Dokumentet: Arratisja e Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

 

Libri i ri i Ylli Polovinës:

“Arratisja e Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar”

 

Libri “Arratisja e Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar” është 158 faqe, në format elektronik, për këtë arsye edhe qarkullon në internet. Disa nga kapitujt e librit janë: “Mit’hat Frashëri në aleancë antikomuniste me Gjon Marka Gjonin”, “Grupi i “katolikëve fashistë”, “Kemi urdhër…t’ju lëmë më fatin tuaj”, “17 orë lundrim në det të minuar”, “Vrasja edhe e Bahri Omarit”, “Pse gjeneral Sereqi është tradhtar i vendit”, “Autoritetet greke: Më mirë të kemi në Shqipëri një qeveri komuniste”, “Në ambasadën amerikane në Vjenë”, etj.

 

 Dokumentet: Arratisja e Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar

 Fragment nga libri

 

Në 6 dhjetor 1944 Zyra Qendrore e “Force 399” do t’i dërgonte sekretisht komandës eprore se në 23 nëntor të atij viti qenë larguar nga Shqipëria dhe mbërritur në bregdetin italian 109 persona.

Për këtë veprim të ardhurit nuk kishin asnjë leje nga qeveria e Romës.

Zyra Qëndrore e “Force 399” vinte në dukje se edhe më parë kishte tërhequr vëmendjen në mundësinë që me grupe të tilla të depërtonin për të ikur dhe shpëtuar dënimit, edhe individë gjermanë të shpallur si kriminelë lufte.

Më pas jepej lista e plotë e të 109 shqiptarëve të paautorizuar të hynin në territorin italian.

Për ta në të gjithë tekstin e informacionit nuk ka referime bindjesh apo cilësish të tyre politike.

Në listë janë, mes shumëve, edhe emrat e pjesëtarëve të emigruar familjarisht.

Ajo fillon me Hasan Dostin, kurse treshja me radhimin njëri pas tjetrit Ali Këlcyra, Mit’hat Frashëri, Faik Quku, ndodhen në mes.

Duket regjistrimi është bërë sipas mënyrës si janë paraqitur në doganë dhe ka përpjekje për të mos u ekspozuar në përputhje me rangun e udhëheqjes së Ballit Kombëtar.

Pranë njëra tjetrës ndodheshin Hana Klissura dhe e ëma, e shoqja e Ali Këlcyrës, Adivije Hanëm Vrioni.

Kjo e fundit është qe regjistruar me emrin Dudush Këlcyra

 

Anglezët filluan hetimin e ballistëve

 

Në ditët e para të dhjetorit anglezët filluan seancat e pyetjeve për të gjithë krerët e Ballit, por edhe me ndjekës të tyre të rëndësishëm.

Të ndaluar të dilnin nga rrethimi i kampit ata përgjigjeshin para oficerëve britanikë duke bërë kujdes të mos fshihnin atë që këta të fundit do ta merrnin vesh prej hetimit të të tjerëve.

Pyetjet më të shumta të njerëzve të zbulimit anglez ishin rreth politikës, por edhe donin të dinin rrethana të hollësishme si qenë larguar nga Shqipëria.

Ndërkohë filluan përpjekjet e disa eksponentëve të Ballit, por edhe mbështetësve të tyre të thjeshtë, të gjenin mënyrën për t’ja mbathur nga kampi.

Atëherë britanikët një pjesë të të zbarkuarve nga Shqipëria i dërguan në Santa Maria Di Leuca, qytezë që ishte midis Leçes dhe Tarantos.

Atje nuk ishte kamp, por qe një vend internimi.

Në kampin e Barit, ku as Mit’hat Frashëri dhe as Ali Këlcyra nuk e shkuan ndërmend të arratiseshin, në kushtet e asaj jete të vështirë, njeriu që zgjodhi pozicionin e nevojshëm për t’i bërë të mbijetonin edhe ekonomikisht ishte Adivija.

