Tregime të një dendurie të lartë emocionale

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Rezarta Reçi

Krijimtarisë së shkrimtarit Bislim Ahmetaj i shtohet edhe një vëllim me tregime “Jorgoja i Tropojës”. Ky libër vjen në distancë në kohë nga vëllimi i tij i parë, titulluar “Kthimi i peshkatarëve.” Bislimi, si autor, lëviz lirisht mes poezisë dhe prozës, duke u ndjerë mirë me të dyja zhanret. Për mua, shkrimtari Bislim Ahmetaj është tregimtar cilësor dhe me vlera. E kam spikatur këtë që në leximin e vëllimit me tregime “Kthimi i peshkatarëve”. Madje kam këmbëngulur që duhet ta lëvronte shpesh këtë gjini. Bislim Ahmetaj duke qënë njeri me profesion tjetër, e realizon me kënaqësi aktin e krijimit, si një proces që i sjell atij kënaqësi, por njëkohëshëm ka aftësinē dhe mjetet për ta përcjelle ndjeshëm te lexuesi. Njeriu Bislim.Ahmetaj ka një jetë aktive, të pasur me lëvizje, njohje, takime, miqësi, impresione, ngjarje, episode. Kureshtar dhe komunikues, plot ndjeshmëri dhe emocione ai ka stivosur dhe vazhdon të stivosë brënda vetes mbresa të forta të një jete të jetuar intensivisht. Të gjitha këto janë shënjuar në nënlëkurën e krijuesit Bislim Ahmetaj, duke lënë gjurmën e vet emocionale në qënien e tij. Të përcjella pastaj përmes një filtri të kujdesshëm krijues, këto shenjëza jete pasurojnë dhe kërshërinë, por edhe gjëndjen emocionale të lexuesit.
Kur mbaron së lexuari tregimet e këtij vëllimi, të duket se ke jetuar shumë jetë. Pasi në to përcillen me realizëm dhe art copëza jete fragmentuar kohës. Bislimi rrëfen thjeshtë në dukje, por ritmi i vrullshëm i rrëfimit, realizmi dhe spontaniteti, befasia dhe gjuha e përdorur shpesh të marrin për dore pa u ndjerë dhe të çojnë lehtë, këndshëm atje ku po jeton e frymon presonazhi i tregimit. Një pjesëz e tregimeve të Bislim Ahmetaj përcjellin me lirizëm e ngrohtësi ato emocione të forta të skalitura nga një tjetër kohë. Janë parë me syrin e fëmijës, janë jetuar me lëkurën e adoleshentit dhe rrëfehen me optikën e një shkrimtari të rritur tashmë, jo vetëm nga mosha. Në tregime të tilla si “Golfi me krahë të shkurtër”, “Ylli i Kuq, Balshoi dhe Murra e gjyshes”, « Unë e mbaj mend ditën kur mësova se isha armik », përzihen bukur naiviteti fëminor me filtrin e shikimit të ngjarjes a dukurisë me syrin e të rriturit. Fshikullues dhe gati gati i pamëshirshëm është në qëndrimin e tij përmes penës krijuese ndaj fenomeneve të dhimbshme, aspak të bukura, që kanë përshkuar jetën tonë në dy epoka. Ka trishtim, ka revoltë ,ironi therëse në tregimet ku trajtohen episode nga diktatura komunista apo nga diktatura e parasë në kohën tonë. Lexuesi rrëmbehet nga stili realist dhe ritmik i rrefimit, i konturon me mëndje personazhet që shkrimtari ka skalitur me fjalë dhe mban pa dashje qëndrimin e vet ndaj ngjarjes a fenomenit. Këtu unë do të veçoja si mbresëlënës tregimin “Ata ishin pesë”, “Shpresa N.”, “Mbledhja e ushtarakëve në lirim”, “Takim në plazh me një oligark”. Ndonëse autori ka raste të përdorimit të fjalëve a sharjeve shqeto, ti i pranon natyrshëm, meqënëse janë në fumksion të të rrëfyerit, të ngjarjes, të së vërtetës. Siç pret krahapur lirizmin e ndjenjën që derdhet me delikatesë e plot emocion te tregimet “Princesha e kaltër”, “Ceremonia e varrimit të hamsterave”, “Aisha” apo “Ah, ajo puthje”.
Kur e mbyll librin me tregime të shkrimtarit Bislim Ahmetaj ti edhe për disa kohë vazhdon të mbetesh nën impresionet e leximit të tij, të kujtosh copëza ngjarjesh, të të duket se po takon në rrugë ndonjë nga personazhet e tregimeve, sepse në fund të fundit kjo ështē magjia dhe fuqia e një shkrimtari,që me artin e të rrëfyerit tē të lërë mbresë dhe të të ftojë në përjetime emocionuese. Besoj se autori i këtyre tregimeve, ia ka mbritur kësaj pa sforcim, me rrefim intensiv e ritmik, realist e të drejtëpërdrejtë, përshkuar nga ndjesi fine e të domosdoshmen artistike.

Të fundit

Dallimet mes fëmijëve që lexojnë në letër dhe atyre që lexojnë në ekrane digjitale

Në një kohë dhe epokë ku gjithçka po shkon drejt digjitalizimit, studuesit kanë vendosur të kuptojnë si ndikon leximi...

Ndryshon paga për disa kategori/ Sa do jetë rritja për mjekët, infermierët dhe mësuesit

Reforma e ndërmarrë nga qeveria gjatë vitit 2023 për rritjen e pagave do të finalizohet deri në fund të 2024. Vendimi “Për miratimin e...

‘Zien’ toka, dy lëkundje të forta tërmeti në vendin fqinjë, ja sa ishte magnituda

Një tërmet është ndjerë në Athinë, në brigjet e Peloponezit, pranë ishujve Strofades. Sipas informacioneve të para, intensiteti i lëkundjeve ka qenë 5.6 e shkallës...

Nëse keni probleme me gjumin, ju mund të vuani nga këto 5 çrregullime

A e keni vënë re sesa keq ndiheni të nesërmen, pasi keni fjetur keq një natë më parë? Djersë të ftohta, minuta të tëra...

“3 fakte qesharake”/ Luarasi-Bardhit: Do të të kisha ngelur në klasë

Akuzat e kreut të PD Gazment Bardhi ndaj vëllait të kryeministrit Olsi Rama kanë ngjallur debat  në studion e “Opinion” në Tv Klan. 3 elementë...

Lajme të tjera

Web TV