9 shtator 1943/ Vermahti, 36 mijë gjermanë për të pushtuar Shqipërinë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Ushtarët gjermanë, hijerëndë e me helmeta në kokë, u nisën të pushtonin Shqipërinë me tanke dhe avionë. Të paktën kështu jemi mësuar ta imagjinojmë përmes gojëdhënave, dhe nga ajo çfarë na ka servirur si imazh filmik Kinostudio “Shqipëria e Re”. Ca vite më vonë, “I dashur armik” një tjetër film shqiptar, por këtë herë në kushtet e lirisë së shprehjes, kishte në fokus ushtarë gjermanë jo aq hijerëndë, madje disa prej tyre edhe pse po kalonin urën e Bunës në një territor krejt të panjohur, kishin mbushur xhepat e uniformës ushtarake me karamele dhe ua shpërndanin fëmijëve të cilët nuk u trembeshin hijes së tyre dhe as çizmeve që kërcisnin ashpër mbi asfalt, ashtu siç na e paraqiste “Mëngjese lufte”…

…Natyrisht pushtimi gjerman nuk mund të ishte bardh e zi, siç e paraqiste propoganda komuniste. Por as me ngjyra e nuanca rozë nuk shkonte fare. Përderisa Vermahti dërgoi në Shqipëri tre divizione dhe një regjiment të motorizuar, ai cilësohej si një pushtim i mirëfilltë, edhe pse gjermanët u munduan ta lehtësonin duke u bërë disa favorizime shqiptarëve, të cilat përgjithësisht kishin të bënin me ndjenjën kombëtare.

Masakra e Borovës

Më parë se kaq, ushtria gjermane kishte kryer një masakër në Shqipëri, e cila aso kohe zyrtarisht mbahej e pushtuar nga trupat fashiste italiane. Në 6 korrik 1943, divizioni 104 Jeger, kalonte tranzit në Shqipëri përmes itinerarin Manastir-Follorinë-Korçë-Ersekë-Leskovik-Janinë. Në Barmash të Kolonjës, batalioni partizan “Tomori” i udhëhequr nga Riza Kodheli i cili ndihmohej dhe nga disa çeta territoriale, i zunë pritë dhe goditën me armë zjarri autokolonën gjermane. Për pasojë mbetën të vrarë disa ushtarë gjermanë. Për hakmarrje, komandanti gjerman urdhëroi masakrimin mbi një fshat të tërë siç ishte Borova e Kolonjës. Sipas dokumentit të përpiluar më 21.7.1943 nga Nënprefektura e Kolonjës, – dhe të publikuar nga historiani Kastriot Dervishi, – lista e saktë e masakrës së datës 6 korrik 1943 përbëhet nga 115 persona. Ndërkohë edhe fshati Barmash u dogj fund e krye dhe u vranë 18 civilë të pafajshëm nga ana e ushtarëve të divizionit 104 Jeger. Jo vetëm për shkak të kësaj ngjarje, shqiptarët e cilësuan pushtimin gjerman shumë më të ashpër se ai italian.

