Migjeni, ose gjeniu shqiptar i poezisë

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Migjeni ishte një uragan. Ai ishte po aq revolucionar në konceptin e tij fillestar, por dhe në atë të mbramin gjithashtu

 

Nga Leonard Veizi

 

O, si nuk kam një grusht të fuqishëm!
Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!

Askush më parë si ai nuk kishte mundur që nëpërmjet një vargu të vetëm të trasmetonte fuqinë e një poeme të tërë.

Ta shof si dridhet nga grusht’ i paligjshëm…
E unë të kënaqem, të kënaqem tu’ u qesh.”

Askush më parë si ai nuk kishte mundur që përmes një strofe të përmbyste shumëçka që qëndronte padrejtësisht në këmbë.

Sa më shumë kalojnë vitet, aq më të kuptueshme bëhen “Vargjet e lira” apo “Novelat e Qytetit të Veriut”. Dhe vijnë në realietin e ri të 85 viteve më pas, po aq orgjinale e me një realizëm të mprehtë e shkërmoqës…

 

…Migjeni ishte një uragan. Kjo nuk është vetëm një frazë e huazuar nga një film i 40 viteve më parë. Ai ishte po aq revolucionar në konceptin e tij fillestar, por dhe në atë të mbramin gjithashtu. Dhe me këtë fjalë nuk nënkuptohen revolucionet proletare dhe as ato që sjellin në pushtet diktaturën. Por revolucionin si koncept. Sepse në shpirtin e tij gjithçka rebelohej ndaj së vjetrës obskurantiste për të kërkuar pak dritën në fund të tunelit.

Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla.

Të lutem, pak dritë në kët natë kur shpirti vuen..,

Nuk vihet në dyshim që ai kërkonte pak dritë për të gjetur te jeta të re më shumë dritë. Për të nuk kishte rëndësi barazia si sintezë e revolucionit bolshevik, por drejtësia. Dhe kjo është diçka krejt e ndryshme nga ajo që janë munduar të fabrikojnë rreth emrit dhe veprës së tij, për t’i dhënë një vlerë të shtuar të cilën ai nuk e kishte.

Mjerimi s’don mshirë. Por don vetëm të drejt!

Mshirë? Bije bastardhe e etenve dinake,…

Migjeni ishte një gjeni. Thonë se gjenitë e kanë jetën e shkurtër. Por përjashtimisht ka raste kur ata jetojnë gjatë. Migjeni ishte po aq gjeni sa dhe të tjerë që jemi mësuar t’i vlerësojmë si të tillë. Me siguri duhet të kishte një kombinim gjenesh të pagabueshëm, trasmetim ADN-je të fjetur që ai e zgjoi, apo frymëzim hyjnor në lidhje të drejtpërdrejtë me diçka të panjohur për tokësorët e thjeshtë, përndryshe ai nuk do të mund t’i sillte gjuhës shqipe vargje të përsosmërisë.

Na të birtë e shekullit të ri,

që plakun e lamë ne “shejtnin” e tij…

Millosh Gjergj Nikolla i mbiquajtur Migjeni, u lind më 13 tetor të vitit 1911 në qytetin e Shkodrës. Vdiq larg vendlindjes, në Tore Pelice, afër Torinos në Itali, më 26 gusht të vitit 1938. Ishte në të 27-at e tij, por sëmundja e turbekulozit që e mundonte prej kohësh arriti ta mposhtë gjeniun shqiptar. Nuk ishte vetëm poet, dhe pse më së shumti njihet për vargjet e tij. Por po aq brilante ishte dhe proza e tij e shkurtër.

Lexo edhe :  Kolegji i Posaçëm i Apelimit lë përfundimisht jashtë drejtësisë gjyqtarin Gurali Brahimllari

“Veç në i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojën si me dashtë me e hangër mësuesin. Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin”.

