Në panteon nuk ka më vend!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Në panteon nuk ka më vend. Struktura prej betoni nuk mund të jetë më e pasur se kaq.

E ngritur në pjesën e pasme të godinës së Ministrisë së Brendshme, na kujton çdo çast faktin se për të mbrojtur jetët njerëzore, ca të tjerë njerëz kanë hedhur tej jetën e tyre. Dhe ne për forcë zakoni, nuk kemi çfarë të bëjmë më tjetër, veç kur kalojmë aso ane, i përshëndesim lehtë me kokë, të heshturit dëshmorë.

Shkurt e thjeshtë, ata quheshin policë, e do të vazhdojnë të quhen si të tillë. E kurrfarë rëndësie nuk ka grada, as pozicioni. Sepse jeta njerëzore ka të njëjtën peshë në familjen e secilit prej nesh. Dhe plumbi që u ka marrë jetën, gjithsesi ka qenë i njëjtë.

Sot për ta vlen një memorial. Aty ku qenia humanoide me gjak e frymë kthehet në një materie të ftohtë e të pashpirt, metal në formën e një ylli pesë cepash që filetohet pa shumë mund tek një vidë bronxi.

Dhe yjet shtohen.

Konstelacioni është formuar tanimë. Nuk është “Rruga e Qumështit” por as galaksia “Andromeda”. Edhe pse konstelacion, në një kuptim hyjnor e krejt astronomik, do të thotë një shumësi yjesh. Në fakt, ata janë shumë më tepër: të jetësakrifikuarit.

Në panteon nuk ka më vend!

I emërtuar si “Muri i Kujtesës” aty, tanimë, emra të vdekurish thirren në apel. Nuk marrin shërbimin me armën në brez, antiplumb kraharorit apo skafandër mbi kokë. E megjithatë janë aty, si për të qenë në një shërbim të përhershëm e të pandërrueshëm, e për të vazhduar të na mbrojnë nga një e keqe e cila nuk zvogëlohet asnjëherë. Sepse shoqëria jonë, e trysnuar dhe margjinalizuar sa më s’vete, ka nevojën e gjithhershme për ta.

Së fundi u shtua edhe një yll. Në ditën e fundit të shtatorit 2021. Ishte i fundit nga forcat e policisë që mbeti i vrarë në krye të detyrës. Ishte i 225-ti në radhë, që pas vitit 1990. Dhe po t’i shtosh listës edhe nja 40 të tjerë të rënë më parë se kaq, ajo zgjatet si një letër faksi  që del nga foleja e makinës transmetuese, e ku mezi pret që zhurma e motorinos, e cila vë në punë pajisjen, të pushojë.

Në panteon nuk ka më vend!

Statistikat janë edhe më të ftohta, terrorizuese dhe krejtësisht negative. Por dhe po aq kokëforte e të pandryshueshme. 225 policë të rënë dëshmorë në 30 vjet. Matematikë e thjeshtë; me një derivat prej 7.5 policë të vrarë në vit. Sepse statistika është statistikë, dhe ajo nuk vepron me gjak e shpirt, ndaj nuk e ka për gjë ta ndajë jetën njerëzore në dy pjesë dhe gjysmën t’ia kalojë për balancë vitit pasardhës. Dhe po kjo statistikë, në mënyrë krejt mizore, por pa kurrfarë ngurrimi, na thotë se në tri dekada arritjesh të mëdha, me investime infrastrukturore aeroportuale dhe rritje rrogash drejt niveleve të pakonkurrueshme, në çdo 48 ditë një polic vritet në krye të detyrës.

Lexo edhe :  Tiranë- Durrës, një garë breshkash

“Mos i çoni djemtë në Akademi!… Mos i çoni!”

Është një thirrje e papërmbajtshme, fataliste dhe krejt e pamoralshme. Për më tepër që ne kemi shumë nevojë për ta. Sepse kur rendi mungon, na vjedhin, na grabisin, na përdhunojnë a na sakatojnë dhe jemi të pazotë të dalim nga ky batak kënete, nuk ngurrojmë të kërkojmë veç ndihmën e tyre. Madje dhe atëherë kur i shajmë e anatemojmë, sërish i duam dhe bëhemi më trima kur i kemi pranë. Sepse gjithmonë e në çdo kohë, çdokush prej nesh ka nevojë të mbështetet diku që është më i fortë e më imponues. Ndaj ata janë yje të vërtetë, aspak të kthyer në metal pa mish e kocka, e të vidhosur në një mur betoni.

Në panteon nuk ka më vend!

Numri i të vrarëve shtohet në mënyrë të vajtueshme… të pandërprerë. Dhe muri me yjet e kujtesës është po i njëjtë. Qëndron po aty, në të njëjtin format. Por yjet shtohen. Radhët ngjeshën. Hapësira zvogëlohet.

Politikanët bëjnë homazhin e radhës dhe flasin nëpër media për grushte të forta kundër krimit. Por vrasjet vazhdojnë… çdo 48 ditë…

Ndërkohë, një tjetër vidë qëndron në radhë, e futur thellë në beton, e gatshme të presë yllin e ardhshëm, që do të ngushtojë edhe më shumë hapësirën e brendshme… Dhe ky polic dëshmor nuk do të mungojë, në një shoqëri të trysnuar e margjinalizuar po aq, e cila qëllon pa mëshirë mbi bijtë e vet. Ndaj jetët njerëzore kthehen papritur në copa metali të shndritshëm. Një yll për çdo polic të rënë.

Konstelacioni është formuar tashmë. Ai lundron në hapësirën e pamat, mes “Yjësisë së Qumështit” e galaksisë “Andromeda” në një destinacion të ri prehjeje…

Të fundit

3 shenjat e horoskopit që e lëshojnë dorën thuajse gjithnjë me miqtë për para borxh

Nëse i jepni një shoku apo shoqeje vetëm ca lekë borxh sepse ka harruar portofolin në shtëpi, kjo është...

‘Ethet e Dengës’?/ OBSH ngre alarmin: Sëmundje virale, ka shënuar shifra rekord këtë vit

Epidemia e Etheve të Dengës po përhapet me shpejtësi në Karaibe dhe Amerikën latine, duke shënuar shifra record nga fillimi i vitit deri tani....

“Në Maj nisin faturimet e reja”/ Ja sa kilovati do të paguajnë furrat që tregtojnë bukë

2600 furra buke që operojnë në mbarë vendin nuk do të preken nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Nga Lushnja, Zv/Kryeministria Belinda Balluku...

Meta denoncon në Prokurori: Më kanë vjedhur hard diskun në zyrën e PL!

Kreu i PL, Ilir Meta ka denoncuar në Prokurorinë e Tiranës se në zyrën e Partisë së Lirisë, persona të paidentifikuar kanë vjedhur një...

Tavo zbulon nëse do të kandidojë për PS në Himarë: Kemi shumë punë përpara

Prefekti i Vlorës, Vangjel Tavo ka komentuar në një prononcim për mediat mbledhjen e këshillit bashkiak të Himarës, ku Blerina Bala u votëbesua për...

Lajme të tjera

Web TV