Duke qenë se kishte shije dhe fantazi, por edhe duar të arta për të qepur, ajo gjeti menjëherë punë tek gratë e huaja të kampit, duke u riparuar sa më hijshëm rrobat ushtarake të grisura të bashkëshortëve, por edhe të teshave të vetë femrave.

Ajo ia dilte të rregullonte deri edhe batanijet e rrjepura, madje edhe lodrat  pelush të fëmijëve.

Njëherë bëri edhe një elefant të madh, duke e mbushur, për pamundësi të pambukut apo leshit, me krunde.

Ky elefant iu dhurua kryetares së një grupi shërbimi në kamp.

Ajo qe angleze dhe aty ishte me mision ushtarak.

Por nuk ndenji pa punë edhe Aliu. Ai vazhdoi t’i jepte të bijës mësim në frëngjisht.

 

Arrestimi i Mit’hat Frashërit dhe i Ali Këlcyrës

 

Në kampin e përqendrimit të qytetit të Barit krerët e Ballit, bashkë me familjet e tyre qëndruan deri në 25 prill 1945.

Mit’hat Frashëri banonte në një dhomë me familjen Këlcyra.

Midis tij dhe Aliut kishte në moshë një diferencë prej 20 vitesh.

Mit’hati, siç pohon Hana Klissura, “kishte probleme me zemrën. Deri ku kishte problem me zemrën unë nuk e di, fakti është që kishte, nuk është një gjë e shpikur”.

Që të ndiheshin sa të ishte e mundur të strehuar në një kënd privat Adivija e kish ndarë dhomën më dysh, duke nderur në mes një çarçaf.

Në 25 prill 1945 ja behën që në orën pesë të mëngjesit disa oficerë anglezë.

I morën bashkë Mit’hat Frashërin dhe Ali Këlcyrën.

Ky arrestim shkaktoi habi tek ballistët e tjerë dhe që të gjithë ata nuk e kuptonin dot çfarë po ndodhte.

Oficerët anglezë nuk dhanë asnjë shpjegim për gjestin e tyre.

Askush nuk e mësoi dot më pas se ku i kishin mbyllur britanikët dy krerët e Ballit Kombëtar.

Në një padije tronditëse ndodheshin edhe Adivija me të bijën.

Më në fund iu komunikua: familjet apo bashkëpunëtorët mund t’i takonin një herë në muaj për vetëm njëzetë minuta dhe se të dy krerët e Ballit Kombëtar Shqiptar ndodheshin në një vend pranë Romës.

Quhej kampi i Ternit.

Kompleksi i ndërtesave pati qenë një fabrikë e “Pirelit”.

Sipas Hana Klissurës, “Kemi vajtur atje. Kampi ka qenë një gjë qesharake, sepse atje ishin të tërë fashistë.

Kur panë babanë, ata i thanë: “Ma Klisura, i thoshin, ne të dinim filo-anglez, ti çfarë bën këtu me ne?”

 

Dokument britanik: “Shqiptarët në kampin e përqendrimit në Itali”

Lexo edhe :  Françeska: Kam gënjyer, nuk i kam kryer studimet e larta

 

5 korrik 1945

 

Shqiptarët e mëposhtëm janë aktualisht të internuar në kampin e internimit në Itali: Mithat Frashri, Ali Këlcyra dhe Sulejman Latifi.

Këta persona erdhën në Itali pa ndonjë autorizim të mirëfilltë në nëntor 1944.

Ata janë marrë në pyetje nga zyra e SILO dhe u gjykua se janë kërcënim për sigurinë aleate.

Gjithsesi, nuk ka asnjë provë që të tregojë se ata mund të merren si kriminelë lufte.

Ne kemi kërkuar që të na çojnë emrat e të gjithë shqiptarëve, të cilët janë aktualisht në kampin e përqendrimit në Itali dhe do të kalojmë çdo informacion në lidhje me këtë çështje sa më shpejt të jetë e mundur.

