Si ti njohim dhe të mbrohemi nga mashtruesit financiarë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Adrian Civici

Historia e mashtrimeve financiare na mëson se shkaku kryesor i rënies viktimë e tyre është edhe mungesa e njohurive bazë në sferën financiare e monetare. Sot, të gjithë ne, më shumë se kurrë, jemi nën rrezikun e mashtrimeve financiare gjithnjë e më të sofistikuara, për mbrojtjen ndaj të cilave, kërkohet dhe një njohje sa më e gjerë dhe sa më e plotë e këtyre mënyrave apo skemave, fillimisht mjaft joshëse, por në thelb, mashtruese e shkatërruese, sidomos për naivët apo të pa informuarit.

Në historinë tonë moderne, ATA, të cilësuarit si “mashtrues të mëdhenj financiarë” janë me qindra e ndoshta me mijëra. Çdo kohë dhe çdo vend ka “përfaqësuesit” e tij të shquar e më pak të shquar. Në llojin dhe mjetet që kanë përdorur për arritjen e qëllimeve të tyre në jo pak raste janë cilësuar edhe si “mendje të ndritura” apo “gjeni të mashtrimit”.

Më shumë se kushdo kanë ditur të kuptojnë dobësitë e njerëzve përballë parave dhe dëshirës për fitime të shpejta e të lehta, përballë mungesës së kulturës monetare e financiare të shumë njerëzve, kanë qenë në gjendje ti dredhojnë ligjeve dhe institucioneve, të joshin politikën dhe median, të sillen si menaxherë të vërtetë por me “zemër të madhe” për të “ndihmuar” të varfrit dhe njerëzit në nevojë.

Por, mashtruesit financiarë, dhe jo vetëm, në mjaft raste janë dhe karaktere të vështira, me komplekse të shumta sociale e psikologjike e drama nga fëmijëri të vështira të kaluar në varfëri e me prindër të dhunshëm, çka i detyron ta urrejnë shoqërinë, sidomos atë kapitaliste, të urrejnë të pasurit dhe personazhet VIP, ti japin vetes atributet e “Robin Hood-it” dhe “mbështetësit e të varfërve dhe njerëzve të thjeshtë të popullit”.

Dhe, megjithëse shumica dërrmuese e tyre, njëri pas tjetrit kanë përfunduar në burg apo janë shkatëruar në gjithçka që zotëronin, megjithëse me qindra mijëra apo me dhjetëra miliona

njerëz kanë humbur gjithçka si pasojë e mashtrimeve të tyre, megjithëse mjaft ligje e institucione janë reformuar për të mos lejuar më shfaqjen e tyre, përsëri ata vazhdojnë të rishfaqen.

Historia dhe “vepra” e tyre dëshmon se miopia njerëzore ndaj iluzioneve monetare për pasurim të lehtë e të shpejtë vazhdon të jetë e lartë, se mjafton që dikush të ofrojë në mënyra nga më të çuditshmet mundësinë apo shansin për fitime marramendëse por të lehta në dukje, dhe menjëherë mijëra e miliona njerëz vrapojnë ti besojnë atij paratë, ëndrrat dhe shpresat e tyre.

Megjithëse lista e “mashtruesve të mëdhenj” të konsideruar si “gjenialë” në llojin e tyre është shumë e gjatë, përsëri të krijon përshtypjen e një historie pa mbarim, e një historie që duket sikur askush nuk do ta mësojë apo të mësojë prej saj….! Gjithmonë gjenden njerëz të gatshëm për t’u bërë pjesë e këtyre skemave. Joshja për të fituar sa më shumë dollarë, sa më shpejt dhe në mënyrë të sigurtë është mikrob që gjendet në mendjen e çdo njeriu.

Natyrisht, mashtrimet dhe mashtruesit financiarë nuk janë një shpikje bashkëkohore, por, referuar mësimeve e leksioneve të historisë, rezulton se ato kanë lindur bashkë me njeriun, me egoizmin dhe etjen e tij për para e fitime, duke qenë bashkëshoqëruese e rrugëtimit të gjatë historik të tij. E veçanta qëndron në faktin, se gjatë shekujve XIX-të, XX-të dhe në këto dy dekada të shek.XXI-të, si pasojë e zhvillimeve të mëdha e të sofistikuara në tregjet financiare e monetare, mashtrimet financiare janë bërë shumë më të sofistikuara.

