Dëshmitë e panjohura: “Vdekja enigmatike e Mines, ishte dënuar bashkë me të motrën për ‘helmimin’ e lopëve të Baldushkut”

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Publikohet historia e panjohur të ruses Taisa Batkina (Pisha), me origjinë nga Tula e Rusisë, fëmija e tretë e një familje shumë të varfër fshatare, e cila mbeti jetim që në moshë fare të vogël, pasi i ati humbi jetën gjatë punës në një nga galeritë e qymyrgurit që ndodheshin në rrethinat e Tula-s, ku ai punonte si minator, (pak kohë pasi i kishte shpëtuar arrestimit, i akuzuar për “mbështetje të armiqve të popullit”)  dhe ajo u rrit me vështirësi të mëdha ekonomike, pasi qyteti i tyre vazhdonte të ishte nën bombardimin e forcave gjermane, që kishin arritur deri në afërsi të Kurskut. Diplomimi i Taisës në fakultetin e Kimisë, pranë Universitetit ‘Lomonosov’ të Moskës, ku ajo u njoh dhe u martua me studentin shqiptar, Gaqo Pisha, me origjinë nga qyteti i Korçës, i cili asokohe studionte në fakultetin e Filozofisë së Moskës dhe të dy së bashku në vitin 1957, u kthyen në Shqipëri, bashkë me djalin e vogël të porsalindur, Sasha dhe filluan jetën në qytetin e Tiranës, ku Taisa u emërua si pedagoge e Kimisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ndërsa Gaqo, në katedrën e marksizëm-leninizmit, ku ata punuan deri në vitin 1976, kur Sigurimi i Shtetit me akuza të montuara, e arrestoi Taisa Batkina, duke e akuzuar si “agjente të KGB-së sovjetike” dhe e dënoi me 16 vite burg politik, të cilat ajo i vuajti në “Burgun e grave” në Qytetin “Stalin”, nga ku u lirua në vitin 1986, ndërkohë që bashkëshorti, Gaqo Pisha, kishte ndërruar jetë në vitin 1983, nga një sëmundje e rëndë. Historia tragjike e Taisa Batkina (Pisha), nëpër kampet dhe burgjet çnjerëzore të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ajo kaloi një dekadë të jetës së saj, së bashku me shumë bashkatdhetarë nga ish-Bashkimi Sovjetik, apo vende të tjera të Evropës Lindore, vjen nëpërmjet kujtimeve të saja, të botuara në një libër me titull “Shpresuam dhe mbijetuam”, kujtime të cilat, i biri i saj, Aleksandër Pisha, ia ka ofruar me dashamirësi për botim, në Memorie.al.

   I’a kushtoj kujtimit të ndritshëm të bashkëshortit tim, GAQO PISHA

Ky është libër kujtimesh. Në të dua të rrëfej për jetën time dhe të shoqeve të mia, grave sovjetike, që provuan burgun për disa vite vetëm sepse morën guximin dhe u martuan e lidhën fatin e tyre me atë te studentëve shqiptarë. Burgu ishte pjesë e GULAG-ut të madh në vendin e vogël ballkanik, Shqipëri, ku për shumë vite sundoi regjimi gjakësor komunist i Enver Hoxhësqë ishte nxënës besnik i Stalinit dhe vazhdues i kauzës së tij.

 

 

Nëpërmjet këtij libri do të doja që çdokush të mësonte për provat çnjerëzore që përjetuam ne dhe për vitet e tmerrshme qe kaluam në burgjet shqiptare, vetëm sepse… dashuruam! Dhe që askush dhe kurrë të mos harrojë, ç’është totalitarizmi, despotizmi dhe ç’pasoja sjell me vete ky sistem.

