Çfarë tregojnë përplasjet e ambasadorëve amerikanë me politikanët shqiptarë

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Vera e re në fuçinë e vjetër

1990-2021

Çfarë tregojnë përplasjet e ambasadorëve amerikanë me politikanët shqiptarë

Shpallja “non grata” e Sali Berishë nga SHBA nuk është përplasja e parë e ambasadorëve amerikanë me politikanët shqiptarë. Nga Christopher Hill në vitin 1990 e deri te Yuri Kim. Një guidë diplomatike në 31 vjet të raporteve mes diplomatëve amerikanë dhe politikanëve më të pushtetshëm në Shqipëri Nano, Berisha, Meidani, Majko, Meta, Rama etj. Me të cilët është ndjekur një rregull: Kush është ndeshur me SHBA jo vetëm ka humbur, por ka patur jo pak pasoja.

Nga ROLAND QAFOKU

Shpallja non grata e Sali Berishës nga SHBA ka sjellë një përplasje jo vetëm personale të tij me diplomacinë matanë Atlantikut. Duket si një betejë që duket sikur askush nuk ia di fundin. Por në fakt në këto 31 vjet që nga rrëzimi i komunizmit, është ndjekur një rregull sipas të cilit çdo politikan që është përplasur me SHBA jo vetëm që ka humbur, por është shoqëruar me pasoja për karrierën e tij. Nëse i marrim me radhë të 13 përfaqësuesit e diplomacisë amerikane në Tiranë rezulton se kanë patur së paku një rast mosmarrëveshje me politikanët shqiptarë në vendime që lanë rënë ndesh me SHBA. Fatos Nano, Sali Berisha, Ilir Meta, Pandeli Majko, Edi Rama, kanë qenë shenjestra e SHBA-së ndaj tyre sa herë ata janë ndeshur me ambasadorët në Tiranë. Është një histori humbjeje që pak gjasa ka të prishë rregullin.

  1. CHRISTOPHER HILL, (I NGARKUAR ME PUNË)1990-1991

I ngarkuari me punë i SHBA në Tiranë Christopher Hill ishte diplomati i parë që u caktua nga Departamenti i Shtetit në Tiranë pas 44 vjetësh regjim të egër komunist. Qëllimi i diplomacisë amerikane ishte jo vetëm vendosja e marrëdhënieve të ndërprerë mes dy shteteve, por edhe lufta ndaj komunizmit. Partia e Punës së Shqipërisë u shndërrua në Parti Socialiste më 10 qershor 1991 dhe kryetari i saj Fatos Nano ishte shënjestra e parë amerikane. Fjalimi i liderit të ri socialist mes disa shqiptarëve në Zvicër kur tha për Enver Hoxhën se “secili nga ne e ka një baba”, nuk revoltoi vetëm të djathtët dhe të persekutuarit e regjimit komunist. Ai u bë shenjestra e parë e tyre, por edhe e diplomacisë amerikane në Tiranë. Më 31 korrik 1993 Fatos Nano u arrestua për akuzën e korrupsionit, por jo vetëm Nano, por edhe shumë të majtë e cilësuan si ndërmarrje të diplomacisë amerikane, veçanërisht e atij që quhej truri i ambasadës amerikane Chris Hill. Ish-bashkëshortja e Nanos, Rexhina Nano, e ka shprehur këtë në librin me kujtime kur përshkruan vizitën së bashku me Fatosin në ambasadën amerikane në festën e SHBA më 4 korrik 1993. Në një intervistë nga qelia në burgun e Bënçës, Fatos Nano bëri akuzën e rëndë ndaj amerikanëve kur tha: “Diplomatët amerikanë kanë ardhur në Shqipëri me thikën në dhëmbë. Ndërsa për Sali Berishën, Chris Hill kishte dhënë një mbështetje të pakufishme, por në vitin 2000 Hill ka deklaruar se ai duhet të largohej nga politika. Unë kam qenë nga të paktët që e kam mbështetur fort Berishën edhe në momentet më të vështira kur ai kishte mbetur pa njerëz. Tani mendoj që ai e ka mbaruar misionin e tij. Ju duhet të përkrahni një figurë të re në opozitën shqiptare për arsye se PD i duhet Shqipërisë dhe opozita është e nevojshme për shoqërinë demokratike”, ka thënë Hill 21 vjet më parë.

