“Si u diplomuan në akademitë ushtarake të Bashkimit Sovjetik disa nga gjeneralët shqiptarë, pa e ditur fare gjuhën ruse…”?!/ Kujtimet e panjohura të ish-gazetarit të Radio-Tiranës dhe ‘RD’-së

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Bashkim Trenova

Publikohen kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut.  Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e  regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al                                                                       

                                                    ME “HERONJTË E POPULLIT”

    BYROJA POLITIKE DHE PRESIDENCA

Kishin arritur disa kamionë për të transportuar trupat e mbetura rrugës si bajgat e lopëve. Kështu ishim trajtuar në të vërtetë. Hysniu më thotë të ngriheshim e të hipnin në ndonjë nga kamionët e ardhur para se ata të largoheshin. Unë nuk kisha as edhe një fije force, as sa për të arritur tek kamioni më i afërt. “Ik ti, unë do t’ iu arrij nesër”, i thashë Hysniut. Ai nuk pranoi të largohej e të më linte aty të braktisur, të vetëm. Më në fund, sikur po shkonim drejt skuadrës së pushkatimit, i ndihmuar nga Hysniu, i bëmë së bashku hapat deri tek kamioni që po mbushej me “heronjtë” e stërvitjeve të mëdha, apo më saktë, të çmendurive të mëdha. Stërvitjet ushtarake apo “lojërat” ushtarake të këtyre përmasave, zyrtarisht përligjeshin me slogane të tilla si: “Mbrojtja e Atdheut është detyrë mbi detyrat”. Ndoshta deliri nuk e lejonte kupolën komuniste të shihte qartë realitetin. Askush nuk do të sakrifikonte për të mbrojtur një Atdhe të shndërruar prej saj në ferr për të gjithë popullin. Askush nuk shihte më keq se ferri, sidoqoftë ndodhte. Për më tepër kur zyrtarisht Atdheu njësohej me Partinë dhe Partia me Enver Hoxhën.

Si diplomoheshin ushtarakët shqiptarë në akademitë e Bashkimit Sovjetik, pa ditur fare gjuhën ruse!

Gjatë viteve të demokracisë, në shtypin nostalgjik të komunizmit shqiptar është botuar edhe ndonjë intervistë ku Petrit Dumja vlerësohet si një gjeneral i madh. Unë nuk jam në gjendje të them nëse vërtetë ai ka qenë apo jo i tillë. Gjykuar nga stërvitjet e mëdha, ku edhe kam marrë pjesë, mua më duket se madhështia e tij, ashtu si edhe ajo e mjaft gjeneralëve të tjerë, është e pompuar. Mua më duket se ata u bënë të “mëdhenj” nga Enver Hoxha dhe u ç’bënë si të tillë po nga Enver Hoxha. Di se disa mbaruan edhe akademi ushtarake në Bashkimin Sovjetik, sikurse di gjithashtu se disa prej tyre, edhe pa njohur gjuhën ruse, kanë marrë diplomat e këtyre akademive. Provimet ata i kanë dhënë me përkthyes. Në rolin e përkthyesit kanë shërbyer studentët shqiptarë të këtyre akademive. Këta, në të vërtetë, nuk përkthenin gjeneralin që merrej në provim. Gjenerali vetëm ishte i pranishëm fizikisht. Atij i duhej vetëm të fliste në shqip. Pjesën tjetër të punës e bënin studentët shqiptarë. Jam takuar një herë në një stërvitje të zakonshme me një nga këta gjeneralë. U tregua shumë i rreptë me mua, sepse armën që ndodhej para meje në tokë e quajta “antitank” dhe jo “kundërtank”. Unë i thashë se mund të përdoreshin të dyja. Ai u vërejt, u egërsua nga “rebelimi” im. Atëhere, për t’u mbrojtur, i thashë: “Shoku gjeneral, përse përdorim fjalën “anti-imperializëm” dhe nuk themi “kundër-imperializëm?” Gjenerali nuk diti si të përgjigjet. Kishte arsye “politike” e “ideologjike” të mos përgjigjej. Të gjitha fjalimet e diktatorit Enver Hoxha dhe materialet e Partisë përdornin fjalën “anti-imperializëm” dhe jo “kundër-imperializëm”.

