Dëshmia e rrallë e ish-agjentit të CIA-s/ Majori Smith më thirri në New York dhe më tha: ‘Dua që komunizmin ta shkulim nga rrënjët’

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Dashnor Kaloçi

Publikohet historia e panjohur dhe e rrallë e Avdul Hakan Banushit me origjinë nga fshati Golem i Gjirokastrës, i cili gjatë periudhës së pushtimit të vendit (1939-1944), ndryshe nga e gjithë familja e tij që u rreshtuan në radhët e forcave partizane, ai u angazhua në organizatën nacionaliste të rinisë së “Ballit Kombëtar” në qytetin e Durrësit, ku u arrestua nga forcat gjermane në tetorin e vitit 1943 dhe së bashku me 73 persona të tjerë, u dërguan fillimisht në kampin gjerman të Prishtinës, e më pas në kampet e shfarosjes në masë në Landsberger e Dakau, nga ku ai mundi të lirohej vetëm në vitin 1945, pas ndërhyrjes së forcave anglo-amerikane.

Kthimi i Banushit në Shqipëri në vitin 1945, pasi qëndroi disa kohë në kampin e Rexhio-Emilias në Itali, (ku asokohe ishin edhe disa nga krerët kryesorë të ‘Ballit’ dhe ‘Legalitetit’ me në krye Mit’hat Frashërin dhe Abaz Kupin) dhe arrestimi i tij pak ditë pas mbërritjes në atdhe, pasi në aerodromin e Laprakës, rojet partizane i gjetën një letër që i’a kishte dhënë ish-Prefekti i Gjirokastrës, Rasim Babameto, gjatë kohës që ishin në Rexhio-Emila. Dënimi i Banushit me 18 vjet burg, duke u akuzuar si “agjent i anglo-amerikanëve” dhe lirimi i tij në vitin 1961, ku ai nuk qëndroi shumë kohë pranë familjes në fshatin Golem, pasi u arrestua përsëri teksa ishte i internuar në qytetin e Fierit, nga ku ai mundi që të arratisej nga burgu që natën e parë dhe iku në drejtim të Gjirokastrës, ku kaloi kufirin shtetëror dhe doli në Greqi, ku pas pak kohësh fitoi azilin politik për në SHBA-ve.

Angazhimi i Banushit në radhët e mërgatës politike shqiptare në Perëndim, si anëtar i “Komitetit Shqipëria e Lirë”, ku në vitin 1973, pasi ishte stërvitur nga CIA, erdhi disa herë me misione sekrete në Shqipëri, me qëllim që t’i bënin atentat Enver Hoxhës në paradën e madhe të 29 nëntorit 1974, me rastin e 30 vjetorit të çlirimit dhe arrestimi i tij në vitin 1975 në afërsi të kufirit të Hanit të Hotit, pas një gracke që i kishte ngritur vetë ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, nga ku më pas ai do të izolohej për dy vjet me radhë në qelitë e ‘Repartit 313’ në Burgun e Tiranës dhe më pas në Burrel, nga ku mundi të lirohej vetëm në fillimin e vitit 1991.

“Kur nisën kontraditat e para të Tiranës zyrtare me Republikën Popullore të Kinës në vitin 1972-’73, na u shtua akoma dhe më shumë besimi se kishte ardhur koha të organizoheshim me masa konkrete për një zbarkim të mundshëm në Shqipëri. Pas bisedimeve që kishin bërë më parë krerët e Komitetit “Shqipëria e Lirë” me zotin Zhozef Shishko, zv/sekretar i Departamentit të Shtetit dhe majorin Tomas Smith, që mbulonte emigracionin politik shqiptar në SHBA-ve, në janarin e vitit 1974, kryesia e Organizatës “Fronti i Rezistencës Antikomuniste Shqiptare”, vendosi të dërgonte në Shqipëri grupin e parë, i cili do të përbëhej prej pesë vetësh. Ndër detyrat kryesore që do të kryente ai grup, ishin: ‘Takimet me njerëzit e pa kënaqur nga regjimi komunist, minimi i monumentit të Stalinit dhe Leninit në qendër të Tiranës, hedhja në erë e selisë së Komitetit Qendror të PPSH-së, shpërndarja e materialeve propagandistike me frymë antikomuniste, që ishin përgatitur më parë që në New York etj.