Bardha Bici

Shkrova më lart për malësoret nga Veriu i Shqipërisë, si dallonin ato për ruajtjen e krenarisë së pashembullt. Midis tyre, shquhej një grua me flokë pak të thinjur dhe profil karakteristik, hundë me kurriz dhe mjekër të dalë. Në punë, në kamp, apo në korpus, ajo sillej në mënyrë të tillë, që padashur të ngjallte respekt, kurse unë e adhuroja. Që në fillim, m’u duk se ajo ishte ‘kapoja’, ose, më saktë, epiqendër e fshatareve malësore. Ato e nderonin në mënyrë të veçantë, këshilloheshin me të, i’a vinin veshin mendimit të saj. Më thanë se ajo ishte e bija e kapidan Gjon Markagjonit. Ky emër, emri i babait të Bardha Bicit, për mua nuk kishte ndonjë kuptim të veçantë. Ne erdhëm në Shqipëri në vitet ’50-të dhe nuk dinim gjë për ngjarjet para Luftës së Dytë Botërore, apo gjatë saj. Nga ato që shkruheshin, mësuam vetëm versionin zyrtar të ngjarjeve, dëgjuam emrat e atyre, që quanin heronj liderët komunistë. Dhe, natyrisht, nuk i dinim emrat e anti-heronjve. Shumë më vonë mësova në kamp, se babai i Bardhës ishte princ, i pari i Mirditës, rrethi me banorë katolikë në Shqipërinë e Veriut. Po këtij rrethi i përkisnin dikur edhe rrethe të tjera me popullsi katolike, si: Puka, Lezha dhe disa fshatra të Shkodrës (sa për njohuri; deri para luftës në Shqipëri, ruheshin marrëdhëniet feudale). Thuhej se Gjon Markagjoni ishte pinjoll i drejtpërdrejtë i Skënderbeut. Ai gëzonte pushtet dhe autoritet të konsiderueshëm në principatën e tij dhe, pa dyshim, ishte armik i betuar i lëvizjes partizane, të organizuar nga komunistët jugosllavë.

I kam përmendur marrëdhëniet e nacionalistëve shqiptarë me partizanët. Tani dua të them dy fjalë për qëndrimin e nacionalistëve ndaj italianëve dhe gjermanëve. Dihet nga historia se gjatë krijimit të shtetit shqiptar dhe shpalljes së pavarësisë, Kosova dhe vise të tjera, të banuara nga shqiptarë, ku kishte shpërthyer më e fortë lëvizja për shpalljen e pavarësisë, i’u dhanë padrejtësisht Jugosllavisë. Kur nisi Lufta e Dytë Botërore, italianët dhe më pas gjermanët, që pushtuan Ballkanin, i bashkuan të gjitha trevat e banuara nga shqiptarë dhe krijuan Shqipërinë e Madhe, duke bërë realitet shpresat shekullore të shqiptarëve për bashkim. Lëvizja partizane, e drejtuar nga Partia Komuniste Shqiptare, që u themelua me përkrahjen e komunistëve jugosllavë, ishte për kthimin e këtyre trevave shtetit fqinjë, Jugosllavisë. Është e kuptueshme, që ushtria e nacionalistëve shqiptarë luftoi kundër partizanëve, ndihmoi italianët dhe gjermanët, me shpresë, se do ta ruante edhe pas luftës Shqipërinë e madhe. Ky është problem tejet i ngatërruar dhe unë e përmenda vetëm për ta pasur më të lehtë të shkruaj për familjen e Bardha Bicit. Babai i Bardhës, kapidan Gjon Markagjoni, ishte njëri prej komandantëve të ushtrisë nacionaliste. Bashkë me të luftonin edhe të bijtë. Gjermanët, që e pushtuan Shqipërinë pas kapitullimit të Italisë, po tërhiqeshin nga frika, se mos binin në grackë. Në Veri të Jugosllavisë, mësynte Ushtria e Kuqe, në Jug, nga Greqia, anglezët. Bashkë me gjermanët u tërhoqën edhe nacionalistët. Babai i Bardhës dhe tre vëllezër të saj, kaluan kufirin. Familjen nuk e nxorën dot; gruaja e Kapidanit, djali, dy vajza të rritura, gruaja e paralizuar e djalit më të madh të vrarë në luftë, me foshnjë në gji, u dërguan në kampin e ngritur enkas për “armiqtë e popullit”! Gjithçka sipas përvojës së Bashkimit Sovjetik, sipas modelit “të vëllait të madh”!