Akuza e Enver Hoxhës se Petrit Dume me gjeneralë të tjerë do rrethonin me tanke Komitetin Qendror të PPSh-së!

Unë nuk kam patur rast tjetër të takohem me Petrit Dumen. Vite më pas ai dhe disa gjeneralë të tjerë u arrestuan dhe u dënuan me vdekje, si tradhtarë të Atdheut, të Partisë dhe të shokut Enver Hoxha. Ai dhe gjeneralë të tjerë u akuzuan si komplotistë, që kishin projektuar rrethimin me tanke të Komitetit Qendror të Partisë, eliminimin e Enver Hoxhës dhe përmbysjen e pushtetit popullor apo të diktaturës së proletariatit. Në Komitetin Qendror Petrit Dumen e dënuan pa e lejuar që të shpjegohet, qoftë edhe formalisht. Mjaftuan këto fjalë të Enver Hoxhës: “Shokë, në bazë të propozimeve tuaja, Petrit Dume të përjashtohet nga Partia dhe t’i jepet gjyqit! Jeni dakord me këtë propozim? (Të gjithë shokët njëzëri aprovuan propozimin). Atëhere Petrit Dume, dorëzo teserën dhe dil jashtë”. Enver Hoxha i përdorte si gurë shahu anëtarët e Komitetit Qendror. Ai duket sikur nuk bën tjetër veçse miraton një propozim të tyre dhe i pyet vetë ata më pas nëse janë dakord me ç’ka vetë kanë propozuar. Kështu zbatohej edhe “demokracia” në Parti!

Petrit Dume, jo shumë vite më parë, na kishte kërcënuar ne me Gjykatën Ushtarake. Kush mund ta mendonte atëherë se ai vetë së bashku me ‘Heroin e Popullit’, Ministrin e Mbrojtjes, Beqir Balluku dhe me Drejtorin e Drejtorisë Politike në Ministrinë e Mbrojtjes, ‘Heroin e Popullit’, Hito Çako do të dënoheshin nga kjo Gjykatë?! Ata u ekzekutuan me një plumb pas koke në një nga tunelet e malit të Dajtit pranë kryeqytetit. Para ekzekutimit, Petrit Dume ka thënë: “Rroftë Partia, rroftë Shqipëria”!. Duhej të vdiste për të mos thënë: “Rroftë Enver Hoxha”! As ai e asnjë nga ata që u ekzekutuan së bashku me të, edhe në kufirin ekstrem midis jetës e vdekjes, nuk guxuan të shqiptojnë: “Poshtë Enver Hoxha”! Ndoshta mendonin për fëmijët, për familjet e tyre. Ata, më mirë se të tjerët, e dinin se hakmarrja e diktatorit ishte e pakufi.

Nga leximi i proces-verbaleve të Plenumit të Komitetit Qendror, që dënoi Petrit Dumen, arrin në përfundimin se të gjithë pjesëmarrësit në këtë Plenum, si gjithnjë kur bëhej thirrje për prerje kokash nga diktatori, nxitojnë të vihen në garë të ethshme për të hedhur male me gurë mbi viktimën e radhës dhe për të shprehur besnikëri servile përzier me nënshtrim skllavi ndaj Enver Hoxhës. Nga më ekstremët, në mos edhe më ekstremi, është ish kryeministri Mehmet Shehu. Ironia është se disa vite më pas, vetë ai, do të gjendej po në këto pozita si Petrit Dume dhe do të akuzohej, madje, si kryetar i grupit puçist ku bënte pjesë, sipas versionit zyrtar, edhe Petrit Dume dhe gjeneralë të tjerë.