U vendos që grupin e parë do ta kryesoja unë, me që kisha njohje me kontingjentin e familjeve të përndjekura nga regjimi komunist, ku do të mbështeteshim ne fillimisht. Në këtë grup përveç meje bënin pjesë dhe: I. Rrushiti, N. Banushi, I. Lame dhe A. Sula. Mbas disa përgatitjesh intensive që bëmë në një bazë sekrete, më në fund u nisëm me avionin që do të përshkonte intenerarin: New York – Londër, – Amsterdam – Romë – Athinë. Kur mbërritëm në kryeqytetin grek, u strehuam në Hotel “Atllantik” dhe të nesërmen shkuam në bazën ushtarake të Prevezës, ku koloneli që na priste na furnizoi me armatime që përbëheshin nga pesë automatikë, pesë pistoleta, 20 granata, 6 kg. dinamit, kapsula dhe mjetet mekanike për shpërthimin e tyre, veshjet e notit, një radio-marrëse e dhënëse, si dhe shumë municione e pajisje të tjera. Pasi i sistemuam këto në një vend të sigurtë, bisedova me kolonelin për rrugët e mundëshme që duhej të ndiqnim për të hyrë në Shqipëri dhe në orën shtatë të mbrëmjes u nisëm me një motoskaf të vogël që drejtohej nga tre marinarë dhe pas disa orësh mbërritëm në bregdetin e Ksamilit”.

Kështu e kujtonte fillimin e “aventurës shqiptare”, Avdul Hakan Banushi, me origjinë nga Golemi i Gjirokastrës, i cili na rrëfente për herë të parë disa nga ngjarjet më të bujshme të jetës së tij, të ndodhura në vitin 1974 – ‘75, kur ai në krye të një grupi komando të nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, hyri disa herë me misione të fshehta në Shqipëri.

Kush ishte Avdul Banushi dhe cila është e kaluara e tij? Përse u internua ai në kampin nazist të Dakao-s në Gjermani dhe si mundi që të lirohej prej andej? Si u kthye ai në Shqipëri në tetorin e vitit 1945 dhe përse u dënua me 18 vite burg, duke u akuzuar si agjent i anglo–amerikanëve? Si mundi ai që të arratisej nga Dega e Punëve të Brendshme e Fierit në ditët e para të gushtit të vitit 1961 dhe si e kaloi kufirin për në Greqi? Çfarë i kërkuan atij në Athinë dhe si mundi ai që ta fitonte azilin politik për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Kush ishin krerët antikomunistë shqiptarë që organizuan “Fronin e Rezistencës Antikomuniste” dhe përse dështoi “aventura shqiptare” e Abdyl Banushit, si dhe atentati ndaj Enver Hoxhës në paradën e madhe të 30 vjetorit të çlirimit në 29 nëntorin e vitit 1974? Cili ishte njeriu që e shoqëroi dhe e tradhëtoi Abdyll Banushin në misionin e tij të fundit në Shqipëri, gjë e cila bëri që ai të binte i gjallë në duart e forcave shqiptare të kufirit në afërsi të Hanit të Hotit, nga ku ai do të izolohej në burgun e tmerrshëm të Burrelit, deri në shëmbien e regjimit komunist në 1991-in? Lidhur me këto dhe mjaft ngjarje e fakte të tjera, na njeh intervista ekskluzive që na ka dhënë z. Banushi, disa vjet më parë, e cila do jetë në gjashtë numra radhazi.

Zoti Banushi, çfarë ju thanë në Kryesinë e “Frontit të Rezistencës?

Pasi raportuam për kryerjen e aksionit, e gjithë Kryesia e Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe e “Frontit të Rezistencës Antikomuniste” na përgëzuan dhe e quajtën atë aksion të suksesshëm.

Po amerikanët çfarë qëndrimi mbajtën ndaj kësaj ngjarje?

Para se të shkonim ne në “Komitetin “Shqipëria e Lirë”, majori Tomas Smith, kishte marrë në telefon Dr. Rexhep Krasniqin dhe i kishte protestuar ashpër duke i thënë: “Zoti Krasniqi, ju keni formuar një organizatë terroriste që hedh bomba në ambasadat shqiptare në Europë”. Krasniqi nuk e kishte pranuar atë gjë dhe më kërkoi mua në telefon që të shkoja atje, ku më priste bashkë me majorin Smith. Sapo shkova atje, Smithi më tha me ironi: “Hajde o luftëtar i lirisë” dhe pasi më përqafoi, ai më tha se pse kisha munguar në punë për një kohë të gjatë. Unë u mundova ta gënjeja, duke i thënë se kisha qenë në rivierën franceze për vakanca, por ai më ndërpreu e më tha: “Dëgjo këtu, po të jetë për mua, unë dua që komunizmin në Shqipëri ta shkulim nga themelet, por SHBA-ja nuk e lejon terrorizmin. Në qoftë se tani e tutje do të ketë ndonjë shpërthim në ambasadat shqiptare kudo që të jenë, ti do të ekstradohesh andej nga ke ardhur. Kjo është fjala e fundit që po të them”.