Nisi kështu epopeja e tej zgjatur e Bardhës dhe e njerëzve të saj të afërt: kampe, internime, burgje. Disa prej tyre vdiqën nëpër kampe, të tjerë dolën, pasi ndenjën nga… 40 vjet! Për Bardhën, internimi zgjati më shumë se 20 vjet dhe përfundoi kur Bardha u martua dhe nuk konsiderohej më e internuar. Edhe i shoqi ishte… person me biografi “të keqe”! (dikush me biografi të mirë, nuk mund të martohej me Bardhën). Ai kishte kaluar shumë vite nëpër burgje dhe internime. Ishte ndër intelektualët, kundër të cilëve luftonte pushteti, kishte studiuar jashtë shtetit, dinte disa gjuhë të huaja. Që të mbijetonte, mësoi zanatin e marangozit. Bardha me të shoqin u vendosën në një qytet të vogël dhe jetuan të qetë disa vite. E gjithë periudha e regjimit komunist në Shqipëri, mund të krahasohet me një… sustë. Susta herë shtrëngohej dhe përndjekjet forcoheshin, herë lirohej dhe njerëzit ndiheshin pak të lehtësuar. Në vitin 1974 susta e persekutimeve u shtrëngua shumë fort. Në të ngecën shumë njerëz. Në vitin 1975 u arrestua burri i Bardhës. Gruaja e mençur, largpamëse dhe me shumë përvojë e kuptoi, se ky arrestim kishte të bënte me të. Dhe vërtet, gjashtë muaj më vonë arrestuan edhe Bardhën. Gjatë hetimit, Bardha qëndroi e pavarur, nuk pranoi gjë, nuk firmosi gjë. I treguan deponimet e të shoqit për disa biseda të tyre. “Ia keni nxjerrë me zor deponimet”! – i deklaroi ajo hetuesit. Me të luajtën gjatë, e poshtëruan, u përpoqën t’i nxirrnin deponimet që donin, i përlyen kujtimin e babait. “Shihe vetë, çfarë profili ke”! – gajaseshin hetuesit. – “Si të Skënderbeut!” – përgjigjej me krenari Bardha. Gjithsesi, e sajuan gjyqin, i dhanë 8 vjet dhe e dërguan në kamp. Bardha thoshte: “Ata më kishin si halë në fyt… e bija e Markagjonit… unë sikur bashkoja gjithë fisin”.

Kur e arrestuan Bardhën, lufta kishte 30 vjet që kishte mbaruar, vetë Kapidani kishte vdekur jashtë shtetit, kurse pushteti popullor, ende u trembej njerëzve të tij, i internoi, i burgosi, nuk i la të rrojnë të qetë. Bardha ishte grua shumë punëtore, me duart flori, gjithçka e bënte shkëlqyeshëm: krijonte, punonte në fushë, qepte, thurte, të gjitha i dinte. Në burg sillej në mënyrë të tillë, sa një ditë, unë, si padashur, e quajta “burrneshë”. Ajo m’u përgjigj: “Sikur ta dije ç’prindër kam pasur, ç’familje”! (Në shqip, fjala “burrneshë”, nënkupton shumë gjëra: fisnikëri, krenari, pavarësi, ndjenjën e lartë të dinjitetit njerëzor). Bardha i kuptonte shumë mirë situatat, njerëzit. Kurrë nuk besoi në fajësinë tonë, në fajësinë e shumicës së grave të burgosura, e kuptonte thelbin e ngjarjeve. Bardha doli nga burgu me amnistinë e vitit 1982 dhe menjëherë e internuan, ku fshatarët vendas e ndihmonin tinëz. Pas një viti, doli nga burgu edhe i shoqi. Burgjet, internimet e kishin shkatërruar shëndetin e tij, ai u sëmur rëndë dhe vdiq. Pas rënies së regjimit komunist, Bardhën, si të gjithë të burgosurit e tjerë politikë, i rehabilituan, i kompensuan humbjet materiale, i kthyen pronat.

