“Grupi i deputetëve”, si u firmos dënimi me vdekje

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ekzekutimi i gjashtëmbëdhjetë deputetëve të opozitës së parë në tetorin e vitit 1945

Ky edicion “dossier” bazohet mbi dosjen gjyqësore, të “Grupit të deputetëve” të cilët u morën si të pandehur nga regjimi komunist dhe u vunë në bankën e të akuzuarve në fillimin e shtatorit të vitit 1947. Në atë gjyq i cili u zhvillua në kinema “17 Nëntori” të kryeqytetit nga data katër shtator të vitit 1947 e deri në datën 27 shtator kur u dha edhe pretenca, u gjykuan si të pandehur 24 persona. Pjesa më e madhe e tyre ishin intelektualë të cilët ishin diplomuar në universitetet e Perëndimit dhe disa prej tyre, si Shefqet Beja, Enver Sazani dhe sheh Ibrahim Karbunara, ishin deputetë të Parlamentit shqiptar të propozuar si kandidatë të Frontit Demokratik. Ky grup kishte marrë iniciativën për të penguar miratimin e projektkushtetutës së parë komuniste. Iniciativa e tyre për të ndalur revanshin komunist do t’u kushtonte jetën jo vetëm deputetëve që kishin mundur të hynin në Parlament, por edhe shumë bashkëpunëtorëve, duke arritur numrin e 40 vetave.

Eliminimet

Ideja për eliminimin e kundërshtarëve politikë, nuk filloi pas mbarimit të luftës, por që gjatë saj. Për këtë bëjnë fjalë dhe dokumentet e nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit, të shkruara nga Enver Hoxha. Në njërin prej këtyre dokumenteve, të shkruar nga dora e Enverit, në datë 19 gusht 1944 dhe që mban numrin “46”, jepen këto porosi:“Zain e Fundos ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni. T’i kërkohet të japi shpjegime për këto pyetje: Pse ka ardhur në Kosovë, kush e ka dërguar dhe me ç’direktiva? Cilat janë qëllimet e Ganiut dhe të englezëve? Të japi shpjegime për aktivitetin e tij të mëparshëm dhe për tradhëtinë e tij. Depozimet e Zait na i dërgoni këndej me një njeri të sigurtë. Zain e vrisni atje”. Poshtë këtij dorëshkrimi ndodhet emri “Enver”.

Vetëm dy ditë më pas urdhri i Enver Hoxhës për eliminimin e kundërshtarëve politikë do të vazhdonte me letrën me numër “45”, në të cilën thuhet: “Lirisë shumë konspirative. Mos kërkoni më prej Ganiut të dorëzohet, por me çdo kusht dhe me ashpërsi të sulmohet dhe të vritet. Në qoftë se Ganiu ashtë dorëzuar, më lajmëroni sa më parë. Duhet të veproni shpejt se mund të vijnë në ndihmë kosovarë. – Enver”.

Kuptohet qartë që në ato ditë lufte, urdhrat për ekzekutimet pa gjyq jepeshin dhe nga vetë kreu i Partisë Komuniste, Enver Hoxha. Por ndërhyrja e drejtpërdrejtë e tij do të vazhdonte edhe më pas, madje dhe kur bëhej fjalë për një grup deputetësh, të cilët nga opozitarë u cilësuan si “armiq”.

Si filloi

Në 2 dhjetor të vitit 1945, nga shteti komunist shqiptar i asaj kohe u organizuan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese. Pjesa dërrmuese e deputeteve të zgjedhur ishin anëtarë te PKSH-së dhe funksionarë të lartë të shtetit. Të gjithë deputetët, pa përjashtim, ishin të lidhur ngushtë me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, që drejtohej nga Partia Komuniste Shqiptare gjatë periudhës 1942-1944. Duke konstatuar se Partia Komuniste Shqiptare po vendoste në Shqipëri një shtet diktatorial, disa prej deputetëve të shkolluar në Francë, Vjenë, Romë etj, si Gjergj Kokoshi, Enver Sazani dhe Selaudin Toto, filluan të shprehnin pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë së Tiranës, të drejtuar nga Enver Hoxha. Bisedat po amplifikoheshin midis deputeteve me pikëpamje liberale. Por, pa dyshim, që Sigurimi i Shtetit ishte në dijeni të bisedave “reaksionare” që zhvilloheshin midis të pakënaqurve.

Organizimi

Grupi i deputetëve doli hapur si grup i organizuar në mbrojtje të parimeve të demokracisë perëndimore dhe mori përsipër të bënte opozitën në parlamentin e parë të Shqipërisë komuniste. Aftësitë intelektuale dhe organizuese, shumë shpejt ranë ndesh me përpjekjet e diktaturës e cila kishte filluar të instalohej pak nga pak. Opozita u bë pre e përndjekjes deri në arrestimin e tyre. Qëndresa e tyre për të ndalur revanshin komunist kushtoi jetën 16 deputetëve që kishin mundur të hynin në parlament. Gjyqi i Grupit të deputetëve filloi dhe u mbyll si një proces gjyqësor tërësisht i montuar, mbështetur në dëshmi që, u ishin marrë të pandehurve nëpërmjet një dhune fizike e psikike të pashembullt gjatë hetuesisë. Gjykata ushtarake nën urdhrat të drejtëpërdrejtë të Enver Hoxhës urdhëroi ekzekutimin e 16 të pandehurve të tij procesi dhe dënime të rënda për dhjetëra të tjerë nga rrethe të ndryshme, të cilët i akuzuan për lidhje dhe bashkëpunim me Grupin e Deputetëve.