Pas këtyre vendimeve që mori “Fronti i Rezistencës”, a u krijuan grupet dhe si do të hynin ato në Shqipëri?

Menjëherë pas vendimeve që u morën nga “Fronti i Rezistencës Antikomuniste”, u krijuan dy grupet e para me nga pesë veta secili, ku njërin prej tyre do ta kryesoja unë. Vështirësia e parë që na u krijua, ishte se si do t’i transportonim armatimet e lëndët plasëse nga SHBA-ja për në Shqipëri, për arsye se “Fronti i Rezistencës”, akoma nuk kishte rënë në kontakte me qeverinë amerikane për të marrë ‘ok’ për këtë gjë. Në fillim unë propozova që të zgjidhnim disa armatime të lehta, të cilat do t’i transportonim fshehurazi autoriteteve amerikane. Mirëpo kjo u hodh poshtë nga kryesia e organizatës, sepse do të na krijonte probleme të mëdha.

Si u zgjidh ky problem?

“Me propozimin tim u vendos që të gjitha armatimet e nevojshme do të merreshin në bazën ajrore amerikane të Prevezës në Greqi, ku unë kisha njohur disa shqiptarë antikomunistë që kur isha në Greqi. Pas kësaj më 14 dhjetor 1973, unë u nisa menjëherë për në Greqi dhe sipas bisedës me mikun tim, u takova me kolonelin amerikan Bill, i cili më garantoi të gjitha armatimet duke më futur t’i shihja vetë ato në depo. Po kështu koloneli amerikan më siguroi gjithashtu se do të na ndihmonte me anë të një motoskafi të vogël, për të na futur në Shqipëri nëpërmjet bregdetit. Kur po ndaheshim, koloneli amerikan më kërkoi një deklaratë besnikërie, të cilën unë i’a lëshova menjëherë. Pas kësaj tepër i kënaqur u ktheva menjëherë në SHBA-ve, ku u takova dhe me Dr. Hamdi Uruçin, i cili sapo ishte kthyer nga Jugosllavia, ku kishte përgatitur dy baza, një në Ulqin e tjetrën në Hot. Pas kësaj, në janar 1974, kryesia e organizatës “Fronti i Rezistencës Antikomuniste” vendosi që të dërgonte në Shqipëri grupin e parë, i cili do të përbëhej prej pesë vetash.

Ky grup apo grupet e tjera që do të hynin në Shqipëri, çfarë përgatitjesh kishin dhe ku i kishin zhvilluar ato?

Menjëherë pasi u krijuan grupet, ne i’u nënshtruam një stërvitje të gjithanshme disa mujore në një bazë ushtarake sekrete në Amazona.

Konkretisht çfarë stërvitje kryet dhe kush ishin instruktorët tuaj?

Po çfarë rëndësie ka kjo?!

Kush ishin personat e tjerë të grupit tuaj?

Anëtarët e grupit që kryesoja unë ishin: I. Rushti (i martuar me dy fëmijë) N. Banushi, (kushëri i imi) A. Sula dhe I. Lame. Pas vendimit të “Frontit të Rezistencës”, ne erdhëm me avionë të ndryshëm nëpër bazat tonë që kishim krijuar më parë në shtete të ndryshme të Europës. Pasi u takuam në Itali ku kishim lënë vendin dhe pikën e takimit, u nisëm për në Greqi, ku takuam kolonelin Bill në bazën amerikane ajrore të Prevezës. Aty u furnizuam me mjetet e nevojshme, duke filluar që nga armatimet e sofistikuara dhe të gjitha pajisjet e tjera që na nevojiteshin.

Lexo edhe :  Opozita mbetet pa “opozitë”, të vegjlit braktisin Bashën

Konkretisht me çfarë armatimesh u furnizuat?

