“Ditën e rrëzimit të monumentit të Enverit, nusja e djalit të Hekuran Isait erdhi në zyrën time dhe më tha….”/ Kujtimet e panjohura të ish-gazetarit të Radio-Tiranës dhe ‘RD’-së

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Bashkim Trenova

Publikohen kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut.  Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e  regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al    

                                                         ME “HERONJTË E POPULLIT”

     BYROJA POLITIKE DHE PRESIDENCA

Fati tragjik i Fiqret Shehut dhe familjes së saj pas “vetëvrasjes” së Mehmetit!

Fiqretja mund t’i ketë bërë pohimet apo dëshmitë e saja nën presionin e torturave apo duke qenë e droguar. Sekuencat filmike që tregojnë atë në rolin e dëshmitarit, na japin një Fiqrete të zbardhur tërësisht brenda pak javësh. Mundet që Fiqeretja të ketë menduar se duke e “ndihmuar” Partinë, ajo vetë ose së paku fëmijët e saj do t’i shpëtonin vdekjes! Në të vërtetë, diktatura e proletariatit, së cilës edhe ajo si bashkëshorti i saj i kishin shërbyer me besnikëri, nuk do ta kursente as atë. Ajo vdiq në mënyrë misterioze në burgjet e diktaturës. Dyshohet se e helmuan. Trupi i saj nuk i’u dha të afërmve për ta varrosur! Jo vetëm kaq. Fati tragjik nuk kurseu as familjen e saj.

Djali i madh i Mehmetit dhe Fiqeretes, Vladimiri, i cili banonte në Gramsh, një ditë papritur u gjend i “vetëvrarë”! Kufoma e tij është gjetur e karbonizuar në një transformator elektrik. Arrestimit dhe burgosjes nuk i shpëtuan as dy djemtë më të vegjël të Mehmet e Fiqerete Shehut. Bashkimi u arrestua së bashku me të ëmën dhe vuajti në qelitë e burgjeve komuniste deri në vitin 1990. Po kështu edhe djali tjetër, Skënderi, pati të njëjtin fat. Gruan dhe fëmijët e Bashkimit i internuan në Belsh të Elbasanit. Bashkimin e kam takuar në redaksinë e gazetës “Rilindja Demokratike”, pasi doli nga burgu. Ai është i vetmi nga fëmijët e udhëheqjes së lartë të shtetit komunist shqiptar, që ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj të atit, sigurisht pa miratuar thashë e themnajat e Enverit apo të Nexhmije Hoxhës.

Mehmeti, në një letër që thuhet se e ka shkruajtur për Enver Hoxhën para se të vetëvritej, i lutet atij të ketë në kujdes  Fiqreten dhe fëmijët. Enver Hoxha jo vetëm i vrau gruan dhe djalin e madh, jo vetëm i burgosi fëmijët e tjerë, jo vetëm vrau, burgosi ose internoi të gjithë vëllezërit dhe të afërmit e tij, por edhe vetë varrin e Mehmet Shehut e zhduku. Eshtrat e Mehmetit dha urdhër të varrosen buzë një lumi në një vend të fshehtë në afërsi të kryeqytetit.

