“Në Konferencën e Tiranës situata ishte e elektrizuar, jugosllavët na e bënë mëndjen çorbë; të njëjtin person tani e shikoje te “Dajti” dhe më pas te…”/ Përgjimet e “Vëzhguesit” për të internuarit e Zvërnecit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, kapiten Maliq Mersini, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vëzhguesi”, lidhur me bisedat e bëra nga të internuarit në Ishullin e Zvërnecit

Marrë nga P.O. Maliq Mersini

 Dhënë nga B.p. “Vëshguesi”

   Vlorë më 4/V/1959

                                                                  R A P O R T

Gjovalin Luka, në lidhje me sëmundjen e tij, Gjovalini ndonëse u dërgua në spital dhe i ka ardhur doktori tre herë, thotë me revoltim, se kur do të më shërojnë, kur të vdes?! Kur qe keq bëri një telegram për Ministrin me fjalë të ashpra, por e grisi (ndërsa në të vërtetë ilaçet që i janë dhënë nga doktori, nuk i ka konsumuar të gjitha, vetëm _______ përdori, të tjerat i la tre muaj pa i përdorur deri sa u prishën).

Peço Fidhi, është personi që llap më tepër, nuk i rrihet pa folur, bile shpesh bën dhe manifestime fëmijësh karshi rojeve të këtushme. Kur u diskutua në Kuvendin Popullor buxheti, ndërsa po lexonte gazetën, bëri këto pyetje: A është e mundur të jetë reale kjo përqindje e buxhetit tonë ushtarak, që jepte në shtypin tonë?! Këtu në gazetë jepet se komisioni buxhetor i Kuvendit paska bërë 300 milion lekë shtesë, kjo bëhet ose për formalitet, ose ndryshe del se Këshilli i Ministrave, nuk e ka pas studiuar mirë. Këtu i futi një të sharë deputetit Shefqet Kruja, Kryetari i këtij komisioni;

Kur po bisedonin mbi makinën sovjetike për kapjen e sinjaleve të trurit të njeriut (që quhet televizor i trurit), Peço tha se këtu përmbysen disa teza të materializmit filozofik, sidomos kjo shpikje bijë në kundërshtim me formulimin e Stalinit, mbi konceptin e të menduarit, që thotë: “Mendimi është material dhe shprehet me anën e të folurit”.

Kur u kthye Gjovalini nga spitali, tha se kish mësuar nga të burgosurit e atjeshëm se një fshatar nga Mallakastra i dënuar për vrasje, i paska bërë një lutje shokut Hrushov për lirimin e tij, duke i shpjeguar çështjen se si paska qenë i pafajshëm dhe se legata i paska kthyer përgjigje mbi marrjen e letrës nga Hrushovi, atëherë Peço tha: Hrushovi po bëhet si Stalini.

Duke lexuar në gazetë një artikull mbi revizionizmin Jugosllav, ku bëhej fjalë edhe mbi grupin anti-parti e tradhtar të Tuk Jakovës e Bedri Spahiut, Peço tha se: “Tani paskan shtuar edhe epitetin tradhtar”!

Duke biseduar rreth Konferencës së Tiranës, më tha: “Në atë kohë situata ishte e elektrizuar, jugosllavët në Tiranë na e bënë mendjen çorbë; të njëjtin person të legatës jugosllave, tani e shikojë në “Dajti” dhe mbas 10 minutash, e shihje duke u takuar me ndonjë person nga spitali. Koka në të vërtetën na i pat fajet, sepse, pat sinjalizime nga Partia, por pati dhe raste që na çorientuan, p.sh., konferenca që mbajti Vandush Vinçani në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi”, ku foli i autorizuar nga shoku Enver, ku qe dhe shoqja Liri Belishova; e nga të mos turbulloheshe, tjetër thoshte Vandushi, e të tjera Liria.

