Rezarta Reçi çan barrierën dhe futet në territorin letrar

113 563 lexime

120,178FansaPëlqeje

Pas një gote verë në promovimin e librit më të ri artistik

Nga Leonard Veizi

Të lundrosh në oqeanin e përbotshëm letrar të duket një aventurë shumë e thjeshtë kur nuk di asnjë gjë nga jeta dhe vetëm sa ke mësuar notin. Atëherë nis dhe mendon me entuziazëm se mund t’ia dalësh e të kapësh bregun tjetër, të cilin nuk arrin ta shohësh dot kurrë në horizont.

Kur ke mësuar ca gjëra nga jeta dhe mbi të gjitha njeh përmasat e oqeanit dhe fuqinë e krahëve të tu, nis e bën kalkulime: shpejtësi notimi, dallgë, erë… Kjo është një arsye që i pengon shumë nga njerëzit me talent të brendshëm, që t’i futen sfidës. Ashtu siç ka dhe sfidantë të tjerë që guxojnë ta ndërmarrin aktin dhe pasi numrat në tabelën e shumëzimit duket sikur nuk e favorizojnë.

Rezarta Reçi u fut në botën letrare, por jo nga bregu. As nga cekëtina. Vetë emri i saj të thotë se ajo ishte prej kohësh mes dallgëve, të cilat ndonjëherë për shkak të furisë të humbasin orientimin.

Por pasditen e 3 nëntorit 2021 ajo i mblodhi miqtë e saj për të pirë me ta një gotë verë dhe për të lënë në dorën e tyre kontingjentin e parë të një romani, i cili sapo kishte dalë nga shtypshkronja. Dhe ndryshe nga libri që ke blerë në librari, të cilin e shfleton kur të mundesh, pasi ke marrë pjesë në një promovim, – ku për shkak të një entuziazmi miqësor të thuhen vetëm fjalë të mira, – ndjen detyrimin dhe grishjen gjithashtu që të nisësh faqen e parë të librit sa më shpejt.

Dhe në faqen e parë do të ndeshësh këtë përkushtim: “Kushtuar CA-së, i cili më pushtoi trupin por më çliroi mendjen dhe zemrën”.

“Rezarta është futur në territorin letrar dhe ne duhet ta pranojmë” – u shpreh një nga mikeshat e ngushta të Reçit, shkrimtarja dhe botuesja Flutura Açka, tanimë deputete.

Padyshim. Dhe është një libër i shkruar krejtësisht në celular, siç pohon autorja. Dhe kjo nuk ka kurrfarë rëndësie, sepse shumë kohë më parë, është shkruar në gur dhe sërish vepra ka mbërritur deri tek ne.

Në fakt Rezarta Reçi, e njohur më së shumti si gazetare, është futur në territorin letrar pa marrë vizë, pa prerë biletë dhe për më tepër pa arrogancë, por ashtu butësisht, si krejt natyra e saj, edhe pse trau i doganës formalisht mbante pozicionin pengues.

“Kolonë zanore” është një roman prodhuar nga “Skanderbeg Books” me 126 faqe e kapituj të shkurtër, gjë që të bën t’ia dalësh mbanë vetëm për disa orë leximi. Dhe pse saj të marrësh një mesazh: dashuria, si ndjenjë është leva e Arkimedit. Seksi si akt, i vjen në ndihmë. Si nënprodukt i të gjithës kësaj, – edhe pse është më e rëndësishmja, – është jeta.

Në ditë të vështira, – ku ethshëm je në ndeshjen e përhershme me emocionin për dominim, – lindin dhe vepra të çuditshme. Sepse pikërisht atëherë mendimi i sforcuar gjen shtegun për të kaluar gati në ekstazë të parakohshme, kur kupton se jeta është vënë në pikëpyetje, dhe dëshira për të jetuar e mposht dëshirën për t’u larguar nga kjo botë njëherë e përgjithmonë.

Jemi në një situatë të tillë, dhe Rezarta Reçi, si autore e një romani të çlirët, nuk e ka mbajtur të fshehur as problemin që e mundonte prej ca kohësh. Dhe shpesh, një mjek onkolog mbetet i pafuqishëm, përballë mjekut që pacienti ka ngritur me veten, dhe ka marrë përsipër që për hir të jetës të sfidojë barrierën që i pat vënë vetes dikur. Sepse mjeku më i mirë i vetes tënde – më shumë se sa bisturia, kimiot apo rrezet pa kobalt, – është trajtimi që do t’i bësh po vetes, në kushtet e reja.

Lexo edhe :  Një libër për sot, nesër dhe përtej…

Koha e dilemave tashmë ka kaluar bashkë me kulmin e muzës së krijimtarisë, e cila la nga pas një roman. Dhe si ke pritur me durim procesin botues vjen një ditë e shënuar, sepse libri duhet promovuar, prandaj pak verë dhe pak muzikë dhome do ta ngrohin më shumë atmosferën e miqve që vijnë për të uruar.

Kjo ka ndodhur me Rezarta Reçin, gazetare e prozatore me përvojë të gjatë, – me dy libra të botuar ca vite më parë, “Mëngjeset e Rezit” një përmbledhje statusesh e impresionesh ditore, dhe tjetra botuar nga “Albas” përmbledhje intervistash nën titullin “Në arrati me shpirtra që nuk shuhen” – por si romanciere është në debutimin e saj.