A ka qenë në të vërtetë Mehmet Shehu agjent apo poliagjent i të huajve? Mua më duket se ai ka qenë po aq agjent e poliagjent sa edhe vetë Enver Hoxha. Ata të dy, si të gjithë politikanët me mentalitete primitive, kudo që ndodhen ata, i kanë shërbyer me servilizëm kujtdo që i shërbeu fronit të tyre. Ata të dy, njëlloj, kanë qenë armiq të betuar vetëm të atyre që kanë cënuar apo kanë synuar të cënojnë këtë fron. Edhe vetë marrëdhëniet herë pasiononte e herë të furtunshme midis tyre, nuk dalin jashtë kësaj logjike. E veja e diktatorit, Nexhmije Hoxha, në një intervistë, që ka dhënë vitet e fundit në shtypin shqiptar, pyetjes nëse është Enver Hoxha ai që i vrau shokët e tij, i përgjigjet: “Nuk i vrau Enveri shokët e tij, përkundrazi. Shokët e tij e tradhtuan Enverin, e humbën durimin paksa me mendimin se ky Enveri jetoi pak si gjatë. Prandaj menduan, jo të gjithë, për pushtet. Këtu roli kryesor, ndoshta ka qenë ai i Mehmet Shehut» Në vijim të kësaj interviste, ajo shton: «I kam njohur shumë mirë të dy, si Fiqretin ashtu edhe Mehmetin, madje Fiqretin e kam njohur më shumë. Ajo …nuk ishte tip Mata Harri». Fiqreti, sipas Nexhmije Hoxhës, prezantohet edhe si një njeri i ndrojtur, i mbyllur. Pra as njëri dhe as tjetri nuk dalin si agjentë të shërbimeve të huaja të spiunazhit, gjë për të cilën edhe u dënuan, Mehmet Shehu madje si agjent i vjetër i rekrutuar që para Luftës. Pak a shumë po në këtë përfundim arrin edhe pasi lexon në shtypin shqiptar një intervistë të Ramiz Alisë, pasuesit të diktatorit Hoxha.

Ramiz Alia me dy përgjigje kontradiktore me njëra tjetrën, nëse Mehmet shehu ka qenë poliagjent!

Ramiz Alia njihet si një nga kritikët më të fortë të Mehmet Shehut në mbledhjen e Byrosë Politike, që përcaktoi edhe fundin e tij. Ai ka përsëritur disa vite radhazi akuzat “kundër bandës së komplotistëve, puçistëve dhe terroristëve të kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu”, siç bëri edhe më 12 shtator 1983 në një takim ditor të sekretarëve të Komitetit Qendror të Partisë. Më pas, në një intervistë të tij, rreth 30 vjet pas vrasjes apo vetëvrasjes së Mehmet Shehut, pyetjes a ka qenë apo jo Mehmet Shehu agjent ose poliagjent, ai i përgjigjet: “Nëse më bën mua pyetjen a ka qenë? Unë të them s’di gjë, s’mund të them që ka qenë apo s’ka qenë. S’kam asnjë dokument”. Në një tjetër intervistë dhënë kanalit televiziv “ABC”, jo shumë larg në kohë nga ajo që kam cituar më sipër, ai të njëjtës pyetje i përgjigjet: “Po të kishte qenë Mehmeti i tillë që nga viti 1942-’43, kohë kur ishte në kampin e përqendrimit, deri në vitin 1981 kur vrau veten, i thonë 40 vjet. Çfarë ka pritur? Ishte në krye të vendit. Po të ishte agjent i amerikanëve apo i anglezëve, çfarë donin më tepër ata për ta shtruar Shqipërinë?! Mehmeti do të kishte vepruar. Por deri atëherë s’ka vepruar… Nga kjo pikëpamje, janë të dyshimta konkluzionet mbi atë çështje”! Cilat fjalë të Ramiz Alisë duhet të besojmë? Ka qenë Mehmet Shehu poliagjent, nuk dihet apo nuk ka qenë?

I tillë ka qenë dhe i tillë mbeti Ramiz Alia gjatë tërë jetës së tij. Në një nga shkrimet e mia të para në gazetën “Rilindja Demokratike”, kur ai ende ishte president i Shqipërisë, kur ende në pushtet ishte Partia e Punës, e kam krahasuar atë me balerinat dhe piruetat e tyre. Në të vërtetë ky krahasim nuk ishte mjaft i goditur. Në piruetat e balerinave gjen art, mjeshtëri, estetikë, përsosmëri. Pas piruetave të Ramiz Alisë sheh një njeri pa personalitet, pa bosht, pa burrëri, një tel të përdredhur.