Nga një anë dëgjonin fjalimin e Enverit me kuadrot e rinisë, nga ana tjetër thumbat e Lirisë dhe divergjencat e Gogo Nushit me ______ në Kuvendin Popullor dhe kur i bisedonim këto me jugosllavët, ata na thonin: Ja kush e pengon përmirësimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë, ja kush nuk don të shtrohen për diskutim çështjet e marrëdhënieve në të kaluarën.

Është shumë i ndyrë nga goja; një ditë na erdhi për vizitë major Gole Bashari dhe bëri shaka me Peçon. Me t’u larguar majori, ky i futi një të sharë. “Unë’ tha ‘i njoh dhëmb e dhëmballë, është prej një familje të pasurish, po përfitoj se hyri qysh në fillim në Sigurim; se gjoja paska përkrahur një të kunatin e tij, për ta bërë shef arsimi, pa e merituar (më duket në Tepelenë), hajde duroje tani, etj”. Dërdëllisje. Duke grisur një telegram që nuk ja dërgojë kapteri pa lejen e kapitenit, tha: E po të interesuar jemi ne, edhe kaq tepër e kemi (shumica e shokëve i thanë që të mos flasë në shumës).

Ka patur raste që i kërcënon rojet, bile për çështje të mungesës së ujit për faje të vetë, tha se: po s’ma zgjidhi edhe kapiteni, do të më shohi në Degë, bile edhe në Ministri do ta bëj çështje, e të tjera çilimillëke të tilla!

E ka bërë zakon të thotë vazhdimisht: Unë e kam skjaruar çështjen time me Ministrinë kur isha tani në Tiranë, mua do të më lirojnë, bile ka caktuar datën 1 Maji, ju mund të lirohi më vonë, etj. Besa unë një ditë, nuk m’u durua më dhe i thashë se ai do të lirohet mbase i fundit, bile t’i lutet zotit që të ndeshet vetëm me internimin, se pesë vjet burg i thashë, i ke hak vetëm për këto që dhap këtu.

Xhavit Qesja, duke biseduar me Peçon, theksoi se si në Hungari dhe në Poloni, nuk kemi student shqiptarë dhe se këta u hoqën porsa ndodhën ngjarjet e Hungarisë. Duke biseduar për seksionet e jashtme të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Xhaviti tha se në këtë mënyrë, Partia Bolshevike është në dijeni të gjithçkaje që ndodh në Partitë Komuniste në të gjithë botën.

Lexo edhe :  Dua Lipa thotë se e ka manifestuar jetën e saj dhe s’i kursen disa detaje për Kosovën

Xhaviti, duke biseduar se protokollet e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, i shkojnë për studim gjithë organizatave të Partisë, Pëllumb Dishnica tha se kjo është shprehje e demokracisë së vërtetë në Parti, kurse Peço shtoi: Tek neve kjo nuk mund të ndodhë, Parti e re e jona, është e papjekur.

Xhaviti, duke folur për rehabilitimin e Popkovit, Vozneseneskit, etj., tha se kishte qenë shumë tragjik komunikimi i vendimit për rehabilitim, që u ishte bërë familjeve të tyre, nëpër vende të ndryshme ku ishim dëbuar, pasi ja paskan plasur vajit e gjëmës.

Marie Luka, e shoqja e Gjovalinit, kur erdhi herën e fundit, më tha: “Aman mbushja mendjen Gjovalinit, që të më shkruaj rregullisht, se bëhem shumë merak kur nëse vonohen letrat e tij, kam frikë se mos e likuidojnë pa gjyq”. Kur i thashë se këto janë marrëzira, më tha: “Ti nuk e din se çfar më ka thënë…….në Tiranë, për të më detyruar ta divorcoja”!

Këto dy tri ditë qenë këtu e shoqja e Xhaferrr Vokshit, Agetina dhe Sabehet Fidhi, e shoqja e Peços, po erdhën shumë të harlisura. Porsa erdhën, e shoqja e Peços i tha Agetinës të na tregonte, “çështjen e makinës”, me major Golen, duke thënë se sa mirë që ja bëri dhe Agetina na tregoi në mënyrë komike, se si ja paska thënë majorit, që Xhaferri i ka lënë makinën e vet në Gjakovë dhe se kur majori i paska thënë, se gruaja e mirë, e influencon burrin e vet, kjo i qenka përgjigjur: “Ku e din ti se edhe unë si shoqja e tij, nuk kam menduar si ai?!

