Raporti i “Vigjëlentit” me përgjimet në kampin e Zvërnecit/ Nuri Huta thotë se deri në vitin 1954 janë bërë tortura pa autorizim ndaj të burgosurve dhe…

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Pjesa e tetë
Publikohet një dosje arkivore voluminoze e nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese.

Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti.

Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Dokumenti me vendimin e Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Avni Mehmeti, për transferimin e dosjes së Xhevit Qeses, nga Elbasani në Tiranë

APROVOHET TEPËR SEKRET DREJTORIA P. BRENDSHME Model Nr.5

VENDIM

Mbi transferimin e dosjes formulare Nr.409 dat. 10-11-1957. Unë Punëtori Operativ i Drejtorisë P. Brendshme Elbasan, duke parë materialet e dosjes formulare të Xhavit Qeses, i kategorizuar 2/A si element anti-parti.

Se i përmenduri Xhavit Qesja, në bazë të vendimit Nr. 12 datë 1/7/1958, të Komisionit Dëbim Internimit, u arrestua dhe u dërgua për në Rrethin e Vlonës.

I udhëhequr nga instruksioni i përpunimeve agjenturiale t’elementit armik, njoftuarë me urdhër të Ministrit P. Brendshme Nr.364 datë 1.8.1958.

Që dosjen formulare të Xhavit Qeses, ta transferoj nëpërmjet kartotekës në Ministrinë P. Brendshme (Degës II-të) Tiranë, në bazë të njoftimit verbal bërë nga Dega e II-të.

SHEFI SEKSIONIT II-të

Kapiten (Avni Mehmeti)

Raport-informacioni i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Raqi Zavalani, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vigjëlenti”, lidhur me bisedat që bëjnë me njeri tjetrin të dënuarit në kampin e Zvërnecit

R A P O R T

Prej datës 15-31/8/1958. Gjatë këtyre ditëve, janë biseduar këto çështje nga këto persona:

Nuri Huta, bisedon në mes personave të tjerë d.m.th., të gjithëve se: gjermanët janë trima dhe trimërinë e tyre e lidhte me masakrat që kanë bërë në Shqipëri e vende të tjera, tue pushkatue njerëz anti – fashiste e komunista, thotë për ta se janë të disiplinuar dhe si shpallnin e lidh me urdhrat për pushkatime, që u kanë bërë njerëzve anti-fashiste, nuk flet fare dhe as nuk ç’mon fare luftën e popullit sovjetik, por më tepër ç’mon barbarizmat e ushtarëve gjerman.

Tue qenë present Pëllumb Dishnica dhe Rasim Tahiri, Nuriu ka thënë në mes të tjerave, tue tregue vuajtjet e burgut në vitin 1947, se që nga viti 1947 e deri sa u bë Plenumi i XI-të i Komitetit Qendror të Partisë sonë, në vitin 1945, nuk ka pasur qeveri fare dhe këtë e thotë se Koci Xoxe, ka bërë shumë krime, tregon për atë periudhë se janë vrarë njerëzit kot, janë lënë pa ngrenë dhe shumë tortura të tjera, që nuk bëhen as në vendet kapitaliste.

Ka thënë se në vitin 1943 kur ka qenë Nuriu në burg të Tiranës me Ali Demin dhe Koci Xoxen, se ushqimet e kolektivit i hante komiteti i burgut, në këtë rats nuk flet hiç mirë për komitetin e burgut, duke sharë Kocin, por nga sharjet e Kocit, nuk përjashtonte të shante dhe Ali Demin, thotë se na lejshin pa bukë dhe bukën e shisnin.

Në këtë diskutim, Xhaferrr Vokshi ja kundërshtonte, kurse Xhavit Qesja ja aprovonte. Në lidhje me Romenet, thotë se nuk tregojnë të vërtetën, qoftë për ato të Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve të tjera, prandaj janë mërzitur, thotë. Ka thënë se: po të vinte Fan Noli në Shqipëri, do t’u pushkatonte, më mirë që nuk ka ardh.