Aty ne morëm pesë automatikë “Tomson”, pesë pistoleta, 20 granada difensive, 6 kg dinamit DT, kapsula automatike dhe mekanizmat për shpërthim, mjete noti, një radio marrse-dhënse si dhe shumë municion. Të gjitha këto armatime ne i sistemuam në disa çanta gjeologësh ku në faqet anësore të tyre shkruhej: “Drejtoria e Gjeologjisë Tiranë. Automatiku “Tomson” ishte montuar në atë mënyrë, që po të na duhej për të qëlluar me të, nuk kishe nevojë ta nxirrje nga çanta, por mjafton të tërhiqje pak njërin nga zinxhirët e çantës dhe ai qëllonte me breshëri, duke pasur dhe xhepin nga dilnin gëzhojat. Kjo vlente për ndonjë kontroll të befasishëm të policisë.

Me çfarë dokumentesh do të hynit ju në Shqipëri dhe si do të kamufloheshit brenda territorit shqiptar?

Problemi i dokumenteve ishte zgjidhur që në SHBA-ve, ku gjithsecili nga ne ishte i pajisur me nga pesë letër-njoftime shqiptare me emra të rremë. Po kështu kishim edhe nga pesë dokumente partie që i korrespondonin emrave të shkruar në çdo letërnjoftim. Çdo letërnjoftim i yni, i korrespondonte rretheve kufitare, si: Shkodra, Korça, Gjirokastra, Saranda e Vlora. Pasaporta kryesore që do të përdorja unë në Shqipëri, ishte me emrin Bashkim Fratari, ndërsa ajo për jashtë vendit, me emrin Tomas Brangel. Përveç këtyre kishim dhe nga një dokument të Gjeologjisë, të firmosur nga kolonel i Ministrisë Brendshme Jaup Dabulla, që na lejohej të lëviznim “për nevojat e Gjeologjisë”, deri në zonat kufitare fare pranë klonit. Të gjitha këto dokumenta ishin të fallsifikuara në mënyrën më perfekte, sa që nuk mund t`i dallonte dot asnjeri. Për t`i realizuar ato ishin shfrytëzuar dokumentat e një oficeri shqiptar që ishte arratisur nga Shqipëria dhe kishte ardhur në Amerikë. Po kështu që nga New York, kishim marrë dhe sasinë e mjaftueshme të dollarëve e lekëve shqiptare, të cilat i administroja unë si kryetar i grupit.

Si hytë në Shqipëri?

Pasi u armatosëm në bazën e Prevezës prej kolonelit amerikan Bill, ai na dha një motoskaf të vogël që e drejtonin tre marinarë, me të cilën u nisëm në orën shtatë të mbrëmjes dhe me anë të saj pas disa orësh zbarkuam në bregdetin shkëmbor të Ksamilit në jug të Sarandës. Pasi i dhamë kapitenit të nëndetëses kodin e kthimit, ai u largua andej nga kish ardhur, ndërsa ne pritëm të zbardhte dita që na u duk shumë e gjatë.

Ku shkuat pastaj?

Nga Ksamili ashtu si gjeologë ne u nisëm në drejtim të Butrintit, ku hipëm në një autobus që merrte turistë dhe me të shkuam deri në Sarandë. Kur mbërritëm atje, unë u interesova dhe gjeta një kamion që kishte shkarkuar qymyr në port, i cili na morri sipër karocerisë për në Gjirokastër. Kur zbritëm në qytetin e Gjirokastrës, shokëve iu thashë të lëviznin të lirë nëpër qytet dy e nga dy dhe të takoheshim tek Qafa e Pazarit.

A nuk kishit frikë se mund t’ju njihnin në qytetin tuaj?