I gjithë realiteti i Shqipërisë socialiste ishte surealist. I tillë ishte edhe dënimi e ekzekutimi i Petrit Dumes. Edhe më surrealist është më pas dënimi nga diktatura i kalit të tij. Duke qenë se kali i gjeneralit i kishte shërbyer një armiku të rrezikshëm, siç u quajt Petrit Dume, duhet të paguante edhe ai për besnikërinë që kishte treguar ndaj të zotit. Me një vendim të posaçëm zyrtar, ky kal u hoq nga vendi ku mbaheshin kuajt e zgjedhur dhe u dërgua në zonat e thella të jugut të Shqipërisë, në malësitë e Përmetit, për të kryer punë të vështira në bujqësi, njëlloj siç veprohej me të gjithë të internuarit. Duke qenë se ai ishte një kal i bukur, i bardhë, për të mos tërhequr admirimin e fshatarëve, atij  i prenë jelet e gjata, njëlloj siç u priteshin flokët të burgosurve të diktaturës. Kali i Petrit Dumes, u lirua vetëm për disa javë apo për disa muaj nga punët e rënda të bujqësisë. Një nga pionierët e regjisurës shqiptare, Gëzim Erebara, me leje të veçantë, e mori atë për të xhiruar në filmin e tij “Pylli i lirisë”. Me këtë rast, kalit të Petrit Dumes i vunë jele të rreme, për të zëvendësuar ato të vetat, që i ishin prerë. Historia e kalit të Petrit Dumes, nxiti gjithashtu, disa vite më pas, edhe regjisorin tjetër të njohur shqiptar, Saimir Kumbaro, për të xhiruar filmin “Vdekja e kalit.”

ANËTARË TE KOMITETIT QENDROR

 Si e njoha gjeneral Gjin Markun dhe familjen e tij!

Do të zbres tani nga njohjet apo takimet e mia me anëtarë të Byrosë Politike kandidatë të saj si edhe të Presidencës të Kuvendit Popullor, në një shkallë më të ulët të piramidës, në njohjet dhe takimet që kam patur me disa anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës.

Do të doja të thoja disa fjalë për gjeneral Gjin Markun, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë që në themelimin e saj. Në fakt më vjen, më për mbarë të nis me bashkëshorten e tij, mësuesen time të rusishtes në Shkollën e Kuqe, Natalia Marku, ose Natalia Virioviç. Prej saj e kam njohur disi për së afërmi edhe Gjin Markun, kam shkëmbyer me të disa fjalë pa ndonjë rëndësi të veçantë.

Unë e njoha Natalinë në vitin e parë apo të dytë të gjimnazit. Ishte një mësuese model, me një entuziazëm rinor, edhe pse nuk ishte më në moshën e rinisë. Ajo gjendej kudo dhe kurdo pranë secilit prej nesh, nxënësve të saj. Natalisë i kam treguar edhe vargëzimet e mia të para dhe të fundit në rusisht, që i ruaj edhe sot e kësaj dite në “arkivin” tim, së bashku me relike të tjera të pakta të jetës së gjimnazit. Sigurisht nuk ishin gjë. Unë nuk njihja ende mjaftueshëm rusishten dhe shqetësimi apo kënaqësia ime ishte të ruaja rimën në fundin e vargut. Ajo bënte korrigjimet e nevojshme, duke më prishur kështu rimën, që me aq mundim kisha arritur ta gjej e ta përshtas! Ajo krijoi në shkollë një rreth të letrarëve të rinj, që do të shkruanin në rusisht. Unë isha një nga pjesëmarrësit në këtë veprimtari, që nuk zgjati shumë. Pedagogia jonë e respektuar na përkrahte dhe na nxiste të shkruanim. Kështu ne, të talentuar ose jo të talentuar, sidoqoftë ushtronim apo praktikonim gjuhën ruse, pasuronim fjalorin dhe bagazhin ende të varfër të shprehjeve në rusisht. Ndoshta Natalia e kishte gjetur këtë aktivitet si një mënyrë për t’i tërhequr nxënësit e saj në mësimin e një gjuhe të vështirë, siç ishte rusishtja për ne. Rrethi i letrarëve ishte një “kurth” i bukur i saj edhe pse ajo personalisht jo vetëm që nuk ishte njeri i kurtheve por, me sinqeritetin dhe devotshmërinë e saj, edhe mund të rrezikohej mjaft prej tyre.

