Nga Fernada Cenko
Mbrëmja e së enjtes së kaluar nuk ishte aspak normale për Lulzim Bashën, Sali Berishën dhe për vetë fatin e Partisë Demokratike. Kreu i selisë blu mori vendimin e përjashtimit nga Grupi Parlamentar i PD-së ish-liderin historik Sali Berisha, pasi amerikanët i kishin lënë mbi tavolinë zarfin me mbishkrimin: “Përjashto Berishën, nuk ka negocim”. Një vendim i vështirë për staturën e Bashës, që për tetë vite në krye të PD-së kurrë nuk doli nga hija e Berishës. Kryetari “de jure” i PD-së shpresoi deri në momentin e fundit që vetë Berisha do ia hiqte barrën, duke dorëzuar mandatin e deputetit dhe të përballej me SHBA-në që e shpallën “non grata” si një individ, por kjo nuk ndodhi. Në të vetmen herë që Basha bëri me “kokën e tij”, po i rrezikohet seriozisht karrigia e kryetarit dhe PD është në ditët e saj më të errëta. Vendimi i përjashtimit nuk u prit aspak mirë nga Berisha që reagoi përflaktë. I erdhi nga njeriu që priste më pak, por zhgënjimi në politikë nuk llogaritet në raportin njerëzor, kur në mes është pushteti dhe në këtë rast “mbijetesa”.
Duket që marrëdhënia Basha-Berisha ka qenë e pasinqertë kohët e fundit, pasi Berisha është shprehur se nuk e priste. “Unë e dija që ishte në presione, por nuk mendoja që duke mosrespektuar asnjë rregull të shpallte një vendim të tillë personal”, tha Berisha pak minuta pasi në media u dëgjua zhurma e “bombës” së Lulzim Bashës në PD. Më tej ish-lideri demokrat shpalosi në fjalorin e tij edhe akuza të rënda për Bashën, duke e cilësuar si vegël të Edi Ramës dhe Soros. Berisha deklaroi se do të bëjë gjithçka për të rivendosur sovranitetin e PD-së. Basha e përjashtoi nga Grupi Parlamentar edhe duke shkelur procedurën, ndonëse vetë Basha e njeh mjaft mirë “procedurën”, pasi me atë metodë ka shmangur edhe hetimin që u ngrit për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Tashmë në PD Basha dhe Berisha po masin forcat. Paqe mes tyre nuk parashikohet, ndërsa fundi do të mbyllet me ikjen e njërit prej tyre. Berisha mbahet fort pas anëtarësisë dhe statutit të PD-së, ndërsa Basha do të mbështetet tek grupi i tij parlamentar dhe më pas shpreson se në “frymën e fundit” mund t’i vijë një ndihmë nga SHBA, fundja gjithnjë është ndihmuar… Mbi zhvillimet politike në PD dhe për përplasjen e fortë Basha-Berisha, komentojnë për gazetën “Fjala” analistët Lorenc Vangjeli, Leonard Karaj dhe Plator Nesturi.