Lindja dhe zhvillimi i kapitalizmit e ka bërë më të mundshme dhe më të lehtë pasurimin e shpejtë, përfshirë këtu dhe vjedhjen dhe pasurimin e pandershëm, atë nëpërmjet mashtrimeve financiare të të gjitha llojeve. Veçanërisht, gjatë dy shekujve të fundit, “mendjet djallëzore” kanë kërkuar e gjetur metoda e forma të shumta për t’ju shmangur mekanizmave të kontrollit e transparencës së institucioneve e strukturave përkatëse mbikëqyrëse.

Vetë tregjet monetare e financiare janë përballur e vazhdojnë të përballen me mashtrime të shumta, efektet negative të të cilave shkojnë deri në destabilizim të tregjeve financiare, falimentime bankare, cenim të arritjeve të shtetit social, humbje masive të investimeve e kursimeve për individë e kompani të ndryshme, rënie në recesion e depresion ekonomik, etj.

Shekulli XXI-të, i identifikuar tashmë si “shekulli i ekonomisë së re, i dixhitalizimit masiv dhe globalizimit pa limit”, e ka shtuar ndjeshëm rrezikun e mashtrimeve financiare që mbështeten në teknologjitë e reja të komunikimit, në teknologjinë që mundëson sistemin e kriptomonedhave, në lindjen dhe përhapjen e bankave të reja të së ardhmes, etj, etj.

Mashtruesit financiarë janë bërë “shumë të aftë nga pikëpamja teknologjike dhe shfrytëzimi i çdo mangësie ligjore e institucionale, por dhe i çdo dobësie njerëzore përballë parasë së fituar lehtë dhe pa asnjë mundim e punë.

Qëllimi i këtij libri nuk është rendja ndaj “shkëlqimit” apo “gjenialitetit” të këtyre personazheve e skemave të tyre, as thjesht kurioziteti për të evidentuar individë e histori të këndshme mashtrimi e suksesi financiar. Synimi kryesor i tij është rritja e edukimit dhe njohurive financiare e monetare, e ndërgjegjësimit të gjithkujt kundrejt ofertave joshëse e përfshirjes në skema të ndryshme mashtruese financiare.

Nëpërmjet analizës së personazheve të “shquar” në artin e mashtrimeve financiare dhe mbi të gjitha, metodave e skemave mjaft të sofistikuara të përdorur nga ana e tyre, gjithkush, pas shuarjes së kuriozitetit për jetën dhe “veprën e këtyre gjenive të mashtrimit” dhe leximit të këtyre historive interesante, ndjehet më i informuar dhe reflekton më thellësisht përpara se të joshet e përfshihet në “histori me pasurim të shpejtë e të sigurtë brenda një kohe të shkurtër, me pasurim pa asnjë mundim e përpjekje” që duket sikur janë dhuratë e Zotit, vullnet i mirë i disa individëve që mendojnë ditë e natë se si të ndihmojnë të tjerët të bëhen të pasur… apo, akoma më shumë, si shpërblim i gjenialitetit dhe fatit që mjaft individë apo biznese i atribuojnë vetes.

Mashtrimi” në përgjithësi, por dhe ai financiar në veçanti, i kanë rrënjët që në kohët e largëta. Gjatë shekujve të shumtë, deri në ditët tona, ai ka evoluar, është rigjeneruar, është veshur në mënyrë gjithnjë e më të rafinuar, është maskuar gjithnjë e më mirë, ka ndërtuar sisteme e skema më inteligjente, ka shfrytëzuar çdo mjet e dobësi të ligjit apo të shoqërisë.

Koncepti “mashtrim” mund të shpjegohet apo përkufizohet bazuar në tri elementë: si “akt apo veprim për të përfituar padrejtësisht në kurriz të të tjerëve”; si “akt apo veprim në shpërdorim të besimit të tjetrit”; si “akt a veprim që shkel apo shmang ligjin dhe rregullat institucionale”.

