Dritëro Agolli, i përjetshmi i letërsisë

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

 

Për një rastësi fatlume, ai lindi po në 13 tetor. Vinte në jetë 20 vite pas paraardhësit të tij gjithashtu poet i jashtëzakonshëm. Veç njëri lindi në Shkodrën qytet dhe quhej Millosh, ndërsa tjetri në Devoll, tek fshati Menkulas dhe emri iu vu Dritëro. Por dy dekada janë një kohë e papërfillshme, për një komb i cili nxjerr dy poetë që dominojnë në mënyra krejt të ndryshme skenën letrare të vendit. Sot, në kandarin e vlerave, ku gramët nuk bëjnë punë dhe shenja treguese dridhet mes dy anëve, pesha e tyre nuk merr kurrfarë rëndësie, sepse koha vetë, me një njësi matëse krejt të pagabueshme i ka ngjitur lart në piedestal…

 

…Titulli si “patriarku i letrave shqipe” nuk bie me vdekjen e tij. Përkundrazi, tanimë ai qëndron mbi të gjitha çmimet e titujt që kishte marrë sa ishte gjallë. Dhe titujt e çmimet për të nuk kanë munguar. Gjithsesi, Dritëro Agolli cilësohet ndryshe dhe si një nga shkrimtarët më të mirë në letërsinë shqipe, në lëvrimin e vargjeve poetike dhe në të shkruarin e prozës gjithashtu.

Dritëroi ishte njeri i thjeshtë e popullor. Isha rritur nën hijen e mistershme e disi të rëndë që atij i jepte qenësia e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve e Deputet i Kuvendit të dikurshëm Popullor. Pushtet politik me doza të mëdha, por shumë më tepër një pushtet letrar, si dhe një makinë “Polski Fiat” të cilën e kishte në dispozicion sa zbriste poshtë shkallëve të shtëpisë. Sepse për një rastësi tjetër, aspak oportune, apartamenti ku unë banoja në vitet ‘80 ishte vetëm 150 metra larg nga ai që cilësohej si “Pallati i Shkrimtarëve” – në hyrje të rrugës “Bardhok Biba” me pamje nga “Rruga e Dibrës”, – ku banonte Dritëro Agolli, si dhe Ismail Kadare. Sepse, – edhe pse në të njëjtin pallat banonin disa personalitete të tjera të artit, – unë vetë njihja vetëm këta të dy, si persona fizikë të cilët ishin të pajisur gjithashtu me armën e rëndë të një letërsie brilante.

Pas viteve ’90, teksa njihesha me Dritëroin, – tanimë me një peshë të dyfishtë për atë çfarë përfaqësonte, edhe pse jo më si Kryetar i Lidhjes, – hija e tij e rëndë u zhbë njëherazi. Sepse ai ishte Dritëroi, babaxhan e hokatar, me të cilin mund të bashkëbisedoje lirshëm madje dhe të të dëgjonte gjatë, duke tumosur vazhdimisht një cigare, për ato ç’ka mund t’i llomotisje, që mbase për të nuk përbënin as një kuriozitet të përciptë.

Si rrallëkush, ai u tërhoq nga jeta politike, por mbeti strumbullari i mendimeve të kthjellëta e plot debat, të cilët gazetarët ia merrnin më së shumti nëpërmjet telefonatave, që ai nuk i refuzonte kurrë.

Lexo edhe :  Raporti sekret për prishjen e marrëdhënieve me Moskën në ’61-in: “Sekretari i Komsomolit të Shkollës, i tha kapiten Binak Pacit, që librin e marksizmit t’ia mësojë Enver Hoxhës”

Me flokë të thinjura që gati i binin mbi supe, ai mbeti fisnik në brendësinë e tij, po aq sa transmetonte në pamjen e parë.

