Paulin Preka, finesa e humorit largohet për në Panteon

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Emblematik në role të papërsëritshme, Paulin Preka nuk ishte vetëm një aktor i estradës së Shkodrës por dhe i teatrit dramatik.

Ai iku nga jeta e rëndomtë tokësore për t’u ngjitur atje ku e ka vendin, në panteon. Emri do t’i skalitet në ar dhe imazhi i tij do të vazhdojë të na shoqërojë kudo e sa herë kemi nevojë të relaksohemi apo të qeshim pak…

…Tipik shkodran e me një humor plot finesë, Paulin Preka ishte dhe do të jetë ikonë e skenës teatrore.
Tanimë ai nuk është më në jetë. Por padyshim, mbetet nga ata aktorë që është futur thellë tek çdo familje shqiptare. Dhe trupa e humorit të qytetit nga ai buron pa hile, as do të kishte kuptim nëse në çdo pjesë të ngjitur në skenë nuk do të kishte një episod për të. Sepse ai ishte aty që prej themelimit të saj. Bashkë me një kolos tjetër të humorit.
-Merre djalë i mirë. Dhe hajdeni herë tjetër. Do t’u bëjmë një fotografi shumë të bukur. Dhe mirëse të na vini! Mirëardhshi!
-More në rast se më shihni e në rast se u vij ma zi ma bafshi…
Emblematik në role të papërsëritshme, Paulin Preka nuk ishte vetëm një aktor i estradës së Shkodrës. Për 9 vite me radhë ai ka qenë aktor i teatrit dhe është shquar në rolet dramatike. Për 37 vite me rradhë do të kontribuonte në Estradën e qytetit. Por ka marrë role edhe në kinema, ku më i skalituri mbetet brigadieri tek “Çifti i lumtur”.
-Po ta shpjegoj unë. Kanë rënë në dashuri djalë e vajzë me fe të kundërt… Kanë nxjerrë vajzën jashtë, ajo s’ka as ku të flejë. Halla thotë që një natë ta merrnim ne. Hëë,,,, si thu?…
Paulin Preka do t’i mungojë qytetit të Shkodrës si pjesëtar i shoqërisë së saj, sepse shqiptarëve në tërësinë e tyre nuk ka për t’i munguar kurrë. Ai qëndron në jetë përmes imazheve filmike dhe shiritave ekektromanjetikë.
-Jam im shoq… Jam i shoqi i burrit tem… Është gruja e burrit të shoqit…. Jam burri i grus teme…
Kjo do të ishte një prej batutave në filmin “Pak fresk sonte”. Por ai mbahet mend për dhjetëra e dhjetëra batuta të tjera, të cilat tanimë janë në përdorim të përditshëm.
Si gjithmonë kur bëhet portreti i një artisti flitet për ardhjen e tij në jetë, punën, karrierën dhe ikjen. Paulin Preka u lind në Shkodër më 2 shkurt 1935 dhe u largua nga jeta në Itali, ku prej disa vitesh jetonte me familjen.
Ishte 86 vjeç.
Ai spikati shpejt. Në jetëshkrimin zyrtar thuhet se që në moshën 8-vjeçare u regjistrua në shoqërinë e Kishës Katedrale. Me hapjen e Shtëpisë së Pionerit dhe krijimit të Rrethit të Teatrit, ai u bë pjesë e tij. Në vitin 1953, u aktivizua pranë Shtëpisë së Kulturës. Pas përfundimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak në 1954, ai u tërhoq në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, pranë estradës profesioniste në rolin e konferencierit.
Mbas 8 vjetësh që në Shkodër punonte si aktor drame, me vendim të Komitetit të Partisë kaloi aktor estrade.
Së bashku me Tano Banushin ata sollën një frymë të re në skenën e teatrit të humorit në qytetin e Shkodrës. E në këtë pjesëmarrje, padyshim kishte vendin e saj edhe Zyliha Miloti.
-A po din gjo për nji kong që na i patën këndue… Pse e vrau Tuçi Gjokën, me i marr tokën e me i kap Loken… lene mo…
-Hajde moj Loke, se s’të kam hak as hile unë, as Kol Jakova që e ka shkrujt “Tokën tonë”. Ati qashtu i kan than me e shkru, qe ashtu e shkroi. Hiqu kopilave të Shkodrës e të Lezhës mori burrnesh…

Lexo edhe :  Unaza me brilante

Gjithsesi, Paulin Preka nuk ishte vetëm një interpretues, por ka furnizuar estradën e Shkodrës me qindra skeçe, parodi, dialogje e monologje të cilat datojnë të shkruara që prej vitit 1967. Materialet e tij u luajtën dhe nga Trupat e rretheve të ndryshme si ajo e Peshkopisë, Kukësit, Estradës së Ushtarit, Durrësit, Beratit, Elbasanit, Pogradecit si dhe nga lëvizja amatore e qendrave të punës të qyteteve nga Mirdita, Lezha, Puka e të tjerë.
Paulini nëpërmjet punës së tij intensive, arriti të marrë nga publiku simpatinë dhe duartrokitje pa fund, ndërsa nga institucionet shtetërore vlerësime të larta. Në vitin 1974 laurohet me urdhrin “Naim Frashëri i Klasit të III”, në vitin 1980 me urdhërin “Naim Frashëri të Klasit të II”, në vitin 1988 me titullin e Lartë “Artist i Merituar”. Në vitin 1996 pak muaj përpara se të mbyllte marrëdhëniet e punës me teatrin “Migjeni”, në takimin e trupave Profesioniste në Tiranë, u vlerësua si “Aktori më i Mirë i Karrierës”, “Krenaria e qytetit” në vitin 2009 dhe “Nderi i Komunës” Bushat në vitin 2012.
Në qershor të vitit 2018 u dekorua nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Paulin Preka u largua nga jeta tokësore. Ai u ngjit në Panteon, atje ku e ka vendin, bashkë me shokë e miq të tjerë.


Të fundit

Paulin Preka, finesa e humorit largohet për në Panteon

Nga Leonard Veizi Emblematik në role të papërsëritshme, Paulin Preka nuk ishte vetëm një aktor i estradës së Shkodrës por...

Moratoriumi Kosovë-Serbi i Uashingtonit skadon – çfarë pason?

SHBA inkurajon Kosovën e Serbinë të vazhdojnë moratoriumin dhe të ndërtojnë besimin politik dhe thekson nevojën e normalizimit të plotë të marrëdhënieve. Ka skaduar...

Broja bën historinë, Hungaria mposhtet në Elbasan

Shqipëria fiton 1-0 përballë Hungarisë, duke marrë tre pikë mjaft të vlefshme për eleminatoret e botërorit “Katar 2022”. Goli i vetëm i takimit u...

Lajme të tjera

Web TV