Basha: Meta na dëmtoi në fushatë, dy javët e fundit aset i Ramës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kreu demokrati Lulzim Basha në një intervistë për Zërin e Amerikës komentoi zhvillimet politike në vend dhe veçanërisht ato në PD, ku betejën e hapur tashmë e ka me ish-liderin Berisha. Basha gjithashtu u ndal në komentet ndaj Presidentit Ilir Meta, duke veçuar institucionin e presidentit, por për “individin Meta” u shpreh se ka dëmtuar rëndë fushatën e opozitës, duke e konsideruar atë si “aset të Ramës.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, ju gjatë 8 viteve keni provuar pothuajse të gjitha llojet e formatit të bërit opozitë, deri në ato më ekstremet. A jeni penduar sot, për bojkotin e zgjedhjeve vendore dhe djegien e mandateve?

Z. Lulzim Basha: Reflektimi për çdo vendim, qoftë ato që sjellin pasoja të dëshiruara, qoftë ato që nuk sjellin pasojat e pritura, duhet të jetë pjesë e çdo politikani të pjekur dhe të matur. Dhe pa diskutim edhe unë kam reflektimet e mia. Për një gjë nuk kam pendesë dhe nuk do të kem pendesë kurrë. Regjime antidemokratike, autokratike, që zhbëjnë themelet e bashkëjetesës demokratike, që shkatërrojnë zgjedhjet, që sjellin krimin në politikë, që shkatërrojnë një investim perëndimor, siç është reforma në drejtësi, e cila sot është një godinë boshe, që nuk ka arritur akoma të prodhojë një vendim domethënës për shqiptarët, nuk ka akoma arritur të çojë një politikan të korruptuar apo një bos të krimit të organizuar prapa hekurave, beteja për dinjitetin dhe të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, beteja për lirinë e medias, beteja për lirinë e pronës, beteja për të përndjekurit, beteja për mirëqenien të shqiptarëve, beteja për të ardhmen e të rinjve, ndaj një regjimi që të gjitha këto i sakrifikon për hir të pushtetit personal të Edi Ramës dhe një grushti njerëzish, kriminelë dhe oligarkë, me të cilët e ka kapur dhe e mban pushtetin, për këtë nuk pendohem kurrë dhe përkundrazi po ju them që jam i vendosur ta intensifikojmë me të gjitha format dhe mënyrat, brenda dhe jashtë parlamentit. Keqardhja e vetme që kam është që në këto dy muaj ndërkohë që ne kemi bërë këtë, Edi Rama ka gjetur një tub oksigjeni tek veprimet e papërgjegjshme të Sali Berishës, të cilit i ka vënë në dispozicion të njëjtët kriminelë me të cilët ne u përballëm më 25 Prill dhe që sot pa pritur i shohim të aktivizuar në përpjekjen e Edi Ramës dhe në veprimet e Sali Berishës për të përçarë Partinë Demokratike. Nuk do t’ia dalin as njëri, as tjetri, as ndonjë i tretë. Partia Demokratike më 18 Dhjetor do të mbajë kuvendin kombëtar si një kuvend bashkimi, por mbi të gjitha si një kuvend vendosmërie, për t’u shpalosur edhe njëherë para shqiptarëve, siç ishte ditën e parë apo javët e para kur u themelua, Partia e shpresës, partia e ndryshimit përballë një kaste të vjetruar politike, që ka vetëm një interes, të mbajë në duart e një pakice, pushtetin ekonomik, pushtetin politik, në doni edhe pushtetin mediatik të marrë padrejtësisht shqiptarëve.

Zëri i Amerikës: Ju sapo thatë që Kuvendi i 18 dhjetorit do të jetë ai i bashkimit, ndërkohë që zoti Berisha dhe mbështetësit e tij kanë paralajmëruar Kuvend, ju e quani miting, më 11 dhjetor. A nuk duket se ka një kontradiktë, me faktin që ju flisni për një Kuvend bashkimi, ndërkohë që nga ana tjetër ju keni paralajmëruar ndëshkimet e ashpra sipas statutit për ata që nuk zbatojnë vendimet e kryesisë. Pra nga një anë keni thirrje për bashkim, nga ana tjetër paralajmërim për përjashtime, ndoshta siç parashikohet dhe nga statuti. Sikur nuk shkojnë bashkë?