Po kështu, edhe për një letër që ja paska kthyer majori”. Kur tregoi Rasimi se si u deh Xhaferri dhe si si volli, Agetina shtoi: “Ka qenë përgjigja e lutjes së Kuvendit Popullor (dhe marrëzira të tjera, që më vjen turp t’i shkruaj tekstualisht). Kur i lajmëruan që të nisen në këmbë, Xhaferi i tha të shoqes, mos u nis, punë e madhe se është ditë pune, nga puna nuk të pushojnë dot, se ke dy fëmijë. Megjithatë, të nesërmen u nisëm në këmbë të dyja, me bisht ndër shalë.

                                                 “Vëzhguesi”

    Vlorë, 4.5.1959

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, kapiten Maliq Mersini, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vëzhguesi”, lidhur me bisedat e bëra nga të internuarit në Ishullin e Zvërnecit

Marrë nga P.O. Maliq Mersini

Dhënë nga B.p. “Vigjelenti”

Vlorë, më 6 maj 1959

                                                                        R A P O R T

Peco Fidhi, duke biseduar mbi uljen e çmimeve me Rasimin, i tha atij se ja këtë kemi kërkuar ne, të ulen çmimet, të hiqen blloqet dhe këto po bëhen, prandaj se kuptoj pse na mbajnë dhe kur merren vendime mbi uljen e çmimeve dhe të tjera masa për përmirësimin e konditave të popullit, unë jam i turbullt se këto gjëra kemi kërkuar dhe këto po bëhen, prandaj ne nuk kemi faj.

Më pas Peço, tha se Sigurimi, dyshon se mos unë kam bashkëpunuar me Jugosllavët, pasi kam ndenj me Raden, (funksionar i Legatës Jugosllave, si dhe me Rexhep Xhihën në Hotel “Dajti”, por aty ka qenë prezent edhe Jahja Hatibi dhe Shahin Balla. Shahin Balla, thotë Peço, nuk ka folur kurrë, kurse unë e kam kundërshtuar Rexhepin, kur ai lavdëronte Koci Xoxen. Por Sigurimi nuk beson se unë nuk kam fol me Jugosllavët dhe se nuk i kam ndihmuar ato, por po të kisha folur me Raden e Rexhepin, kundra Partisë dhe shtetit, do t’i kishte thënë Jahja Hatibi e Shahin Balla, prandaj edhe kjo bie poshtë. Megjithatë, Sigurimi ka të drejtë që dyshon, pasi unë me Raden kam ndej shumë në Hotel “Dajti”.

Për uljen e çmimeve të gjithë folën mirë, kurse Xhavit Qesja nuk foli fare. Kur erdhën familjet më datën 30 prill, menjëherë porsa u ul Agetina Vokshi, na tha se si ishte përgjigjur major Gole Basharit, për çështjen e makinës, kur Golja i kishte thënë ku e keni makinën për të shkuar tek burrat, Agetina i ishte përgjigjur se Xhafer Vokshi, e ka lënë në Gjakovë makinën, pastaj major Golja, i kishte thënë se gruaja me mënd, e ndihmon burrin, ajo i qe përgjigjur, se: ku i dini ju se edhe unë nuk i kam mendimet e Xhaferrit, duke i treguar këto dhe arsyen që i kishte kthyer një letër major Golja, të gjithë qeshnin dhe ju bëhej qejfi që i kishte dhënë përgjigje të tillë, Agetina, major Goles, me përjashtim të Nuri Hutës, i cili tha se: ato teatro janë me zarar, por Agetina nuk e çau kokën fare. Pastaj Agetina i tha Gjovalinit dhe Rasimit, se ishte në Tiranë dhe keni shumë të fala nga Kolë Jakova, dhe se Kola, e kishte porositur Agetinën, që t’i thoshte Gjovalinit, të vazhdonte romanin që ka nis, e mos ta lërë përgjysmë, si tjetrin dhe Gjovalini tha se do e vazhdoj.