Lindja e mashtrimeve financiare në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, është e lidhur me vetë lindjen e ekonomisë. Që në momentin kur njerëzit filluan të këmbejnë produkte të ndryshme ndërmjet tyre, kur filluan të përdorin paranë apo të krijonin të ardhura e pasuri, disave prej tyre — individë, tregtarë apo dhe mbretër — ju lindi ideja apo ju veproi instikti, që ta bëjnë këtë gjë në mënyrë jo etike, ilegale, vetëm sipas interesave të tyre, dhe në dëm të të tjerëve.

Historia e lashtësisë njeh shumë shembuj të mashtrimeve financiare nga më të larmishmet. Këtu mund të përmendim rastet e mbretit të Sirakuzës me artizanin dhe argjendarin Gerone në shek III-II-të para erës sonë, kur ky i fundit e mashtroi sovranin me çmimin e prodhimit të kurorës mbretërore, duke e përzier arin me metale të tjera pa vlerë; rastet e shumta të lundërtarëve dhe tregtarëve të grurit dhe vajit të ullirit në Greqinë e lashtë, të cilët mashtronin huadhënësit dhe blerësit në kuadrin e të ashtuquajturave “mashtrime ushqimore”; “shitja” në ankand nga dy senatorë romakë e Perandorisë Romake bashkë me postin e perandorit Pertinax në vitin 193 para erës sonë për një shumë ekuivalente me 1 miliard euro të sotme; mashtrimet me peshën dhe përmbajtjen e metaleve të çmuara në monedhat e lashta në momentet kur monedha u bë instrument për matjen e vlerës apo instrumenti kryesor në dhënien e huave; në Bibël ka plot shembuj për njerëz që falsifikonin peshën e grurit dhe çmimin e tij; Plini, i vjetri, në veprën e tij Naturalis historia, tregon se si tregtarët i zbukuronin kafshët dhe ushqimet që të mashtronin blerësit për cilësitë e tyre dhe ti shisnin më shtrenjtë.

Mbas shek.VII-të, me përhapjen e kulturës arabe u zhvillua një “kulturë” evidente mashtrimesh. Fillimisht, në botën arabe, ishte Kalifi ai që kujdesej për kontrollin dhe respektimin e rregullave dhe legalitetit, por në një moment të dytë, duke filluar nga shek.VIII-të, u krijua “hisbah”, një polici lokale që duhet të mbikëqyrte dhe garantonte “një tregti të ndershme në treg… që duhet të zbulonte dhe pengonte mashtrimet e çdo lloji… që duhet ti ndëshkonte ato”. Në atë periudhë, mashtrimet me paranë, tregtimin e produkteve të ndryshme, huatë, etj., ishin mjaft të përhapura.

E drejta për të prodhuar e hedhur para në qarkullim në mjaft raste u keqpërdor nga mbretër të ndryshëm. I tillë është rasti i mbretit të Anglisë së shek.XVI-të që solli si pasojë krizën e madhe monetare të vitit 1550. Në periudhën e mbretërimit në Angli të Henry VIII-të dhe Edouard VI-të, në tentativë për të paguar shpenzimet publike kolosale, borxhet e familjes mbretërore, mbajtjen dhe luksin e oborrit mbretëror, luftërat e ndryshme, etj., u prodhuan me shumicë monedha që përmbanin më pak ar dhe argjent se sa mashtruesit financiarë: nga ponzi… te madoff, ishte vlera e stampuar apo e pretenduar e tyre.

Këtë avantazh financiar që krijohej si diferencë ndërmjet vlerës nominale dhe asaj reale të monedhave, kurora mbretërore e përfitonte si të ardhur neto të pastër, thjesht sepse kishte monopolin e prerjes së parave. Aq shumë u avancua në këtë drejtim, sa në vitin 1542, vlera reale e monedhave angleze ishte vetëm 75% e asaj reale. Në vitin 1545, kjo vlerë zbriti në 50%, ndërkohë që në vitin 1550 ra në 25% të vlerës reale.

