“Amaneti i nënës sime që të mos e pranoja ish-shoqen e saj të Luftës, Nexhmije Hoxhën, nëse vinte për ngushëllim… “/ Kujtimet e panjohura të ish-gazetarit të Radio-Tiranës dhe ‘RD’-së

113 563 lexime

120,178FansaPëlqeje

Nga Bashkim Trenova

Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut.  Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e  regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al                          

                                                               “Armiqtë e popullit”

Me Arshin Xhezo në zyrë te Mihal Bisha, pse kisha kërkuar largimin nga «Zëri i popullit» !!

Në një moment mua m’u desh të zgjidhja, ose të shkoja sipas fyellit të tij të trishtueshëm ose të largohesha nga “Zëri i popullit”. Zgjodha të largohesha. Kisha dëgjuar se largimi vullnetar nga redaksia interpretohej edhe si largim nga pozicioni i luftës, nga llogorja, që të kishte besuar Partia, pra si njëlloj dezertimi. Për të shmangur këtë interpretim, që sigurisht do të ishte me pasoja të rënda për mua dhe familjen, mendova të them se dua të largohem “për arsye shëndetësore”, se ndjehem tepër i lodhur, se bëj një gjumë me ankthe.

Me 31 dhjetor të vitit 1983, pas mesdite, kryeredaktori, Arshin Xhezo, më thërret e më thotë se do të shkonim tek Mihal Bisha, drejtor i Drejtorisë së Kuadrit në Komitetin Qendror të Partisë. Nuk më tha asgjë se përse do të takoheshim me Mihal Bishën, as nëse ai vetë kishte biseduar diçka më parë me të.

Për Mihal Bishën kisha dëgjuar të flitej si për vulë mbajtësin e ferrit. Vetë nuk e kisha takuar kurrë më parë. Ai na priti në zyrën e tij, ftohtë. Ajo që të  binte në sy tek ky njeri, në portretin e tij, ishin gjyzlykët me xhama të trashë, që dëshmonin një miopi të theksuar. Dukej sikur pas tyre ai mundohej të fshihte ligësinë e shpirtit të tij. Mihali nuk e zgjati shumë, nuk kishte kohë për të humbur. Ai më kërkoi t’i shpjegoja se përse kisha kërkuar të largohesha nga “Zëri i popullit”. Pasi më dëgjoi, më pyeti: “Çfarë mjekimesh përdor”? Unë nuk dita si t’i përgjigjem, sepse as përdorja ndonjë mjekim dhe as kisha përdorur ndonjëherë ndonjë lloj mjekimi. Njohuritë e mia në lëmin e mjekimit ishin zero. Për t’i dhënë një përgjigje, i thashë se përdorja qetësues.

Nuk m’u duk se mbeti i kënaqur. Ndoshta priste diçka konkrete, që do të fliste për gjendjen time të rëndë psikike, për të më deklaruar më pas si të sëmurë psikik! “Oh, më tha, qetësues përdorim të gjithë”! Në vazhdim më tha se ishte menduar që unë të kaloja në punë në Radion e Jashtme, d.m.th. atje ku e kisha nisur punën si gazetar para 18 viteve, sërish si gazetar, si në ditën e parë të punës. “Atje do të jetë më lehtë”, më tha Mihal Bisha. Tetëmbëdhjetë vite punë, mijëra artikuj të transmetuar e të botuar, medalje e dekorata, asgjë nuk kishte më vlerë. Partia më tregoi se kush isha, më tregoi vendin, që meritoja! Unë nuk thashë: “Jam ushtar i Partisë”! Mihal Bishës i thashë atë, që mendoja: “Nuk më duket e drejtë që të rikthehem atje ku e kam nisur punën para 18 viteve. Unë nuk kam kërkuar të largohem nga “Zëri i popullit”, për të kaluar në një institucion tjetër propagande, por që të largohem nga shtypi në përgjithësi”!

Kështu u ndamë me Mihal Bishën. Arshin Xhezo nuk foli asnjë fjalë. Ndoshta nuk ishte nevoja sepse kishte folur më parë. Përgjithësisht njerëzit presin të dëgjojnë një lajm të gëzuar në pragun e Vitit të Ri. Mihal Bisha kishte shpejtuar për të kundërtën, ndoshta që edhe këtë festë të mos e kaloja gëzuar.

