gjenden në këtë muze, vizitorët e shumtë gjejnë historinë e Njeriut dhe të Tokës në një sipëfaqe prej 3000 m2. Ky muze tregon historinë e botës në katër ekspozita të veçanta që përshkruajnë dhe paraqesin çështjen e origjinës dhe fatit të njerëzimit, larminë e kulturave dhe civilizimeve dhe vendin e Homo sapiens në zinxhir të gjallesave. Cathédrale Saint-Jean-Baptiste është një Katedrale (kishë) Katolike Romake e vendosur në Place Saint -Jean në Lionin Qendror. I kushtohet Shën Gjon Pagëzorit dhe është selia e Kryepeshkopit të Lionit. U hap më 1480. Arkitektura është e stilit gotik dhe roman, e projektuar nga arkitekti Jacques de Beaujeu. Disa nga këto muze dhe vende historike i kisha vizituar edhe më parë kur ndiqja kursin e frëngjishtes në IFPA në Perrache, ku ndodhej një staf i mrekullueshëm mësuesish, ku veçoj mësuesin tim të shkëlqyer të frëngjishtes, Amer Almosi, të cilit i shpreh mirënjohje dhe respekt pa fund. Ishte 28 marsi i vitit 2019 kur bashkë me formatoren e frëngjishtes të IFPA-s, Julin dhe shoqet dhe shokët e kursit: Fatima nga Algjeria, Lamya nga Siria, Intissar nga Tunizia, Aicha, Lejla dhe Safa nga Algjeria, Karen dhe Glorina nga Afrika, Rukia nga Turqia, Abudi nga Sudani, Ogan nga Armenia, Blerina nga Kosova bëmë disa vizita mbreslënëse në disa nga muzetë më të njohura në Lyon, si: në Musée d’Histoire de Lyon (Muzeu i Historisë së Lionit), Musée des artes de la marionnette (Muzeu i Artit të Kukullave), Musée Gallo Roman (Muzeu Galo Roman) dhe në Theatre antique de Lyon (Teatri antik i Lionit) etj. “Muzeu i Historisë së Lionit” tregon me pamje dhe objekte historinë dy mijë vjeçare të qytetit të Lionit nga kryeqytet i Galëve deri në metropolin evropian. Dëshmitë e këtij evolucioni janë kudo: në rrugë, në punë, në treg në shkollë. Pesë periudha të gjata historike të këtij qyteti zbulohen nga 1500 punime dhe objekte të rralla. Ky muze është pikë referimi për këtë trashëgimi befasuese për shumëllojshmërinë e objekteve që tregojnë momentet kyçe të këtij udhëtimi 2000 vjeçar. Në këtë muze ndodhen edhe dy shtretërit ku ka fjetur Perandori i famshëm francez, Napoleon Bonaparti dhe gruaja e tij gjatë qëndrimit në Lion. Muzeu i arteve të Kukullave është një muze me 10 dhoma ku ndodhen mbi 300 kukulla të reja dhe shumë kostume popullore nga Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika. Le musée e Lugdunum (Muzeu Galo-Ramain) dhe Teatri i lashtë i Lionit zënë shpatet e kodrës së Fourviere në vendin ku u themelua qyteti romak Lugdunum në v. 43 p.e.s. Teatri antik i Lugdunum është një nga monumentet kryesore romake të dukshme në Lion. Ndodhet në kodrën e Fourviere. Lugdunum, Muzeu & Teatri Romak është simbioza perfekte midis një zone arkeologjike të integruar në perimetrin e klasifikuar nga UNESCO, një arkitekturë unike dhe me koleksione të jashtëzakonshme. Ideja e një muzeu për përmbledhjen e koleksioneve që lidhen me qytetin romak të Lionit u lind në fillim të viteve ‘30. Në fillim të viteve ‘60, projekti mori formë dhe i’u besua arkitektit të shquar, Bernard Zehrfuss, ku ndër veprat e tij kryesore janë Qendra Ekspozuese CNT në La Defense dhe Pallati i UNESCO-s në Paris, të cilat i japin atij pothuajse një status zyrtar si “bartës i flamurit” të arkitekturës moderne. Muzeu bashkohet me peisazhin e një vendi unik arkeologjik, i përbërë nga dy monumentet kryesore të qytetit të Lugdunumit: një teatër dhe një odeon. Historia e madhe është e pranishme me tabelën Claudius, zbuluar në v. 1528, e cila riprodhon në bronz fjalën që perandori Claude, i lindur në Lion, u shpall në ’48 në Romë perandor në favor të Galëve. Ndër besimet dhe kultet, vizitori do të zbulojë një kalendar enigmatik galik, një nga dokumentet më të gjata në gjuhën kelte të njohur sot. Mbledhja e mbishkrimeve, e statujave dhe epitafëve, një nga më të rëndësishmit në Francë përbën një burim të jashtëzakonshëm për të njohur banorët e Lionit dhe aktivitetin e tyre. Gjatë vizitave në muze, shoqja ime më e mirë e kursit, Lamya nga Siria, e diplomuar në një nga universitetet më prestigjioze në Siri më tregonte me lotë në sy se si militantët e Shtetit Islamik, ISIS kishin rrafshuar më 1 shtator 2015 Tempullin Bel, Tetraplyonin dhe të gjithë fasadën e Teatrit Romak, monumenti me i lashtë në qytetin e Palmyra-s, ku drejtor kishte qenë xhaxhai i saj. Atë e kishim masakruar për vdekje vetëm pse kishte tentuar të mbronte këtë monument me vlera të rralla historike botërore, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, kurse Fatima, që kishte qenë dy herë si turiste në Kosovë më tregonte fotot e shumta që kishte bërë pranë bustit të heroit legjendar, Adem Jashari dhe të heronjve të tjerë të kombit kosovar.