Z. Lulzim Basha: Shkojnë dhe në fakt është e njëjta logjikë. Ne jemi një shtëpi njerëzish të lirë, ku respektohet mendimi ndryshe por me një mision të përcaktuar qartë. Kur dikush brenda shtëpisë, e konsideron veten mbi të tjerët, i bie me shkelm rregullave, i bie me shkelm sakrificës së demokratëve për interesat e veta, padiskutim që rregullat e shtëpisë, në këtë rast statuti, do të zbatohen. Dhe kjo është jo thjesht detyrë dhe përgjegjësi e çdo demokrati, po është mbi të gjitha një nga arsyet kryesore se pse këto institucione ekzistojnë, që nga kryetari i zgjedhur me një anëtar një votë, pak muaj më parë, në një garë të hapur dhe transparente, tek institucionet e tjera legjitime. Nuk mund të thotë as Sali Berisha, as dikush tjetër, që janë mbi rregullat, që janë mbi çdo anëtar tjetër të Partisë Demokratike dhe që kur vjen puna për hallin tim, interesat e mia, statuti nuk vlen dhe unë shpik rregulla çdo ditë dhe i ndryshoj ato çdo ditë, sepse ky do të ishte fundi i Parisë Demokratike si një familje politike. Ndaj 18 dhjetori është ditë e bashkimit, ndaj 18 dhjetori është ditë e rikonfirmimit të Partisë Demokratike si një parti tashmë e gatshme për t’u përballur në mënyrë moderne me sfidat që ka përpara, për t’u përballur me sfidat politike me vizion, për ta nxjerr Shqipërinë nga kriza, që nuk i shërben vetes së vet, por t’i shërbejë çdo shqiptari, edhe asaj pjese të shoqërisë, shtresë e mesme, intelektualë, pronarë, të përndjekur që ka jo vite, po ndoshta dhe dekada që na e kanë hequr vështrimin, na e kanë hequr votën sepse janë zhgënjyer nga vendime që kanë konsideruar të padrejta dhe që në disa raste kanë qenë të padrejta në raport me angazhimet që duhet të kishte një forcë e qendrës së djathtë, një forcë konservatore, një forcë e lirisë dhe e demokracisë, dhe e tregut të lirë dhe e pronës dhe e anti-komunizmit siç është Partia Demokratike. Në këtë kuadër 18 dhjetori do të jetë një ditë bashkimi i gjithë këtyre energjive që është edhe gjëja e duhur, është pikërisht ajo që duhet bërë, përballë kërcënimit për përçarje që vjen nga interesat e një individi të shpallur non-grata nga aleati ynë strategjik.

Zëri i Amerikës: Përçarja është thjesht kërcënim apo një mundësi gati gati e pashmangshme në këtë situatë?

Z.Lulzim Basha: Jo, në mënyrë absolute unë gjykoj se demokratët e sakrificës, demokratë e idealeve, janë të vetëdijshëm edhe për ato që kemi bërë bashkë në të mirë të shqiptarëve, që nga rrëzimi i komunizmit, futja në NATO, heqja e vizave, ndërtimi i infrastrukturës moderne, kontributi për çështjet kombëtare, në veçanti për pavarësinë e Kosovës, por janë të vetëdijshëm edhe për defektet, mangësitë dhe borxhet që iu kemi shqiptarëve. Që nga mosreflektimi për 96-ën, që më pas solli pasojat e 97-ës dhe daljen e Partisë Demokratike në opozitë. Që nga sjellja iliberale ndaj opozitës në periudhën 92-97. Që nga qëndrimi ndaj korrupsionit në radhët tona të një grushti njerëzish, një pakice absolute që njollosi punën e mijëra demokratëve gjatë qeverisjes 2005-2013, ku ne shënuam arritje të mëdha për shqiptarët, për të cilat jemi e duhet të jemi krenarë, por nga ana tjetër po kështu pati një grusht njerëzish të cilët përfituan në kurriz të sakrificës së demokratëve dhe që sot i shohim si rregull të ulur në radhën e parë të takimeve të Sali Berishës me lugë në brez, gati për të shkelmuar përsëri sakrificën e demokratëve apo për të luajtur me emocionet e demokratëve. Kjo nuk ka për të ndodhur më. Demokratët janë të vetëdijshëm për arritjet tona, për të cilët duhet të jemi krenarë, sepse i kemi bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe shqiptarët sot i gëzojnë këto arritje. Disa mund të duken dhe të paprekshme. Futja në NATO mund të duket e paprekshme, por i ka dhënë fund dilemave ekzistenciale të kombit dhe të shtetit shqiptarë, të cilat kanë ndaluar zhvillimin dhe përparimin, investimet për kaq gjatë. Ndërsa disa të tjera janë fare të prekshme, që me pasaportën shqiptarë të udhëtosh në vendet e hapësirës Shengen, kjo ishte e pamendueshme. Infrastruktura rrugore që ndërtuam, që në mënyrën më banale dhe vulgare Edi Rama e sulmoi, ndërkohë që e shijon përditë kur udhëton, sigurisht kur nuk është me helikopter dhe me charter, nga Saranda në Tropojë, në rrugët që ka ndërtuar Partia Demokratike. Atë që arritëm në krijimin e një kulture liberale në treg përmes taksave të ulëta, qeverisjes së vogël. Pra, ne kemi një identitet politik për të cilin jemi krenarë, por ne po kështu kemi një stok gabimesh për të cilin kemi folur pak ose aspak.