WILLIAM RAYERSON. (1991-1994)

Asnjë ambasador tjetër i SHBA në Tiranë nuk ka treguar aq shumë mbështetje të hapur ndaj një politikani si Sali Berisha dhe ndaj një partie si PD-ja sa ajo që ka bërë ambasadori William Rayerson. Ai arriti të bëhej edhe pjesë e mitingjeve të PD në fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 22 marsit 1992. Kjo solli një furi sulmesh nga ana e PS-së dhe gazetës “Zeri i Popullit” duke e trajtuar Rayerson armikun kryesor të kësaj partie. Më 31 korrik 1993 Nano u arrestua, ndërkohë që 26 ditë më parë Rayerson i kishte dërguar ftesë për të qenë në festën e kombëtare të SHBA. Trupi diplomatik i ftuar gjithashtu në këtë pritje dukej se e kishin mësuar se çfarë do t’i ndodhte liderit të PS-së teksa të gjithë i kishin sytë te ai. Nano ishte thjesht kurbani i parë amerikan. Por ndërsa me PS marrëdhëniet ishin të ndera, edhe me PD mjalti mbaroi shpejt. Arrestimi i 5 pjestarëve të shoqatës minoritare “Omonia” për spiunazh në vitin 1994 shtoi presionin e SHBA-së ndaj Shqipërisë të ndikuar jo pak nga lobi grek atje. Ky presion shkoi deri atje sa të kërkohej në Shtëpinë e Bardhë largimi i ambasadorit William Rayerson me akuzën se ishte njëjtësuar më tepër nga ç’duhej me Berishën dhe se nuk kishte bërë sa duhej për përmirësimin e gjendjes së pakicës greke në Shqipëri. Kjo ulje ngritje mes Rayerson dhe Berishës solli jo pak pasoja në marrëdhëniet mes dy vendeve. Berisha nuk ishte më politikani i preferuar për SHBA dhe për këtë pati jo pak pasoja që do të ndjeheshin dy vite më pas. Në vitin 2014, në një intervistë, William Rayerson, tashmë në pension, lëshoi një deklaratë të fortë ndaj Berishës e cila e zemëroi jo pak atë. “Berisha duhet të dalë në pension” tha Rayerson duke kthyer edhe një herë përplasjet kur ishte në detyrë në Tiranë.

JOSEPH LAKE, 1994-1996

Ambasadori amerikan në Tiranë Joseph Lake është viktima e madhe e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Madje ai dha dorëherjen nga si ambasador pas tetë muajsh në këtë detyrë pikërisht për këto marrëdhënie të ndera. Ishte koha kur Partia Demokratike dhe presidenti i asaj kohe Sali Berisha kishin filluar përplasje të forta me SHBA-në dhe i takonte këtij ambasadori për t’iu rikthyer atyre normalitetin. Edhe pse zyrtarisht dorëheqja nuk ka pa pasur arsye që lidheshin me situatën në Shqipëri, nuk kanë qënë të paktë ata që e kanë lidhur atë me përplasjet e tij direkte me Berishën. Sipas tyre, marrëveshja e Lake për një vizitë të Berishës në SHBA, përkundrejt mosshkarkimit të Kryetarit të Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi, cilësohej si një dështim. Kështu, i ndodhur në këtë situatë, ai dha dorëhejen. Megjithatë, as Lake, e as diplomatët e tjerë amerikanë, zyrtarisht nuk e kanë lidhur largimin e tij me këtë fakt. Ndërkohë, abuzimet me zgjedhjet e 26 majit 1996 përbënin një çështje që SHBA vendosi vizë të kuqe ndaj pushtetit të Berishës. Por kulmi i acarimit të marrëdhënieve arritën kur nënsekretari amerikan i shtetit për Çështjet Globale Timothi Worth që mbërriti në Tiranë në qershor të vitit 1996 nuk u prit në takim nga ish-presidenti i atëhershëm, Sali Berisha. Kjo ishte pika e ujit që u hodh në gotën e mbushur plot dhe që filloi të derdhej. SHBA i shpalli luftë personale Sali Berishës.