Natalia erdhi në Shqipëri pasi u njoh me Gjin Markun, i cili në dhjetorin e vitit 1944 dhe në pranverën e vitit 1945, në krye të Divizionit të VI-të, kaloi kufirin shtetëror shqiptar për të ndihmuar në çlirimin e disa qyteteve në Malin e Zi, në Bosnje dhe në Kosovë. Gjin Marku u martua me vajzën e bukur sllave në vitin 1947. Në vitin 1948 atyre do tu lindë një vajzë, që do ta quanin Svjetllana. Brenda disa viteve Svjetllana bëhet me dy vëllezër dhe një motër. Gjin Marku banonte në një vilë të bukur dykatëshe, në rrugën “Qemal Stafa”, afër “Shkollës së Kuqe”. E shihja shpesh atë dhe fëmijët e tij si edhe mësuesen time kur hynin e dilnin nga banesa e tyre të lumtur, pa zhurmë. Një veturë dhe shoferi i saj, Titi i Lakes, ishin gjithnjë në pritje në trotuarin para shtëpisë. Kjo jetë e qetë, pse jo dhe komode, nuk do të zgjaste shumë për familjen e Gjin Markut. Një nga themeluesit kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare, një nga udhëheqësit kryesorë të formacioneve të mëdha partizane të qëndresës antifashiste, ai do të bëhej viktimë e diktaturës.

Lexo edhe :  …që shqiptarët të mos vrasin më Jonadat e tyre!

Gjin Marku dhe 46 të dënuar politik nga burgu i Burrelit, i shprehnin besnikërinë Enver Hoxhës!

Në Kongresin e I-rë të Partisë Komuniste Shqiptare, në vitin 1948, Gjin Marku kritikoi ashpër udhëheqjen e lartë të Partisë dhe Enver Hoxhën. Ky nuk vonoi të hakmerrej. Kështu, në vitin 1950 ai dënohet së bashku me gjeneral Nexhip Vinçanin, me akuzën se ishin kundër udhëheqjes së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Në vazhdim, me akuza të rreme, e largojnë nga Ushtria dhe e caktojnë drejtor ferme në Llakatund të Vlorës. Në vitin 1963 ose 1964, Gjinin e internojnë në jug të Shqipërisë, në ishullin e Zvërnecit të Vlorës. Bashkëshortja dhe fëmijët e tij, internohen në fshatin Hoxharë të Fierit. I ndanë kështu për së gjalli. Por ky ishte vetëm fillimi i hakmarrjes së diktatorit. Vite me vonë, pasi u torturua barbarisht në hetuesi, ai provoi edhe burgun e Sigurisë së Lartë në Burrel. Pas një farse juridike atë e dënojnë 10 vjet burg me akuzën “agjitacion e propagandë për minimin, dobësimin dhe përmbysjen e pushtetit popullor”! Tri ditë para përfundimit të dënimit e dënojnë sërish me 10 vjet të tjera burg me të njëjtën akuzë. Tri ditë para se të mbaronte 20 vite burgim, ai ndërroi jetë në spitalin e burgut pa patur mundësi, së paku, të varroset i lirë. Gjin Marku u varros nga policia pa asnjë ceremoni mortore dhe pse, tragjikisht, deri në fund të jetës, nuk e akuzoi asnjëherë diktatorin për fatin e tij. Gjini e ruajti të paprekur besimin tek ai si edhe mjaft të burgosur të tjerë, që ndanë të njëjtin fat me të për dekada të tëra! Në burgun e Burelit kishte 46 të burgosur politikë, viktima të brutalitetit, intrigave dhe kombinacioneve të diktatorit, që vazhdonin t’i shprehnin atij besnikëri!