Ramiz Alia nuk ishte natyrë krimineli si Enver Hoxha, por kjo nuk e pengonte të mbështeste dhe të ndiqte me entuziazëm rrugën e krimit të Enver Hoxhës. Ai nuk ishte natyrë diktatori por kjo gjë nuk e ka penguar atë t’i ngrejë kultin diktatorit. Ramizi ishte natyrë e qetë, por kjo nuk e ka penguar atë të japë urdhër për të vrarë çdo shqiptar që ka tentuar të kalojë kufirin shtetëror, që të vrarët t’i ekspozojnë nëpër rrugët e qyteteve për të ngjallur tmerr e panik. Sipas dokumenteve zyrtare të kohës, vetëm nga 23 maji i vitit 1990 deri me 8 korrik të të njëjtit vit, janë vrarë në kufirin shqiptar 13 shtetas, që donin ta kalonin ilegalisht atë. Ramizi i butë, kolegjial, që premtonte të demokratizonte Shqipërinë, nuk ngurronte ndërkohë të urdhëronte të qëllohej me armë zjarri ndaj popullit, që rrëzonte monumentet e diktatorit si dhe ndaj mijëra e mijëra manifestuesve që thërrisnin “Liri-Demokraci”! Shkurt, sipas meje, nëse Enver Hoxha ishte një stalinist më i devotshëm edhe se vetë Stalini, Ramiz Alia ishte një stalinist i tredhur nga stalinizmi. Ai ishte për një diktaturë “demokratike”, por edhe për një demokraturë, d.m.th. një “demokraci” diktatoriale! Në vetvete ai ndjehej i vogël, i pafuqishëm për të qenë një burrë shteti, pavarësisht nga sistemi politik. Vetë ai ka thënë: “Unë duke marrë postin e Enver Hoxhës, e ndjeja veten shumë të vogël për të qenë Enver Hoxha”. Ai e ka parë gjithnjë Enver Hoxhën duke qenë në gjunjë përpara tij. Ramizi nuk guxoi të ngrihet në këmbë edhe pas vdekjes së tij.

Në të vërtetë, fillimisht, duke qenë ndryshe nga diktatori, Ramiz Alia edhe u shikua ndryshe nga shtresa të caktuara shoqërore. Pati edhe shpresa se ai do të bënte ndryshime. Edhe unë kam menduar kështu. Atij historia i dha një shans. Ramizi shumë shpejt do të tregonte se ishte “shumë i vogël”, jo më për ndryshime të mëdha, por edhe për ndryshime të vogla. Si i tillë ai nuk ngjalli kurrë as respekt dhe as frikë, madje edhe midis kupolës komuniste, që ishte edukuar vetëm të dridhej para diktatorit.

Deklarata e Hekuran Isait në gjyq, se kishte marrë urdhër nga Ramiz Alia për të qëlluar mbi turmat!

Më kujtohet një bisedë e shkurtër që kam bërë me Besa Isain në fillimet e dhjetorit 1990. Besa punonte në atë kohë, ashtu sikurse edhe unë, në Arkivin Qendror të Shtetit. Ajo ishte martuar me djalin e Hekuran Isait, që ishte anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i Brendshëm. Besa, përgjithësisht, ishte një vajzë e qetë, disi e tërhequr. Në një nga ditët e para të Lëvizjes Demokratike, kur diktatura kishte nxjerrë në rrugë tanket, ajo ka ardhur në zyrën time. Dukej se ishte e shqetësuar. Kemi biseduar për gjendjen e elektrizuar në vend.Unë isha kurioz të dija se çmendim kishte Hekuran Isai, vjehrri i saj. Siç më ka thënë ajo, ‘Babai’, kështu e thërriste ajo të vjehrrin, ishte shprehur me fjalët: “Nuk do të lejojë të më përdorin si kokë turku”! Vonë, pas fitores së demokracisë, Hekuran Isai do të deklarojë përpara trupit gjykues, se kishte marrë urdhër nga Ramiz Alia që të qëllohej me armë kundër turmave të revoltuara, që rrëzuan shtatoren e diktatorit, por ai nuk e kishte zbatuar këtë urdhër. Një deklaratë të ngjashme ka bërë edhe ish ministri i Mbrojtjes dhe ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm, Kiço Mustaqi. Në një intervistë dhënë në “Gazeta Shqiptare” më 11 maj 2011, ai tregon se nuk e ka zbatuar urdhrin e Ramiz Alisë për të nxjerrë ushtrinë në rrugë.