Nënë Lulja

Pranë derës së dhomës sonë, në katin e parë të shtratit prej hekuri, rrinte ulur këmbëkryq një plakë e vockël me hundë të gjatë. Ajo thuajse gjithmonë rrinte e heshtur, nganjëherë qepte diçka, qëndiste, herë-herë vështronte një fotografi të vogël dhe qante. E quanin Lule, fshatare nga Mirdita. Lulja të kujtonte një pulë të vockël pupla ngrehur. Kurrë nuk i erdhi njeri në takim, nga jashtë nuk e ndihmonte kush. Nganjëherë fitonte diçka duke qepur ose qëndisur, për çka ishte mjeshtre e vërtetë, bënte gjëra shumë të bukura. Në burg puna paguhej shumë pak dhe… në natyrë: një gotë sheqer apo vaj bimësh…! Bashkëfshataret malësore e përkrahnin, e ndihmonin dhe e mbronin. Ajo kishte shumë nevojë për mbrojtje, çdo rrugaçe mund ta ngacmonte, ta fyente, e ajo vetë nuk u përgjigjej. Historia e saj ishte e thjeshtë. Burri, gjatë luftës kishte qenë nacionalist, nën komandën e kapidan Gjon Markagjonit. Pas fitores së komunistëve, u detyrua të jetonte jashtë shtetit. Vitet e para pas luftës, kur kufiri ende nuk ruhej tamam, burrat mund të çanin fshehtas nëpër shtigjet malore dhe të vinin për të parë njerëzit e tyre. Njëri ndër këta ishte edhe burri i Lules.

Lexo edhe :  Elbasan, përcillet në banesën e fundit 57-vjeçari që u vra për një tavolinë

Një ditë ai erdhi të takojë familjen e tij, me disa vajza dhe një djalë të vogël. Kaluan vite. Djali i Lules u rrit, kreu shërbimin ushtarak, nisi punë në kooperativë dhe u fejua. Lulja ishte e lumtur që e arriti këtë ditë. Në dasmë, djali i Lules, që kishte pirë pak si shumë, gjatë një bisede nxori padashur që disa vite më parë kishte ardhur babai t’i shihte. Dhe, natyrisht, dikush menjëherë kallëzoi. Tanimë, spiunimi, në atë gjendje frike të përgjithshme, ishte bërë normë. Pak më vonë, djalin e Lules e arrestuan, pastaj edhe vetë Lulen. Në akuzë thuhej: “Fshehje dhe ndihmë diversantëve”. Djalin e dënuan me 17 vjet burg, Lulen me 10. Nusja e re lindi fëmijën dhe u kthye bashkë me të në shtëpinë e të atit të saj. Ja, kjo ishte historia. E thjeshtë, por sa hidhërim njerëzor! Prandaj qante Lulja, tek shihte fotografinë e të birit, i cili punonte në kushte të tmerrshme në minierat e kromit, bashkë me mijëra të burgosur të tjerë. Lulja u lirua me amnistinë e vitit 1982. Vajzat e Lules nuk i prekën. Ato u martuan dhe jetuan larg shtëpisë atërore.

Nadirja dhe Minia (“Çështja e lopëve te Baldushkut”)