Nga sa kam lexuar dhe dëgjuar për Gjin Markun, besoj se ai ka qenë i sinqertë kur edhe në burg deklaronte besnikërinë ndaj diktatorit dhe besonte se ky i fundit nuk e njihte gjendjen e tij, se ishin të tjerë, kryeministri Mehmet Shehu dhe ata përreth tij, ata që e kishin degdisur, fillimisht në internim, e më pas, në qelitë e burgut të Burrelit. Diktatori shpesh herë gjatë sundimit të tij, kishte përdorur si kartë ndershmërie e pastërtie injorimin prej tij të problemeve të mprehta të shoqërisë, vetë egërsinë e diktaturës. Shpesh ai ka pretenduar se e kanë mbyllur apo kanë dash ta mbyllin në një kafaz të fildishtë, për ta izoluar nga populli dhe nga komunistët, për pasojë, për ta eliminuar atë personalisht dhe për të përmbysur pushtetin popullor! Në të vërtetë, ky ishte një trillim diabolik i tij i destinuar për konsum masiv. Në këtë “kurth” ranë me dashje ose jo, për oportunizëm ose nga frika, shumica e anëtarëve të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, ranë edhe ata që e dinin se asgjë nuk bëhej pa dijeninë dhe pëlqimin e Enver Hoxhës. Parë në këtë këndvështrim, nuk përjashtohet që Gjin Marku, si edhe të tjerë, të ketë shprehur besnikëri ndaj diktatorit edhe thjesht për të mbrojtur familjen, për ta shpëtuar atë nga goditja e diktaturës, për ta lehtësuar sado pak këtë goditje.

Kjo pamje nuk është heroike, por është njerëzore dhe njerëzorja shpesh nuk ka nevojë për heroiken, thjesht nuk e njeh ose e sfidon atë. Sido që të jetë, Gjin Marku ishte i humbur. Stalini, Enveri, si të gjithë diktatorët, ishin edhe paranojakë. Për njerëzit e plotpushtetshëm paranoja shërben si valvul sigurie e ruajtjes së pushtetit nga kushdo dhe me çdo çmim. Paranoja nuk njeh as logjikë, as miqësi, as besnikëri, as aleanca, as parime dhe asgjë të shenjtë e të shtrenjtë. Hakmarrja e diktaturës, si në të gjitha rastet e ngjashme, do të binte rëndë edhe mbi Natalian dhe fëmijët e saj. Një djalë i Gjin Markut, do të arrestohej dhe do të dënohej edhe ai me të njëjtën akuzë si ajo me të cilën u dënua babai i tij. Natalia do të vuante jo vetëm vitet e pafund të internimit, jo vetëm burgun e bashkëshortit dhe të djalit, por edhe diskriminimin në shoqërinë shqiptare, humbjen e të drejtës për studimet të larta për fëmijët, përndjekjet sistematike nga organet e Sigurimit të Shtetit, varfërinë dhe mjerimin e thellë ekonomik.

Si i’a shpërbleu regjimi komunist bashkëshortes së gjeneral Gjin Markut, kontributin që ajo kishte dhënë në arsim!

Vuajtjet dhe torturat, që shoqëruan gjatë disa dhjetëvjeçarëve “jetën” e mësueses time, Natali Marku, nuk i’a thyen kurajon dhe shpirtin. Shëndeti i saj, ndërkohë, do të merrte tatëpjetën për të mos u ri ngritur kurrë më. Mjaft dashamirës të saj dhe të fëmijëve të saj kur flasin për Natalinë, thonë se është e sëmurë rëndë, ose “tejet e sëmurë”. Thonë vetëm kaq, sepse nuk duan të pohojnë të vërtetën tragjike se ajo është psiqikisht tepër rëndë, se ky realitet është dënimi që diktatura i dha asaj, shpërblimi për brezat e shqiptarëve që edukoi në Shqipëri dhe për brezat e shqiptarëve, që ndihmoi dhe shpëtoi në Kosovë.

Natalia Virioviç, ishte me origjinë sllave. Babai i saj ishte malazez, ndërsa nëna serbe. Ajo, bashkë me motrën dhe vëllai e saj, morën pjesë aktive në qëndresën antifashiste. Familja Vireviç ishte e respektuar në atë periudhë në mbarë Kosovën. Pas Luftës mjaft shqiptarë të Kosovës u përballën me akuzën e bashkëpunëtorit të armikut. Dhjetra dhe qindra prej tyre gjetën strehë dhe mbrojtje tek Natalia dhe vëllai i saj. Natalia Virieviç u jepte atyre dëshmi, sikur ata kishin qenë pjesë e formacioneve antifashiste, ose sikur kishin ndihmuar Lëvizjen Antifashiste. Udhëheqja komuniste jugosllave, ndoqi në atë kohë dhe më pas politikën e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Këtij qëllimi i shërbente edhe akuza që ju bë mijëra e dhjetëra mijëra prej tyre si “bashkëpunëtorë të armikut”! Natalia dha një shembull, që nuk mund të mos gëzojë mirënjohje të thellë edhe në ditët tona, që nuk janë larg viteve të barbarisë nacionaliste serbomadhe në ish Jugosllavi.

