Një përballje e re monedhash në horizont/ A do tentojnë monedhat zyrtare dixhitale të “sfidojnë” kriptomonedhat?

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Adrian Civici

Lufta “klasike” e monedhave, aktualisht po kalon në një stad të ri të panjohur më parë. Në horizont po profilizohet një tip i ri lufte monedhash që po vë përballë monedhat publike zyrtare, qofshin këto edhe “monedha zyrtare dixhitale”, kundrejt monedhave private ose kriptomonedhave, të cilat po e shtojnë me shpejtësi marramendëse tregun e tyre prej mijëra miliarda eurosh apo dollarësh.

E gjithë kjo luftë pritet të zhvillohet në kuadrin e sfidave politike e gjeopolitike, gjeoekonomike, globalizimit dhe luftës për kontrollin e sovranitetit kombëtar në shumë vende të botës, përfshirë këtu vendet dhe grupimet e vendeve më të fuqishme të globit.

Në një citim të famshëm të M.A.Rothschild thoshte se : “më jepni kontrollin e monedhës së një vendi dhe unë nuk shqetësohem më për ligjet dhe rregullat me të cilat qeveriset ai vend”.

 Çfarë është “lufta e monedhave”?

Në kuptimin standart të saj, lufta e monedhave, ose “lufta e përqindjeve të këmbimit”, nënkupton një situatë ku vende të ndryshme aplikojnë masa specifike, kryesisht politika ekonomike e monetare, për të ulur vlerën e monedhave të tyre nacionale me qëllim që të favorizojnë sektorët e tyre prodhues, eksportet dhe shërbimet. Është një luftë pa gjak, megjithatë cilësohet si “luftë”.

Arma e “zhvleftësimit konkurrues” përbën një sulm direkt për ekonominë e vendeve të tjera. Rreziku dhe pasojat më të rënda të saj burojnë nga fakti se vendet e tjera “kundërshtare” mund t’i përgjigjen zhvleftësimit me të njëjtën armë, me zhvleftësim të monedhave të tyre dhe në këtë kontekst, është tregtia ndërkombëtare ajo që humbet ekuilibrin.

Konceptin “luftë e monedhave” e ka përdorur për herë të parë ministri brazilian i financave Guido Mantega në 27 shtator 2010 në kuadrin e shqetësimit për një vlerësim jo normal të monedhës braziliane real kundrejt dollarit amerikan dhe yuan-it japonez, duke nënvizuar se “kemi të bëjmë me politika monetare të vendeve të pasura që çojnë drejt rivlerësimit të monedhave të vendeve emergjente, çka përkthehet direkt si humbje e konkurrueshmërisë dhe përkeqësim të bilancit tregtar të tyre”. Në një citim të famshëm të M.A.Rothschild thoshte se : “më jepni kontrollin e monedhës së një vendi dhe unë nuk shqetësohem më për ligjet dhe rregullat me të cilat qeveriset ai vend”.

Përballë thellimit të borxheve publike dhe rritjes së dobët ekonomike, vecanërisht gjatë krizës globale të viteve 2008-2014 dhe krizës dhe goditjeve të rënda ekonomike e financiare të shkaktuara nga pandemia e covid-19, një numër i madh vendesh, vecanërisht vendet e zhvilluara, ju kthyen politikave monetare ekspansioniste jokonvencionale të tipit quantitative easing, që konsistonin në blerjen e borxheve publike nga Bankat Qëndrore për shkak se politikat monetare konvencionale të mbështetura në “lojën” me normën bazë të interesit ishin të paefektshme.

Kjo politikë vërtet rrit borxhet shtetërore, por nga ana tjetër shton masën monetare, garanton likuiditetin e sistemit bankar, mbështet aktivitetin ekonomik dhe shkakton zhvlerësim të monedhës.

Monedhat zyrtare publike kundër monedhave private

Por, përtej shembujve dhe rasteve tashmë “klasike” të luftrave monetare, vitet e fundit, si pasojë e zgjerimit të disa fenomeneve të reja në lidhje me monedhat dhe tregjet monetare, të tilla si : shfaqja e monedhave private dixhitale jashtë kontrollit të bankave qëndrore dhe kontrollit publik të emetimit monetar; zgjerimi me shpejtësi i përdorimit të kriptomonedhave të udhëhequra nga bitcoin, eterum, tether, ripple, dogecoin, Monero, etj., të cilat tashmë kanë një treg të tyre privat prej më shumë se 2ooo miliard euro; kriptomonedha specifike të krijuara nga institucione apo organizata të ndryshme, sic është p.sh., Libra apo Diem të propozuara nga një konsorcium biznesesh e OJF të kryesuara nga Facebook.