MARISA LINO, 1996-1999

Marisa Lino mund të cilësohet ndryshe si armikja numër një e Sali Berishës dhe mbështetësja numër një ndaj të majtëve në Shqipëri, por jo ndaj Fatos Nanos, të cilin ajo nuk e futi asnjëherë në listën e të preferuarëve. Marisa Lino u tregua jo pak e ashpër me Sali Berishëm jo vetëm për ngjarjet e marsit 1997 por sidomos në trazirat e 14 shtatorit 1998, dy ditë pas vrajses së ish-kryetarit të PD, Azem Hajdarit. Për këtë, Berisha i tha Linos gjatë një pritje që po tregohej e njënashme. Në fakt Lino e nisi përplasjsen me atë që po ndodhte në Shqipëri në vitin 1996, kur i refuzoi vizën për në SHBA Vehbi Alimuçajt, bosit të firmës rentiere “Vefa” që në atë kohë ishte simbol i fajdeve, që ishte një paralajmërim amerikan për firmat piramidale që po lulëzonin në Shqipëri. Vetëm pak muaj më pas firmat rentiere falimentuan dhe vendi shkoi në kolaps. Rënia e shtetit dhe trazira e marsit 1997 sollën një përplasje të fortë Shqipëri-SHBA. Shefi i SHIK, Bashkim Gazidede, në një fjalim në parlament bëri fajtor ekskluziv CIA-n për atë që u quajt rebelim komunist, duke sjellë reagim të fortë të SHBA ndaj presidentit në detyrë Sali Berisha. Të gjitha këto çuan në dorëheqjen e qeverisë së Aleksandër Meksit, ngritjen e një qeverie të Pajtimit Kombëtar, zgjedhje të parakohshme në qershor 1997 dhe dy muaj më vonë edhe dorëheqjen e detyruar të Sali Berishës si president i republikës. SHBA kishte vendosur normalitet në politikën shqiptare që për disa vite ishte anormale.

ROBERT FROWICK, 1999.

Robert Frowick njihet si ambasadori që arriti të fuste Partinë Demokratike në parlament. Ishte koha e bojkotit të madh të kësaj partie pas plagosjes së deputetit Azem Hajdari dhe më pas edhe vrasjes së tij Megjithate, koha e shkurtër nuk i la kohe për veprimtari të tjera politike. Vetëm në pak muaj në drejtim të ambasadës amerikane, Robert Frowick bëri atë që nuk e kanë bërë shumë përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë për muaj të tërë: të fuste Partinë Demokratike në parlament. SHBA-ja nuk po tregonte ndonjë mbështetje të madhe ndaj Berishës, por mbështetje nuk kishte as ndaj Fatos Nanos që vazhdonte të ishte kryetar i PS-së por jo kryeministër. Deklarata e Berishës për të mos e firmosur marrëveshjen e Rambujesë nga liderët e Kosovës ishte një tjetër vizë e kuqe amerikane ndaj tij. Çështja e Kosovës kërkonte liderë të rinj dhe Frowick mbështeti gjatë qendrimit të tij në Tiranë Pandeli Majkon dhe Ilir Metën, të dy që u bënë kryeministra.

Lexo edhe :  Detaje nga krimi i rëndë në Divjakë/ Djali gjeti prindërit e vrarë dhe njoftoi policinë

JOSEPH LIMPREHCT, 1999-2002

Ende PD-ja nuk kishte marrëdhënie normale me SHBA pavarësisht futjes në parlament. Madje ishte krijuar perceptimi që SHBA mbështeste të majtën. Rexhep Meidani në detyrën e presidentit politikani më i mbështetur si nga Marisa Lino dhe nga Joseph Limprecht. Një vizitë e ambasadorit Limprecht në godinën e Partisë Demokratike u shoqërua me fishkëllima nga disa militantë të kësaj partie dhe kjo ra shumë keq në sy të përfaqësuesëve të ambasadës por edhe të opinionit publik. Megjithatë, si një natyrë tejet paqësore Limprecht arriti të krijojë një klimë të zbutur mes tij dhe PD-së dhe mund të themi se ishte aftësia e tij që normalizoi marrëdhëniet SHBA-PD. Kjo u pa qartë sidomos pas zgjedhjeve të vitit 2001 dhe arritja e marrëveshjes historike mes PS dhe PD që solli edhe zgjedhjen e një presidenti konsesual të propozuar nga PD.

JAMES JEFFREY, 2002-2004

Nuk bëri asnjë kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit në Shqipëri James Jeffry duke u distancuar si ndaj Berishës dhe Nanos dhe si ndaj të djathtës dhe të majtës. Por në disa raste James mori etiketime të rënda nga të dy palët që e cilësonin si një guvernatori në Shqipëri. I pamëshirshëm ishte Jeffry ndaj qeverisë së Fatos Nanos në atë kohë kur pas ngjarjes tragjike të 9 janarit 2004 kur ai tha se “krimi dhe korrupsioni, nëse nuk luftohen dhe nëse nuk mposhten si fenomene, do të vazhdojnë të shkaktojnë të tilla tragjedi edhe në të ardhmen”. Ishte një lajmërim i fortë për çfarë do ndodhte më pas në politikën shqiptare.

