Projektbuxheti 2022/ Rriten pagat e ushtarakëve, fonde edhe për Emergjencat Civile

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi në komisionin e Sigurisë ka folur për rritjen e pagave të ushtarakëve me 30 %, duke përfshirë të gjithë kategoritë. Peleshi u ndal edhe tek investimi për mbrojtjen nga sulmet kibernetike

Ministria e Mbrojtjes ka “hapur thesin” për të rritur statusin financiar të ushtarakut. Ditën e djeshme ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi në komisionin e Sigurisë ka shpjeguar rritjen me 30% të pagës për të gjithë personelin e Forcave të armatosura, rritje që e konsideroi historike. “Kemi parashikuar rritje pre 30% të pagesës për të gjithë personelin e FA. Është një rritje e qenësishme, historike sepse nuk mbahet mend që kur ka patur një rritje kaq të madhe të pagës. Paga, duke filluar nga ushtari deri te gjenerali, bëhet e konsiderueshme e krahasueshme me pagën në vende të tjera të rajonit. Kjo do na bëjë më të motivuar për të gjitha aktivitetet që do të ndërmerren. Projektet kryesorë është edhe modernizimi i FA”, u shpreh Peleshi.

Sulmet kibernetike

Duke pranuar faktin se vendi ynë rrezikohet nga sulmet kibernetike, Peleshi u shpreh se po punohet për një projekt të përbashkët me SHBA me vlerë 18 mln euro për mbrojtjen nga këto sulme. Peleshi u shpreh se ka informacione që janë disa kompani private në vend që kanë rënë pre e sulmeve të tilla kibernetike dhe që kanë paguar gjoba deri në dhjetëra mijëra euro me kriptomonedha. Ai shtoi se do të jetë po Ministria e Mbrojtjes që do të bëjë politikat e mbrojtjes kibernetike kombëtare. “Ne mbase na duket sikur kjo është shumë futuriste, por e vërteta është që as unë nuk e dija ballafaqimin me sulme kibernetike që vendi ynë ka. Ne jemi ende modestë në mbrojtjen kibernetike, duke filluar nga privatë, por dhe institucionet shtetërore. Sulmet janë të përditshme. Ne kemi një projekt me SHBA që kap shifrën 18 mln euro, nuk është nga buxheti ynë, por projekt i përbashkët me zyrën e  bashkëpunimit për mbrojtje të SHBA. Do të do të ngremë njësinë ushtarake të mbrojtjes kibernetike”, tha Peleshi duke nënvizuar se ministria ka rekrutuar 6 punonjësit e parë, por sipas tij duhet t’i trefishojmë. “Jemi në sfidën si të rrisim kapacitete tona njerëzore, si të gjejmë ekspertë ndërkohë që tregu i kërkon shumë më shtrenjtë se niveli jonë i pagave. Kemi rënë dakord për bonuese të veçanta. Do bëjmë propozime për bonuse speciale që të jemi konkurrues me tregun. Ne na mungon një institucion që bën politikat e mbrojtjes kibernetike kombëtare. Kemi një agjenci, pro që nuk bën politika, certifikon standardet. Nga bisedat që kemi bërë me kryeministrin, po shqyrtojmë mundësinë që Ministria e Mbrojtjes të hartojë politika standarde të mbrojtjes kibernetike rregullore për të gjithë aktorët në vend, institucionet. Më pas një strukturë bën certifikimin e tyre”, tha Peleshi. Ai nënvizoi se janë disa kompani private që janë goditur dhe mbrojtja kibernetike është nevojë e të sotmes. “Kam marrë informacion edhe nga inteligjenca për disa kompani private që kanë paguar dhjetëra mijëra euro gjoba me kriptomonedha. Ne po mundohemi të bëjmë rolin tonë këtu.  Ne do të shkojmë 96% në realizim. Nuk është e kënaqshme për mua. Ajo që duam të përmirësojmë në vitin në vijim është që të mos buxhetojmë asnjë projekt të padetajuar. Tradicionalisht e kemi bërë gabimin që parashikojmë projekte të padetajuara”, the Peleshi.