Një zhvillim mjaft i rëndësishëm në këtë drejtim është dhe lindja e zgjerimi i kriptomonedhave zyrtare të nxjerra në përdorim nga vende të ndryshme sovrane të tilla si “le petro” në Venezuelë që bazohet në cmimin e naftës, etj.; njoftimet për nxjerrjen e kriptomonedhave që bazohen në monedhat nacionale, sic është rasti i Mbretërisë së Bashkuar që dëshiron të krijojë një kriptomonedhë të indeksuar në monedhën britanike, Kanadaja dhe Singapori që planifikojnë të zhvillojnë sisteme pagesash zyrtare në kriptomonedha, Turqia që kërkon të krij0jë turkcoin për të dinamizuar ekonominë e saj, Irani që mendon të krijojë kriptomonedhën e tij kombëtare yë indeksuar me bitcoin, Kina që parashikon të krijojë kriptomonedhën e saj për të minimizuar përdorimin e likuiditetit.

Edhe Banka Qëndrore Europiane mendon të eksperimentojë euron virtuale dixhitale që duhet të minimizojë përdorimin e parasë cash, etj. Pritet që shpejt, euro virtuale të zëvendësojë euron në cash duke e përshpejtuar procesin e zëvendësimit të cash-it me monedhat virtuale.

Një numër i konsiderueshëm vendesh të eurozonës dhe BE-së po synojnë që brenda 5 apo 10 viteve të ardhshme të shndërrohen krejtësisht në “cash-free”. Pandemia e covid-19 duket se po e përshpejton akoma më shumë këtë proces.

Deri tani, “lufta e monedhave” ka nënkuptuar fenomenin e “cveltësimeve konkurruese” ose e thënë ndryshe, politikat monetare të disa vendeve e bankave qëndrore të tyre për të përmirësuar nivelin e konkurrueshmërisë të produkteve dhe shërbimeve të tyre falë cveltësimit të përqindjeve të këmbimit.

Ndërkohë, kjo luftë “klasike” monedhash, aktualisht po kalon në një stad të ri të panjohur më parë. Në horizont po profilizohet një tip i ri lufte monedhash që po vë përballë monedhat publike zyrtare, qofshin këto edhe “monedha zyrtare dixhitale”, kundrejt monedhave private ose kriptomonedhave të tipit bitcoin, eterum, tether, ripple, dogecoin, etj., të cilat po e shtojnë me shpejtësi marramendëse tregun e tyre prej mijëra miliarda eurosh apo dollarësh.

E gjithë kjo luftë pritet të zhvillohet në kuadrin e sfidave politike e gjeopolitike, gjeoekonomike, globalizimit dhe luftës për kontrollin e sovranitetit kombëtar në shumë vende të botës, përfshirë këtu vendet dhe grupimet e vendeve më të fuqishme të globit.

Ekonomisti britanik Roy Harrod, bashkëkohës dhe bashkëpunëtor i John Maynard Keynes dhe autor i modelit të famshëm ekonomik Harrod-Domar, deklaronte se “monedha është pushtet” dhe jo vetëm fuqi blerëse … monopoli publik i emetimit monetar, tashmë i tronditur nga aktiviteti i bankave tregëtare, rrezikon të humbasë plotësisht si pasojë e daljes në skenë dhe zgjerimit eksponencial të monedhave private.

Suksesi i “frikshëm” i bitcoin dhe monedhave të tjera dixhitale private, megjithë paqëndrueshmërinë e kurseve të tyre të këmbimit dhe dyshimeve për të ardhmen e qëndrueshme të tyre, rrezikon ti cveshë bankat qëndrore nga statusi i tyre klasik i “huadhënësit të instancës së fundit”.

Lexo edhe :  Horoskopi ditor, 21 nëntor 2021

Koncepti i monedhave private u nxorr plotësisht në evidencë nga disa ekonomistë liberalë si Friedrich Hayek apo David Friedman, si një mjet apo instrument që zvogëlon kapacitetet e Shtetit për të manipuluar ekonominë dhe tregjet financiare e monetare sipas interesave dhe në avantazh të tij.