MARSIE RIES, 2004-2007

Qeveria e Fatos Nanos fuste ujë nga të gjitha anët në fund të mandantit të saj në vitin 2005. PD-ja ishte e gatshme për të ardhur në pushtet por të gjithë i mbanin sytë dhe veshët nga selia e rrugës së Elbasanit. Ambasadorja Marsie Ries ishte çelsi i zhvillimeve të ethshme politike. Vizita sekrete e shefit të CIA-s, Porter Goss, dy ditë përpara zgjedhjeve të 3 korrikut 2005 dhe takimi i tij me Fatos Nanon, ishte më shumë një dhënie duarsh ndaj kryeministrit shqiptar nga pushteti dhe nga politika aktive. Nëse nuk do ndodhte kjo, ngjarjet mund të rridhnin krejt ndryshe. Fatos Nano, politikani më i rëndësishëm dhe më me pushtet i momentit doli nga politika vetëm pak ditë më vonë. Nga ana tjetër, SHBA po mbështeste pa rezerva Partinë Demokratike që erdhi në pushtet. Sali Berisha ishte ngritur nga hiri në politikën shqiptare, por më shumë ai ishte ngritur nga hiri edhe në raport me politikën amerikane. Kulmi i mbështetjes amerikane ndaj Berishës tashmë kryeministër ishte vizita e presidentit George W. Bush më 10 qershor 2007 në Tiranë dhe deklarimi nga goja e tij të Kosovës si shtet i pavarur. Qershia mbi tortë u bë anëtarësimi më 1 prill 2009 i Shqipërisë në NATO dhe kjo sigurisht me bekimin amerikan. Asnjë politikan shqiptar nuk kishte në CV një arritje të tillë sa Sali Berisha.

JOHN WITHERS, 2007-2010

Por përsëri ngritja e raporteve SHBA-Berisha do pasohej me ulje. Sali Berisha kryeministër u përplas fort me ambasadorin tjetër John Withers. PD-ja do ta akuzonte ambasadorin për bashkëpunim me ish-prokuroren e përgjithshme Ina Rama, se ata të dy manipuluan rezultatet e raporteve mbi korrrupsionin e qeverisë sidomos për ngjarjen në Gërdec në mars 2008. Kjo solli përplasje direkte mes Berishës dhe Withers të cilat vazhduan pothuajse deri në fund të mandatit. Këtë Ëithers e ka shprehur edhe në disa intervista pasi ka lënë detyrën e ambasadorit. Ndërkohë ambasadori në këtë kohë fliste me superlative për Lulzim Bashën, ministër të qeverisë Berisha dhe dukej se ndaj tij jepte mbështetje.

ALEXANDËR ARVIZU, 2010-2015

Përplasjeve mes SHBA dhe përfaqësuesit e saj në Tiranë i erdhi radha Partisë Socialiste. Kulmi i kësaj përplasjeje ishte kur në ngjarjen e rëndë të 21 janarit 2011 ambasadori amerikan Alexandër Arvizu tha se kryeministri Sali Berisha ishte sjellë si burrë shteti, ndërsa për Lulzim Bashën e kishte shprehur hapur mbështetjen duke thënë se ai ishte ylli në ngjitje në politikën shqiptare. Ishte një përplasje e hapur me PS dhe e liderit të saj të ri Edi Rama për faktin se Arvizu mbështeste Partinë Demokratike. Kjo u duk më qartë në median e majtë që në disa raste e sulmoi ashpër ambasadorin me shkrime deri në denigrim të figurës së tij, që nuk ishin parë deri në atë kohë. U duk sikur këto marrëdhënie u përmirësuan me ardhjen e PS-së në pushtet në vitin 2013, por jehona e tyre nuk shqitej nga memoria.

DONALD LU, 2015-2018

Mandati i ambasadorit amerikan Donald Lu u shoqërua me ngjarje të rëndësishme politike në Shqipëri. Reforma në drejtësi ishte një impenjim ekskluziv amerikan dhe i tij dhe miratimi i saj më 22 korrik 2016 mund të quhet një nga sukseset më të mëdha të diplomacisë amerikane në Tiranë. Fati dhe puna e deshi që ambasador të ishte Donald Lu. Menjëherë pas kësaj shpallja non grata e prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla ishte produkt i nisjes së kësaj reforme. Këtu nisën pakënaqësitë ndaj të dy palëve politike por sërish më shumë nga ana e PD.