Xhavit Qesja, ky nuk flet mirë për shkrimtarët shqiptarë, për Dhimitër Shuteriqin ka thënë se është dallkauk dhe nuk shkruan të vërtetën. Për Zihni Sakon, thotë është rrenacak dhe dembel i madh.

Po kështu thotë për Misto Treskën, që është dembel dhe kurrë nuk ka punuar mirë, shumë keq flet dhe për kolonel Veli Dedin, thotë që është i trashë dhe nuk meriton që të jetë oficer dhe sigurisht tue thënë këtë fjalë, nënkuptohet se nuk duhet që të jetë as deputet. Këtë ja aprovuan Pëllumb Dishnica, kurse Xhaferr Vokshi jo, por flet shumë mirë për të, tue thanë se ai kryen detyrën. Xhaviti imiton disa dobësi të Mane Nishovës dhe këto i bën me qëllim tallje.

Pëllumb Dishnica duke diskutuar për luftën e popullit francez kundër nazizmit, ka thënë se Partia Komuniste Franceze, ka dobësi të mëdha në lidhje me fshatarësinë, në këtë drejtim nuk ka punuar mirë Partia Komuniste Franceze, kurse Peço Fidhi duke biseduar për luftën e popullit francez kundër fashizmit, ka thënë se bashkëpunimi i Partisë Komuniste franceze me De Golin gjatë Luftës kundër fashizmit, do të thotë me u dorzue të gjithë komunistët francez.

Këtë ja kundërshtuan Xhaviti dhe Pëllumbi, duke thënë se ky bashkëpunim ka qenë i drejtë, pasi është bërë luftë kundër fashizmit. Peço thotë se romani ‘Lufta dhe paqja’, nuk është i mirë, ka më shumë çështje lufte dhe këtë mund ta ketë shkruar ndonjë ushtarak, i mungon pjesa e dashurisë.

Nuri Huta, thotë se vetëm një fshat është djeg në Çekosllovaki gjatë luftës dhe Pëllumb Dishnica e forcon këtë, duke thënë se ata e bënë të madhe. Këtë e thonë me qëllim që të errësojnë luftën e popullit çekosllovak, pasi përmendnin se Gjermania në Çekosllovaki, ka ngritur industrinë e rëndë.

Lexo edhe :  Kate Winslet tregon pse e lë në tualet kupën e Oscar

Nga Xhaferr Vokshi, është biseduar për lëvizjen e Drenicës (Kosovë), dhe i quan masakrat që janë bërë kundra kosovarëve, që nuk ka qenë vijë e Beogradit, por është bërë nga individë me iniciativën e tyre. Për këto masakra, thotë se Fadil Hoxha nuk ka ditur gjë, por e kanë prerë në besë.

Gjovalin Luka, e lavdëron shumë Fan Nolin si shkrimtar, kurse shkrimtarët e tjerë të Shqipërisë që janë sot, si Dhimitër Shuteriqi dhe Zihni Sako, thotë se janë elementë që nuk prodhojnë, ky ka thënë Rasim Tahiri, se……..! Kurse për Zija Dibrën, i ka thënë Rasimit, se i kanë dalë dëshmitarë Zenepe Golemi (Ashiku), dhe Sitki Bushati, prandaj ka porositur Rasimin, që të mos flasi këtu dhe të ketë kujdes.

Në lidhje me raportin e parë, u kanë pasë propozu që të mos transferohet që të mos transferohet familja e Xhaferr Vokshit, tue u nisun dhe tue mos ja aprovu transferimin e familjes, do të mërzitet dhe do të filloj të flasë, ndërsa po t’i transferohet familja nga Ballshi, ai do të ishte më i qetë dhe si përfundim nuk do të fliste. Mbasi Rasimit i ka thënë: tani që më erdhi familja në Fier, jam shumë në rregull dhe nuk mërzitem fare, për tjetër gjë nuk e kam bërë propozimin, vetëm për këtë.