Kundërvënia ndaj Enver Hoxhës
Ishte fillimi i prillit të vitit 1946, kur në një mbledhje tjetër të bërë në shtëpinë e Hysen Shehut, nga “Grupi i deputetëve”, siç u konsiderua nga opinioni i mëvonshëm, është deklaruar se planet e tyre për të rrëzuar Enver Hoxhën së shpejti do të gjenin zbatim. Për këtë, disa anëtarë të grupit, si Riza Dani, Selman Ndreu, Kolë Kuqali etj., pak orë para se të fillonte mbledhja në fjalë, ishin takuar me misionarët e përfaqësisë amerikane në Tiranë. Kështu, sa u mblodhën të gjithë, ata njoftuan ç’kishin biseduar me misionarët e huaj dhe për porositë që kishin marrë prej tyre. Njoftuan se prej tyre u ishin dhënë detyrat që duhej të zgjeronin organizimin e çetave, të fillonin nga aksionet e të përgatiteshin për kryengritje, pasi ata së shpejti do të zbarkonin me forca ushtarake. Konkretisht, gjatë fjalës së tij Riza Dani mësohet të ketë thënë: Në bisedimin që kemi pasur me misionin amerikan dhe gjeneralin Hodgson, kemi marrë premtimet se ata së shpejti do merrnim masa për atë çka kërkonim, vetëm se kërkonin nga ne që të mos zhgënjeheshin”.

Pas shumë orë diskutimesh dhe sugjerimesh, në fund ka folur dhe njeriu me më shumë ndikim i grupit, Shefqet Beja, i cili, si edhe parafolësit e tij, është shprehur:“Zgjerimin e veprimtarisë së çetave dhe udhëzimet që morëm nga anglo-amerikanët për një zbarkim, me të shkuar nëpër qarqe do t’ua thoni shokëve dhe të fillojë një propagandë e gjerë, duke filluar me parulla të ndryshme”.

Pas tij ka ndërhyrë deputeti Selaudin Toto, i cili duket se ka pasur një besim të padiskutueshëm tek aleatët e tyre antikomunistë të Perëndimit, pasi është shprehur:“Duhet të kemi besim në premtimet që na kanë dhënë anglo-amerikanët, sepse patjetër së shpejti do të kemi një zbarkim dhe do të ndryshojë situata këtu”.

Pas kësaj mbledhjeje, ku sipas procesverbaleve hetimore të mbajtura nga dëshmitë e vetë personave vetëm pak kohë para daljes së tyre në gjyq, është vendosur edhe për masat konkrete që do të merrnin në interes të një kryengritjeje të pritshme të armatosur, pothuaj të gjithë krerët e “Grupit të deputetëve” shkuan në rrethe për t’u marrë me organizimin.

Lexo edhe :  17 prill 1975/ Pas 5 vitesh lufte, Kamboxhia bie në dorën e Terrorit të Kuq

Platforma
Ishte korriku i 1946-s kur u mblodhën sërish krerët e organizatës së deputetëve në një takim të planifikuar për realizimin e platformës së tyre politike. Aty u ngarkuan Riza Dani, Faik Shehu dhe Jup Kazazi me detyra konkrete organizuese për të përgatitur ndërhyrjen e aleatëve. Në këtë nismë u vendos që të jepej një vrull i përgjithshëm për të krijuar turbullira në vend. Gjithsesi, më pas ata do të deklaronin për mosbesimin që kishin pasur në iniciativat e veta. Kështu, njëri prej tyre, Tefik Deliallisi, gjatë procesit të tij gjyqësor para trupit gjykues do të deklaronte:“Ne dyshonim që me forcat tona të mund t’i futeshim kryengritjes, por vetëm kishim besim në ndihmën e anglo-amerikanëve. Fillimi i kryengritjes ishte vetëm sa për të gjetur pretekst për të ndërhyrë me armë, në mënyrë që të paraqisnim në botën e jashtme se në Shqipëri gjendja është e turbullt…”.