Nuk më shkonte mëndja sepse kisha një kohë të gjatë që isha larguar prej andej, por ja që ajo ndodhi. Sapo zbrita në shkallët e gurta të qytetit tim, mu kujtua një porosi e Prof. Stavro Skëndit në New York, i cili më kishte porositur të blija një fjalor të gjuhës së sotme shqipe. Libraria e parë ishte në rrugën kryesore që të shpinte në Qafën e Pazarit dhe librashitësja quhej Sava. Ndërsa unë po nxirrja lekët për ta paguar fjalorin, brenda në librari hynë dy burra, një i moshuar dhe një më i ri. I pashë me bisht të syrit dhe i njoha menjëherë. U drithërova pasi edhe ata më njihnin mirë. Ai më i moshuari ishte Rexhep Kroi nga fshati Kardhiq dhe ai më i riu, Daut Myrto nga Mashkullora. Rexhepi kishte qenë zv/komandant i burgut të Burrelit në vitet kur kisha qenë unë atje, ndërsa Dauti, ishte Punëtor Operativ i zonës së Kardhiqit. Ata sa më panë, më njohën dhe Rexhepi më tha: “Urime Avdul, kur qenke kthyer nga Amerika. Të paska zënë amnistia”? Unë ktheva kokën me gjakftohtësi dhe i thashë: “Me mua flisni?” Ai mu përgjigj: “E ore me ty…”. Unë duke buzëqeshur, i’u thashë se nuk i njihja dhe se nuk më quanin Avdul, por Bashkim Fratari, e isha me profesion inxhinier gjeolog. Ndërsa flisja i zgjata paratë shitëses që po e ndiqte me kujdes atë skenë. Por Rexhep Kroi mu drejtua përsëri: “Lëri ato, ti je vetë Avdul Banushi që ke qenë në burgun e Burrelit dhe u arratise për në Amerikë”. Pas kësaj, ndërsa po nxirrja letërnjoftimin, i’u thashë: “Gabohesh mik”. Ata shqyen sytë nga habia dhe më thanë se përsëri nuk më besonin. Ndërkaq unë u detyrova dhe nxora edhe dokumentin e parties, duke u’a treguar vetëm nga kapakët, e i’u thashë gjoja i nxehur: Mos provokoni anëtarët e parties, se unë ua hedh trutë në erë.

Çfarë ndodhi më pas, a ju besuan ata?

Atyre i’u ranë puplat menjëherë dhe u treguan të pasigurtë në vetvete. Si për t`u mbrojtur, Rexhepi më tha: “Kam qenë oficer i Degës së Brendshme, siç është ky shoku këtu” dhe bëri me dorë nga operativi Daut Myrto. Unë ia ktheva me ironi: “Qofshi shëndoshë” dhe dola nga libraria duke u thënë: “Hajt nja tjeta”. Ndërsa dola jashtë, pashë shokët e mi që po më prisnin dhe u bëra shenjë të më ndiqnin nga pas sepse isha i bindur se Rexhepi me Dautin, do e mbanin vrapin në Degën e Brendshme.

A njoftuan ata në Degën e Brendshme të Gjirokastrës dhe ku shkuat ju më pas?

Nuk e di a njoftuan ata, por ne zbritëm me të shpejtë nga rrugica që të nxirrte në Poliklinikën e madhe të qytetit, e u fshehëm në familjen Jonuzi, që ishte dhe baza jonë e parë. Aty qëndruam gjashtë ditë, deri sa u qetësua gjendja dhe natën e fundit, pasi lamë 400 USD, në ora dy pas mesnate, ikëm nga ajo bazë e zbritëm nëpër lagjen e re “18 shtatori”, e dolëm në Granicë. Më pas ecëm në këmbët e Malit të Gjerë, sipër liqenit të Viroit dhe arritëm në vendin e quajtur Vatuca afër urës së Kardhiqit. Aty mësuam se ishte dhënë alarm, gjë e cila tregonte se për ne ishte njoftuar Dega e Brendshme e Gjirokastrës. Pasi kaluam Ujin e Ftohtë në këmbë, anashkaluam fshatin Picar, nëpër shkurnaja, sepse nuk mund të dilnim në rrugën nacionale, duke e ditur se tek Ura e Subashit kishte kontroll të fortë.

Ku shkuat më pas?

Gjithë ditën e kaluam nëpër shkurnaja dhe në të errur zbritëm në fshatin Shtëpëz, ku kishim një bazë tonën dhe që andej zbritëm në Ujin e Ftohtë të Tepelenës, ku hipëm në një kamion që shkonte për në Memaliaj. Pasi zbritëm në kryqëzimin e Memaliajt, hipëm në një nga makinat e shumta që ngarkoheshin me qymyr për TEC-in dhe u nisëm në drejtim të Fierit, ku dhe kishim piksynimin tonë.

Gjatë rrugës për në Fier, a patët kontrolle policie dhe kur mbërritët atje ku shkuat?