“Ramiz Alia’, thotë Kiço Mustaqi, ‘nuk duhet të dalë tani e të thotë se e shpëtoi Shqipërinë nga lufta civile, sepse ai e kërkoi këtë luftë duke dhënë urdhra  për të ndërhyrë ushtarakisht ndaj njerëzve”. Mendoj se që të shpëtojë kokën e tij, për të mos mbajtur asnjë përgjegjësi, Ramiz Alia e ka dhënë urdhrin gojarisht, pra edhe e ka dhënë edhe nuk e ka dhënë. Kjo është në natyrën e tij. Në fakt, në një mbledhje të plenumit të anëtarëve të Komitetit të Partisë së Tiranës, që është mbajtur ditën e rrëzimit të shtatores së diktatorit në Tiranë, Ramiz Alia ka pranuar se ka dhënë urdhër të shtihet mbi turmën, por të shtihet në drejtim të këmbëve! Ai ka akuzuar në këtë mbledhje Hekuran Isain, se nuk e ka zbatuar urdhrin. Po të kishte të vrarë, Ramizi do të thoshte se urdhri i tij ishte të qëllohej tek këmbët. Të tjerë do të përgjigjeshin për vrasjet. Të tjerët, nga ana e tyre, nuk kishin përse të shkonin si “kokë turku” për llogari të Ramiz Alisë. Ja përse si Hekuran Isai ashtu edhe Kiço Mustaqi, nuk e kanë zbatuar urdhrin. Përpara Enver Hoxhës ata nuk do të kishin guxuar të bënin një rebelim të tillë. Ramiz Alia nuk ishte Enver Hoxha, por edhe koha nuk ishte më ajo e Enver Hoxhës. Vetë Ramizi, Hekurani apo Kiço Mustaqi, ishin të ndërgjegjshëm për këtë. Në të vërtetë shumë shpejt kjo kohë do të perëndonte edhe pse duke lënë pas mangësi të mëdha, sidomos një mentalitet jodemokratik, autoritarist.

Lexo edhe :  Bordi i Transparencës ndryshon sërish çmimet, ja sa do të shiten nafta dhe benzina

Katër takimet e mija me Ramiz Alinë!

Unë jam takuar katër herë me Ramiz Alinë. Takimin e parë e kam bërë në redaksinë e gazetës “Zëri i popullit”, pak kohë pasi kisha filluar të punoja aty si gazetar i Sektorit të Jashtëm. Në atë kohë Ramiz Alia ishte sekretar i Komitetit Qendror të Partisë për ideologjinë. Ai kishte ardhë në zyrën e kryeredaktorit të atëhershëm, Xhelil Gjonit, së bashku me këshilltarin e Enver Hoxhës dhe të tijin për problemet ndërkombëtare, Sofokli Lazrin. Ramiz Alia kërkoi që nga redaksia e “Zërit të popullit”, të përgatitej për botim një artikull redaksional, mbi një takim ndërkombëtar që do të bënin Partitë Komuniste pro sovjetike, në mos gaboj, në Bratislavë të Çekosllovakisë. Artikullin duhet ta punoja unë. Artikuj të këtij karakteri deri në atë kohë i përgatiste vetëm Komiteti Qendror i Partisë. Për herë të parë po i kërkohej “Zërit të popullit”, që të shkruante një artikull të tillë redaksional. Sigurisht e ndjeva veten të vlerësuar, por nuk do të përkundesha gjatë në këtë iluzion. Sofokli Lazri do të më “zgjonte” nga ëndrra e bukur. Do të flas më tepër lidhur me sa më sipër, kur të shkruaj për Sofokli Lazrin ose për Xhelil Gjonin. Për herë të dytë Ramiz Alinë e kam takuar sërish ndërsa vazhdoja të isha gazetar në “Zëri i popullit”, por këtë herë takimi nuk u bë në zyrat e Redaksisë. Me sa më kujtohet, në vitin 1977, ai erdhi për një vizitë në shtëpinë time me rastin e 5 Majit, Ditës së dëshmorëve. Ishte një vizitë krejtësisht protokollare.

