Një skemë mashtrimi si nëpër filma ka ndodhur në Tiranë, duke vënë në pranga 2 të reja, mes tyre një infermiere. Elisabeta Bardhollari , 39 vjeçe, e punësuar si infermiere në spitalin nr.5 në Tiranë u vidhte kartat e identitetit të pacientëve që shkonin për mjekim dhe më pas ia jepte ato shoqes së saj Orjada Hoxha, 32 vjeçe.
Më pas 32-vjeçarja, e cila punonte si shitëse në një subjekt privat që tregtonte pajisje elektroshtëpiake i përdorte kartat e identitetit për të marrë kredi, me qëllim për të blerë pajisje të ndryshme në dyqanin ku punonte. Gjithashtu nën hetim në gjendje të lirë është edhe A.H., i cili transportonte pajisjet elektroshtëpiake që bliheshin nga 32-vjeçarja dhe më pas i shisnin në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Dyqani ku bëheshin këto mashtrime nga 32-vjeçarja që merret kreditë në emër të tjerëve ishte në zonën e Porcelanit. Dy të arrestuarat kanë përfituar një vlerë rreth 40 milionë lekë.