Unë vetë nuk isha i ndërgjegjshëm për atë që po gatuhej apo ishte gatuar. Krerët e Partisë dhe propaganda komuniste përdornin shpesh në atë kohë thënien e urtë popullore: “Ujët del i pastër nga burimi, por turbullohet rrugës”. Kjo fjalë e urtë përdorej për të treguar se Partia ishte gjithnjë e drejtë, se udhëheqja e saj ishte e pastër si ujët e burimit. Unë besoja në këtë të “vërtetë”. Nuk më shkonte kurrsesi ndër mend t’i referohesha një fjale tjetër të urtë popullore, sipas së cilës, “peshku qelbet nga koka”, pra edhe se vendimin për mua nuk e kishte marrë Mihal Bisha, ai vetëm transmetonte një vendim, që ishte marrë nga Sekretari i Komitetit Qendror për ideologjinë, në nomeklaturën e të cilit edhe isha.

Sofokli Lazri pengoi emërimin tim në Ministrinë e Jashtme!

Unë fillova të shoh mundësinë për punësim gjetkë. Në këto përçapje vura re se Partia nuk e kishte kapërdirë vendimin tim për t’u larguar nga “Zëri i popullit”. Ç’do propozim për të më punësuar, nga cilido institucion, kthehej pas. Me mua ishte vepruar kështu edhe më parë se të kërkoj largimin nga “Zëri i popullit”. Kujtoj këtu takimin me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Nesti Nase, i cili më kërkoi të filloja punë pranë kësaj Ministrie. Do të flas diçka më gjerë për këtë rast më pas. Tani mund të them vetëm se unë nuk fillova punë në këtë institucion. Më thanë se ishte Sofokli Lazri ose, siç quhej ndryshe, “eminenca gri” e diktatorit dhe pasuesit të tij ai që nuk kishte qenë dakord me emërimin tim pranë kësaj Ministrie.

Kështu u veprua edhe në një rast tjetër. Shoku im i vjetër Fatmir Kumbaro, që punonte në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste të drejtuar nga Nexhmije Hoxha, më pyeti një ditë nëse mua do të më pëlqente të punoja në këtë Institut. Bëhej fjalë për të punuar në Drejtorinë e tij, që merrej me luftën kundër revizionizmit modern, me të cilin atëhere identifikohej kryesisht udhëheqja sovjetike, ideologjia dhe politika e saj. Artikujt e mi të botuar në “Zëri i popullit”, në pjesën dërrmuese, ishin në këtë linjë. Unë botoja çdo javë dy artikuj, që godisnin në planin ndërkombëtar atë, që quhej atëhere si social-imperializmi sovjetik, dominimin dhe grabitjen e ish- kampit komunist nga Kremlini. Këto artikuj godisnin gjithashtu edhe ideologjinë dhe politikën shoviniste rusomadhe, pra diskriminimin dhe shtypjen e popujve jo rusë në republikat sovjetike, dekompozimin e shtetit dhe të pushtetit sovjetik, dezintegrimin e pashmangshëm të Bashkimit Sovjetik. Këto të fundit i shkruaja me kënaqësi, duke menduar se tërthorazi bëja një paralelizëm me Kosovën për të cilën, sikurse kam thënë, nuk mund të shkruanim. Duke menduar se, në thelb, edhe në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste, do të bëja të njëjtën punë, pranova edhe propozimin që më bëri Fatmiri.

Nexhmije Hoxha refuzoi kandidaturën time për në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste!

Në një mbledhje të Institutit, Fatmir Kumbaro paraqet kandidaturën time sipas bisedës që kishim zhvilluar së bashku . Sofokli Lazri shprehet kundër. I befasuar dhe i ndodhur në pozitën e pakëndshme të atij, që kërkon të sjellë në Komitetin Qendror dikënd të papërshtatshëm, Fatmiri kërkon që Sofokliu të spjegohet. Ky nuk ngurroi të flasë më konkretisht. Sipas Sofokli Lazrit, unë isha gazetar i mirë, por kisha dobësi në karakter. Dobësia ime, gjithnjë sipas tij, nuk ishte gjë tjetër veçse: “Ai ka dëshirë të shkojë jashtë”. Vetë Sofokliu kishte pranuar të njëjtën “dobësi” tek i vëllai, të cilin e kishte dërguar jashtë shtetit! Jashtë shtetit, ai kishte nisur edhe dhëndurët e tij. Po kështu ai kishte nisur apo do të niste edhe të birin me një bursë studimi njëvjeçare, madje qëndrimin e tij atje do ta zgjaste edhe për katër vjet të tjerë.