Gjatë rrugës që nga Uji i Ftohtë e deri në Fier, kaluam disa postblloqe policie, të cilat na kontrolluan dokumentet e nuk dyshuan fare. Në Fier shkuam e takuam njeriun tone, i cili u tremb shumë dhe nuk na priti në shtëpi. Takimin me të e bëmë dikë afër ndërtesave në Fermën “Çlirim”, vend të cilin unë e njihja mire, kur kisha qenë i internuar në Fier. Më pas nga aty hipën në një autobus urban si pasagjerë të rëndomtë dhe gjatë rrugës krejt të lirshëm bënim muhabete e shakara me udhëtarët, deri sa mbërritëm në Savër të Lushnjes. Aty ne shpresonim të gjenim mbështetje të madhe, sepse ishte vendi internimi. Duke e ditur se aty kishte shumë njerëz të Sigurimit, unë i lashë shokët e mi në një kanal diku në fushë të hapur dhe vetë shkova për të gjetur bazën tonë që ishte familja Çaushi.

E njihnit këtë familje?

Të zotin e familjes Çaushi, nuk e njihja mirë, por aty vija me rekomandimin e dy vëllezërve të tij që banonin në Amerikë si emigrantë politikë dhe ishin të lidhur ngushtë me organizatën tonë. Pasi i dorëzova 500 USD dhe letrën e dy vëllezërve të tij, ai u tremb shumë dhe nuk donte të na priste në shtëpinë e tij. Pastaj ai ndërroi mëndje dhe tha se në shtëpi na priste natën. Ndonëse ne aty shkuam me dyshime, na ndodhi e kundërta. I zoti i shtëpisë na shprehu mbështetjen e tij pa rezerva. Pasi lamë parullat e ndërlidhjes në rast se do të vinin njerëz të tjerë nga Amerika, rreth orës katër të mëngjesit, u larguam duke ecur fushave që na dukeshin pafund.

Ku shkuat pasi ikët nga fshati Savër?

Akoma pa zbardhur dita, ne hymë në qytetin e Lushnjes dhe shkuam tek familja e Ç. Godos, babai i të cilit Isa Godo, ish-oficer i Xhandarmërisë së Zogut, ishte arratisur nga Shqipëria në 1953-in e ishte vendosur në Bruksel, ku vazhdonte të ishte pjesëtar i organizatës sonë. Ç. Godo na pranoi në shtëpinë e tij me frikë të madhe, por nuk pranoi që të dilte për të njoftuar personat e tjerë që kërkonim ne, duke na thënë se kishte frikë se në mes tyre mund të kishte njerëz të Sigurimit. Pasi dolëm nga shtëpia e tij, u ndamë në dy grupe dhe mbërritëm në Durrës në familjen Cerloi. Ajo ishte një familje tregtarësh dhe me gjithë rreziqet që i kanoseshin, na priti shumë ngrohtë. Pas tre ditësh ata pranuan të bënim aty një mbledhje dhe pasi krijuam celulën e re, u nisëm për në Tiranë./Memorie.al


Të fundit

Dëshmia e rrallë e ish-agjentit të CIA-s/ Majori Smith më thirri në New York dhe më tha: ‘Dua që komunizmin ta shkulim nga...

Nga Dashnor Kaloçi Publikohet historia e panjohur dhe e rrallë e Avdul Hakan Banushit me origjinë nga fshati Golem i...

Teatri Kombëtar i Operas e Baletit i rikonstruktuar/ Rama nxjerr pamjet: Pres me padurim ngritjen e perdes së skenës

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baltetit, i cili është rikonstruktuar. Në një postim në “Facebook” kreu i qeverisë...

Tre shqiptarët që u vranë në 11 shtator, pasionet dhe amanetet! Njëri prej tyre ishte pastrues i dritareve në katin 107

20 vjet më parë, në 11 Shtator 2001, një sulm terrorist rrëzoi dy kullat e famshme binjake në Qytetin e Nju Jorkut (New York...

6 vakte ushqim, 5 dremitje dhe stërvitje gjithë ditën, ja sekreti i superformës së Ronaldos

Ylli portugez Cristiano Ronaldo po shkon 37-vjeç, por nuk ka rënë aspak nga forma e tij dhe këtë e dëshmoi me dy golat e...

Vranësira kalimtare në mesditë/ Parashikimi i motit për sot

Moti parashikohet të jetë i kthjellët. Vranësira kalimtare do të ketë në orët e mesditës në relievet kodrinore-malore të zonës së qendrës dhe jugut. Era...

Lajme të tjera

Web TV