Një ditë u hap dera e qelisë sime dhe gardiania foli gjithë mllef nëpër dhëmbë: “Mblidhi plaçkat”! Unë mora batanijen dhe pagurin me ujë. “Edhe dyshekun! Eja pas meje”! Mora edhe dyshekun dhe gjërat e mia nga komodina në korridor dhe hyra në një qeli tjetër. Dera u mbyll me zhurmë. Hodha sytë rrotull. Në cep të qelisë pashë një vajzë të re, 17-18 vjeçe. Desha t’i afrohesha, ta përqafoja, ta qetësoja. Ajo u tremb, u tërhoq, u shmang. Kisha shumë kohë që rrija vetëm në qeli, ishte dimër, kisha shumë ftohtë. Prandaj u lumturova, që vajta te dikush, me të cilin mund të ndërroja dy fjalë dhe të ngrohesha. Por ajo s’deshi të më afrohej. Vetëm pas disa ditësh, sikur “u shkri” disi. Më vonë u miqësuam, patëm marrëdhënie shumë të mira gjatë gjithë viteve, që kaluam bashkë në kamp. Në qeli ajo më tregoi se para se të më çonin në qelinë e saj, e kishte thirrur hetuesi dhe i kishte thënë se do t’i futnin në qeli një grua sovjetike, është armike, bëj kujdes…! Prandaj kur më pa, siç isha, shtatlartë, e thinjur, e tretur nga uria, u tremb shumë. Më vonë më tregoi për veten, ma tregoi të gjithë historinë, me copa, me vështirësi, me pushime, kishte shumë frikë të rrëfente. Ishte tmerrësisht e lebetitur nga burgu, hetimi, kanosjet dhe rrahjet. Dora-dorës e formova vetë pamjen e plotë dhe të qartë të historisë së saj. Që ajo të kuptohet më mirë, më duhet ta prek sërish gjendjen politike të asaj kohe. Kam shkruar boll për përndjekjet e mesit të viteve ’70-të, kur Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, asgjësuan, arrestuan dhe pushkatuan gati të gjithë ministrat dhe anëtarët e Byrosë Politike. Midis tyre ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku. Beqiri ishte tiranas, nga një fshat i Tiranës.

Nisur nga fakti që në Shqipëri, është shumë i përhapur lokalizmi, ishte e natyrshme të mendohej që tiranasit do të revoltoheshin nga arrestimi dhe pushkatimi i bashkëfshatarit apo bashkëqytetarit të tyre dhe do ta shprehnin në njëfarë mënyre këtë revoltë. Mirëpo në kushtet e Shqipërisë, një hamendje e tillë ishte krejtësisht e pakuptimtë. Gjatë viteve të regjimit komunist, populli që jetonte në varfëri, në gënjeshtra, në mes të përndjekjeve të vazhdueshme, nuk kishte as forca, as mundësi, madje as pikë dëshire për rezistencë të organizuar. Gjithsesi, autoritetet donin të provonin të kundërtën. Duhej një proces i tillë, që të forconte edhe më shumë frikën, shqetësimin, pasigurinë, duhej gjetur një shkak, të provokohej dhe të kurdisej një proces. Dhe rasti për një proces të tillë u paraqit. Në fshatin Baldushk, jo shumë larg Tiranës, ndodhi ngordhja në masë e bagëtive. Ishin lopë të racës, të blera në Hollandë. Lopët ngordhën jo të gjitha njëherësh, por brenda disa muajve, me grupe të vogla. U ngrit një komision i veçantë, u bë ekspertiza, analizat, dhe doli se: shkak i ngordhjes ishte ushqimi i kalbur. U morën masa, veterinerin e çuan në gjyq. Një muaj pas këtyre ngjarjeve në fshat papritur vajti vetë kryeministri Mehmet Shehu dhe çështja menjëherë mori ngjyrë krejt tjetër. Ngjarjet i quajtën diversion dhe u përpunua versioni plotësisht i sajuar i “helmimit” të lopëve. Në krye të çështjes vunë infermierin e fshatit, ai kishte “biografi të keqe”, dikush nga të afërmit qe dënuar me burg, me një fjalë, kandidaturë e përshtatshme. Bashkë me të në infermieri punonte edhe Minia, infermiere. Atë e bënë bashkëpunëtore të tij. Kjo sikur dukej më fort e besueshme. Minia kishte një motër, Nadiren, mjelëse. Minia, gjoja i mbush mendjen të motrës, të hedhë helm në rezervuarin e ujit nga pinin lopët. Zinxhiri qe gati, edhe komploti!

Arrestimet për “helmimin” e lopëve të Baldushkut!