Pas Sofokliut kishte ndërhyrë edhe gruaja e diktatorit, duke e mbështetur atë. Ajo kishte thënë: “Ashtu është, sikurse thotë Sofo. Edhe mua nëna e Bashkimit më ka dërguar një letër ku kërkon të njëjtën gjë, të nxjerrim jashtë shtetit Bashkimin”. Të gjitha këto m’i ka treguar në atë kohë Fatmir Kumbaro, duke kërkuar që të mos i bëj fjalë me asnjë, ndryshe ai rrezikonte shumë. Unë, sekretin e Fatmirit i’a besova vetëm nënës time, Ismetes, e cila kishte qenë shoqe me Nexhmijen gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nëna më tha se nuk i ka shkruajtur ndonjë letër Nexhmije Hoxhës. Ajo më tha se kishte biseduar me të në një përvjetor të Konferencës së Pezës, e cila përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme në Lëvizjen Antifashiste në Shqipëri, në organizimin e luftës kundër pushtuesve. Nëna kishte përfituar nga rasti i të qenit pranë Nexhmije Hoxhës në tribunë dhe i ka kërkuar asaj që të bënte të mundur një udhëtim jashtë shtetit për mua.

Një udhëtim, qoftë edhe disa ditor, jashtë Shqipërisë në atë kohë ishte dëshirë e çdo shqiptari, por ai ishte njëkohësisht po aq i pamundur dhe i ëndërruar sa edhe një udhëtim në Hënë. Nëna u dëshpërua shumë nga ish shoqja e saj, që tani ishte në majat më të larta të pushtetit dhe e shihte edhe nënën time që nga lartësitë. Nuk do t’i harroj kurrë fjalët e saj, ndoshta edhe amanetin e saj. “Unë, më tha ajo, një herë të vetme i kërkova të më bënte një të mirë. Ajo jo vetëm që nuk ma bëri, por edhe më mori nëpër gojë. Unë, tha ajo, jam më e moshuar nga Nexhmija e do të vdes para saj. Nëse ajo vjen për ngushëllim në vdekjen time, ti mos e prano”!

Me të njëjtin qëndrim bllokues po ndeshesha edhe tani, pasi u miratua kërkesa për t’u larguar nga “Zëri i popullit.” Më parë m’u kërkua të propozoja zëvendësin tim. Unë propozova Shaban Muratin, gazetar i talentuar me të cilin kishim punuar së bashku dikur në Radion e Jashtme. Kandidatura e Shabanit u miratua. Ai erdhi në “Zëri i popullit” dhe filloi punë si shef i Sektorit të Jashtëm. Mua as më thonin se nuk isha më efektiv i kësaj gazete dhe as më hapnin rrugë për të nisur punë gjetkë. Kaluan kështu dy javë, të cilat në librezën time të punës figurojnë të pa zëna, pra sikur unë kam qenë i papunë. Në të vërtetë unë isha i papunë, më kishin ndërprerë marrëdhëniet financiare me “Zërin e popullit” më 31 dhjetor 1980, veçse kjo gjë nuk më ishte thënë. Vonë më është dashur dhe kam kërkuar një vërtetim edhe nga “Zëri i popullit” për vitet e mia të punës atje. Në këtë vërtetim të firmosur nga Zv/kryeredaktori Mehdi Koxhaj dhe shefja e administratës Drita, thuhet: “Shkëputet nga “Zëri i popullit” me datë 31.12.1983”.