Kapitullimi i Italisë

Mareshali Badoglio i cili kishte zëvendësuar Benito Musolinin në pozicionin e kryeministrit, me anë të një deklarate të bërë për opinionin publik njoftoi kapitullimin. Italia fashiste si rrjedhojë e disfatave të njëpasnjëshme të ushtrisë së saj në frontet e Luftës së Dytë Botërore dhe kriza në të cilën ishte zhytur çoi në kapitullimin e saj.
Në fakt, kapitullimi kishte ndodhur që më datën 3 shtator 1943, – pra 5 ditë para shpalljes zyrtare, – me nënshkrimin e armëpushimit midis mareshallit Badolio dhe gjeneralit Ajzenhauer, në Italinë e Jugut. Ky kapitullim i kishte dhënë shenjat që një muaj e gjysmë më parë, më 25 korrik 1943, kur Mbreti i Italisë, Viktor Emanueli III, nën presion të fortë të “Gran Consilio del Fashismo” kishte shkarkuar Musolinin nga detyra dhe e kishin zëvendësuar atë me mareshallin Pietro Badolio.
Në kohën e kapitullimit në Shqipëri ndodheshin shumë ushtarakë italianë: Korpusi i katërt, korpusi XXV, trupat e zonës Shkodër –Kosovë. Të gjitha këto përbënin armatën IX italiane që varej nga Grup-Amata e Lindjes me qendër në Tiranë. Shtojmë këtu edhe reparte të tjera të pavarura si trupat e marinës, ato ajrore, aeronautike, karabinierinë dhe policinë. Forcat italiane në Shqipëri kështu përbëheshin nga gjashtë divizione, përveç reparteve shtesë, duke kapur shifën 120 000, të ndarë në 200 njësi të mëdha e të vogla.

Forcat pushtuese

Pas kapitullimit zyrtar të Italisë më 8 shtator 1943, trupat gjermane zunë me shpejtësi Shqipërinë. Në 9 shtator shtator të vitit 1943 trupat gjermane u futën në territorin shqiptar nga Kosova dhe Maqedonia.
-Divizioni 297 i këmbesorisë, erdhi nëpërmjet itinerarit Mitrovicë-Prishtinë-Kukës-Shkodër;
-Divizioni 100 alpin, kaloi në rrugën Ohër-Strugë-Elbasan-Tiranë-Durrës;
-Divizioni i 1-rë apin në rrugën Follorinë-Korçë;
-Regjimenti 92, i granadierëve të motorizuar në rrugën Pogonion-Gjirokastër-Tepelenë-Vlorë.
Ushtria gjermane solli në Shqipëri të paktën 36 mijë forca, sipas dokumenteve tw publikuara nga historiani Marenglen Kasmi. Synimi i ardhjes ishte parandalimi i një zbarkimi aleat në bregdetin, pra për të ruajtur rrugëkalimet dhe bregun e Adriatikut. Por qëllimi i gjermanëve ishte dhe çarmatosja e ushtrisë italiane e cila ato ditë kishte mbetur krejtësisht e çorganizuar.

Lexo edhe :  Kritika për të dashurën e Jeff Bezos: Veshje e papërshtatshme për në Shtëpinë e Bardhë

Planet pararendëse

Në pritje të një pushtimi të tillë, VVehrmaht kishte hartuar një sërë planesh ushtarake me emrin e koduar “Konstantin”, për të vepruar kundër zotërimeve italiane në Ballkan.
Pushtimi i Shqipërisë ishte planifikuar që para kapitullimit të Italisë, dhe ky plan ishte pjese e planeve të tjera strategjike të Gjermanisë naziste për krijimin e një perandorie të madhe ku në të do të përfshiheshin një numër popujsh dhe vendesh të Europës.
Njësitë e seksionit II të Inteligjencës Ushtarake Gjermane (Abvvehr) u dërguan në Mitrovicë në prill 1943, në një përpjekje për të fituar ndikim në mesin e numrit gjithnjë në rritje të shqiptarëve të pakënaqur me italianët.
Që në muajt korrik dhe gusht 1943, ushtria gjermane skuadra të veçanta për të marrë në zotërim aeroportet dhe portet shqiptare. Nga mesi i gushtit në Shqipëri kishte rreth gjashtë mijë trupa gjermane. Ato qenë vendosur kryesisht në fushat e aviacionit në Tiranë, Shkodër, Berat, Shijak, Vlorë dhe Kuçovë.
Më 9 shtator gjermanët futën në Shqipëri divizionin e koracuar që zuri postkomandat në Shkodër dhe në Lezhë. Regjimeni 92 i motorizuar u vendos në Durrës dhe Vlorë. Më 10 shtator divizioni 100 i këmbësorisë rrethoi Tiranën, zuri postkomandën e armatës, autoparkun dhe barakat, zyrat dhe magazinat ushtarake. Gjermanët mbajtën rob komandantin e Gruparmatës së Lindjes, Ezio Rosi që kishte shkuar të bisedonte me ta. Komandanti i armatës së IX Renzo Dalmazzo u detyrua nga gjermanët të urdhërojë çarmatimn e ushtrisë së tij.