Lt. Kolonel Eyres Monsell

 

Sekret: Mithat Frashri: Një nga organizatorët kryesorë të Ballit Kombëtar. Ai arriti në Itali në nëntor 1944 së bashku me grupin e tij “të betuar” dhe ndodhet i internuar këtu që atëherë.

Ali Këlcyra: Ai e ka kaluar shumicën e jetës së tij në ekzil. U kthye në Shqipëri pas pushtimit italian dhe u caktua një nga anëtarët e Këshillit të Shtetit.

Ai la shtëpinë e tij më 1943-shin për të luftuar kundër FNÇ-së.

Ai ishte në komitetin e Ballit Kombëtar dhe, kur u bë e qartë se shpresa për ndihmë nga aleatët për Ballin kombëtar u humb, ai u arratis së bashku me grupin e “fortë” në nëntor 1944.

Që atëherë ka qenë i internuar këtu.

Kadri Cakrani: Raportohet se është kapur nga FNÇ.

Qazim Prodani: Asnjë gjurmë e tij.

Abas Kupi: Një lider i njohur zogist dhe pranë tij kishte oficerë britanikë gjatë luftës.

Ai në fund la Shqipërinë për të shmangur përplasje mes fraksionit të tij dhe FNÇ-së.

Ai u largua për në Egjypt.

Jani Dilo: U raportua nga OSS se ishte komandant i Ballit

Kombëtar në Korçë, në shtator 1944.

Dervish Rexhepi: Asnjë gjurmë e tij.

Eqrem Peshkëpia: Lider i Ballit Kombëtar në zonën e

Mallakastrës, në tetor 1943.

Ai ka luftuar kundër italianëve.

Dule Sevrani: Asnjë gjurmë e tij.

 

Ali Këlcyra bën burg edhe në vend të Mit’hat Frashërit

 

Pas 7 muajsh burgim të përbashkët të Mit’hat Frashërit dhe Ali Këlcyrës, pra kur qenë ditët e fundit të tetorit apo njëzetë e katër orët e para të nëntorit 1945, erdhi në Terni Vasil Andoni dhe ndërmori një veprim të papritur.

Përdori për këtë bashkëpartiakun e tij, Koço Mukën, i cili do të hynte në pikëtakimin njëzetë minutësh mujor në vend të Adivijes.

Kështu Ali Këlcyrës iu përcoll mesazhi se Mit’hati, duke qenë shumë më i moshuar si edhe jo mirë me shëndet, madje me një sëmundje mjaft të paparashikuar për pasojat, zemrën, duhej shpëtuar patjetër nga regjimi i burgimit.

Formula e realizimit të kësaj manovre, sipas Vasil Andonit, ishte që Aliu të deklaronte tek britanikët se nuk kishte qenë Mit’hati kryetari real i Ballit Kombëtar, por ai, Ali Këlcyra.

Sipas këtij truku, i pari pati qenë me status honorifik, thjesht si  bir i Abdyl Frashërit.

Gjithnjë sipas këtij arsyetimi, përgjegjësinë e çdo veprimi të BK, i mirë apo i keq të ishte, e mbante Aliu dhe vetëm Aliu.

Ky pranoi menjëherë.

Shkoi tek anglezët dhe bëri me gojë dhe me shkrim deklaratën e lirimit të përgjegjësisë udhëheqëse të Mit’hat Frashërit.

Pastaj e firmosi qetësisht.

Pas kësaj lideri real dhe historik i ballistëve u nxorr menjëherë nga burgu.

Duke e provuar këtë gjendje ndëshkuese arresti për vetëm shtatë muaj.

Ndërkaq Ali Këlcyra do të vuante plot 22 muaj.

Trefish.

Shtatëmbëdhjetë prej tyre do t’i vinin këmbëngulësisht prej anglezëve

Pesë i akuzuar vendosmërisht nga italianët.

