Ditët që siguruan Pavarësinë e Shqipërisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga labirintet e arkivave, ku letra e dokumente gjithfarëlloj prehen në dosjet e trasha me numra protokolli mbi to, nuk del duarbosh asnjëherë. Nëse nisesh për të gërmuar, u heq pak pluhur e zhytesh brenda tyre, do të gjesh gjithmonë një material të paekspozuar më parë. Dhe kjo është risia, suksesi gjithmonë është po aty…

…“E ardhmja e Shqipërisë është siguruar”. Kështu do të lajmëronte Ismail Qemali me një telegram nga Vjena. Dhe më pas kronologjia e ngjarjeve vazhdon:

5 nëntor – Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi nisen nga Stambolli për në Bukuresht. Në hotel Continental, Ismail Qemali mban një mbledhje. Merret vendimi për emërimin e një “Komiteti drejtonjës”.

6 nëntor – Ismail Qemali mbërrin në Vjenë. Zhvillon takime me kontin Berthold dhe ambasadorin Italian.

9 nëntor – Nga Vjena Ismail Qemali i dërgon një telegram djalit të tij, Ethem beut, që ndodhet në Vlorë: “Me vaporin e parë vij. E ardhmja e Shqipërisë u sigurua. Tue pas besim në fatin e Atdheut të veproni në relacione të mira bashkërisht dhe vëllazërisht që të siguroni vazhdimin e rregullimit të çështjeve të përgjithshme e të mbroni qetësinë dhe në çdo anë lajmëroni telegrafisht. Të fala Atnore”.

Si dhe parisë së Vlorës: “Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipërisë asht siguruar. Ju porosis qi tyke i mbështetur fatit t’atdheut të punoni së bashku e si vëllezën, të merreni me rregullimin e punëvet të përgjithshme, edhe të ruani qetësinë. I epni rrethevet lajmin e gëzueshmë. Ju falem të gjithëve atënisht.” AQSH/ F.245/I.D.1.f.5

13 nëntor – I biri i Ismail Qemalit, Ethem beu, i përgjigje të atit: “Falenderime të sinqerta për të ardhmen e Shqipërisë. Kemi ftuar kudo bashkatdhetarët të dërgojnë në Vlorë delegatë për asamblenë. Delegatët e emruar presin udhëzime pas komunikimit të telegramit tuaj. Na udhëzoni nëse është e nevojshme të bëhet mbledhja. Shpejtoni ardhjen, në qoftë se Durrësi nuk është bllokuar. Qetësi e plotë. Presim me padurim sqarimin e gjendjes. Të fala me respekt në emër të bashatdhetarëve.”

18 nëntor – Serbët mbërrijnë në Lezhë pasi kanë marrë Mirditën dhe Matin.

Po atë ditë – Ismail Qemali i dërgon një telegram komisionit përgatitor: “Përpara së premtes jemi në Durrës. Është domosdo e nevojshme që delegatët të mblidhen në Durrës ose në Vlorë. Ftoini që të gjithë. Derisa të vij unë mbani qetësinë dhe bashkimin. Çështja jonë politike është siguruar përfundimisht.”

Po atë ditë – Mytesarifi i Beratit i përciell nënprefektit të Vlorës urdhërin e Valiut të Janinës i cili kërkon ndalimin e mbajtjes së Kuvendit nga Ismail Qemali.

19 nëntor – Gazeta austriake “Neue Freie Presse” boton një intervistë të Ismail Qemalit.

Po atë ditë – Ismail Qemali bashkë me 14 shqiptarë niset nga Triestia për në Durrës me anijen Linx.

Po atë ditë – Grekët zbarkojnë në Himarë.

21 nëntor – Ismail Qemali zbarkon në Durrës nga që porti i Vlorës është i bllokuar nga flota greke dhe strehohet në hotelin buzë detit të Aziz pashë Vrionit. Përveç autoriteteve turke edhe dhespoti grek i Durrësit, Jakovos, nuk njeh flamur tjetër pos atij turk.

25 nëntor – Ismail Qemali arrin në Vlorë i shoqëruar nga delegatët e Durrësit, Shijakut, Tiranës, Krujës dhe Kosovës.

28 nëntor – Kuvendi kombëtar fillon punimet në orën 14 në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës ku marrin pjesë 37 delegatë. Ismail Qemali mban referatin duke e mbyllur: “Tani më, s’na ka mbetur tjetër rrugë shpëtimi, veç se ndarja e Shqipërisë nga Turqia”, dhe propozon që:

Shqipëria të shpallë pavarësinë

Të formohet qeveria e përkohëshme

Të emrohet pleqësia (senati).