Lexo edhe :  Turizmi/ Rama: Po synojmë ta kthejmë në industri

Zëri i Amerikës: Por çfarë bëtë ju për 8 vite për këto kategori zyrtarësh që ju thoni kanë përfituar nga pushteti i Parisë Demokratike? Dhe nga ana tjetër, nuk janë vetëm këta, në foltoren e zotit Berisha, janë të paktën dhe 10 deputetë që janë njerëz që i keni zgjedhur ju, janë deputetët tuaj.

Z. Lulzim Basha: Nuk ka pikë diskutimi që Partia Demokratike, si një parti e madhe ka flukset dhe përfaqësimet e veta të të gjithë kategorive shoqërore që i ngërthen. Këtu përfshihen të përndjekurit politikë, përfshihen pronarët, kemi deputetët e rinj, kemi dhe padiskutim deputetë që kanë shërbyer për dekada. Por kjo nuk është çështja. Çështja është se çfarë qëndrimi mbajmë ne sot. Do fusim kokën në rërë dhe do themi që ne s’kemi bërë asnjëherë gabime dhe e kemi pasur gjithmonë mirë dhe është kundërshtari politik për t’u fajësuar për gjithçka që na ka larguar siç ju thashë nga një pjesë e elektoratit që nga viti 92, apo do dalim para tyre dhe do iu themi: E dimë që në 92-shin nuk na votoni, sado që të jeni 5% në Shkodër, 10% në Tiranë 15% në Vlorë, s’ka rëndësi. Keni humbur besimin sepse jeni pronarë të cilët nuk keni parë të drejtën tuaj të kthehet tek ju, prona të kthehet tek i zoti. Jeni të përndjekur të cilët mirë në 92-97-ën s’kishim kohë, por edhe te periudha e dytë e qeverisjes tonë, nuk keni parë qëndrimin e duhur jo thjesht ndaj shpërblimit financiar, po ndaj qëndrimit moral ndaj diktaturës dhe ndaj krimeve të diktaturës. Apo sipërmarrja e cila pavarësisht prej pjesëve pozitive të qasjes tonë ka parë edhe pjesën negative. Apo intelektualëve elitë e cila me të vërtetë ka pritur shumë më shumë nga Partia Demokratike në kuptimin e zhvillimit të një demokracie të vërtetë dhe një lirie të vërtetë të individit. Këtyre do t’ju flasë edhe 18 dhjetori përmes platformës qytetare për demokraci. Ama një gjë është e qartë si nata me ditën: Ne edhe për shkak të pjesës pozitive të historikut, por edhe për shkak të ndjesës dhe pendesës së vërtetë për ato që s’i kemi bërë ndonjëherë apo ato që kemi bërë keq në këto 30 vite, jemi e vetmja shpresë për shqiptarët. Përballë kemi një parti që ka kryer krime për 50 vite, krimet më të përbindshme ndaj shqiptarëve, ka ndryshuar emrin, ka bërë sikur ka reflektuar, por nën lidershipin aktual, është rikthyer pothuajse në çdo aspekt tek mënyrat e veprimit dhe qëndrimit ndaj qytetarëve njësoj si partia që ishte para se të ndryshonte emrin. Shtyp lirinë e medias, godet demokracinë dhe themelin e saj që janë zgjedhjet, godet opozitën, godet lirinë ekonomike. Me të vërtetë nuk ka një komision të planifikimit qendror të ekonomisë por ka një komision të planifikimit qendror të oligarkisë që s’ka rëndësi se ku mblidhet, te Sheratoni apo tek dhoma e ngrënies së kryeministrit, apo tek vilat e Dhërmiut, ku ndahet me thela Shqipëria midis Edi Ramës dhe 5 oligarkëve. Dhe më e rënda e më të rëndave ka sjellë krimin në politikë. Kulti i krimit ishte ai që mbante diktaturën në këmbë. Varja e armiqve të popullit, burgosja e armiqve të popullit siç quheshin, mbante me terror diktaturën në këmbë. Tani përsëri me kultin e krimit, me kultin e të fortëve, me kultin e Tom Doshëve, Aqif Rakipëve, Suel Çelëve, Rrahman Rrahjave me shokë, ky regjim ka ndalur ndryshimin me 25 prill dhe përpiqet të mbajë në këmbë një Shqipëri të korruptuar deri në palcë që është kthyer në një udhëkryq të trafiqeve ndërkombëtare të drogës ku trafikantët mbajnë në pushtet një qeveri të korruptuar dhe kjo qeveri e korruptuar dhe ky kryeministër i korruptuar ndan pushtetin me ta. Ky është realiteti, këto janë shkaqet se pse shumica e shqiptarëve varfërohet çdo ditë dhe një pakicë pasurohet çdo ditë. Ka një shpresë dhe një forcë që mund dhe do ta ndryshojë këtë dhe kjo është Partia Demokratike, e bashkuar rreth interesave të demokratëve dhe rreth interesave të shqiptareve, për një Shqipëri vërtet demokratike dhe vërtet të lirë. Kjo është domethënia e 18 dhjetorit, të tjerat janë çështje hallesh, frikërash dhe interesash personale, S’ka rëndësi nëse janë të Sali Berishës apo të ndokujt tjetër.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha edhe një pyetje të fundit. Pak kohë më parë ju në parlament folët për atë që e quajtët Trekëndëshi i Bermudës, Trekëndëshi i të keqes, ku përfshitë Zotin Rama, zotin Berisha por edhe presidentin Meta. Çfarë ka ndodhur mes jush dhe presidentit Meta sepse deri tani nuk ju kishim dëgjuar të shprehnit kundërshti për veprimet e tij, madje ju e keni mbështetur edhe ne veprimet që ai ka ndërmarrë.