Natyrisht, që kriptomonedhat në qarkullim të tipit bitcoin, eterum, tether, ripple, dogecoin, Monero, etj., të cilat tashmë e kanë kaluar numrin 6000, nuk përmbushin gjithë funksionet e monedhave klasike, por ato, cdo ditë e më tepër po konkurrojnë monedhat zyrtare publike në shumë fusha e aspekte të përdorimit të përditshëm.

Dalja dhe futja në qarkullim e kriptomonedhës së facebook-ut, Libra, e quajtur së fundmi Diem, pritet ti japë një zgjerim akoma më të madh tregut të kriptomonedhave private dhe sfidës ndaj monedhave publike, për faktin se gjigandi amerikan i facebook-ut llogaritet të ketë mbi 2.5 miliard përdorues në mbarë botën.

Përballë kësaj tendence në zgjerim të shpejtë të monedhave private ose privatizimit të monedhave, që në një farë mënyre na kujton histori të largëta e të vjetra në kohë, përpara shekullit të XVII-të, kur monopoli i emetimit të monedhave u transferua tërësisht te bankat qëndrore.

Aktualisht, në mjaft vende të botës, bankat qëndrore po përgatiten intensivisht për lancimin e monedhave dixhitale publike. BQE,me projektin e saj të euros dixhitale, duket se është më e avancuar në këtë linjë.

Edhe mjaft banka të tjera qëndrore po kërkojnë që të jenë prezente në këtë “fushë të re beteje” të monedhave virtuale, të bëhen gati për tu përballur me inisiativat monetre private të kryesuar nga bitcoin, etj.

“Lufta” ndaj përdorimit të cash-it pritet të përshpejtohet në shkallë të gjerë. Në Suedi, p.sh., një pjesë e madhe e dyqaneve dhe tregëtarëve nuk pranojnë më pagesa me para cash dhe vendi planifikon të bëhet krejtësisht “cash free” në vitin 2025. Në vendet skandinave, paraja cash në qarkullim përfaqëson tashmë më pak se 1% të PBB, në Mbretërinë e Bashkuar 4%, në Europë 8% dhe në eurozonë 11%.

 Por, ku e ka burimin ky entuziazëm dhe interes kaq i madh i bankave qëndrore ndaj kriptomonedhave publike?

Në këtë rast, bankat qëndrore nuk bëjnë gjë tjetër vecse futjen në përdorim, seicila sipas sferës së saj të kontrollit, teknollogjitë e reja dixhitale që bazohen te blockchain, inteligjenc artificiale,big data, etj., teknollogji që fillimisht u “bënë pronë” e inisiativave private të decentralizuara në sferën monetare, sic ishte rasti i “pionierit të kriptomonedhave, krijuesit të bitcoin, Nakamoto në vitin 2009”, i cili bëri lidhjen ndërmjet teknollogjisë blockchain me kriptomonedhën bitcoin.

Një arsye e dytë strategjike e bankave qëndrore është se ato kërkojnë të të mos humbin pozitën dominuese në tregjet monetare përballë inisiativave monetare private, vecanërisht ndaj bitcoin dhe Diem të facebook-ut.

Por, ku qëndron ndryshimi ndërmjet kriptomonedhave private dhe atyre private, më konkretisht ndërmjet bitcoin dhe euros dixhitale … cila është “fusha e tyre e betejës”? Euro dixitale do të emetohet nga BQE në të njëjtin sens si emetohet sot euro letër, si monedhë apo rezervë e bankave tregëtare në bankën qëndrore, duke përfaqësuar një kreditim të zotëruesit të saj kundrejt BQE.

Nga ky këndvështrim, në mënyrë thelbësore ajo ndryshon nga kriptomonedhat private si bitcoin, eterum, tether, ripple, dogecoin, Monero, etj., të cilat janë borxhe për emetuesit privatë. Euro dixhitale është element komplementar i parasë cashose një lloj zëvendësuesi i rëndësishëm i tyre në përdorimin e përditshëm, një lloj plotësuesi dhe zëvendësuesi apo “lehtësuesi pagesash e transaksionesh” që bazohet në inovacionet teknollogjike në të njëjtën linjë me kartat e kreditit apo debitit, pagesat nëpërmjet internetit, etj.