Dhomën e ka çel Gjovalin Luka dhe këtë e ka bërë me qëllim për të ditur se çfarë ka brenda, mbasi dy tre ditë përpara, ka shiku nga brima se çfarë ka aty dhe ka marrë një dyshek dhe një tavolinë dhe mbas dy ditësh, e ka hapur e ka marrë një dyshek. Kur e pamë ne i thamë se nuk ka bë mirë, mbasi kapiteni na tha që në atë anë, mos shkoni dhe i thamë në rast se ka nevojë për dyshek, të japim ne, por dyshekun çoje në vend, dyshekun e morri paradreke dhe e çoi pasdreke.

Për mendimin tim, hapja e derës nga Gjovalini është bërë me qëllim për të ditur se çfarë ka në dhomë, mbasi ai e kishte dyshekun e vet dhe nuk kishte nevojë. Mbylljen e ka bërë vetë ai, siç e ka hapur, asnjë nga ne nuk ka marrë pjesë as në hapje dhe as në mbyllje. Mbas njoftimit e ka siguru kapiteni.

Për lidhjet do t’i mbajmë çdo të hënë në orën 4.30 të mëngjesit që unë kam dëzhurnin dhe po të hënën në orën dy mbas darke, në këtë orë do të jem në kuzhinë.

“Vigjëlenti”

Shënim: Ju lutem të interesoheni për familjen që të futet në punë. Mund të rregulloni ndonjë lek, se është keq.

Datë 31. VIII. 1958 “Vigjëlenti”

Të shtypet në gjashtë kopje dhe të vendoset në dosjet e personave që implikohen.
Një kopje t’i jepet gjeneral-major Niko Çetës, të bisedojmë me gjeneral Nikon, që të urdhërojë kolonelin Hilmi Seitin, që t’i japë të shoqes së “Vigjëlentit”, një shumë të hollash dhe ta vendosë në një punë të mirë.
Punëtori Operativ

Raqi Zavalani

Raport-informacion i bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Vigjëlenti”, lidhur me bisedat e bëra nga të dënuarit në kampin e Zvërnecit

R A P O R T

Prej datës 1 deri më 7.9.1958, gjatë kësaj jave kanë biseduar këto çështje nga personat e poshtëshënuar:

Nuri Huta ka thënë se Ali Demi është vrarë kot, për një palë pantallona, që i kishte harruar tek një bazë në Kaninë të Vlorës, shkoi me i marrë dhe u taku me ballistët.

Tue bisedu për torturat që bëheshin në kohën e Koci Xoxes, tha, menjëherë mbas plenumit të XI-të të Partisë, këto u anulluan dhe nuk bëheshin më, por nga viti 1949 u lejuan me u bë tortura të arrestuarve, vetëm me autorizim, por me këtë autorizim bëjshin shpërdorime dhe ka pas që janë torturuar të burgosurit dhe pa autorizim, por emrat nuk i tregon, të tilla gjana ka pasur deri në vitin 1954, mbas këtij viti nuk ka pas, me këtë rast, Nuriu don të thotë se nuk është zbatuar ligjshmëria socialiste.

Duke biseduar rreth Beqir Minxhozit, i cili nuk ka mbajt qëndrim të mirë kur ka qenë partizan, u tha nga Peço Fidhi, se Beqiri është i zgjuar, por Beqir Minxhozi, është element i trashë, d.m.th., se nuk është i aftë për kandidat i Komitetit Qendror të Partisë.

Pëllumb Dishnica, duke folur për Hulusi Spahiun, tha që ka qenë i zoti dhe përsa i përket femrave, tha që…….. ka bërë më shumë dhe bën edhe sot, për Gjinin thotë se e ka çmendur edhe shoqen, sepse shkon mbas femrave.

Pëllumbi ka thënë mbasi pyeti Xhaferr Vokshin, se çfarë ka qenë Ali Kelmendi në Bashkimin Sovjetik, Xhaferri u përgjigj se ka qenë kapter, në këtë rast, Pëllumbi i tha se po të rrinte në Shqipëri, do të merrte gradën marshall. Këtë e tha në formë tallje.