Tregtarët nuk pranonin më të pagueshin me monedha angleze duke krijuar një kaos të madh në treg, çmimet u rritën 2-3 herë brenda pak viteve, njerëzit filluan ti refuzonin masivisht ato dhe të revoltoheshin kur paguheshin me këto monedha, ushtria, sidomos trupat mercenare kërkonin vazhdimisht rritje pagash për të kompensuar vlerën reale të të ardhurave të tyre, kurora mbretërore filloi ta kishte gjithnjë e më të vështirë për të paguar borxhet dhe realizuar funksionimin normal të saj pasi refuzimet për të pranuar monedhën angleze po rriteshin jo vetëm në Angli, por në tërë Evropën. I gjithë vendi po shkonte drejt paralizimit financiar e monetar.

Por, “shkëlqimin e tyre të madh”, mashtrimet financiare e njohën në epokën e revolucioneve industriale. Rasti i parë serioz në kuadër të mashtrimeve financiare u shfaq në vitin 1720, në skandalin me vlerën e aksioneve të South Sea Company (Kompania e Detrave të Jugut), ku brenda një muaji ndodhën me mijëra falimentime, sidomos tek ata që i kishin blerë aksionet me kredi, duke bërë kështu që kriza të përhapej menjëherë dhe tek bankat të cilat kishin dhënë kredi duke pranuar si garanci aksionet e kompanisë.

Lexo edhe :  Çfarë ndikimi ka kafeja e zezë (turke) në shëndetin tonë

Në grupin e dhjetëra mijëra njerëzve që humbën pothuajse gjithçka nga pasuria e tyre ishin dhe mjaft anëtarë të qeverisë angleze, bankierë, lordë, tregtarë të mëdhenj, argjendarë e artizanë, industrialistë, etj. Ndër personalitetet që pësuan humbje marramendëse ishte dhe Isaac Newton-i i cili pak më vonë do të deklaronte se: Unë mund të parashikoj lëvizjen e trupave qiellorë, por jo çmendurinë e njerëzve përballë parasë.

Në të njëjtën situatë katastrofike u gjend dhe shkrimtari i njohur Jonathan Swift i cili kishte investuar të gjitha paratë e tij në këtë kompani. Menjëherë pas shembjes së bursës së Londrës ai shkroi poemën e famshme Flluska, në të cilën krahason ndryshimin e menjëhershëm të kursit të aksioneve me Ikarosin, personazhin e mitologjisë greke që kërkoi të fluturonte me krahë letre. Për Swift-in, çdo fitim i shpresuar me logjikën e aksioneve të Kompanisë së Detrave të Jugut ngjante tërësisht me personazhin mitologjik Ikaros, skllavin nga Creta që vdiq pasi kishte bërë një vjedhje shumë afër diellit megjithëse kishte krahë dhe mund të fluturonte, që u shkatërua nga utopia e tij e pamundur.

Ky episod i shërbeu Swift-it për të kritikuar rëndë shoqërinë britanike dhe etjen e saj të shfrenuar për fitime të menjëhershme e të lehta. Nëpërmjet një metafore mjaft të gjetur, në librin e tij Udhëtimet e Guliverit të shkruar në vitin 1721, rritja e vlerës së aksioneve të Kompanisë së Detrave të Jugut dhe shkatërrimi i saj u pasqyrua si zmadhim i tejskajshëm apo gjigantizëm i personazhit të tij kryesor Guliverit, dhe më pas minimizimi ekstrem i tij në mbretërinë e liliputëve.

Në vitin 1860, Britania e Madhe u bë vendi i parë që nxori një ligj të veçantë për mashtrimet ushqimore e financiare; në Francë, Emil Zola, në vitin 1873, i dedikoi një libër të veçantë problematikës së mashtrimeve të të gjitha llojeve; në fillim të shek.XX-të, mashtrimet “fituan të drejtën e qytetarisë” duke u konsideruar si bashkudhëtare të pashmangshëm të kapitalizmit dhe kohëve moderne. Në mënyrë të veçantë, në vitet 1900, u aplikua e “famshmja skemë piramidale Ponzi”, emigrantit italian në SHBA që mashtroi me mijëra njerëz, variante të pafundme, mjaft të sofistikuara e të larmishme të së cilës vazhdojnë pa mbarim deri në ditët e sotme.

