“Shqiptarët përballë sfidave të historisë”

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Historiani Marenglen Verli vjen me studime të zgjedhura në dy vëllime

 

Dy vëllimet me studime të zgjedhura “Shqiptarët përballë sfidave të historisë” janë fryt i një pune prej disa dekadash. Ato përmbajnë artikuj studimorë, referate e kumtesa, të cilat cekin në një spektër të gjerë aspekte të ndryshme të historisë kombëtare shqiptare, kryesisht për temat më të rëndësishme, si p.sh. trajtojnë rritjen dhe problemet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (LKSH), përballjen e saj me synime ekspansioniste, asimiluese e asgjësuese jo vetëm politikisht, por edhe etnikisht, evidentojnë rolin e personaliteteve shqiptare në këtë kontekst, ngjarjet në rrafshin e brendshëm dhe ndërkombëtar me ndikim përcaktues në historinë e shqiptarëve si komb dhe të shtetit shqiptar, që nga krijimi i tij në 1912-ën etj. Për të qenë më konkret, në punimet e vëllimeve të paraqitura, ndër të tjera janë trajtuar gjerësisht përballjet e shqiptarëve me fqinjët që në shek XIX, posaçërisht me Serbinë e ngritur si shtet mbi platforma ekspansioniste. Në këtë kuadër i kushtohet vëmendje përmbajtjes së “Naçertanies” së I. Garashaninit (1844), pastaj tentativave të përsëritura të Serbisë nga viti 1877 deri në vitin 1941 për spastrimin etnik të viseve shqiptare, por edhe qëndrimit të shteteve të tjera të rajonit, si dhe të Fuqive të Mëdha ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Për dekadat e para të shek. XIX trajtohen probleme që lidhen me Aleancën Ballkanike dhe me synimet e saj ndaj trevave shqiptare. Gjithashtu trajtohen hapat e LKSH për të ngritur në nivelet që kërkonte përballimi i problemeve të mëdha, çështjet e organizimit politik, të ndërtimit të strategjive e taktikave rezultative, gjithashtu të zhvillimeve në fushën e arsimit e kulturës etj. Kryengritjet e viteve 1909-1912 zënë një vend të veçantë në fokusimin për ngjarjet e mëdha para Shpalljes së Pavarësisë.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar historisë së shqiptarëve që u lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar me vendimet e Konferencës së Londrës në vitin 1913, veçanërisht historisë së shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të trevave shqiptare lindore e veriperëndimore. Për historinë e tyre të qëndresës dhe të arritjeve, në rrugën e mbijetesës, të fitimit të të drejtave politike, të zhvillimit ekonomik, të rolit në rajon etj., janë një numër i konsiderueshëm i temave të përfshira në këto vëllime. Kjo konstatohet lehtësisht në Pasqyrën e Lëndës. Këtu do të veçonim temat që evidentojnë dëmet që pësuan shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera të shkëputura nga shteti shqiptar, nga politika e shpronësimit, e shpërnguljes dhe e kolonizimit, që vijoi gjatë gjithë periudhës midis dy luftërave e që nuk u ndal as pas Luftës së Dytë Botërore. Trajtohen në këtë kuadër tema, që lidhen me politikën e institucionalizuar të qarqeve drejtuese të Beogradit në vitet 1913-1941, të nxitura nga platforma shovene të elitës politike e intelektuale serbe, gjithashtu tema mbi pasojat e politikës së tillë, mbi reagimin e shtetit shqiptar ndaj trajtimit të popullsisë shqiptare të përfshirë në Mbretërinë Serbe-Kroate-Sllovene (të quajtur Jugosllavi pas vitit 1929), mbi reagimin e faktorit ndërkombëtar etj. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar qëndresës së shqiptarëve të Kosovës në të gjitha format, që nga ato të organizuara e deri te ato spontane. Trajtohet me këtë rast organizata e fuqishme politike Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, partia parlamentare “Xhemijeti”, veprimtaria luftarake e kryengritëse veçanërisht në periudhën 1918-1924 etj. Jashtë vëmendjes nuk janë lënë edhe zhvillimet politike në Shqipëri, qoftë gjatë Luftës së Parë Botërore, qoftë pas saj, si brenda vendit (Kongresi i Lushnjës, Lufta e Vlorës etj.), ashtu edhe në arenën ndërkombëtare në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920), në Lidhjen e Kombeve etj. Analizat në këto tema synojnë, përveç risive faktologjike t’i qasen më me realizëm aspekteve të ndryshme të historisë shqiptare të kësaj periudhe.

Lexo edhe :  Ahmet Zogu, si u ngjit në majën e pushtetit

Ndër temat që përmban vëllimi i dytë, një pjesë i përkasin periudhës së pasluftës. Në to zbërthehen politikat e Federatës së Titos në Kosovë dhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi, që kanë të bëjnë me statusin e Krahinës, me trajtimin ekonomik, arsimor, kulturor, me politikën e punësimit, politikën demografike, politikën e shpërnguljes, të shtypjes e të imponimit në sfera të ndryshme të jetës etj. gjithashtu temat që kanë në fokus faktorët që bënë të domosdoshëm luftën çlirimtare të viteve 90, trajtimin nga faktori rajonal e ndërkombëtar i çështjes së Kosovës, temat për rolin e Kosovës në stabilitetin e rajonit, ato për mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën dhe shqiptarët kudo që ndodhen etj.

Studimet e sipërpërmendura në raste të veçanta janë shoqëruar edhe me dokumentacion shumë të zgjedhur e thelbësor në ilustrimin e në mbështetje të studimeve respektive.

Botimi në fjalë besoj do t’i shërbejë jo vetëm studiuesve që kanë qasje me tematikën e përzgjedhur me këtë rast, por gjithashtu edhe pedagogëve e studentëve të historisë, të sociologjisë e më gjerë, gjithashtu politologëve e analistëve të ndryshëm dhe, natyrisht, një publiku të mirëarsimuar të interesuar për njohjen sa më të mirë të historisë kombëtare shqiptare.

 


Të fundit

“Shqiptarët përballë sfidave të historisë”

Historiani Marenglen Verli vjen me studime të zgjedhura në dy vëllime   Dy vëllimet me studime të zgjedhura “Shqiptarët përballë sfidave...

Ndeshja me Poloninë, trajneri Reja zgjedh 11 luftëtarët për betejën madhe

Shqipëria do të përballet sonte me Poloninë, një finale për të tentuar të shkojë në “Play-off” të kualifikueseve për Botërorin 2022. Kuqezinjtë do të kenë...

“Rezidenca Presidenciale”, Rusvelt e pagëzoi si: “Shtëpia e Bardhë”

Guri i parë i themelit është vendosur më 13 tetor 1792 Vendin ku do të ndërtohej shtëpia e presidentit të Shteteve të Bashkuara të...

Momenti i përplasjes me armë zjarri së shqiptarit me policët grekë (Video)

Një shqiptar u plagos me armë zjarri nga policia greke ditën e premte në Athinë. Mediat greke kanë publikuar pamjet e momentit të ndjekjes...

Tenderi 2.8 miliardë lekë për uniformat e policisë, SPAK çon në gjyq zyrtarët e lartë (Emrat)

Të gjithë të akuzuarit për çështjen e korrupsionit në tenderin e uniformave të policisë në Ministrinë e Brendshme tashmë do të përballen me akuzat...

Lajme të tjera

Web TV