Qeveria neutrale” e gjermanëve

Gjermanët shpallën gjendjen e luftës në Shqipëri, kërkuan dorëzimin e armëve dhe kërcënuan që për çdo gjerman të vrarë do të vriteshin 10 shqiptarë. Çdokush që kapej me armë ose materiale ushtarake do të pushkatohej. Gjermanët ndërmorën një numër ekspeditash ndëshkimore.
Pas vendosjes së trupave gjermane në vend, filloi puna për ngritjen e organeve qeverisëse të cilat do të drejtoheshin nga shqiptarët. Me interesimin direkt të Nojbaherit, një grup prej 22 personash me orientim progjerman u mblodhën në Tiranë m 14 shtator dhe krijuan Komitetin Ekzekutiv të Përkohshëm të kryesuar nga Ibrahim Biçaku.
Në të vërtetë organizmat e krijuara ishin thjesht formale pasi pushtetin real e kishte Komanda e Lartë e Vermahtit dhe përfaqësuesi gjerman për Europën Juglindore, austriaku Herman Nojbaher.
Më 16 tetor 1943 thirrën në Tiranë një Asamble Kombëtare e cila shpalli anulimin e ligjeve, vendimeve, dekreteve të kohës gjatë së cilës Shqipëria ishte nën pushtimin Italian. Por sigurisht nuk mund të ngelet pa përmendur edhe ndarja e Shqipërisë nga Italia, duke i hequr Viktor Emanuelit III “Kurorën e Skënderbeut”. Ajo caktoi Këshillin e Lartë të Regjencës me Mehdi Frashërin në krye, si një qeveri e cila me veprimtarinë e saj do të tregonte se ishte e gatshme të zbatonte urdhrat e gjermanëve.
Më 5 nëntor të po këtij viti Regjenca emëroi qeverinë kuislinge me kryetar Rexhep Mitrovicën. Shumica e kabinetit ishin shqiptarë të cilët kishin lidhje me gjermanët.
Ushtria gjermane e Luftës së Dytë Botërore qëndroi në Shqipëri për 14 muaj me radhë, prej 9 shtatorit 1943 deri në 29 nëntor 1944.

Të fundit

Zbulohen 3 mysafirët specialë që do të hyjnë sonte në Big Brother VIP

Sonte në Big Brother VIP Albania do të ketë mysafirë. Me rastin e 100 ditëve të nisjes së edicionit...

Protesta e dhunshme para Bashkisë Tiranë/ Reagon BE-ja dhe SHBA-ja

Me anë të një reagimi në X, prezenca e Bashkimit Europian në Shqipëri ka dënuar dhunën gjatë protestës së Rithemelimit para bashkisë Tiranë ditën...

Video/ Nuk ndalet Egla, bën veprimin e pazakontë ndaj banorëve, ja si reaguan ata

Marrëdhënia e Eglës me banorët e tjerë të shtëpisë së “Big Brother Vip” nuk ka qenë fort e mirë që në fillim, dhe duket...

Tensionet në Lindjen e Mesme, ministria del me njoftimin e rëndësishëm për shqiptarët

Ministria e Jashtme i ka bërë thirrje shqiptarëve që të shmangin udhëtimet në vendet që janë në konflikte ushtarake, vende me trazira politike, epidemi...

“Kjo verë parashikohet me temperatura të larta”, ja masat për parandalimin e zjarreve

Edhe vera e këtij viti parashikohet të jetë me temperatura tepër të larta për shkak të ndryshimeve klimatike ndaj Agjencia kombëtare e mbrojtjes civile...

Lajme të tjera

Web TV