Shabani vinte në zyrën time, që nuk ishte më e imja, por e tij dhe unë nuk e dija se duhet t’i dorëzoja menjëherë çelësat e zyrës, të lejoja atë të punonte në tavolinën “time” të punës! Shabani, sigurisht që nuk ndjehej mirë në këtë situatë, por nuk thoshte gjë. Ai ulej përballë meje në një nga kolltukët e zyrës. Qëndrimi i tij, shumë kohë më pas, më ka kujtuar një letër që ai më kishte dërguar më 7 shkurt 1970, pra rreth 14 vjet më parë, kur isha në kursin 3 mujor të oficerëve rezervistë në Berat. Në letrën e tij, midis të tjerave, Shabani më shkruante: “Mon cher ami…Në të vërtetë letrën desha ta filloja me një citat: “Mëshirë për atë që rrëzohet”. Në fund, Shabani përfundonte duke shkruajtur: “ …edhe atje në ushtri s’të kanë ardhur mentë dhe kërkon të mbetesh një sfidues”! Unë nuk e realizoja ato ditë se, në të vërtetë, po rrëshqisja me shpejtësi drejt një të panjohure, se Partia kishte vendosur ta mbyllte dosjen time duke më dhënë mua “sfiduesit” një mësim të mirë, për të mos e ngritur kurrë më kokën për gjithë jetën.

Lexo edhe :  13 maj 1917 - Portugali/ Zonja e Fatimas, mesazhi që u dha virgjëresha tre barinjve

Në këtë letër Shabani më shkruante gjithashtu: “Kisha nevojë për një bashkëbisedim me ty, shoku im, por nëse më ke njohur mirë, mua s’më pëlqejnë bashkëbisedimet në distancë”. Tani ishim fare pranë, njëri përballë tjetrit, njëri që do të zëvendësonte tjetrin dhe Shabani heshte ashtu si në shkurtin e vitit 1970. Ai kishte arsye. Ai nuk mund të më thonte: “Ik tani Bashkim, më ler vendin, që vetë ma propozove”! Këtë gjë duhet të ma kishte thënë Mihal Bisha, ndoshta edhe Drejtori i Shtypit në Komitetin Qendror të Partisë, Miti Tona, apo kryeredaktori Arshin Xhezo. Të gjithë heshtnin sikur unë të mos ekzistoja më për ta. Sidoqoftë, pasi kalojë java e parë e janarit të vitit 1984, meqë nuk po më transmetohej asgjë zyrtarisht se ç’do të bëhej me mua, nisa të interesohem vetë për të gjetur një zgjidhje.

Sofokli Lazri përsëri refuzoi që unë të shkoja te Bashkimet Profesionale, ATSH-ja dhe Radio-Tirana!

Fillimisht ishte Agim Popa, ish kryeredaktori i “Zërit të popullit” dhe në atë kohë drejtor në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Jashtë pranë Komitetit Qendror të Partisë, ai që më bëri një propozim. Agimi më tha se kishte biseduar me kryetarin e Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë, Sotir Koçollarin, për të më emëruar si shef i Marrëdhënieve me Jashtë të kësaj organizate. Unë dhashë pëlqimin tim, por kaq nuk ishte e mjaftueshme. Dosja ime ishte në Drejtorinë e Kuadrit të Komitetit Qendror të Partisë. Që unë të nisja punë gjetkë, do të duhej që ajo të kalonte aty ku unë do të filloja punë. Dosja ime nuk u përcoll në selinë e Bashkimeve Profesionale. Më pas mësova se pengesë ishte bërë sërish Sofokli Lazri.

Mua më kërkuan të filloja punë edhe në institucione të tjera. Kam përmendur dikund nga fillimi i këtyre kujtimeve edhe Qemal Lamen. Ai ishte kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme. Me të më kishte njohur shoku im, Lulzim Hana. Qemali më propozoi të punoja si shef i Kabinetit Shkencor të Hetuesisë së Përgjithshme. Ai bëri edhe kërkesën përkatëse, por përgjigjja nga Komiteti Qendror ishte negative. Pas Qemalit, më kërkoi Taqo Zoto, drejtor i Agjencisë Telegrafike të Lajmeve që të punoja si zëvendësdrejtor i kësaj Agjencie. Edhe në këtë rast kërkesa u bllokua në Komitetin Qendror të Partisë. Pas Taqos, do të ishte Napoleon Roshi, drejtor i Radios së Jashtme në Drejtorinë e Përgjithshme të Radio-Televizionit Shqiptar, ai që do të më propozonte për zëvendësdrejtor të Radios së Jashtme. Nga Komiteti Qendror përgjigjja ishte e njëjtë, negative. Gjithnjë më thonin se pengesë bëhej Sofokli Lazri.