LEYLA MOSES ONES, (e ngarkuar me punë) 2018-2020

Basti amerikan gjatë kohës që në krye të ambasadës amerikane ishte Leyla Moses Ones vijoi të ishte reforma në drejtësi, por zbatimi i saj u shoqërua me çekulibra në politikë. Kjo reformë kishte vlerën sikur të ishte zevendësuar zembreku i një ore që punonte keq. Politika shqiptare nisi të tensionohej me apo pa lidhje me këtë reformë. Protesta në Tiranë e PD me çadrën përpara godinës së kryeministrisë solli në Tiranë përfaqësuesin e lartë, zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit, Hoyt Brian Lee. Marrëveshja e 17 majit mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të PD Lulzim Basha ishte investim ekskluziv amerikan. Por humbja e zgjedhjeve nga PD-ja e thelloi hendekun mes kësaj partie dhe SHBA-së. Heqja dorë nga mandatetet e deputetëve nga Partia Demokratike solli një raport jomiqësor të SHBA me PD dhe veçanërisht me Luzim Bashën. E ngarkuara me punë, Leyla Moses Ones, më shumë se një herë e ka cilësuar një gabim tejet të rëndë këtë akt dhe sidomos më pas mosmarrjen pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2019. Nuk e ndihmoi këtë qendrim as mbërritja në Tiranë edhe zëvendësndihmës sekretarit të Shtetit Mathew Palmer. SHBA-ja dhe PD-ja ishin sërish në një raport të çuditshëm, sigurisht jo për mirë.

YURI KIM, 2020 E NË VIJIM

Por dukej se diplomacia amerikane do t’i jepte një zgjidhje këtij raporti aspak normal me PD-në pas emërimit të Yuri Kim në krye të ambasadës. Shpallja non grata e Sali Berishës më 19 maj 2021 kishte vlerën e një bombe atomike në politikën shqiptare, veçanërisht të PD-së. Ky është kulmi i aktivitetit diplomatik të Kim por edhe të gjithë diplomatëve amerikanë në Shqipëri të marrë së bashku pas rrëzimit të komunizmit në raport me politikanët shqiptarë. Një mbështetëse e flaktë e reformës në drejtësi, Kim u shndërrua në armike e PD-së dhe e Sali Berishës derisa një ditë sekretari i Shtetit në Detyrë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker, takoi në zyrën e tij Lulzim Bashën dhe i kërkoi përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar. Më 10 shtator Basha përjashtoi vërtetë Berishën nga grupi parlamentar pas një kërkese të përsëritur dhe presion nga SHBA-ja dhe habie të opinionit shqiptar. Një veprim që ende nuk ka marrë zgjidhje ndërkohë që PD-ja është zhytur në një krizë të thellë teksa Berisha pas padisë ndaj sekretarit të Shtetit Antony Blinken ka ndërmarrë një tur për largimin e Bashës nga drejtimi i PD-së. Por përplasje të fortë Kim e pati edhe me presidentin Ilir Meta përpara zgjedhjeve të 25 prillit kur ai bëri disa akuza ndaj Yuri Kim si mbështetëse të Edi Ramës dhe se ndaj tij kishte sulme të padrejta. Parlamenti e shkarkoi Metën nga detyra e presidentit më 9 qershor dhe tani pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Përfundimshit, kjo është situata më e nderë e raporteve mes SHBA-së dhe politikanëve shqiptarë që nga viti 1990. SHBA-ja nuk ka marrëdhënie të mira as me Sali Berishën e as me Ilir Metën. Ka marrëdhënie të habitshme me Lulzim Bashën për shkak të tij dhe ka marrëdhënie normale me Edi Ramën. Sot askush nuk mund të përcaktojë se si do shkojnë këto marrëdhënie. E sigurtë është se çdo politikan shqiptar që është ndeshur me SHBA-në ka dalë i humbur.


Të fundit

Çfarë tregojnë përplasjet e ambasadorëve amerikanë me politikanët shqiptarë

Vera e re në fuçinë e vjetër 1990-2021 Çfarë tregojnë përplasjet e ambasadorëve amerikanë me politikanët shqiptarë Shpallja “non grata” e Sali...

Horoskopi ditor, 20 shtator 2021

Dashi Tregohuni sa më të dashur me partnerin tuaj gjatë kësaj dite dhe keni për ta parë që gjithçka do ju ecë mirë. Do ju...

Juventus harron të fitojë në Serie A, Rebiç shtang bardhezinjtë dhe i jep pikë Milanit

Juventusi nuk e ka shijuar ende fitoren e parë në Serinë A dhe në katër ndeshje renditet në vendin e 18-të me vetëm dy...

Godet Antonela: Dua meshkuj mbi 40 vjeç se kanë eksperiencë seksuale, mund të më ngacmoni lirisht!

Ish konkurrentja e Për’Puthen, Antonela Berisha, e ftuar në rubrikën ‘Trotuar’ në e Diell ka ‘goditur’ me deklaratën e saj në lidhje me meshkujt...

Lajme të tjera

Web TV