Krijimi i një libri, mbështetur nga asgjëja apo nga copëza jete të marra aty-këtu, është një terapi fort serioze dhe po aq jetëdhënëse. Ndaj në dritë doli “Kolonë zanore”.

Ndaj kur futesh në botën letrare, veç mirëseardhjes, do të ndeshesh edhe me kritikën. Sepse e zeza mbi të bardhë e tejkalon kohën e jetës njerëzore, e del përtej… në përjetësi.

“Flonja”, nis kapitulli i parë… “Mara”, nis kapitulli i dytë, “Shani”, nis kapitulli i tretë… Fate njerëzore të mbetura në udhëkryq derisa dalin nga vorbulla dhe marrin rrugën e tyre. Na shfaqet një botë intriguese ku aktorët hyjnë e dalin nga skena, për të krijuar mizanskenën e tyre.

Një mori personazhesh me historitë e tyre interesante, sipas mendimit tim kanë arritur të krijojnë një roman me integritet. Duket sikur “Kolonë zanore” është një letërsi rozë, ku dominojnë skenat emocionale dhe ato të seksit, por në fakt të gjitha personazhet kanë dritëhijet e tyre çka e bën fabulën në tërësinë e saj po aq dramatike. Në këtë roman, seksi, në fakt nuk është qëllim në vetvete, por pjesë përbërëse e së gjithës, ndaj si i tillë duhet të marrë vëmendje për aq sa vlen.

Rezarta Reçi nuk u shkëput nga radhët e gazetarisë për t’u futur në botën letrare. Ajo ka qenë përherë mes dy botëve, njërën të shfaqur dukshëm dhe tjetrën të mbuluar brishtësisht. Ndërkohë hyn tek lexuesit profesionistë, në tavolinën e së cilës do të gjesh në vazhdimësi të pashtershme libra të botuara jo më në kohë, por ata më të rinjtë. Në këtë mënyrë, ajo ka marrë informacionin e parë të mundshëm ndaj letërsisë botërore por dhe asaj shqiptare në veçanti. Madje mund të them se veç të tjerash tek Rezarta ka humbur dhe një kritike letrare, element të cilin ajo po aq sa dhe letërsinë e mban të presuar brenda vetes. Ndërkohë, na ka shpërfaqur tërësish dhe me të gjithë diapazonin e saj se brenda një titulli si “Arratia e peshkut të kuq” mund të mblidhte më shumë se 750 personalitete shqiptare të fushave të ndryshme të cilët i kanë besuar rrëfimin e jetës.

Ndaj nuk ishte ndonjë risi dalja e saj në botën e letërsisë shqipe. Kjo ishte një gjë që pritej, madje shumë më parë se kaq. Dhe jo pse ishte aq afër letrares duke hulumtuar mes shpirtrash njerëzorë si gazetare, por sepse letërsia ka qenë brenda saj shumë më herët, ndoshta e ndrydhur disi, me një nuancë që lëkundej nga pasiguria nëse duhet t’i futej me not oqeanit për të kapur bregun tjetër, apo ta mbyllte karrierën e saj si një gazetare mirëfilli.

Pasioni nuk e la të mbetej vetëm në kornizën e gazetares ku më së shumti njihej si: “Rezi e peshkut të kuq”. Ai tanimë i ka dhënë asaj një dimension të ri. Dhe me siguri, që nuk do të kalojë shumë kohë e do të mblidhemi sërish rreth një gote vere, për të marrë librin e ri të saj. Sepse ky që kemi në dorë, prej këtij çasti quhet: i vjetër.


Të fundit

Startojnë zgjedhjet e reja në PS, Rama: Arsyeja themelore për ta zhvilluar këtë proces…

Startojnë zgjedhjet e reja në strukturat e Partisë Socialiste. Kryeministri Edi Rama ka folur sot në takimin e Këshillit...

100 vjet më parë: Çekrezi dhe njohja e Shqipërisë nga SHBA

Nga Ilir Ikonomi Në fillim të vitit 1920, Kostandin Çekrezi nga Ziçishti, njeri i shkolluar në Harvard, nuk linte rast pa ndërhyrë pranë Departamentit të...

Një portë në Mars? Fotoja e roverit të NASA-s që po çmend rrjetin!

Nuk është hera e parë që imazhet nga Marsi ngjallin kureshtje të madhe, por një foto e realizuar këto ditë nga roveri Curiosity i...

Bombardimet ruse i marrin jetën 10 civilëve në Ukrainë

Bombardimet ruse në qytetin lindor të Ukrainës, Sievierodonetsk, kanë vrarë 10 civilë, sipas guvernatorit rajonal. Krahu lindor i Ukrainës është përballur me bombardime të vazhdueshme...

Covid në Shqipëri/ Ja sa raste të reja u regjistruan në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë: 453 testime, 6 qytetarë të infektuar, asnjë humbje jete dhe 78 të shëruar në 24 orët e fundit Ministria e Shëndetësisë i...

Lajme të tjera

Web TV