Për çudinë time, një ditë më thërret në takim në Komitetin Qendror të Partisë drejtori i Drejtorisë së Shtypit, Miti Tona. Në fakt çudia nuk ishte takimi me të, por propozimi i tij. Miti Tona më tha se kishte biseduar për mua si për vëllanë e tij me Sofokli Lazrin. Ai i kishte propozuar Sofokliut, që unë të filloja punë në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare pranë Ministrisë së Jashtme. Sofokliu ishte drejtor i këtij Instituti, ndërsa zëvendësdrejtor, sikurse e kam përmendur, ishte Vladimir Prela, me të cilin kishim punuar bashkë në “Zëri i popullit”. Miti më tha se i njihte marrëdhëniet e mia me Sofokli Lazrin. Ai më tha gjithashtu se Sofokliu e kishte garantuar se unë nuk kisha përse të shqetësohesha, sepse, në fund të fundit, sikurse kishte thënë Sofo, ai shumë rrallë shkonte në Institut, “sa për të përshëndetur, si Ajatollah Komheini”. Duke parë ngurrimin tim, Miti nguli këmbë që të mendoja e të jepja përgjigje më pas, pra të mos merrja një vendim të nxituar. Kështu u ndamë bashkë. Të nesërmen e mora atë në telefon për t’i thënë: “Jam dakord të filloj punë në Institutin e Studimeve të Marrëdhënieve Ndërkombëtare”. Nga ana tjetër e telefonit, dëgjoj Miti Tonën të më thotë: “Do të hamë llokumin, po të bëhet”! Sikur nuk ishte ai që më bëri propozimin, pasi kishte biseduar me Sofon si për vëllanë e tij,  sikur nuk ishte ai që kishte marrë garancinë e duhur nga “Khomeini”!

Unë, para se të bisedoj me Mitin, bëra një takim të shkurtër me Vladimir Prelën. Atij i fola për propozimin, që më kishte bërë Miti Tona. “Po të më dëgjosh mua’, më tha Vladimiri, ‘si vëlla të them, të mos vish në Institut”. Njëri më propozonte si vëlla Institutin, ndërsa tjetri po si vëlla, më këshillonte të kundërtën! Sidoqoftë, Instituti u harrua. Nuk u kujtua më për të as Miti Tona dhe as kush tjetër. Luanin me nervat e mia dhe me të ardhmen time, kërkonin të më tregonin se unë, hiçi, kisha zemëruar zotat dhe se ata do të hakmerreshin.

                                                          I ARSHIVUAR

Thoma Murzaku më punësoi në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit!

Në mesin e janarit të vitit 1984, më në fund, fillova punë si Kryetar i Degës së Botimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. Ishte Thoma Murzaku, drejtor i kësaj Drejtorie dhe ish pedagogu im i Historisë së Ballkanit në Fakultetin Histori-Filologji, ai që më punësoi. Edhe Thoma Murzakut, fillimisht, nuk ia përcillnin dosjen time. Pa këtë dosje edhe ai nuk mund të më punësonte. Unë vazhdoja kështu i papunë, por me dosje në Drejtorinë e Kuadrit të Komitetit Qendror!

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit punonte edhe Reshat Alia, vëllai i madh i Ramiz Alisë. Reshati ishte një burrë i mirë, babaxhan, që donte të ndihmonte këdo që njihte dhe që i drejtohej për ndihmë, por që po kështu, edhe mund të dëmtonte jo pak. Thoma Murzaku e ka përdorur dhe keqpërdorur Reshatin, për të zgjidhur të gjitha problemet me të cilat ndeshej ai dhe institucioni, që drejtonte. Ai i tha Reshatit të bisedonte me të vëllanë për rastin tim. Reshati bisedoi me Ramiz Alinë i cili i ka thënë të vëllait: “Bashkimi do të shkojë aty ku don”. Përjashto Radion e Jashtme, unë kisha dashur të filloja punë në të gjitha ato institucione, që më kishin kërkuar para Arkivave të Shtetit dhe ku nuk më lejuan. I njëjti fat do të më kishte ndjekur, me siguri, edhe në këtë rast. Nëse nuk ndodhi kështu, kjo i kushtohet vetëm “pëshpëritësit”, pra vëllait të Ramiz Alisë, që i pëshpëriti atij kërkesën e Thoma Murzakut për mua. Në komunizëm flitej shumë për politikën e drejtë të kuadrit sipas meritave dhe vlerave të secilit. Në praktikë një bisedë “familjare”, apo diçka e ngjashme, ishte shumë më efikase dhe kishte më shumë vlerë se çdo gjë tjetër.