Arrestimet

Në fillim të vitit 1947, pa iu hequr mandati i deputetit, u arrestuan: Riza Dani, deputet i Shkodrës, Shefqet Beja, deputet i Durrësit, Enver Sazani, deputet i Durrësit, Selaudin Toto, deputet i Gjirokastrës, Irfan Majuni, deputet i Dibrës, Faik Shehu, deputet i Dibrës, Kosta Boshnjaku, deputet i Tiranës dhe Gjergj Kokoshi, deputet i Shkodrës, i pari ministër i Arsimit pas Luftës së Dytë Botërore. Gjyqi u zhvillua në kinema “17 Nëntori” (Nacional) në Tiranë, me po atë dekor të brendshëm dhe të jashtëm, me po ato parulla të hedhura nga turma e irrituar, sikurse edhe në Gjyqin Special të zhvilluar në kinema “Kosova”. Shefqet Beja, pati guximin, të zhvishet në sallën e gjyqit, për t’i treguar trupit gjykues dhe të pranishmëve në sallë, plagët e shkaktuara nga hekuri i skuqur në gjoks dhe në shpinë. Një pjesë e mirë e të pandehurve, nën efektin e torturave, pranuan se kishin krijuar një “Grup opozitar”, për të vendosur në Shqipëri, një regjim kapitalist. Vendimi u dha në fund të muajit shtator të vitit 1947 dhe ishte i paapelueshëm.

 

Vendimi
Më së fundmi pas shumë akuzash dhe kundër-akuzash, Gjykata e Lartë nxori vendimin nr. 187, datë 27. 9. 1947: “…Për veprën e tradhtisë së lartë për rrëzimin e shtetit demokratik shqiptar…
Dënohen: Me vdekje me pushkatim: Selaudin Toto, Irfan Majuni, Enver Sazani, sheh Ibrahim Karbunara, Hysen Shehu, Agathokli Zhitoni, Abdyl Kokoshi, Selim Kokalari, Beqir Çela, Mehmet Prishtina, Paolo Sogioti, Tefik Delialliasi, Pertef Karagjozi, Shefqet Beja, Sulo Klosi.

Në fund numri i të ekzekutuarve arriti deri në 40 persona, pasi më mbrapa në këtë akuzë u përfshinë dhe ata që u konsideruan “bashkëpunëtorë të deputetëve”.

Ekzekutimi
Plot një muaj të lidhur në një mënyrë të tillë që nuk mund të lëviznin fare kanë ndenjur të gjithë deputetët e dënuar me vdekje në qelitë e burgut të sigurisë së lartë Nr. 313 në kryeqytet, në pritje të zbatimit të vendimit të ekzekutimit të tyre. Brenda atij muaji ata u munduan të bëjnë dhe përpjekjet e fundit për të shpëtuar jetën. Kështu secili dërgoi në organet më të larta të shtetit dhe kryesisht në Kryesinë e Asamblesë Kushtetuese, anëtarë të së cilës deri pak kohë më parë se të dënoheshin kishin qenë edhe ata vetë, kërkesat për falje të tyre. Deri në momentet e fundit nuk i kishin humbur shpresat për falje nga ish-kolegët e tyre parlamentarë. Megjithatë ajo nuk u realizua kurrë. Ka qenë një shkresë e nisur në drejtorinë e burgut ku ata ishin të izoluar, e firmosur nga sekretari i Presidiumit, Sami Baholli, e cila u bënte të ditur refuzimin e lutjeve të tyre për t’u dhënë mundësinë për të jetuar. Konkretisht ajo shkresë ka mbajtur datën 9 tetor 1947 dhe ka qenë regjistruar në numrin 180 të regjistrit të parlamentit të atij viti. Pas kësaj do të vinin orët e para të mesnatës së 10 tetorit, kur skuadra e pushkatimit do t’i merrte për t’i çuar në zonën e Malit me Gropa, ku do të ekzekutoheshin që të gjithë.

 

Të fundit

“Kishte dorë që i vogël!”/ Avokati shpërthen ashpër ndaj Metës: Si e shtriu hajdutërinë

Avokati Idajet Beqiri ka treguar sot një episod nga jeta e tij gjatë kohës që punonte në Skrapar. Sipas tij,...

Ndodh në Pogradec! Peshkatari kap në liqenit të Ohrit koranin mbi 13 kg (FOTOT)

Ndodh në Pogradec! Një peshkatar kap në ujërat e liqenit të Ohrit një peshk Koran më shumë se 13 kg. Peshkatari, i cili e ushtron...

Kumbaro ultimatum prefektëve: Zero tolerancë për struktura betoni në plazhe

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro mblodhi në një takim prefektët e 12 qarqeve të vendit për t’u komunikuar prioritetet mbi mbarëvajtjen e...

Dosja “Black Eagle” i “Sky ECC”, si arritën shqiptarët të korruptonin latino-amerikanët

Është zhvilluar dhe në Belgjikë seanca e radhës për një nga proceset “SKY ECC” me 40 të pandehur, shqiptarë e kolumbianë, të akuzuar për...

Konfirmoi shtatzaninë/ Sara Gjordeni reagon sërish dhe ka dy fjalë për fansat

Sara Gjordeni mbrëmjen e kaluar konfirmoi shtatzëninë me Bardhin, me të cilin u lidh brenda shtëpisë së Big Brother VIP. Pas lajmit të bukur që...

Lajme të tjera

Web TV