Demokracia i dha lirinë Natalisë, por ishte tepër e vonuar, një liri e gjymtuar, që e strehoi për shumë kohë në një çadër në oborrin e spitaleve në Tiranë, me një familje në gjendje ekonomike nën minimumin e ekzistencës, një liri që nuk risjell dot gëzimin e jetës dhe as fshin dot plagët dhe kujtimet e së kaluarës. Me Svjetllanën, vajzën e Natalisë dhe të Gjin Markut, jam takuar një herë në Redaksinë e gazetës “Rilindja Demokratike” ku punoja në fillimin e viteve 90-të. Nuk e mbaj mend përse kishte ardhur. Në ato vite redaksia jonë “përmbytej” çdo ditë dhe çdo orë nga dhjetëra dhe qindra qytetarë dashamirës, mbështetës, hallexhinj. Ishte e pamundur t’i kontaktoje dhe t’i dëgjoje të gjithë. Dikush ma prezantoi Svjetllanën, duke shtuar-“vajza e Gjin Markut”. Unë, që kisha njohur Natalinë, pikasa tek Svjetllana një tjetër Natali, jo më të re nga ajo që kisha njohur unë në vitet e gjimnazit, por me po atë gjallëri dhe vendosmëri, me tipare të hijshme, që sigurisht i trashëgonte nga e ëma. Isha mëse i sigurt për këtë gjë. Unë kisha mësuar për gjendjen  dhe fatin e zi të nënës së saj dhe mësueses time të viteve 1958-1959, desha t’i them ndonjë fjalë, por nuk i thashë gjë, nuk gjeta dot fjalën e duhur ose, më mirë, nuk desha të dëgjoj përgjigjen e saj, të plagosja sërish atë, të ndahesha në këtë mënyrë me të dyja Natalitë.

Ashtu si familja e Gjin Markut, të njëjtin “fat” pati edhe ajo e Xhavit Qeses!

I ngjashëm është edhe fati i Meribanit, Xhavitit dhe fëmijëve e tyre, Shpëtimit e Mirës. Meribani ishte shoqja e nënës time. Të dyja kishin qenë në radhët e para të grave antifashiste shqiptare. Meribani, sikurse ka shkruar në kujtimet e tij vetë diktatori Hoxha, ishte një nga pesë gratë e para komuniste në Shqipëri, së bashku me Drita Kosturin, që e kaloi tërë jetën e përndjekur nga diktatura, Liri Gegën, e pushkatuar me foshnje në bark, Fiqirete Shehun, vdekur në burg në rrethana të errëta dhe bashkëshorten e tij, Nexhmije Hoxha. Ajo ishte një nga dy partizanet e vetme, që do të zinte vend në tribunë pranë Enver Hoxhës dhe udhëheqësve të tjerë të Partisë Komuniste Shqiptare, në paradën e madhe të fitores të zhvilluar më 28 Nëntor 1944 në Bulevardin kryesor të kryeqytetit. Disa vite më pas edhe ajo do të ndjente t’i shkatërrohej pamëshirë familja nga lufta e klasave. Atë e detyruan të rrisë djalin dhe vajzën pa baba, të jetojë me frikën e vazhdueshme se një ditë edhe ajo, edhe fëmijët e saj mund të pësonin fatit e tij.