Udhëheqësit komunistë në të gjithë vendin shkonin më 5 Maj nëpër familjet e dëshmorëve, për të treguar gjoja nderimin e vazhdueshëm ndaj dëshmorëve dhe, më saktë, për të përligjur pushtetin e tyre me të gjitha prapësitë, duke u paraqitur si shokë, pasues të ëndrrës së dëshmorëve, të idealit të tyre. Ramiz Alia, në të vërtetë, nuk do të kujtohej fare për dëshmorët e familjes sime, sikurse as ishin kujtuar edhe të tjerë udhëheqës komuniste më parë dhe as do të kujtoheshin më pas, përjashto edhe një vizitë të Lenka Çukos. Ishte Niazi Çepani, kryetar i Frontit Demokratik të Lagjes dhe shok veteran i nënës sime, ai që propozoi familjen tonë si mikpritëse të Ramiz Alisë për 5 Maj.

Nga ky takim me Ramiz Alinë më ka mbetur në mendje një dialog i nënës sime me të. Në atë kohë udhëheqësit e lartë të Partisë kur shkonin për vizita protokollare tek shokët apo, sikurse thuhej, “në popull”, edhe kafen duhet ta pinin nga kafeja që sillnin me vete shoqëruesit e tyre. Kjo bëhej për masë sigurie. Ne kishim vënë në tavolinën e vogël, që qëndronte në mes të dhomës, një pjatancë të mbushur me mollë. Ne, si familje dëshmorësh, kishim privilegjin e përvitshëm të siguronim një autorizim shtetëror për të blerë me 5 Maj, katër apo pesë kilogram mollë. Kuptohet, një kokërr mollë ishte me mjaft vlerë. Për ta siguruar atë duhet të kishe derdhur gjak në Luftë! Nëna ime, duke dashur ta nderojë sa më mirë mikun, ngulte këmbë që ai të merrte një kokërr mollë. Ajo nguli këmbë aq shumë, sa i tha Ramiz Alisë që ai nuk do të mund të largohej pa e provuar një kokërr mollë. Ku e dinte nëna ime e varfër që Ramiz Alisë, si të gjithë të tjerëve në kupolën komuniste, nuk i mungonte gjë, as edhe qumështi i dallëndyshes, nëse do ta kërkonte! Ku mund t’i shkonte ndër mend asaj, por edhe mua, se ai edhe duhej të kishte kujdes e të mbrohej edhe nga familjet e dëshmorëve, nga një filxhan kafe dhe pse jo edhe nga një kokërr mollë! Më në fund Ramiz Alia, duke qeshur, u dorëzua. Ai pranoi të marrë kokrrën e mollës. Nëna ime u lumturua!

Sa herë më është kujtuar kjo skenë, me kalimin e viteve, më ka ngjallur një ndjenjë trishtimi të thellë. Një poet i ynë i madh, Migjeni, për të treguar varfërinë ekstreme të fshatarit shqiptar gjatë periudhës së Monarkisë, ka shkruajtur “Legjenda e Misrit”. Misri ishte atëhere ushqimi bazë për shumicën e popullsisë shqiptare. Në komunizëm kësaj legjende, i’u shtuan edhe shumë të tjera. Në fakt komunizmi gjithçka e shndërroi në legjendë, edhe kokrrën e mollës, edhe një kokërr portokalli, edhe një kokërr vezë, një pulovër, një palë këpucë, ujin, dritën, një udhëtim, një libër, një këngë, një  korrespondencë, etj., etj.

Ramiz Alia më kritikoi se unë kisha shkuar për turizëm në Francë!