Propozimet miratohen njëzëri duke miratuar :

Shpalljen e qeverisë së përkohshme (kryetar Ismail Qemali)

Zgjedhjen e Pleqësisë me 18 anëtarë (kryetar Vehbi Dibra)

Ismail Qemali propozon që Shqipëria të shpallet “shtet më vetë, e lirë dhe e pavarur”.

-Ismail Qemali në kuvendin e Vlorës tha:

Shqiptarët nuk e kanë harruem kurrë as gjuhën e as kombsin’e tyne, dhe prova mâ e mira janë përpjekjet dhe kryengritjet qi kanë bâmë herë mbas here e sidomos ndër këto katër vjett e fundit për të ruejtun të drejtat e zakonet e veta. Qeverija othomane nuk e kuptoi kurrë interesën e saj e nuk deshi kurrë t’u shpëblejë me të mirë Shqiptaret shërbimet e mëdhá qi i kishin bâmë. Tashti vonë pati rrëfyem nji farë deshiri qi të merrej vesht me popullin t’onë. Por prap nuk vûni të gjithë vullnetin e mirë e nuk muer të gjitha masat e nevojshme për të kënaqun e paqsuem Shqiptarët. Qe ndër këto rrethana qi plasi lufta me katër Pushtetet balkanike, të cilat kërkojshin prej saj reforma e të drejta për vllaznit e tyne të nji kombi e të nji bese. Por këto, si panë se lufta po u vente mbarë, e harruen qëllimin e parë e u muerën vesht për coptimin e pjestimin e mbretnisë e pra edhe të Shqipnisë. Shqiptarët, të cilët kishin marrë pjesë në këtë luftë mâ fort si të zott e vêndit e për të shpëtuem veten e tyne se si ushtarë, kur e panë se ushtrija e Tyrqisë u mund e s’po mûjte me qëndruem mâ, nxituen me marrë masat qi u impononte gjêndja për të shpëtuem vêndin e vet. Kështu u bâ qi un u nisa nga Stambolli e, mbasi u mora vesht edhe me Shqiptarët e Bukureshtit, vota në Vjenë, ku fillova kontaktet me ato Pushtete të mëdhá qi kanë interesa mâ të gjalla në Balkan. E mbasi nuk mbetej mâ asnji shpresë me e shpëtuem Shqipninë me armë, e vetmja udhë shpëtimi ishte të shkëputunit e saj prej Tyrqije. Ky mendim u pa me vênd edhe nga an’e Pushteteve të mëdhá e sidomos në Vjenë e në Romë. Vetëm Rusija mund të mbahet pakëz e ftohët nga shkaku i fqije t’anë slavë, por as ajo nuk e mohon kombsinë shqiptare…”

-Ora 14 e 30, firmoset akti i shpalljes së Pavarësisë nga: Ismail Qemal, Nikollë Kaçorri, Abdul Aziz Vehbi Dibra, Dudë Karbunara, Elmas Boco, Vehbi Harxhi, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Rexhep Mitrovica, A.Rruçi, Abdi Toptani, Abas Dilaver Çelkupa, Mit’hat Frashëri, Shefqet Daiu, Zihni Abas Kanina, Xhelal Koprencka, Hajredin Cakrani, Qemal Elbasani (Karaosmani), Iljas Vrioni, Salih Gjuka, Dhimitër Berati, Dhimitër Emanuel Mborja, Dimitri Zografi, Murat Toptani, Pandeli Cale, Luigj Gurakuqi, Bedri Pejani, Spiro Ilo, Thanas Floqi, Lef Nosi, Dr. H. Myrteza, Nuri Sojliu, Mustafa Asim Kruja, M. Ferid Vokopola, Ymer Deliallisi, Xhemal Deliallisi, Nebi Sefa Lushnja, Zuhdi Ohria.

Lexo edhe :  Nëse doni të rrisni fëmijë të fortë mendërisht, ja 4 gjërat që duhet të bëni si prindër

Ora 15 e 30, Ismail Qemali del në ballkonin e selisë dhe ngre flamurin shqiptar.

Vëllezër shqipëtarë, sa të lumtur e ndjej veten sot që shoh këtu në Vlorë kaq burra shqipëtarë të mbledhur tok…. Plot me gas e me lot në sy nga mallëngjimi pra po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh se sot edhe këtë minute kongresi çpalli mëvetësinë e Shqipërisë tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e tuke me ngarkuar mua kryesinë e qeverisë së përkohëshme të Shqipërisë së lirë. Porsi ëndrr’ më duket ky ndryshim i madh i vendit tonë që hoqi e voji të zezat e ullirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit ishte gati të jepte shpirtin përgjithnjë të shuhej të shfarosej krejtësisht nga faqja e dheut. Kjo Shqipëri që dikur shkëlqente nga trimëria e pashoqe e bijve të saj: kjo Shqipëri, që kur i kërcënonte rreziku Europës nga pushtuesit e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj Skenderbejnë u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të Sulltanëve më të egër që ka pasur Turqia.

Mirpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë, guximin e pashoq të shqiptarëve, sot e tutje të marin fund mjerimet e vuajtjet e atdheut ton’ sepse këtu e kështu, jemi të lirë e të pavarur e me vehte, prandaj: qeshni e gëzoni!

Për t’ia arritur kësaj dite të bardhë e të madhe na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëve dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë… mirpo mbledhja si më plak që jam m’a ngarkoi mua ngritjen e shenjtë të shenjës tonë Kombëtare, të Flamurit tonë të ëndërruar e të dashur. Ja pra ky është flamuri ynë i kuq e me shqiponjë dykrenare të zezë në mes dhe tani, të gjithë bashkë si një trup i tërë dhe i pandarë le të punojmë për ta mburruar, për ta përparuar e për ta qytetëruar si i ka hije atdhenë tonë të lirë. Tuke përfunduar s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh që, bashkë me bekimet e tij që i lipij ta na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dishmori i parë i atdheut ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valëvitet i lirë, Flamuri ynë në atdheun tonë të lirë.

Rroftë Flamuri. Rroftë Shqipëria…” – AQSH/ Fondin 245/II, Dosja 1. faqe 43

29 nëntor – Arrijnë në Vlorë : Isa Boletini, Mehmet pashë Dërralla, Hasan Hysen Budakova, Tafil Boletini, Dervish Mitrovica, Zejnel Begolli, Halim Bajgora, Ahmet Ali Llapi, Riza beg Gjakova, Vehbi Dibra, Hajdin Draga etj. Të mbajtur në burg nga forcat serbe mungojnë delegatët e Kosovës si : Bajram Curri, Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha, etj.

Po atë ditë – Ismail Qemali i drejtohet : Anglisë, Italisë, Austro-Hungarisë, Francës, Gjermanisë, Rusisë, Rumanisë, Malit të zi, Serbisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Turqisë, për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë.

Kam nderin t’i njoftoj Shkëlqësitë tuaja se delegatët e të gjithë krahinave Shqiptare, pa dallim feje, të mbledhur dje në Asamblenë Kombëtare në qytetin e Vlorës, shpallën Pavarësinë e Shqipërisë dhe kanë ngritur një Qeveri të Përkohëshme.

Shqiptarët po gëzohen që munden të hynë në familjen e popujve të lirë të Orientit, duke mos pasur për qëllim tjetër veçse të jetojnë në paqë dhe harmoni me të gjithë shtetet fqinje, shpresojmë se ky ndryshim i jetës politike e kombëtare i Qeverisë së Përkohëshme të Shqipërisë ka për t’u njohur prej qeverive tuaja dhe atyre Evropiane.

Kryetari i Qeverisë së Përkohëshme

Ismail Qemali – Vlorë

4 dhjetor – Bëhet zgjedhja e plotë e qeverisë.

Ismail Qemali, kryeministër dhe ministër i punëve të jashtme,

Zëvendëskryeministër: dom Nikollë Kaçorri

Ministër i Brendshëm: Myfit bej Libohova dhe Asllan Pashali

Ministër i Drejtësisë: Dr. Petro Poga

Ministër i Bujqësisë: Pandeli Cale

Ministër i Financave: Abdi bej Toptani

Ministër i Arsimit: Dr. Luigj Gurakuqi

Ministër i Luftës: Gjeneral Mehmet pashë Dëralla

Ministër i Punëve Botërore: Mit’hat Dume Frashëri

Ministër i Postëtelegrafës: Lef Nosi

 

Përgatiti për botim: L.Veizi

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Të fundit

Mandati i Xhaçkës ende në ajër, opozita e dërgon në Kushtetuese

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike njoftoi dje se ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të shpallur anti-kushtetues vendimin...

Meta gjen “armiq dhe tradhtarë” kudo, sulmon edhe Bashën

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në çdo dalje publike prej dhjetë ditësh ka sulmuar këdo, përveç kreut të Rithemelimit Sali Berisha. Akuzat...

Horoskopi ditor, 25 Prill 2024

Dashi Marrëdhënia ne çift do jete me e bukur gjate kësaj dite. Do i jepni me tepër rëndësi jetës intime dhe do provoni kënaqësi te...

Studim/ Zbuloni sa fëmijë duhet të keni që të jeni të lumtur

Rezulton se britanikët janë mjaft vendimtarë për madhësinë optimale të familjes me 49% të të rriturve në Mbretërinë e Bashkuar që besojnë se dy...

Lajme të tjera

Web TV