Gjatë shek.XX-të, skandalet dhe mashtrimet financiare “u bënë një gjë e zakonshme” në jetën e përditshme duke prekur rëndë jo vetëm individët, por veçanërisht, tregjet financiare e monetare, bursat, kompanitë e mëdha, bankat dhe shoqëritë e sigurimeve, fondet e pensioneve, fondet e investimeve, etj.

Historitë me mashtrues në këtë periudhë janë të shumta: e famshmja “Tereza bukuroshe” që mashtroi Parisin dhe Francën me një trashëgimi miliona dollarësh të imagjinuar; Gregor MacGregor që shiti një principatë imagjinare për 4.6 miliard dollarë; Marthe Hanau, bankierja e “viteve të çmendura”; Victor Lustig, mashtruesi që shiti Kullën Eiffel; George C. Parker, shitësi i Brooklyn Bridge; Arthur Ferguson, aktori komik “tregtar” i monumenteve më të rëndësishme të Londrës, New York-ut dhe Washington-it; William Miller, i cilësuar si “Mister 520 %”; Ivar Kreuger, mbreti i shkrepëseve i cilësuar si “Leonardo Da Vinci i artit të mashtrimit”; Oscar Hartzell, “Trashëgimtari” i imagjinuar i pasurisë së piratit të famshëm Frances Drake; “Çështja Stavisky”, skandali i jashtëzakonshëm financiar që tronditi Francën; etj.

Në vitet 80-të të shek.XX-të, veçanërisht vendet e zhvilluara, njohën një “shpërthim të kulturës financiare”, të “etheve për t’u bërë të pasur, shpejt dhe në mënyrë të sigurtë, nëpërmjet tregjeve financiare, bursave e Wall Street-it”.

Një gjeneratë e re financierësh ambiciozë u shfaq në tregjet financiare, bankare e monetare si “sfidues të risqeve në botën e financës dhe pasurimit … si mjeshtër me jaka të bardha të pasurimit të shpejtë”, të famshmit “golden boy”, milionerët e rinj të Wall Street-it. Në vitin 1983, regjisori Oliver Stone xhiroi filmin e famshëm Wall Street, në qendër të të cilit ishte një broker me emrin Gordon Gekko, një personazh i paskrupullt, i gatshëm për çdo lloj mashtrimi e abuzimi në emër të fitimit, simbol i mashtruesit financiar.

Shumë nga mashtruesit e mëdhenj financiarë të këtyre 40 viteve të fundit kanë deklaruar se “janë frymëzuar dhe kanë pasur si idhull të tyre, pikërisht Gordon Gekko-n”: “Çdo gjë harrohet apo justifikohet … mjafton që të fitosh para”.

Në fillim të viteve 2000, në momentin e shpërthimit të flluskës së New Economy u konstatua një rritje e jashtëzakonshme e mashtrimeve financiare, një lulëzim i paparë i skemave Ponzi tashmë të “modernizuara e sofistikuara”; lulëzimi i skemave mashtruese në ekonomitë emergjente si Kina, Rusia, Brazili, India, Afrika e Jugut, etj.; aplikimi në shkallë globale i të ashtuquajturit “mashtrimi nigerian” me zanafillë vende si Nigeria, Senegali, etj.,; e njëjta tablo u verifikua dhe në vitet e krizës globale financiare të viteve 2008-2018 që kulmoi me “mashtrimin Madoff me një vlerë prej 65 miliard dollarësh”.

Një vend të rëndësishëm në problematikën e mashtrimeve financiare zënë dhe mashtrimet e “sofistikuara” me kriptomonedhat dhe platformat e ndryshme që funksionojnë apo serviren me mjeshtëri si zgjidhje magjike që të “pasuron pa asnjë mundim”, të tilla si platforma MtGox, One Coin, BitConnect, Token Plus, Centra Tech, Quadriga CX, Pincoin dhe Ifan, Plexcoin, BitClub, Thodex, etj.

Kriza e shkaktuar nga Covid-19, pothujase në të gjithë vendet e botës, u shoqërua gjithashtu me lindjen dhe përhapjen e një kategorie të re mashtruesish financiarë të lidhur ngushtë me tregtinë e medikamenteve, vaksinave, shërbimeve mjekësore, sigurimin ndaj sëmundjeve, etj.