Analizat e para u asgjësuan, u bënë “analiza të reja”, të cilat “zbuluan helm në ujë”. Për këtë çështje u arrestuan nja 8 vetë. Vajzat e gjora, njëra 18, tjetra 20 vjeçe, i futën në burg, i shkëputën nga shtëpia, nga të afërmit. I fejuari i Mines, e prishi fejesën. Gati një vit ato i mbajtën në burgim paraprak, i rrahën, i torturuan. Ato i binin murit me kokë, ulërinin, sa dëgjohej në të gjithë burgun: “Dëgjove, Enver”! Atë kohë vajzat ende besonin se, do të vinte xhaxhi Enver i mirë dhe do t’i shpëtonte nga rojat e këqij të burgut. Në kamp ky besim u davarit shpejt. Minia që në fëmijëri, vuante nga zemra, kohën më të madhe e kalonte në spital, jo në qeli. Motrat nuk pranuan gjë, nuk deshën të dinin për këtë histori të sajuar, nuk firmosën. Atëherë hetuesit kurdisën një provokim. Nadires i treguan deponimet gjoja të firmosura nga Minia dhe e kërcënuan, se, po të mos firmoste, Minen do ta pushkatonin. Nadirja i firmosi të gjitha. Pastaj u bë gjyqi. Nadirja u dënua 14 vjet, ndërsa Minia 15. Disa vetë nga “grupi i tyre” u pushkatuan. Mua më futën në qelinë e Nadires, pasi kishte përfunduar gjyqi i tyre dhe, siç e kuptova më vonë, Nadirja ishte në gjendje shumë të rëndë, ata kishin frikë ta linin vetëm në qeli. Ndërkohë vajzat i morën dëshmitare në një gjyq tjetër. Gjatë gjyqit kryesor u zbulua, që në çështje mungonte një hallkë e rëndësishme. Nuk thuhej, ku e kishin marrë helmin komplotistët. Gabimin e ndreqën shpejt e shpejt, arrestuan magazinierin dhe e gjykuan veças, se u kishte dhënë helmin komplotistëve.

Me Minen dhe Nadiern, 9 vjet në kamp

Me dyja vajzat kalova 9 vjet në kamp. Ishin vajza të mira, të zgjuara, të ndershme, punëtore. Shumë fatkeqe. Atyre nuk u vinte njeri, për t’i parë, nuk i ndihmonte njeri. Vetëm një herë në burg, pasi mbaroi gjyqi, i lejuan një takim me të atin. Kjo ndodhi kur rrinim bashkë në qeli. Një mëngjes Nadirja u zgjua me fytyrë të qeshur: “Ua, çfarë ëndrre pashë…! Sikur më dhanë dy lule, një të kuqe, një bojë rozë… do më ndodhë diçka e mirë!” Dhe, për çudi, disa orë më vonë dera e qelisë u hap dhe Nadiren e morën. “Kisha takim me babain dhe me Minën, ndenjëm një orë të tërë bashkë!” Pastaj zuri të qante. Më tha sa keq ishte i ati, i cili u kishte treguar të bijave, se si i përndiqnin në fshat; i kishin thënë se, po të ndihmonte të bijat, do ta internonin. Mina dhe Nadirja punonin në fushë. Për Nadiren kjo ishte punë e lehtë, sepse qe mësuar që fëmijë. Ajo e donte natyrën, dinte shumë gjëra për të, shpesh na tregonte me kënaqësi për kopshtin e saj, për gjallërinë që mbretëronte në fshatin e tyre. Minia nganjëherë punonte në fushë, shtrohej shpesh në spitalin e burgut, nganjëherë, në të rrallë, e vinin të punonte infermiere, shoqëronte brigadat në fushë…! Pikërisht nganjëherë, në të rrallë, sepse Mina ishte “armike e popullit” dhe “armiqtë” s’kishin të drejtë të punonin në administratë, në kuzhinë apo në infermieri. Atje punonin “miqtë”, të afërt nga ana sociale, të dënuarat ordinere. Motrat nuk përfituan nga amnistia e vitit 1982. Ato ishin dënuar sipas nenit “diversion”, e ky nen nuk u përfshi në atë amnisti. Kjo ndikoi shumë për keq tek të dyja vajzat, veçanërisht te Minia, vajza e butë dhe shumë e ndjeshme. Pas amnistisë ne mbetëm pak dhe Minën e caktuan të punonte infermiere e kampit.

