Minjtë impotentë të një rehatie banale

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Nisa të kem respekt për minjtë, edhe pse dikur i neverisja si brejtës që dinin të jetonin veç nëpër kanalet e ujërave të zeza. Por duket se ata dukshëm kanë prirje thuajse të barabarta me qeniet humanoide që frymojnë mbi tokë. Dhe për ta vërtetuar këtë u desh një eksperiment, i cili edhe pse u përsërit 25 herë me radhë dha të njëjtin rezultat.

Kur u njoha me “Univers 25”, eksperimentin e shumëpërfolur të shkencëtarit amerikan John Calhoun, nuk mund të them se u trondita aq sa të vija duart në kokë. Edhe pse në të shumtën e informacioneve të ekspozuara për lexim, ai ishte trajtuar si një nga eksperimentet më të tmerrshëm në historinë e shkencës. Veç mendova: minjtë po aq sa dhe njerëzit paskan të njëjtat parime në jetë. Dhe pas kësaj, më pak respekt nisa të kem për njeriun. Sepse në të vërtetë ai kishte të njëjtat pikëpamje me një mi dhe bënte jetën e tij.

Calhoun, për eksperimentin e tij zgjodhi brejtësit, megjithëse qëllimi përfundimtar i kërkimit ishte gjithmonë një parashikim për të ardhmen e shoqërisë njerëzore. Ai bëri një analogji të drejtpërdrejtë me njeriun, duke shpjeguar se tipari kryesor njerëzor, – fati i tij natyror – është të jetojë në kushtet e presionit, tensionit dhe stresit.

Për ta shpjeguar me pak fjalë: John Calhoun krijoi një “botë ideale” apo atë që u cilësua si “Parajsa e Minjve” në të cilën qeniet e tij eksperimentale do jetonin duke pasur ushqim, ujë dhe hapësirë jetese me bollëk. Eksperimenti nisi me katër çifte që në një kohë të shkurtër filluan të riprodhohen. Pas 315 ditësh riprodhimi i tyre filloi të ulet ndjeshëm. Kur numri i brejtësve arriti në 600, mes tyre u krijua hierarkia. Papritur u shfaqën të ashtuquajturit “të mjerët”. Brejtësit më të mëdhenj nisën t’i sulmonin. Rezultoi që shumë meshkuj u “shemben” psikologjikisht. Femrat nga ana tjetër u bënë agresive ndaj të vegjëlve të tyre, shfaqnin elementë izolimi dhe mungesë të humorit riprodhues. Lindjet u ulën dhe vdekshmëria u rrit. Pastaj, u shfaq një klasë e re e brejtësve meshkuj, të ashtuquajturit “minj të bukur”. Ata nuk pranuan të çiftoheshin me femrat ose të “luftonin” për hapësirën e tyre. Gjithçka për të cilën kujdeseshin ishin ushqimi dhe gjumi. Erdhi një çast kur, “meshkujt e bukur” dhe “femrat e izoluara” përbënin shumicën e popullsisë. Me kalimin e ditëve, vdekshmëria e të miturve arriti 100% dhe riprodhimi ra në zero. Midis minjve të rrezikuar, u vu re homoseksualitet dhe kanibalizëm, pavarësisht faktit se nuk vuanin për ushqim. 1780 ditë nga fillimi i eksperimentit, që përkon me vitin 1973, ngordhi dhe miu i fundit në “Univers 25”.

Lexo edhe :  Programi qeverisës i “zbërthyer” fjalë për fjalë

Nuk ishte më e nevojshme që John Calhoun të bënte konkluzionet, sepse në bazë të të dhënave gjithkush e nxjerr një përfundim. Në një mirëqenie të dukshme njeriu bëhet i plogësht, pa iniciativë, nis nga veset e rëndomta dhe për më tepër humbet sensin për jetën.

Në njëfarë mënyre mund të thuhet se: mirëqenia prodhon njerëz të dobët.

E gjitha kjo më kujton thënien e Shejh Rashid, themeluesit të Dubait, i cili kur u pyet nga gazetarët për të ardhmen e vendit të tij, u përgjigj: “Gjyshi im hipi në deve, babai im hipi në deve, unë hipi në një Mercedes, djali im udhëton me një Land Rover dhe nipi im në të ardhmen do të ngasë një Land Rover… por stërnipi im do të duhet të hipë përsëri në një deve.” Kur gazetarët e pyetën se përse duhet të ndodhte kështu, ai u përgjigj: “Kohët e vështira krijojnë njerëz të fortë. Burrat e fortë krijojnë kohë të lehta. Kohërat e lehta krijojnë njerëz të dobët. Njerëzit e dobët krijojnë kohë të vështira. Shumë nuk do ta kuptojnë këtë, por ju duhet të rrisni luftëtarë, jo parazitë.”

Sipas kësaj thënie fort të mençur, po jetojmë kohë të lehta. Ose jemi në fillim të kohëve të vështira.

A nuk po jetojmë një kohë me mirëqenie ekstreme? Përderisa tavolinës tanimë nuk i mungon gjë, udhëtimet me avion konsiderohen rutinë e çdokush prej nesh e ka në përdorim një makinë. Flas gjithmonë për vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim.

Ne po jetojmë mirëqenie ekstreme kur çdonjëri prej nesh është i pavarur për të parë nga ekrani i celularit atë që dëshiron dhe nuk ka përse bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes të ndjekin një kanal në mënyrë uniforme.

Ne jetojmë mirëqenie ekstreme përderisa gjithçka na vjen te goja vetëm me një telefonatë apo me një sms. Sepse blerjet bëhen online, tanimë janë futur në modë, dhe pakoja me rrobat e dimrit të vjen me triçikël te dera e shtëpisë. E tanimë nuk ka më nevojë të shkosh as në bibliotekë, pasi google të mundëson gjithçka, dhe aplikacione shkarkimi përmes internetit ka sa të duash.

A thua kjo situatë mirëqënjeje ekstreme ka sjellë një rritje galopante të impotencës apo homoseksualitetit njerëzor, po aq sa dhe në eksperimentin e minjve që John Calhoun e nisi në fund të viteve ‘60 të shekullit të kaluar?

Besoj jemi të qartë.

Natyrisht, qenia njerëzore vendos arsyen në çastin vendimtar dhe nuk arsyeton me mendjen e miut, por gjithsesi një eksperiment me minj tregon se dhe njeriu i pajisur me tru inteligjent drejtohet më së shumti nga instinktet.


Të fundit

Minjtë impotentë të një rehatie banale

Nga Leonard Veizi Nisa të kem respekt për minjtë, edhe pse dikur i neverisja si brejtës që dinin të jetonin...

Parlamenti, vaksinim me “detyrim” dhe komisione online

Pasi u vendos me unanimitet që deputetët të vaksinohen të gjithë, debatet mes mazhorancës dhe opositës pati për propozimin e PS-së e cila kërkoi...

Horoskopi për ditën e sotme, 24 shtator 2021

Dashi Shprehuni lirshëm nesër, por bëni kujdes tek fjalët që zgjidhni. Nëse janë negative ose fyese, mund t’ju kthehen lehtësisht mbrapsht shumë shpejt. Nëse nuk...

Plas debati/ Marku-Shehajt: Je matrapaz, standard i ulët krahasuar me Bashën

Vendimi i kreut të PD, Lulzim Basha për përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar ka shkaktuar debate në emisionin “Opinion” mes demokratëve...

Lajme të tjera

Web TV