Karakteri dhe psikologjia e mashtruesve financiarë

Historitë e mashtrimeve financiare janë sa të ndryshme aq dhe të përbashkëta ndërmjet tyre. Leksioni i parë që duhet të mësojmë mashtruesit financiarë prej tyre është se “paratë e lehta, sidomos ato që fitohen me mashtrim, nuk të sjellin asnjëherë lumturinë”.

Nga eksperienca dhe jeta e mashtruesve financiarë kuptojmë se kërkimi me çdo kusht e mjet i pasurisë nuk mund ta tejkalojë ndërgjegjen tonë, nuk duhet të shkojë përtej nevojave egoiste

megalomane … por duhet të marrë në konsideratë disa limite.

Mashtruesit financiarë kanë probleme të rënda ekuilibri mendor e karakterial brenda tyre. Nuk e njohin apo pranojnë ”etikën dhe ndershmërinë si virtyte morale dhe praktikë e të jetuarit”. Mos më thoni që një mashtrues jeton një jetë të qetë e normale!

Çfarë i dallon ata nga njëri-tjetri?

Një kategori e tyre janë produkt i epokës kur jetojnë dhe “sektorit ku janë të specializuar”. Përtej “gjenialitetit” të tyre, disa nga ata bëjnë pjesë në të ashtuquajturit “mashtrues turmash të mëdha”, me lidhje të forta me kriminelë, mafiozë ordinerë që krijojnë një rrjet lidhjesh korruptive me politikanë e policë, pra janë efikasë por të pa rafinuar.

Një grup tjetër mashtruesish janë ata të tipit “Ponzi apo Ujku i Wall Street-it” që punojnë me filozofinë “Fake it until it’s real!”!

Ata kamuflohen mirë dhe e çojnë mashtrimin deri në fund. Strategjia e tyre bazohet tek improvizimi dhe shpresa që sistemi i tyre do vazhdojë gjatë dhe gjërat do sistemohen vetvetiu. Ata bindin veten dhe shfaqen në publik si guru, si njerëz të kulturuar e të talentuar, si mendje gjeniale. Por, për gjithë këtë grup, shembujt e shumtë kanë dëshmuar se fundi i tyre është burgu.

Përtej fasadës së tyre “shembullore”, mashtruesit karakterizohen nga tri tipare të veçanta të personalitetit të tyre: psikopatia, paaftësia për tu ndikuar nga fatkeqësia e tjetri; narcisizmi, një ego e shfrenuar që i bën të besojnë se gjithë njerëzit duhet të bien në gjunjë përpara tyre; makiavelizmi, aftësia e veçantë për të manipuluar të tjerët me moton “qëllimi justifikon mjetin”.

Prandaj, një nga mbrojtjet më të mira kundrejt mashtruesve, është mospranimi i mendimit dhe vlerësimit të tyre si “heronj me inteligjencë dhe ide gjeniale që mendojnë se si të na pasurojnë

shpejt dhe pa asnjë risk”.

Këto tipare bëjnë që ata ti shkojnë deri në fund marrëzisë së tyre, pa ndjerë asnjë lloj empatie apo emocioni “përballë të tjerëve”. Kjo i bën që, edhe përpara gjykatësve, të pohojnë se: “Unë jam nisur vetëm nga qëllime të mira dhe nuk kam dashur kurrë të mashtroj njeri … por ju nuk e kuptoni përpjekjen time”.

Frank Abagnale është një shembull i veçantë.

Përse Abangale konsiderohet si një njeri i suksesshëm, duke jetuar një transformim dantesk nga mashtrues në drejtues i një agjencie konsulence kundra mashtrimeve financiare të të gjitha llojeve? Çfarë e diferencon atë nga mashtrues të tjerë të të njëjtit lloj? Për këto pyetje mund të jepen disa përgjigje. Para së gjithash,

Abagnale “është një aktor i lindur që i dashuron personazhet e tij”. Ai e zhvendos vëmendjen ndaj aspekteve tregtare drejt aspekteve spektakolare teatrale të aventurave të tij.