Pas 5 Majit, ‘Ditës së Dëshmorëve’, jam takuar me Ramiz Alinë edhe në një rast tjetër ndërsa vazhdoja të punoja në “Zëri i popullit”. Besoj të ketë qenë fillimi i vitit 1981 kur ai erdhi në një takim me redaksinë e gazetës. Data më kujtohet me përafërsi, sepse nuk kishte shumë kohë që isha kthyer nga Franca ku shoqërova si gazetar Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe të Valleve Popullore, gjatë turneut të tij në këtë vend. Në bisedën e tij ai e përmendi këtë gjë.

Ramiz Alia foli gjatë e gjerë në redaksinë e “Zërit të popullit” për problemet e aktualitetit dhe të perspektivës. Biseda e tij teorikisht ishte korrekte. Ai na tregoi se si duhej të vepronte një redaksi si ajo e “Zërit të popullit”. “Ja’, tha ai, ‘ishte Bashkimi në Francë me Ansamblin, por ç’bëri? Asgjë. Shkoi për turizëm”! Mua mu duk sikur ai nuk ishte i informuar për punën time. Nuk mu durua dhe ndërhyra duke thënë: “Si për turizëm shoku Ramiz?! Unë pas çdo spektakli, i kam dërguar informacion ambasadës sonë në Paris. Kjo ia ka përcjellë atë Agjencisë Telegrafike Shqiptare, e cila ia ka shpërndarë pastaj medias për botim apo transmetim”. Ramiz Alia, siç duket, si të gjithë udhëheqësit e lartë të Partisë, nuk ishte mësuar të sqarohej. Ata dinin gjithçka dhe ishin të sigurt për gjithçka. Ai gjeti menjëherë një “argument”, për të më mbyllur gojën. “Jo, jo, tha ai, nuk është fjala për Agjencinë, por ç’bëre ti për t’u lidhur me Redaksinë, për t’i dhënë direkt redaksisë informacione mbi sukseset e Ansamblit në Francë”?!

Formalisht ai kishte të drejtë. Unë nuk isha lidhur me Redaksinë. Unë kisha vepruar ashtu si më ishte thënë, ashtu sikurse kishin vepruar më parë të gjithë gazetarët e tjerë, që kishin shoqëruar grupet apo ansamblet artistike jashtë vendit, dhe ashtu siç do të vepronin të gjithë të tjerët edhe në të ardhmen në raste të ngjashme. Pra unë kisha vepruar në bazë të një praktike të miratuar e të pandryshueshme. Që të veproja ndryshe, të lidhesha drejtpërsëdrejti me redaksinë, do të duhej që bisedat telefonike të mbuloheshin financiarisht. Mua, si edhe të gjithë kolegëve të mi në raste të ngjashme, nuk na është dhënë asnjë cent. Organizatorët francezë të turneut, paguanin fjetjen, ngrënien dhe 3 dollarë pare xhepi në ditë për secilin pjesëtar të Ansamblit dhe shoqëruesit e tij. Ramiz Alia i dinte, sigurisht, të gjitha këto, por donte t’i “harronte”. Kështu, në këtë rast, i krijonte vetes mundësinë të tregohej se sa i lidhur ishte me problemet e shtypit dhe funksionimin e tij. Ai na tregonte, në të njëjtën kohë, edhe se ç’distancë qëndronte midis asaj që kërkohej nga Partia prej gazetarëve dhe asaj që realizonim ne, gjë që ishte e pamjaftueshme, e kritikueshme. Po të flasim me gjuhën e kohës, kjo duhej kuptuar sikur “Partia po na hapte horizonte të reja”. Unë doja sërish të shpjegohesha, por nga pas ndjeja duart e kolegëve që më tërhiqnin nga xhaketa për të më detyruar të ulesha e të mos e zgjasja më. Vonë kam kuptuar se ata kanë patur plotësisht të drejtë.