Euro dixhitale pritet të këmbehet në raportin 1/1 kundrejt cdo forme tjetër të euros, duke qënë kështu një “stable coin”, njësoj si Diem-i që është parashikuar të jetë një “stable coin” në raport me dollarin amerikan.

Ky është dallimi kryesor e thelbësor me kriptomonedhat e tjera në qarkullim të cilat rezultojnë me një volatilitet të lartë në kurset e tyre të këmbimit, në raport me kriptomonedhat private që nuk janë të ankoruara në një apo disa monedha publike.

Dixhitalimi dhe kriptomonedhat private e zgjerojnë shumë gamën e mundësive të pagesave dhe uljes së kostove të transaksioneve nga më të ndryshmet, por nga ana tjetër, janë mjaft të ekspozuara kundrejt mashtrimeve dhe sulmeve kibernetike. Kjo është fusha kryesore e sfidës dhe përballjes në treg e kriptomonedhave private dhe atyre publike.

Nëpërmjet monedhave dixhitale publike të bankave qëndrore, artikulimi ndërmjet monedhave dixhitale publike dhe atyre private bëhet element thelbësor në tregjet monetare e financiare.

Bitcoin dhe monedhat e tjera dixhitale private, që bankat qëndrore preferojnë ti quajnë “kripto-aktive” duke kontestuar karakterine  tyre të plotë monetar, e përcaktojnë “cmimin” e tyre në bazë të ligjit të kërkesë-ofertës në një treg të lirë e të pa kontrolluar, duke u luhatur nga cmime fantastike në cmime mjaft të ulta e dëshpëruese për zotëruesit e tyre.

Monedhat dixhitale publike të emetuara nga bankat qëndrore kanë këto të fundit si “huadhënës së instancës së fundit”. Në muajt e vitet në vazhdim, monedhat dixhitale publike dhe ato private pritet të jenë në një konkurrencë e “luftë” të vazhdueshme ndërmjet tyre.

Teoritë e “konkurrencës monetare” dhe faktorëve e elementeve që e përcaktojnë atë, vecanërisht punimet e Friedrih Hayek në këtë fushë, vecanërisht ato mbi “cilësinë e një monedhe, stabilitetin e vlerës së saj, tregjet financiare dhe ekonomitë mbi të cilat ajo mbështetet, sasia e masës monetare të emetuar, etj., janë të vlefshme edhe për këtë situatë të re të sferës monetare, të luftës, konkurrencës, por edhe komplementaritetit ndërmjet llojeve të ndryshme të monedhave, qofshin këto publike apo private, cash apo dixhitale.

Tashmë tregu monetar nuk do jetë më bardhë e zi, por një treg me shumë ngjyra, me shumë aktorë e me shumë specifika. Konkurenca dhe cilësia e monedhave do përcaktojë fituesit dhe humbësit, zotëruesit e tregut dhe aktorët e vegjël.  Revista BANKIERI

 


Të fundit

Një përballje e re monedhash në horizont/ A do tentojnë monedhat zyrtare dixhitale të “sfidojnë” kriptomonedhat?

Nga Adrian Civici Lufta “klasike” e monedhave, aktualisht po kalon në një stad të ri të panjohur më parë. Në...

Amerika me këta, si elefanti me miun

Nga Frrok Çupi Më në fund këta u dorëzuan, u dorëzuan duke u zbrazur nga përbrenda vetes. Kjo ishte e gjitha, madje më shumë se...

Vaksina: Dyqind euro për ta derdhur jashtë

Nga Lorenc Vangjeli Në Francë nuk mund të hysh në Luvër për të parë Mona Lizën, në restorant për të provuar një pjatë me djathra,...

Ulen temperaturat, ky është parashikimi i motit për sot

Dita nis me kthjellime dhe vranësira të lehta në të gjithë vendin tonë, ku në Luginat e lumenjve do ketë prezencë të dukshme të...

Secili “Foltoren” e tij, pas Berishës nis edhe Meta

Meta dhe “Foltorja” e Berishës mund të bashkohen në ditët në vijim. Përplasjen me kreun aktual demokrat Lulzim Basha, kreu i shtetit po e...

Lajme të tjera

Web TV