Migjeni është një nga poetët më të shquar të letërsisë shqiptare. Ai konsiderohet sot e gjithë ditën si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe. Me një realizëm të thellë, të panjohur deri asokohe në letërsinë tonë, ai pasqyroi jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare të viteve ’30 të shekullit të kaluar. Në themel të veprimtarisë së Migjenit qëndron tema sociale e varfërisë, aspirata për një botë të re, ndryshe nga ajo çfarë përjetonte ai në ato vite.

Dy hapa para, dy hapa mbrapa…

Jeta e saj asht kjo vall’ e çmendun

në rrugat e qytetit tonë,

Vitet ‘30 të shekullit XX sollën në letërsinë shqiptare një grup krijuesish e publicistësh,

kontributi i të cilëve do të linte gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare. Përfaqësuesi më i shquar i realizmit kritik, Millosh Gjergj Nikolla, futi në letërsinë shqiptare me një shkallë shumë të lartë ideoartistike protestën e hapur, ëndrrën për një botë ndryshe dhe optimizmin e thellë. Në poezi ai trajtoi vjershën dhe poemën pa subjekt me varg të lirë, që shquhet për mendimin sintezë dhe sistemin figurativ, ku dallohet antiteza, simboli dhe alegoria.

Në vendin tonë

kudo valojnë

flamujt e një melankolie

të trishtueshme…

…dhe askush s’mund të thotë

se këtu rron

një popull që ndërton

diçka të re.

Në prozë Migjeni u shfaq si mjeshtër i portretizmit dhe i dhënies së psikologjisë së tipave të ndryshëm, që përfaqësojnë shtresa e klasa të ndryshme. Ai lëvroi tregimin psikologjik, skicën, prozën satirike, që shquhet për tipat, portretet, dialogun, monologun, ritmin e veprimit, mendimin energjik dhe gjuhën e gjallë.

“Merrnje dhe çonje në qytet kët shtatore. Vendosnje në nji shesh! dhe si përmendore kushtonja ndokujt. Kushtonja atij që ka ma shumë merita për kët vend! Po, ndoj ministrit o deputeti, o ndokuj tjetër… E në rasë se nuk gjeni ndoj njeri që ka merita të mjaftueshme ,atëherë kushtonja atij që ka merita ma pak: perëndis klasike”.

Pas vdekjes së tij, ai do të varrosej në Tore Pelice të Torinos, trupi i të cilit, do të qëndronte për 28 vite me radhë në dhe të huaj. 26 vite pas vdekjes, në vitin 1954, Migjenit do t’i botohej vepra e plotë. Ndërsa dy vite më vonë, eshtrat e tij do të ktheheshin nga Italia në Shqipëri për t’u varrosur me nderime të mëdha në Shkodër, më 5 shkurt të vitit 1956.


Të fundit

Migjeni, ose gjeniu shqiptar i poezisë

Migjeni ishte një uragan. Ai ishte po aq revolucionar në konceptin e tij fillestar, por dhe në atë të...

Gazetarët lejohen në Kuvend, opozita merr kohë më shumë për të folur

Konferenca e Kryetarëve ka vendosur lejimin e pranisë së gazetarëve në sallën e Kuvendit duke nisur nga dita e enjte. “Lejimin e gazetarëve për...

Ky është i riu që u gjet mbrëmë i plagosur te ‘Komuna e Parisit’

I riu që shihni në foto është Redi Balla, i cili u gjet i plagosur në rrethana ende të paqarta brenda mjetit të tij....

Nikolla takon përfaqësuesen e OSBE-së për median

Mbrojtja e lirisë së shtypit dhe medias ishte tema e diskutimit mes kryeparlamentares Lindita Nikolla dhe përfaqësueses së OSBE-së për Lirinë në Media, Teresa...

Komisionet hetimore, Balla: PS-PD larg pazareve politike

Kreu i grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla tha dje se mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike nuk ka pazare politike në lidhje me...

Lajme të tjera

Web TV