 

Intrigë harrimi

 

Qëndrimi në burg i Ali Këlcyrës, përveç vuajtjes ndëshkuese të izolimit publik, paraqiste një rrezik të madh: dorëzimin tek autoritetet zyrtare të Tiranës, tek kundërshtarët e tyre politikë, te komunistët.

Enver Hoxha u kishte bërë aleatëve amerikanë të luftës, anglezëve (Uinston Çurçillit posaçërisht), dy letra.

Në shkurt dhe në qershor 1945.

Shoqëruar prej një liste emërore ku kërkohej t’u dorëzoheshin si kriminelë lufte, shumë ballistë.

Përveç Mit’hat Frashërit, Koço Mukës, Feim Runës apo Kadri Cakranit, qe edhe Ali Këlcyra.

Ky transferim nga Italia në Shqipëri, me apo pa pranga në duar, mund të ndodhte çdo javë, ditë apo në cilido orë.

Në rrethana të tilla kanosjeje Adivija u vu në lëvizje të pareshtur për ta penguar të keqen.

Kur Vasil Andoni propozoi lojën lehtësuese për Mit’hatin ajo nuk u ndje e tradhtuar. Ishte me shpirt që shumë më i moshuari se bashkëshorti i vet dhe i sëmuri nga zemra, biri i rilindësit të shquar nacionalist Abdyl Frashëri, të jetonte sa më gjatë dhe të luante rol politik.

Por ajo u turbullua shumë kur vuri re se për Ali Këlcyrën e mbetur në burg, si në grackë, nuk pati asnjë përpjekje nga forume të Ballit Kombëtar apo nga grupe individësh të saj, për ta liruar.

E harruan në burg.

Nuk lëvizën fare nga vendi, qoftë edhe duke u bërë ndonjë letër autoriteteve britanike, duke nisur prej Vasil Andonit e deri tek Abas Ermenji.

Thua mezi e kishin pritur këtë çast për ta lënë në hije indiference dhe hequr qafe në garimin mes udhëheqjes së tyre.

Sepse rezultoi që Ali Këlcyra, pa qenë kurrë anëtar i ndonjë qeverie bashkëpunuese me fashistët italianë apo nazigjermanët, qe i vetmi nacionalist shqiptar i dënuar.

Një fat tillë nuk e patën pësuar as kuislingë të njohur të arratisur në Itali.

I patrazuar jetonte Shefqet bej Vërlaci, ish kryeministri.

Ky banonte qetësisht në shtëpinë e Xhemil Dinos, të cilin e kishte dhëndër…

Të fundit

‘Do të kemi temperatura të larta’, meteorologia zbulon surprizat e motit për fundjavën

Kjo fundjavë pritet të ketë një mot të qëndrueshëm, me temperature të relativisht të larta. Meteorologia Lajda Porja tha se...

Nuanca blu si askund tjetër / Ky plazh në Jug të Shqipërisë renditet i pari

Plazhi i “Pasqyrave” mes Sarandës dhe Ksamilit është renditur i pari në botë për ujin me ngjyrën më blu të theksuar. Duke përdorur imazhe satelitore...

Arrestimi i dy kryebashkiakëve, sot zgjidhet kryetari i ri i Himarës

Pas arrestimit dhe dorëheqjes së Jorgo Goros nga posti kryebashkiakut në detyrë të Himarës, vendi ka mbetur pa drejtues. Përpos Jorgo Goros, në burg ndodhet...

Universiteti i Harvardit heq kopertinën prej lëkure njeriu nga një libër i 1800-s

Universiteti i Harvardit thotë se pronari i parë i librit të një romancieri francez ia mori lëkurën një pacienteje femër të vdekur pa pëlqimin...

Dallimet mes fëmijëve që lexojnë në letër dhe atyre që lexojnë në ekrane digjitale

Në një kohë dhe epokë ku gjithçka po shkon drejt digjitalizimit, studuesit kanë vendosur të kuptojnë si ndikon leximi te fëmijët duke parë rezultatet...

Lajme të tjera

Web TV