Për Arkivin e Shtetit nuk kisha dëgjuar shumë. Njohuritë e mia për këtë institucion ishin pothuajse zero. Kisha punuar aty disa ditë në vitin 1966. Në vitin e fundit të studimeve, përgatita si tezë diplome “Pikëpamjet dhe lufta politike për ruajtjen e pavarësisë dhe tërësisë tokësore në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare 1919-1920”. Për këtë qëllim, bëra kërkime edhe në disa fonde në Arkivin Qendror të Shtetit. Për mua ky institucion përfaqësonte një mister tërheqës, që fshihte shumë të vërteta e të gënjeshtërta. E vërteta dhe e gënjeshtërta ruhej aty edhe për themeluesin dhe drejtorin e  parë  të Arkivit Qendror të Shtetit, Zef Malaj i dënuar nga diktatura.

Për Zef Malajn, dija diçka nga leximi i  “Historisë së Partisë Komuniste të Shqipërisë”. Në këtë botim, si edhe në mësimin e kësaj historie në shkollë e në Universitet, Zef Malaj paraqitej si kryetar i Grupit Komunist të Shkodrës, i pari grup komunist në Shqipëri, por edhe si një element trockist.

Më vonë kam mësuar se Zef Malaj ishte një intelektual, që kishte kryer studimet në Austri, se ai ishte më tepër një social-demokrat, sesa një komunist i tipit bolshevik. Ai u burgos nga regjimi monarkist në Shqipëri, nga pushtuesit italianë, që e internuan në ishullin e Ventotenes dhe pastaj, dy herë nga ai që quhej pushtet popullor, pra nga diktatura komuniste, në vitet 1945 dhe 1973. Kur u burgos për herë të dytë, për të shpëtuar familjen, Zef Malaj bëri ndarjen formale nga gruaja dhe fëmijët e tij.

Kohët e fundit kam mësuar se drejtori i parë i Arkivave të Shtetit Shqiptar, ishte rrezikuar të eliminohej që gjatë viteve të luftës nga vetë Enver Hoxha. Për ironi të historisë, ekzistojnë dokumente në vetë Arkivin Qendror të Shtetit, që themeloi Zef Malaj, të cilat dëshmojnë se si Enver Hoxha, ka urdhëruar: “Zef Malaj …duhet të dekorohet me një plumb kresë. Ai s’është i mirë, prandaj duhet të zhduket. Gjeni mënyrën që të mos kuptohet, por që në asnjë mënyrë të mos lihet pas dore”. Diktatori, me mënyra të denja për klanet mafioze, i zhduku faktikisht të gjithë kryetarët e grupeve komuniste që kishin ekzistuar në Shqipëri para formimit të Partisë Komuniste. Atij nuk duhet t’i bënte “hije” askush. Historia e komunizmit në Shqipëri, duhej të lidhej vetëm me emrin e tij, pushteti dhe lavdia duhet t’i përkisnin vetëm atij.

Në Arkivin e Shtetit në vitin 2007 për të dhuruar partiturat e Festivalit të XI-të!