Vdekja enigmatike e Mines në dhomën e saj!

Jeta në burg vazhdonte e zakonshme. E zakonshme ishte edhe ajo, që (“korpusi diplomatik”) i shkruanim rregullisht instancave më të larta për pafajësinë tonë dhe kërkonim të na lironin. Të tilla letra shkruam edhe fill pas amnistisë, por, megjithëse na kishin premtuar, se do t’i rishikonin çështjet tona, morëm përgjigjen standarde negative. Kjo përgjigje e vrau shumë Minen. Minia flinte në infermieri, jo në korpusin e përbashkët. Një ditë në mëngjes herët, para se të bëhej zgjimi, vura re se në dhomë po ndodhte diçka e çuditshme. Të gjitha gratë dukeshin të tronditura, pëshpëritnin vesh më vesh, diçka fshihnin. Pastaj më thanë në fshehtësi: “Natën, nga një krizë në zemër, vdiq Minia”. Të gjithë rrekeshin ta fshihnin këtë nga Nadirja, ajo duhej përgatitur në njëfarë mënyre. Por Nadirja e nuhati të keqen dhe nisi të ulërinte: “Çfarë po më fshihni, ku është Minia”?! Pastaj erdhën shoqet e saj, fshataret nga korpusi tjetër. Të reja, të mira, të forta (Ishin dënuar për shpërdorim dhe defiçit). U ulën me Nadiren në mes dhe i’a treguan të gjitha. I thanë që natën, Minia nuk qe ndier mirë dhe s’pati njeri ta ndihmonte, as në fshat s’kishte mjek. Kampet përpiqeshin t’i ngrinin sa më larg qendrave të banuara. Mjeku, që erdhi në mëngjes, konstatoi vdekjen. Diagnoza: “Krizë në zemër”. Minen e veshën, e futën në arkivol në infermieri, të gjitha vajtëm të përshëndeteshim me të. Të gjitha e donim; ajo nuk e ngriti një herë zërin, tregohej gjithmonë mirëdashëse, kujdesej shumë për të motrën. Të nesërmen, Minen duhej ta varrosnin, varrimi bëhej në varrezat e fshatit, te varri vinin një… numër! I gjithë kampi u lut në komandë që të mos i nxirrnin në punë, t’i lejonin të përshëndeteshin për herë të fundit me Minën. /Memorie.al


Të fundit

Dëshmitë e panjohura: “Vdekja enigmatike e Mines, ishte dënuar bashkë me të motrën për ‘helmimin’ e lopëve të Baldushkut”

Publikohet historia e panjohur të ruses Taisa Batkina (Pisha), me origjinë nga Tula e Rusisë, fëmija e tretë e...

Tensionet në veri të Kosovës, Brnabiç: NATO të ndërhyjë, frenoni Kurtin dhe politikën e çmendur të Prishtinës

Kryeministrja e Kosovës, Anna Brnabić i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, NATO-s dhe KFOR -it që të reagojnë në lidhje me situatën në Veri...

Zbulimi i bujshëm, këshilltarët “mizerabël” në 2017 ishin izraelitët dhe jo këshilltarët shqiptarë

Kushti që i vunë Bashës për të mos bërë deputet Berishën Kur në vitin 2017 Sali Berisha përdori fjalën “mizerabël” për këshilltarët, shumë hamendësuan se...

Iu hodhën shishe kokës polakëve/ FIFA dënon Shqipërinë: S’do tolerojmë

Pas ndeshjes së luajtur mbrëmjen e djeshme për eliminatoret e Kupës së Botës ka reaguar organi më i lartë i futbollit. FIFA ka dënuar dhunën...

Tensionet në Mitrovicë, reagon Kurti: U bëj thirrje qytetarëve të mos bien pre e mediave serbe

Kryeministri i Kosovës , Albin Kurti ka reaguar për aksionin kundër krimit zhvilluar në Prishtinë, Pejë dhe në veri e jug të Mitrovicës, ku...

Lajme të tjera

Web TV