Margaret Atwood vjen në shqip me Kënga e Penelopës, portretizim i besnikërisë bashkëshortore

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

“Kënga e Penelopës” është një roman i Margaret Atwood-it, botuar më 2005, si pjesë e kolanës “Seria e miteve Canongate”, në të cilën autorë të njohur bashkëkohorë kanë rishkruar mitet e lashta. “Kënga e Penelopës” na sjell në vëmendje ngjarjet e “Odisesë” së Homerit, tashmë të ripara në këndvështrim modern dhe vetë Penelopa rrëfen historinë e saj që nga Hadi, njohjen e martesën me Odisenë, luftën e Trojës, Helenën e bukur dhe marrëdhëniet me prindërit; jetën e saj pa Odisenë, përballjen me mëtuesit gjatë mungesës së tij, si dhe kthimin e Odisesë pas 20 vjetësh e kërdinë që bëri mbi mëtuesit e shërbëtoret e Penelopës. Po a ishte Odiseja, ai heroi me zgjuarsi të rrallë i përshkruar nga Homeri apo një faqe tjetër, më e errët dhe e panjohur e tij, do të dalë në sipërfaqe? Temat qendrore të romanit shtjellohen rreth standardeve të dyfishta mes sekseve, klasave shoqërore, si dhe vërtetësisë së drejtësisë. Në rrëfimin e Homerit, Penelopa, gruaja e Odisesë, portretizohet si kulmi i besnikërisë bashkëshortore dhe historia e saj është një mësim i dobishëm përgjatë gjithë shekujve. E mbetur vetëm për njëzet vjet, qysh kur Odisea u nis në luftën e Trojës, pas rrëmbimit të Helenës, Penelopa, edhe përballë thashethemeve skandaloze, arrin të ruajë mbretërinë e Itakës, të rrisë të birin rebel e të mbajë nën fre më shumë se njëqind mëtues. Kur Odisea, më së fundi, kthehet në shtëpi, pas shumë e shumë peripecish, vret gjithë mëtuesit, si dhe, çuditërisht, dymbëdhjetë prej shërbëtoreve të Penelopës. Në këtë vështrim ndryshe e bashkëkohor, Margaret Atwood ka zgjedhur të rrëfejë mitin e lashtë përmes gojës së vetë Penelopës dhe dymbëdhjetë vashave të varura. Kësisoj, historia bëhet sa racionale, aq edhe e dhembshur, sa zbavitëse, aq edhe trazuese. Me zgjuarsi dhe nerv, karakteristika të talentit të saj narrativ dhe poetik, autorja i jep Penelopës një realitet dhe jetë të re, duke na ofruar kështu një përgjigje për misterin antik.

Lexo edhe :  Për herë të parë në Shqipëri, pikturat e Van Gogh në ekspozitën digjitale të Korçës

Kritika
Atwood-i merr anën e Penelopës me pasion të jashtëzakonshëm… ajo eksploron vetë natyrën e rrëfimit mitik. The Guardian
Vjen si një fllad i freskët nga deti Mesdhe… Me “Këngën e Penelopës” Atwood konfirmon edhe njëherë gjeninë e saj. Gruaja që shkroi “Rrëfenjën e shërbëtores” nuk e ka humbur aspak ndjeshmërinë e saj të mprehtë. The Gazette
Po aq i fuqishëm, sa një mallkim. Sunday Times
Fakti që Atwood-i e vendos Penelopën në rolin e protagonistes është një këndvështrim i freskët dhe plot finesë… Në njëfarë mënyre (dhe kjo është masa e gjenisë së saj që s’mund të përcaktohet) ajo na bën të mbajmë vesh zërin e Penelopës, teksa reflekton në Had mbi jetën e saj, sikur të ishte thashethemi më interesant që kemi dëgjuar ndonjëherë… Është një libër i mrekullueshëm. The Globe and Mail

Autorja
Margaret Atwood është autorja e më shumë se pesëdhjetë veprave në prozë, poezi, ese kritike, si dhe romanesh grafike. Përveç “Rrëfenjës së shërbëtores”, tashmë një serial televiziv që ka fituar disa çmime, ndër romanet e saj renditen Cat’s Eye, kandidat për Çmimin Booker; Alias Grace, i cili ka fituar Çmimin Giller në Kanada dhe çmimin Mondello në Itali; “Vrasësi i verbër” fitues i Çmimit Booker në vitin 2000, botuar nga Botime Pegi në 2017; si dhe trilogjia MaddAdam, pjesë e së cilës është dhe “Oriksi dhe Krejku”, botuar nga Pegi, në tetor 2021. Përpos Çmimit Booker, ajo ka fituar edhe çmime të tjera, si: Çmimin Arthur C. Clarke, Çmimin e Paqes të Industrisë Gjermane të Librit, Çmimin Letrar Ndërkombëtar “Franz Kafka”, Çmimin e Karrierës, nga PEN Center USA, dhe Çmimin e Inovatorit nga Los Angeles Times. Në vitin 2019, ajo u bë anëtare e Urdhrit të Shoqëruesve të Nderit për kontributin në letërsi. Jeton në Toronto.

Të fundit

Nëse keni probleme me gjumin, ju mund të vuani nga këto 5 çrregullime

A e keni vënë re sesa keq ndiheni të nesërmen, pasi keni fjetur keq një natë më parë? Djersë...

“3 fakte qesharake”/ Luarasi-Bardhit: Do të të kisha ngelur në klasë

Akuzat e kreut të PD Gazment Bardhi ndaj vëllait të kryeministrit Olsi Rama kanë ngjallur debat  në studion e “Opinion” në Tv Klan. 3 elementë...

“Në Tiranë, 40% e trafikut shkaktohet nga…”/Shefi i qarkullimit zbulon shkaqet e kaosit

Rreth 40% e trafikut në Tiranë krijohet nga parkimet e gabuara në rrugë. Kështu u shpreh, shefi i qarkullimit rrugor, Besmir Qibni në një...

Përpjekjet për të justifikuar ‘marrëveshjen’ që shuajti revolucionin

Nga Mero Baze Për të identifikuar personat të cilët donin të fitonin besimin tek Berisha kur ai po përpiqej të rikthej në pushtet në vitet...

Ledjona tregon për të atin pas daljes nga “BBV3”: Ka pasur probleme shëndetësore

Në një intervistë të dhënë në “Ftesë në 5”, Ledjona ka folur për herë të parë për familjen e saj dhe mënyrën sesi ata...

Lajme të tjera

Web TV