Agetina Vokshi, i tregoi Rasimit, se Amali Dishnica, kishte bërë fjalë me të shoqen e Peco Fidhit, të cilës si kishte thënë Amaila, se Peço ka thënë në Sigurim, se kur kanë pirë me Pëllumb Dishnicën në Fier, kanë thënë: Poshtë ata udhëheqja, dhe kanë folur mirë për veten e tyre dhe për element të tjerë antiparti. Për këtë, kishte thënë Amalia, që ka shpif Peço, nuk shkoj më tek Sabaheti si më përpara.

Për Zenepe Ashikun, Agetina u tha trë gjithëve se akoma nuk i kanë gjetur punë. Zenepja i kishte dhënë për Xhaferrin një kanotiere dhe revista “Nëntori”.

Agetina, e kishte pyetur Xhavit Qesen, a të la gruaja?, ai i ishte përgjigjur, se po, por më vjen keq që ka marrë dhe dy fëmijët, por nuk mërzitem, s’kam ç’të bëj, pa e sharë fare të shoqen.

Gjovalin Luka, në prezencë të Rasimit, e ka këshilluar Agetinën se nuk duhet të rrijë më me Sabahetin, me Amalinë dhe me Zenepen, sepse ato, sidomos, Amalia, duan me të bë të zezën, prandaj shiko punën tënde. Kurse Agetina i thoshe Gjovalinit, se ka të drejtë, se Sabaheti, gjithnjë rin e më thotë se: Peço do lirohet, nuk është si të tjerët, do të lirohet më shpejt se të tjerët.

Peço Fidhi, i ka thënë Rasimit, se kur ishte Peço në Vlorë dhe në Tiranë, që ka qëndruar 13 ditë, ka kuptuar nga puna që ka pas me shokun Filat Muço, se duan me fut në burg Pëllumb Dishnicën e Zihni Muçon, tek këto e kishin hallin, por unë pashë artikullin e Zihniut që kishte shkruar mbi tregtinë verore, prandaj besoj që nuk do të marrin masa për t’a burgosur. Për vete, thotë Peço, se nuk i’u doli ajo që ka menduar Sigurimi. Memorie.al

                                                                                      “Vigjëlenti”

Vlorë, 6 maj, 1959

Të fundit

Mark Marku: Kërkova Rithemelimin e PD kur ishte në pushtet, më thanë ik na ler rehat

Ditën e sotme, gjatë një rrëfimi ndryshe në podcastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Mark...

Tiranë/ Pamje tmerri, automjeti tërheq zvarrë qenin në rrugët e kryeqytetit

Një video e pazakontë është shpërndarë në rrjetet sociale. Një qytetar ka kapur përmes telefonit të tij, momentin teksa një automjet tërheq pas vetes...

Meta e Kryemadhi nuk janë Çausheskët e Tiranës, Berisha dhe leksioni Veliaj për të tre

Nga Lorenc Vangjeli Eshtë e pamundur t’i shpjegosh një “alieni” që vjen për herë të parë në Tiranë, se çfarë po ndodh me politikën në...

Rama: Nis puna për investime të reja në pesë shkolla në Shkodër

Kryeministri Edi Rama njofton se së shpejti do të çelen investimet e shumëpritura në pesë shkolla në qytetin e Shkodrës. Përmes një postimi në rrjetin...

Fifi dhe Sara zbulojnë kodet për lojën që familjarët u dërgonin në “BB” përmes rrobave

Të pyetura nga moderatorja Bora Zemani nëse kishin vendosur me familjarët kode apo sinjale që do t’u tregonin sesi ishin në lojë, ato treguan...

Lajme të tjera

Web TV