Lexo edhe :  “E papranueshme”, BE zotohet të ndëshkojë vendet “jo bashkëpunuese” për migracionin

Emergjenca civile

Ministria e Mbrojtjes ka përcaktuar një fond prej 2.1 miliardë lekë për emergjencat civile. Kjo u bë me dije nga Ministri Niko Peleshi në Komisionin e Sigurisë, ku zhvilloi një seancë dëgjimore lidhur me projektligjin “Për buxhetin e vitit 2022”. Peleshi theksoi se 1.1 miliardë lekë do të shkojnë për bashkitë me kusht. Peleshi theksoi se në Ministrinë e Mbrojtjes do të ngrihet një komitet ku bashkitë do të aplikojnë me projekte dhe buxhetin do ta marrin ato projekte që do të fitojnë. “20 mln dollarë për emergjencat civile,2.1 mld lekë, që do të ndahet më shumë se gjysma 1.1 mld do të jetë transfertë e kushtëzuar për bashkitë. Sipas peshës specifikës që buxheti i çdo bashkie ka në totalin e buxhetit vendorë, do të ndahet edhe ky fond me formulë. Ky fond do të ndahet me formulë. Janë më shumë se 800 mln lekë për investime në fushën e mbrojtjes dhe  parandalimit të emergjencave civile. Do ngremë një komitet në Ministrinë e mbrojtjes, do i kërkojmë bashkive të aplikojnë me projekte dhe ato fituese do të marrin buxhein që do e përdorin vetë, duam ta decentralizojmë këtë fond. Mos i ngelen prokurimet Ministrisë së mbrojtjes, ne nuk bëjmë dot tender kanalesh, sforcohemi shumë nëse i bëjmë këto dhe ja japim bashkisë që ka edhe kapacitetet për ta bërë”, tha Peleshi.

Dëmi nga zjarret

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi pranoi se gatishmëria për të reaguar në situata ku Shqipëria rrëmbehet nga zjarret, sidomos në forcat ajrore, nuk është aty ku duhet. Në Komisionin e Sigurisë, ai u shpreh se megjithatë ka zjarre që kur marrin përmasa shumë të mëdha nuk i shuan dot as me ndërhyrje nga ajri e as nga toka, por i shuajnë vetëm reshjet e shiut. “Duhet ta pranojmë që s’jemi aty ku duhet për sa i përket gatishmërisë. Qoftë të mjeteve ajrore, detare dhe mirëmbajtjes. Nuk po e them për justifikim por nuk ka receta se cila është rruga më e mirë e mirëmbajtjes. Sot që flasim, kemi nivele jo të mirë të gatishmërisë sidomos në forcat ajrore, sepse disa nga kontratat e mirëmbajtjes nuk kanë performuar siç duhet. Nuk janë përgjigjur operatorët në kohë, disa nuk janë përgjigjur fare. Po tentojmë që ta delegojmë në struktura më të organizuara. Apo ta dërgojmë tek strukturat e NATO-s. Kemi nisur me një helikopter, ka ecur shumë mirë deri tani. Po përgatisim dy të tjerë t’i çojmë në NATO që t’i bëjnë ata prokurimet tona dhe jo ne. Kishin çmime goxha konkurruese sesa ato që kemi marrë vetë. Duam të punojmë edhe për të ngritur siç duhet kapacitetet e brendshme të mirëmbajtjes”, tha Peleshi.

 


Të fundit

Horoskopi ditor, e shtunë 28 janar 2023

Dashi Do të ketë një mënyrë për të qartësuar disa gjëra që ju mundojnë. Në punë mund të jeni surpriza...

Manchester City mposht Arsenalin dhe kalon në raundin tjetër të FA Cup

Goli i Nathan Ake vendosi sfidën Manchester City-Arsenal. Dueli i raundit të 1/16-ve në FA Cup, u mbyll 1-0 për skuadrën e Pep Guardiolës,...

Besnikë dhe të qëndrueshëm, me këto shenja do të keni një marrëdhënie perfekte

Personat që i përkasin shenjave të mëposhtme njihen si të qëndrueshëm dhe besnikë. Demi Askush nuk e vlerëson partnerin e tij më shumë se sa një...

Largimi i shqiptarëve, eksperti i punësimit tregon ‘çelësin’: Frenimi i emigracionit..

Në kushtet e largimit të fuqisë punëtore nga vendi, eksperti për çështjet e punësimit Erald Pashai, sugjeron rritjen e pagës mesatare në 850 euro...

Rrëfehet ish-e dashura e McGonigal: I gjeta në shtëpi çantë me para më tha se…

Charles McGonigal kishte një lidhje jashtë martesore, pa e ditur se ky raport do i kushtonte shumë! Duket se qenë Allison Guerriero, e dashura e...

Lajme të tjera

Web TV