Sot në bibliotekën personale, librat e Dritëro Agollit qëndrojnë në radhë. Janë aty poemat “Nënë Shqipëri” dhe “Devoll Devoll”, por dhe romanet “Komisari Memo”, “Njeriu me top”, “Trëndafili në gotë” si dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Për më tej, do të më duhet të shkoj sërish në librari, sepse krijimtaria e tij është shumë më e gjerë se kaq.

Ai vinte në Tiranën e viteve ’60, pasi ishte diplomuar në Fakutetin e Arteve të Shën Petersburgut që asokohe quhej Leningrad. Ishte i ri dhe plot energji, ndaj jo vetëm shkruante lajme e reportazhe për gazetën “Zëri i Popullit” ku punonte, por thurte vargje pambarim në copa letrash dhe proza i zinte një kohë të pamjaftueshme.

Vite më pas teksa konsolidohej, u cilësua si poeti i tokës dhe i dashurisë, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Kritika e kohës ishte shprehur për të se u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. E sipas kësaj kritike ai krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Për më tej se kaq do të futeshim në një labirinth shprehjesh të ngurta e skematike, çka në vend ta lartësonte shkrimtarin e madh, më shumë do t’ia zbehte vlerat. Por gjithsesi na lejohet që për një kompromis të shkurtër e teknik të themi se gjatë gjithë karrierës së tij artistike Dritëro Agolli ka lëvruar: poezinë dhe poemën, tregimet dhe novelat, romanin dhe dramën, reportazhin dhe kritikën, analizën dhe raportin e lajmit, e për së fundi dhe skenarin e filmit.

Më i plotësuar se kaq nuk mund të bëhet një shkrimtar, që kishte punuar jo pak kohë dhe si gazetar e njohës i terrenit në përditshmëri, gjë që me siguri e ka bërë ta njohë jetën shqiptare shumë më thellë se një gazetar e shkrimtar që realitetin e sheh vetëm pas xhamave të zyrës.

Dritëro Agolli u lind në Menkulas të Devollit të cilit i këndoi aq shumë e aq shumë i kushtoi vargje. Por ndërroi jetë tek një spital universitar në Tiranë. Prej katër muajsh kishte mbushur 85-vitet e jetës së tij, kur sëmundja pulmonare nga e cila vuante prej ca kohësh e shkëputi nga përditshmëria. Ishte e premte… 3 shkurt 2017.

Sot, pakkush e di ku ndodhet vendvarrimi i tij, por në bibliotekat personale librat që ai shkroi qëndrojnë në radhë. Dhe po aq në pelikulën e kinemasë janë stampuar skenarët e tij në formën e një filmi artistik. Ndaj Dritëroi është po aty, “në ndonje fjalë a ndonjë shkronjë, – mjafton që librin pak ta heqesh – ai do te zbres do t’vi prane teje… ”


Të fundit

Gazetarët lejohen në Kuvend, opozita merr kohë më shumë për të folur

Konferenca e Kryetarëve ka vendosur lejimin e pranisë së gazetarëve në sallën e Kuvendit duke nisur nga dita e...

Ky është i riu që u gjet mbrëmë i plagosur te ‘Komuna e Parisit’

I riu që shihni në foto është Redi Balla, i cili u gjet i plagosur në rrethana ende të paqarta brenda mjetit të tij....

Nikolla takon përfaqësuesen e OSBE-së për median

Mbrojtja e lirisë së shtypit dhe medias ishte tema e diskutimit mes kryeparlamentares Lindita Nikolla dhe përfaqësueses së OSBE-së për Lirinë në Media, Teresa...

Komisionet hetimore, Balla: PS-PD larg pazareve politike

Kreu i grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla tha dje se mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike nuk ka pazare politike në lidhje me...

Nishani: Mund të shkohet në referendum, dhjetori do ketë ndryshime

Ish-presidenti Bujar Nishani shprehu sigurinë se me mbledhjen e Kuvendit të Partisë Demokratike mund të shkohet në referendume për çështje të ndryshme, madje edhe...

Lajme të tjera

Web TV