“Katrori i Pushtetit” është seriali që hapi sot siparin e transmetimit në Kinema Millenium.
I gjithi i dedikuar funksionit të medias në Shqipëri duke filluar që nga problematikat që has çdo gazetar në punën e përditshme e deri te marrëdhëniet me botën e krimit dhe pushtetit.
Sjellë mjeshtërisht nga regjisori Robert Budina dhe Mateo Cingu, me skenar të Ajola Daja dhe Robert Budina, ky serial prek në disa dimensione profesionin e gazetarit dhe kryesisht marrëdhëniet e medias me faktorë të tjerë.
Seriali “Katrori i Pushtetit” i financuar nga Bashkimi Europian ka për qëllim edukimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve mbi rëndësinë e lirisë së medias. Producentja Sabina Kodra dhe drejtorja ekzekutive e Rrjetit “Barazi në Vendimmarrje”, Edlira Çepani theksuan gjatë konferencës për mediat se “vendosja në fokus këtë herë i medias shqiptare, në veçanti i sfidave që përjetojnë çdo ditë, vajzat dhe gratë në fushën e medias, synon të nxis diskutimin për një media të lirë dhe gjithëpërfshirëse. Diskutim, i cili do të jetë burim i rëndësishëm për rekomandime dhe nisma të tjera që mbështesin fuqizimin e mediave të lira”.
Personazhet e serialit janë Ema Andrea e cila luan rolin e (Elvës, tek të pesëdhjetat), Dasara Xhangolli që luan rolin e (Gentianës, 35 vjeç) dhe Sara Smaja (Nina 25 vjeç) janë tre gazetare të një televizioni informativ, të cilat bëhen bashkë për të hedhur dritë mbi tri ngjarje kriminale që ndodhin në vend, në të njëjtën kohë.