Zef Malaj vdiq i verbuar në qelitë e komunizmit në vitin 1979. Familjes ju fsheh edhe varri i tij. Sikurse ka dëshmuar një nip i tij, ky varr u zbulua rastësisht vitet e fundit nga një kalimtar. Për herë të parë u “njoha” me Zef Malajn në vitin 2007 në një vizitë që bëra në Arkivin e Shtetit. Në të vërtetë kisha shkuar atje për t’i dhuruar këtij Arkivi 20 partitura origjinale me tekstet përkatëse të këngëve, që u interpretuan në Festivalin e XI të Këngës në Radio Televizion. I kisha siguruar ato gjatë kohës që punoja në Radio Tirana dhe i kisha ruajtur me mjaft kujdes, të fshehura nga çdo shikim kureshtar. E dija se ç’rrezikoja po të më gjendeshin në shtëpi këto partitura në kohën e diktaturës. Në Arkivin e Shtetit takova me Vera Doden. E mbaja mend këtë grua të mirë, punëtore e heshtur, gjithnjë e shqetësuar se mos diçka nuk do të ishte në rregull. Tani ishte thinjur paksa. Vera vazhdonte të ishte kryetare e Degës së Shfrytëzimit, ndoshta edhe për pak kohë se pensioni po i afrohej. Pasi i dhashë asaj partiturat me muzikën e këngëve të Festivalit të XI, Vera më propozoi një “shëtitje” të shkurtër në ambientet e institucionit. Në godinën qendrore, në muret e hollit në katin e dytë, ishin ekspozuar fotot e të gjithë drejtorëve të Arkivit të Shtetit. Në krye të tyre ishte fotografia e Zef Malajt. Pranë tij ishte ajo e Spiro Rushës. Edhe ky i goditur nga diktatura.

Me Spiro Rushën jam takuar në fillimet e Lëvizjes Demokratike në Shqipëri. Para takimit më kishte dërguar një letër ku më porosiste si “birin tim”, që të kisha kujdes nga hakmarrja apo ndëshkimi komunist. Një ditë erdhi vetë e më takoi gjithë gëzim në redaksinë e gazetës “Rilindja Demokratike”, thjesht për të më njohur. Ishte disi i moshuar, por jo i rënë, kishte ende mjaft energji dhe entuziazëm.

Emërin e Spiro Rushës, gjatë diktaturës, isha mësuar ta dëgjoja pas çdo transmetimi që i bëhej vendimit të Këshillit të Ministrave në Radio Televizionin Shqiptar. Në fund të çdo vendimi, lexohej edhe firma e kryeministrit Mehmet Shehu si  edhe e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Spiro Rusho. Nuk e di se në cilin vit ka kaluar ai si drejtor i Arkivit të Shtetit. Gjatë viteve të mia të punës në këtë institucion, kam dëgjuar të përmendej nga punonjësit si një drejtor “i ashpër, por i drejtë”!

Më mirë nga Spiron kam njohur tri vajzat e tij. Në vitet e gjimnazit kam qenë në një klasë me Donika Rushon, vajza e madhe e Spiros. Ajo ishte nga nxënëset e shkëlqyeshme të gjimnazit. Studimet e larta i vazhdoi në Kinë. Nuk më duket se i shërbyen ndonjëherë këto studime. Në gjimnaz ne studionim, përveç rusishtes, edhe gjuhën gjermane. Donika ishte e tërhequr pas saj. Pas përmbysjes së komunizmit e kam takuar atë në Ambasadën Gjermane, ku punonte si përkthyese. / Memorie.al


Të fundit

Nju Jork: Përurohet rruga “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”

Me vendim të Bashkisë së Nju Jorkut, një rruge në lagjen Bronks iu shtua edhe emri i heroit kombëtar...

U plagos në lokalin e Noizyt, Ardit Kërtusha: Atentati do kryhej nga vr*sës me pagesë

Zbardhet dëshmia e Ardit Kërtushës. Burimet bëjnë me dije se Kërtusha mohon që ngjarja të ketë ndodhur për motive banale apo konflikt të çastit...

“Kemi mbetur pa lidership në nivel lokal”/ Rama: Procesi duhet të përfundojë në vjeshtë

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur në takimin e Këshillit koordinues të qarkut Tiranë, takim i mbajtur në kuadër të zgjedhjes së strukturave...

Borrell: Duhet të hapim negociatat me Shqipërinë para përfundimit të presidencës franceze

Përfaqësuesi i Lartë i BE, Josep Borrell ka bërë një deklaratë për mediat pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së ku ka kërkuar...

Demokrati nga Kukësi i shpreh dashurinë Berishës: Të kam në zemër, me ty deri në vdekje

Gjatë takimit të Berishës në Kukës, njëri prej mbështetësve të tij i ka shprehur dashurinë. Ai i tha Berishës se atë e thërrasin Muharrem...

Lajme të tjera

Web TV