Në këtë takim Ramiz Alia foli gjithashtu për perspektivat e shtypit shqiptar. Ai tha se në qendër të Tiranës, aty dikund pas Muzeut Historik Kombëtar, do të ngrihej një ndërtesë shumëkatëshe, e cila do të strehonte të gjitha organet e shtypit. Edhe në këtë rast ai na foli për mënyrën se si duhej organizuar puna nga redaksia në këto kushte. Unë sërish pranoj se mendimet e tij ishin të drejta, por vetëm teorikisht. Ai fliste për organizim të punës në kushte të tjera në një kohë kur këto kushte ekzistonin ndoshta vetëm në kokën e tij. Ai fliste, me të drejtë, për modernizim të punës në media, por fjalët e tij shqiptoheshin në një kohë kur Shqipëria po gremisej gjithnjë e më thellë në humnerën e varfërisë dhe kur rezervat buxhetore të shtetit, nuk ishin as aq sa mund të disponojë si kursime një pensionist mesatar aktualisht në Bashkimin Evropian. A ishte i ndërgjegjshëm Ramiz Alia për këtë realitet? Dua të besoj se po, por ndoshta bënte detyrën, thënë sërish me gjuhën e kohës, ai demonstronte optimizëm, entuziazëm! Më pas u takonte gazetarëve ta shumëfishonin e ta përhapnin kudo, si real, këtë lloj optimizmi apo entuziazmi, gjithsesi mashtrues.

Unë sërish e mora fjalën dhe thashë: “Dakord, shoku Ramiz, por që të bëhen të gjitha këto që thoni ju, duhen njerëz”. Ai reagoi menjëherë duke thënë: “Mjaft jeni si njerëz në Redaksi, shihni organizimin e punës”. Replikova duke thënë: “Ne jemi 52 vetë në Redaksi, por vetëm gjysma janë prodhues. Pjesa tjetër janë administratë”. Sërish ndjeja nga pas duart e kolegëve që më tërhiqnin nga cepet e xhaketës që të mos e zgjasja më. Për ta mbyllur këtë subjekt, një nga kolegët, i ulur pranë meje, tha: “Po, shoku Ramiz, mjaft jemi në Redaksi. Duhet të shohim organizimin e punës sonë”. U befasova kur dëgjova fjalët e tij, sepse ishte ai që në mbledhjet e Kolegjumit, disa herë ishte ankuar duke thënë se sektori që drejtonte kishte nevojë për më shumë gazetarë! Kolegu im ishte më i ri në moshë se unë, por siç duket, edhe shumë më praktik. Për herë të fundit Ramiz Alinë e kam takuar në vitin 1984 në shtëpinë e Myslym Pezës ku kishte ardhë së bashku me Enver Hoxhën dhe bashkëshorten e tij, Nexhmijen, me rastin e vdekjes së Myslymit. Kam shkruajtur për këtë takim kur kam folur për Myslym Pezën. Memorie.al


Të fundit

Ukraina synon të evakuojë mijëra banorë nga Donetsku para dimrit

Qeveria ukrainase po synon të evakuojë dy të tretat e banorëve nga zonat që ajo ende kontrollon në rajonin...

Studiuesit në alarm, temperaturat në Arktik po rriten shumë më shpejt se mesatarja

Sipas një studimi të ri skandinav, temperatura në rajonin e Arktikut po rritet shumë më shpejt se mesatarja globale sesa kanë vlerësuar më parë...

FBI kontrolle në shtëpinë e Trump, flet prokurori i përgjithshëm: E urdhërova unë

FBI ka hyrë në shtëpinë e ish-presidentit Donald Trump për të bërë kontrolle por ende nuk dihet arsyeja e kontrollit. Mbi ngjarjen ka folur vetë...

Nga Trump te lufta në Ukrainë, zbulohet si “The Simpson” parashikojnë të ardhmen

Nëse doni të dini se ku po shkon bota, shihni “The Simpsons”. Shfaqja popullore e karikaturave për të rritur ka parashikuar ngjarje të egra dhe të...

Ishte i shpallur në kërkim, arrestohet ish-shefi i policisë së Dhërmiut!

Ish-shefi i Policisë së Dhërmiut, Sokol Bode është arrestuar mbrëmjen e sotme gjatë një aksioni policor në qytetin e Beratit. Bode është dënuar me 12...

Lajme të tjera

Web TV