Ndërkohë që mashtrues të tjerë “kërkojnë të korrigjojnë disa gabime, duke bërë gabime edhe më të rënda, Abagnale kishte shansin të kapej kur ishte në moshë të re, gjë që ja lehtësoi rrugën

e pendesës dhe i krijoi mundësi të fillonte një jetë të re, jo më në shërbim të mashtrimeve, por duke i luftuar ato”.

Të gjithë mashtruesit, e çdo lloji qofshin, e kuptojnë mirë psikologjinë e njeriut dhe pushtetin e parasë në të, aq më tepër që dhe ata vetë janë maksimalisht të joshur nga paratë. Paraja të jep energji, të krijon ndjenjë pushteti e fuqie, të josh në maksimum drejt saj, të zgjidh gjithë problemet, por, nëse nuk ke “një zemër, një bateri të madhe që ta mbajë brenda gjithë këtë energji, atëhere rrezikon shpërthimin”.

Kjo i ndodh pothuajse gjithë këtyre miliarderëve që e kanë vënë pasurinë nëpërmjet mashtrimeve … ata shkëpusin çdo kontakt me ndërgjegjen dhe shpirtin e tyre, deri sa sistemi i tyre shkon drejt fundit dhe ata drejt burgut.

Shumë prej tyre nuk e kuptojnë spiralen e rrezikshme në të cilën janë futur dhe pësojnë atë që quhet efekti i “syrit të ciklonit”, ku ata ndjehen brenda ciklonit, por të qetë dhe të pa trazuar,

shkatërrimet ndodhin vetëm për të tjerët rrotull tyre. Shijojnë qetësinë e vështrimit të mashtrimit të të tjerëve. Por, fundi i çdo cikloni është pikërisht shkatërrimi i dhunshëm i syrit të tij.

Të gjithë mashtruesit synojnë “një jetë reale plot pasuri” që duhet të vazhdojë gjatë, mundësisht, pa menduar kurrë fundin e saj. Ata që arrijnë të dalin “të shëndoshë” nga sistemi i tyre i mashtrimit, janë vetëm ata që e kuptojnë shpejt, ose i detyrojnë të tjerët, se duhet ta ndërpresin sa nuk është vonë spiralen e mashtrimeve, të pranojnë krimin dhe dënimin, dhe të kuptojnë se kanë aftësi “për të bërë një jetë tjetër … normale”.

Por, kjo kërkon forcë të madhe karakteri e ndërgjegje, kërkon pranim të krimit si brenda mendjes ashtu dhe në raport me publikun dhe ligjin. Vetëm pak nga mashtruesit më të famshëm financiarë kanë mundur ta bëjnë këtë gjë, ku padyshim, në vend të parë qëndron Frank Abagnale.

Të fundit

Vaji i peshkut, a është zgjidhja e duhur për stresin dhe depresionin?

Ekspertët janë të mendimit se suplementët e vajit të peshkut mund të lehtësojnë simptomat e depresionit në njerëz të...

Tre shenjat e horoskopit që u japin gjithnjë para borxh miqve

Nëse i jepni një shoku apo shoqeje vetëm ca lekë borxh sepse ka harruar portofolin në shtëpi, kjo është tjetër gjë krahasuar me disa...

Meta sjell Llama 3: Çfarë ofron modeli më i ri i inteligjencës artificiale?

Meta Platforms ka lëshuar për përdorim versionet e para të modelit të tij më të ri të madh gjuhësor, Llama 3, dhe një gjenerues...

Sula ngre alarmin: Ulet numri i kafshëve në Shqipëri, po mbarojnë produktet vendase

Pak ditë më parë denoncova se si qumështi që vjen nga Hungaria po zëvendëson atë vendas dhe blegtorët në Shqipëri po braktisin fshatin e...

Burgoset fansja pasi përndoqi Harry Styles, i dërgoi 8000 letra

Një grua që i dërgoi këngëtarit Harry Styles rreth 8000 letra në më pak se një muaj, është burgosur. Myra Carvalho, 35 vjeçe, mbërriti...

Lajme të tjera

Web TV