Ne patriotët… me bukë e kos, e trastën plot!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

 

Për patriotizmin e shqiptarëve është folur jetë e mot. Edhe për trimërinë e tyre. Atëherë kur burrat me mustaqe e pushkën krahut shkëmbenin duhan me të dredhur dhe merrnin vendime të forta në logun e burrave.

Por kjo kohë duket se ka ikur po aq sa vapa me gushtin. Ndërsa në vitet e këtij bollëku joorganik, – ku meshkujt pinë cigare elektronike dhe mbajnë në brez celularët – na ka zënë dhjam trupi nga qafa deri tek këmbët, por dhe truri bashkë me të. Madje kohët e fundit kemi rënë në një gjumë letargjik, si ariu në dimër, me përjashtim të ndonjë rasti të veçantë që nuk ngre kandar. Pra, nuk i prishim punë njeriu.

Lum si ne.

Po kështu siç e kemi nisur, duket se nuk kemi gjë në vijë. Se kohë për të marrë një sy gjumë ka gjithmonë. Por kohë për të qenë zgjuar shumë më pak. Dhe që të jetosh ca më mirë, e më me dinjitet, duhet t’u dalësh dhe ca punëve të tjera në ballë. Jo vetëm të shesësh ndonjë mall “nën dorë”, por dhe të kërkosh të drejtat e tua, kur sheh se po të shkelen me këmbë.

Nga kjo anë kemi filluar ta bëjmë një sy qorr.

-Opo, ç’na duhet ne… derisa malli më ecën, rregullohem me të mijat. Edhe trastën plot…

Ky është një egoizëm milimetrik, i papërfillshëm, që duket se ta mbush sofrën e drekës, por që darkën e shtyn me bukë e kos.

-Fiks. Edhe mjekësia kështu thotë: darka sa më e lehtë, që të flesh gjumë top. Të flesh aq saaaa… mezi të ngrihesh.

Mirëpo ndonjëherë edhe duhet prishur rregulli. Edhe duhet thyer qetësia. Se uji po nuk lëvizi, qelbet – thotë populli. Ndaj duhet dhe shpirti qytetar i revoltës. Që të dalim në protestë e t’u kujtojmë grave dhe burrave që kanë marrë frerët e shtetit, që ta tërheqin ca kapistallin dhe ta mbajnë revanin, se populli sipër në karrocë nuk rri vetëm të bëjë sehir. Dhe po nuk patëm këtë ndjenjë revolte, do të mbetemi si skllevërit, herë me pranga në duar e herë me pranga në këmbë. Do të thoni ju: skllevër, por të lumtur ama. Nëse e keni hallin këtu… Patjetër të lumtur. Sepse tek e fundit të gjithë e kemi nga një makinë, e bëjmë xhiro poshtë e lart Tiranës, e jo si ata skllevërit e Romës së lashtë të cilët nuk kishin as gomar e jo më të mendonin për ndonjë kalë shale.

Mirëpo prapë, edhe pse të lumtur, bukë e kos hamë. S’i prishim punë njeriu. Hidh tagji në trastë… pavarësisht vrimave të saj.

Lexo edhe :  Rikthehet Eminem! Gati për albumin e 12-të

Ja ta marrim shtruar muhabetin, e ta shohim nga një tjetër këndvështrim.

Jemi patriotë të çartur, dhe e duam Shqipërinë ta shohim kampione bote. Për këtë vuajmë e jemi në siklet të madh. E ndjekim kombëtaren deri në filifistun, duke paguar para për vajtje-ardhje aq sa për të mbajtur një duzinë punëtorësh fasonerie me rrogë mujore. Tek e fundit, ne u shtypëm si sardelet në Air Arena, kundër të gjitha rregullave anti-covid, e u blenë biletat në tregun e zi si frëngu pulën, për të parë një ndeshje ku kombëtarja si gjithmonë luajti mirë, por u për fat të keq u mund. Por dhe ne paq ua bëmë kundërshtarëve. U hodhëm shishe birre mbi kokë… por pa mall brenda, thjeshtë ambalazhin.

Ore, kundërshtarit i duhet treguar vendi. Se këtu duhen treguar vlerat e shqiptarëve, jo të ngrihemi kundër qeverisë e të thyejmë xhamat e kryeministrisë si halabakët.

Meqë ra fjala, për çfarë detyron qeveria studentët të bëjnë vaksina? Në fund të fundit në një auditor mblidhen a nuk mblidhen nja 50 studentë. Në stadium për ndeshjen Shqipëri-Poloni u shtypën më shumë se 22 mijë veta, të cilët merrnin frymë ngjitur në gojë të njëri-tjetrit. Apo, virus inteligjent ky kovidi, ka shtënë sevda me ata që ndjekin universitetet.

-Shqipëri bahçe me lule…

-Ha kos, ha!

Vazhdojmë me argumentin tjetër:

Kur na sulmon greku apo serbi, – me deklarata letre e kam fjalën, – ne tregohemi të gatshëm sa më s’ka. Jo të rrëmbejmë armët, se ato i kemi për të vrarë njëri-tjetrin, por hapim librin e shtëpisë… bashkë me faqen e facebook-ut, dhe i shajmë mbarë e prapa fqinjët tanë kur na cenojnë kufirin. Bëjmë dhe shenjën e shqiponjës me pëllëmbët bashkuar, për inat të tyre. Edhe kjo është një shenjë e devotshme atdhedashurie.

Po kur qeveria ngre taksat dhe mbyll syrin ndaj rritjes së çmimeve, s’ka burrë nëne që del në shesh të protestojë.

-Po fundja qeveria jonë është. Për të mirën tonë mendon. Pse ta shajmë?!

E drejtë! Mirë e kemi. Dhe në fund të ditës përsëri: bukë e kos. Mbajmë dietën tek e fundit. Se nuk po heqim dot as dhjamin që vumë gjatë karantinës.

Pastaj si mundet të dalim ne, burra 400 dërhemësh, se na u ngrit 100 lek të vjetra buka apo se u ngjit nja 200 a 300 lekë të vjetra karburanti?! Shumë më tepër se kaq ia lëmë bakshish kamerierit. Nuk na e lejon as statusi.

Pastaj, kur e ke trastën plot…

-Ha kos ha!

Por të paktën mos u anko e jargavit në tavolinën e kafesë, dhe as në qebaptore, kur ia ke shtruar me birra, qofte e xaxiq.

Të fundit

Më shumë para në pleqëri? Shumë e thjeshtë

Nëse je i ri dhe sapo ke nisur të punosh, me shumë gjasa periudha e pensionit të duket shumë...

I dënuar për shpërdorim detyre, lirohet nga burgu ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit

Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci, i dënuar me shpërdorim detyre së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij Durim Margjekaj dhe...

Kanadaja kalon 40 milionë banorë, “mbipopullimi” shkakton probleme

Kanadaja është vendosur të arrijë një rekord prej 40.77 milionë njerëz në vitin 2023, falë kryesisht imigrimit të përkohshëm, dhe rritja e popullsisë nuk...

Ja si Inteligjenca Artificiale dhe kriza e burimeve njerëzore po ndryshojnë drejtuesit

Kriza e burimeve njerëzore po ndryshon mendësinë e drejtuesve shqiptarë në trajtimin e punonjësve jo më si pjesë të procesit, por si individë duke...

Njihuni me 3 shenjat e horoskopit që kanë më shumë fat për muajin prill

Këto janë 3 shenjat e horoskopit kanë shans të kenë më shumë fat në muajin prill: Binjakët Binjakët do të kenë një nxitës të krijimtarisë në...

Lajme të tjera

Web TV