Në lidhje me sukseset e Bashkimit Sovjetik, nuk flasin fare asnjeri, por flasin për vendet skandinave që janë shumë të kulturuara, ka vetëshërbim, ku u bëhet klientëve, nuk ka vjedhje, dhe për këtë flet me simpati të madhe Nuri Huta, Pëllumb Dishnica dhe Gjovalin Luka dhe konkretisht thonë për Gjenevën, Zvicrrën e vende si këto, kurse Xhaviti ka thënë edhe për Finlandën.

Xhavit Qesja ka thënë: jam çudit për Gëzim Ferrën, që ka shkuar në Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës, nuk ka dhënë gjë, familja e tij ka qenë mike e bajraktarëve, i ati i Gëzimit nuk ka mbajt qëndrim të mirë, është nga shtresë e lartë, me një fjalë nuk meriton të jetë as në parti.

Xhaferr Vokshi më ka thënë se ka bërë gabim që arriti e ndejti me Petro Bullatin, thotë që nga deklarata e Beogradit, kujtova se po përmirësohen marrëdhëniet me Jugosllavinë, po doli ndryshe, e parqet veten të penduar që arriti e u morr me politikë dhe thotë ç’më është dashur kjo punë?

Thotë për prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë, është fatkeqësi si për popullin shqiptar, ashtu edhe për popullin jugosllav, pasi në Shqipëri ka Podgoriçan dhe kosovarë dhe më tepër i qan hallin popullit kosovar, i cili do vuaj shumë………….!

Thotë po të ishte nëna e tij në Shqipëri, nuk do të lejonte që Xhaferri të rrinte në internim, por do të interesohej dhe do ta lironte. Thotë se internimi me izolim, ma kanë bërë sepse kam ndejtur me Nuri Hutën, megjithëse kemi ndenjt, por nuk kemi biseduar asgjë, po kështu nuk kemi bisedu as me Dr. Voi Bilbinë.

Transferimin e gruas e ka pritur shumë mirë, arriti të thotë se do të bëj dënimin dhe nuk do të flasë fare, pasi politika nuk më duhet. Do i gjejnë edhe punë gruas.

Në lidhje me mosardhjen e grave, thonë se i kanë pezulluar ardhjen dhe nuk e konsiderojnë të drejtë, qoftë Pëllumbi, Peço, Xhaferri dhe Gjovalini, por nuk e shfaqin direkt, por thonë se gratë duhet të lejohen të vinë. Në lidhje më shtypin nuk flasin asgjë, por e lexon secili atë vetë dhe nuk bënë asnjë koment.

“Vigjëlenti”
Masat Operative:

Të shtypet në gjashtë kopje dhe të vendosët për secilin në dosjet e tyre. /Memorie.al/

Të fundit

Çështja Beleri, zbardhen pjesë nga vendimi i gjykatës

Në dosjen e GJKKO, thuhet se Fredi Beleri ka hapur një grup WhatsApp, ku kërkon që ta ndihmojnë për...

Eksperimenti interesant në qytetet shqiptare, çfarë zbuloi Banka Botërore

Banka Botërore ka kryer nje eksperiment shume interesant ne qytetet shqiptare. Vullnetarët e saj vendosën sensorë të temperaturës dhe lagështisë në automjete dhe udhëtuan nëpër...

Rreth 150,000 njerëz do të mirëpresin flakën olimpike në Marsejë

Më 8 maj, rreth 150 mijë njerëz pritet të mirëpresin flakën olimpike, e cila do të mbërrijë në Belem nga Greqia me një lundrim...

Merr fund dilema, zbulohet italiani që i ka rrëmbyer zemrën Eglës

Prej ditësh po përflitet për partnerin e aktores Egla Ceno e cila siç tashmë e dimë është një nga konkurrentet më të forta të...

Media spanjolle jehonë Shqipërisë, nga Thethi në Berat: Vendi më i lirë për të udhëtuar!

Nga Cristina Blanco Vázquez/ El Debate I quajtur Karaibet Evropiane, Shqipëri është vendi bregdetar më i përballueshëm për sa i përket çmimeve, ushqime dhe udhëtime rreth...

Lajme të tjera

Web TV