Z. Lulzim Basha: Jo, nuk ka qenë presidenti Meta i përfshirë në trekëndëshin e Bermudës. Ndaj presidentit dhe qëndrimeve të tij të drejta në raport me kushtetutën ne kemi mbajtur qëndrime të qarta mbështetëse, madje më shumë se LSI-ja. Ka qenë Ilir Meta pjesë, personi Ilir Meta, i cili nëse më pyesni, dy javët e fundit të fushatës ka qenë aseti më i madh i Edi Ramës, shkatërruesi i fushatës në bindjen time, të LSI-së në veçanti në disa zona elektorale nga Vlora në Elbasan dhe në veçanti në javët e fundit me qëndrimet e tij, ka çuar ujë tek mulliri i Edi Ramës. Pra, kur përmend trekëndëshin e Bermudës, përmend personin Ilir Meta, politikanin Ilir Meta dhe jo institucionin e presidentit të cilit i kemi dalë në krah sa herë ka qenë në krah të kushtetutës. Por, përsa i përket pjesës tjetër mund të flasim gjatë. Jam i sigurt që do ketë akuza e sulme të shumta. Kalërimi i kulturës së linçimit, gënjeshtrave, spekulimeve të ndodhura këto dy muaj është gjëja më e thjeshtë, por edhe unë jam i qartë, i vendosur dhe më i fortë se kurrë nga forca e demokratëve për të qëndruar përballë çdo trekëndëshi dhe çdo kombinimi interesash personale të një grushti sado të fuqishëm por të vogël njerëzish që sot qëndrojnë përballë shumicës së shqiptarëve. Ne do t’i japim zë shumicës së shqiptarëve, ne do ta çlirojmë shumicën e shqiptarëve nga interesat personale, nga frika dhe hallet personale që mbajnë peng Shqipërinë dhe zhvillimin e saj demokratik dhe perëndimor.

Të fundit

Ekspertët thonë jo! Nga tani mos qëndroni më zbathur në shtëpi, ja arsyeja e fortë

Pas një dite të gjatë me këpucët veshur me siguri gjithçka që doni të bëni është t’i largoni ato...

Nesër mblidhet Sekretariati i Etikës në Kuvend, ja çfarë pritet të ndodhë

Ditën e nesërme do të mblidhet në orën 11.30 Sekretariati i Etikës në Kuvend, për kërkesën e grupit parlamentar të PD për të shpallur...

Merr flakë apartamenti në bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë

Një apartament në "Zog të Zi" në Tiranë është përfshirë në flakë paraditen e sotme. Zjarri është izoluar ndërsa raportohet vetëm për dëme materiale. Nuk dihet ende...

“Romancat fitojnë”/ Rikja ironizon çiftet në BBV3: S’kam ardhur këtu të bëj pllaq-plluq

Edhe në këtë edicion të tretë të “Big Brother VIP”, çiftet kanë arritur që të marrin një vëmendje të madhe nga publiku. Megjithëse tashmë...

Fabrika false e parave i bën gjëmën bizneseve, hedh në treg shumën marramendëse

Katër burra prodhuan monedha të falsifikuara me vlerë të madhe në dollarë. Ky është një nga rastet më të mëdha të zbuluara të tridhjetë...

Lajme të tjera

Web TV