Lexo edhe :  Çfarë është qumështi i bletës, si ta përdorim dhe cilat janë përfitimet shëndetësore

Qyteti i Lionit është një qytet shumë i njohur për shqiptarët. Është qyteti me numrin më të madh të azilantëve nga Shqipëria dhe Kosova. U bë shumë i dashur për shqiptarët, veçanërisht gjatë “Euro 2016”, kur Shqipëria zhvilloi ndeshjen kundër Rumanisë në Stade de Lyon më 19 qershor 2016, e cila u ndoq nga rreth 20 mijë tifozë shqiptarë në stadium, ndërkohë mijra të tjerë vërshuan në rrugët e Lionit me flamuj kuq e zi dhe veshje kombëtare shqiptare. Bukurinë ia shtuan më shumë qytetit, bukuroshet shqiptare, të cilat zunë faqet e para të media-ve, lioneze, franceze e ndërkombëtare. Në periudhën midis dy luftrave botërore, Lioni u bë streha e shumë refugjatëve antizogistë dhe antifashisët, ishte qendra e vullnetarëve shqiptarë që shkuan për të luftuar në Luftën Civile në Spanjë, si dhe kryeqendra e mitingjeve antifashiste kundër pushtimit fashist të Shqipërisë më 7 prill 1939. Në Lion kanë jetuar dhe studiuar mbi 100 personalitete të shquara politike, akademike dhe letrare të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët i kam përmbledhur në një libër që do të botohet pas tre muajsh. Lioni është vendlindja e njërit prej figurave më të mëdha të Francës dhe një nga mbrojtësit më të mëdhenj të çështjes shqiptare, Justin Godart (1871-1956), senator, disa herë ministër dhe ish Kryetar i Komunës së Lionit. I cilësuar si një nga figurat më të shquara të Republikës së Tretë Franceze. Godart ishte francezi i parë që themeloi Misionin Francez Arkeologjik në Shqipëri, si dhe francezi i parë që hodhi bazat e para të lidhjeve kulturore shqiptaro-franceze. Nga viti 1921 deri më 1951, ai vizitoi disa herë viset shqiptare dhe shkroi e botoi në Francë në frëngjisht dy ditare për Shqipërinë, ditarë që janë botuar edhe në shqip nga Sh.B “Dituria me titull “Ditarët shqiptarë” (mars 1921- dhjetor 1951). Në vitet ’30-të, u dekorua nga shteti shqiptar me Kordonin e Urdhërit të Skënderbeut.

Të fundit

Ngacmimet nga interneti/ Tirana në vend të parë për numrin e denoncimeve

Bullizimi dhe dhuna përmes rrjeteve sociale po përhapet edhe në qytete të vogla. Kuçova, është qyteti i dytë pas...

“Plas lufta” në burgjet e Ekuadorit/ Shkaktohen trazira, qindra të vrarë në pak kohë

Ky lajm u njoftua nga qeveria, ku zëvendësministri i sigurisë Lyonel Calderon tha se numri ishte i përkohshëm, pasi do të bëjnë një shqyrtimi...

VIDEO/ Çmenduria në Tiranë, hyn kundravajtje, dhunon shoferin tjetër që s’i hapte rrugën

TIRANË – Një sherr ka ndodhur ditën e djeshme në në rrugën “Teodor Keko” në lagjen Astir, ku një shofer i cili kishte hyrë kundravajtje,...

Arrestimi i ish-drejtorëve të Bashkisë Tiranë/ Zbardhet skema: Si u fituan 11 tendera…

Gazetarja Anila Hoxha, në një lidhje direkte për “Top Story” ka shpjeguar sesi u abuzua me 11 tendera të fituara nga kompania që ish-drejtorët...

Upss kaq ishte! Ndahet çifti i ‘Për’puthen’ Saide dhe Gerti

Gerti dhe Saide, në Ditën e të Dashuruarëve u deklaruan për njëri-tjetrin në emisionin ‘Për’puthen’. Nga disa kërkime të bëra në redaksinë tonë, kemi vënë...

Lajme të tjera

Web TV