Bashkëshorti i Meribanit, Xhavit Qesja, ish komisar i Brigadës së 23 partizane, deputet dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë, sekretar Politik i Qarkut të Shkodrës dhe Beratit, u arrestua në vitin 1958, si “armik i popullit”. Ai vuajti 32 vjet burg dhe internime, sepse kundërshtoi Enver Hoxhën. Duke qenë student i Filozofisë në Shkollën e Lartë të Partisë në ish- Bashkimin Sovjetik, ai përkrahu pa rezervë vendimet e Kongresit të XX të Partisë Komuniste Sovjetike. Enver Hoxha nuk u pajtua me vendimet e këtij kongresi, që do ta cilësonte më pas si një kongres i tradhtisë së komunizmit. Nga Tirana u urdhërua Xhaviti të ndërpriste studimet dhe të kthehej menjëherë në atdhe. Fill pas kthimit ai u internua në kampin e Zvërnecit, pranë Vlorës. Në këtë kamp, në atë kohë, mbaheshin të izoluar disa nga ish- funksionarët e lartë të Partisë së Punës, të cilët Enver Hoxha i kishte shpallur armiq. Menjëherë pasi internuan Xhavitin, Meribanin e larguan nga puna që bënte në aparatin e Këshillit të Ministrave. Fillimisht atë nuk e lejuan të takohej me të shoqin. Më pas ajo u thërrit në takim nga Fiqrete Shehu, në atë kohë Sekretare e Partisë për kryeqytetin. Fiqretja i kërkoi Meribanit që të divorcohej me Xhavitin. Meribani i ka treguar nënës time, se ajo e kishte pyetur Fiqreten, përse duhet të bënte divorcin?! Fiqretja i ka thënë asaj të mos pyeste më shumë, se këtë gjë e dinte Partia dhe se bashkëshorti i saj ishte armik i Partisë. Për të mbrojtur fëmijët, Meribani, me dhimbje në shpirt, u nda ligjërisht me Xhavitin.

Për të mbrojtur fëmijët, Meribani u detyrua që edhe ngjarjet e viteve të Luftës Antifashiste t’i interpretonte sipas kënaqësisë së Nexhmije Hoxhës dhe Fiqirete Shehut, gruas së ish kryeministrit shqiptar Mehmet Shehu. Nëna më ka treguar, se gjatë pushtimit italian të Shqipërisë, gratë antifashiste të Tiranës organizuan një demonstratë përpara burgut të qytetit. Me këtë demonstratë kërkohej që fashistët të mos internonin në ishujt e Italisë të burgosurit antifashistë shqiptarë. Në demonstratë dolën rreth 30 gra. Nuk ishin shumë, por nuk ishin edhe pak po të kemi parasysh se ajo bëhej në kushtet e një vendi të pushtuar gjysmë feudal, siç ishte Shqipëria e asaj kohe, e një vendi ku mbretëronte injoranca dhe ku gruaja e kishte vendin në shtëpi, pranë fëmijëve. Në demonstratë nga plumbat fashiste u vra një grua, ‘Heroina e Popullit’, Mine Peza. Fiqrete Shehu duhet ta drejtonte atë. Ajo nuk erdhi. Ishte Meribani ajo, që doli në krye të grave, që u përleshën me fashistët. Pas Luftës, kjo demonstratë është përkujtuar vazhdimisht në takime e konferenca të ndryshme ku merrnin pjesë edhe Meribani, edhe Nexhmija, bashkëshortja e diktatorit, apo Fiqreti, bashkëshortja e ish kryeministrit. Pas internimit dhe burgosjes së Xhavitit, Meribanit i duhej të thoshte se këtë demonstratë e kishte drejtuar Fiqrete Shehu. Bashkëshortja e ish kryeministrit e pranonte këtë të pavërtetë tërë krenari, pavarësisht se as nuk kishte marrë pjesë në të. Pasi u vra ose vetëvra Mehmet Shehu dhe u burgos Fiqrete Shehu si armike e popullit, Meribanit do t’i duhej të tregonte një variant tjetër mbi demonstratën e grave të Tiranës. Asaj i duhej të dëshmonte se si ishte drejtuar demonstrata e grave, tani jo më nga Fiqerete Shehu, por nga Nexhmije Hoxha. Kjo, njëlloj si Fiqreti, dëgjonte dhe e pranonte këtë gjë me krenari. Nëna ime ka qenë e pranishme në këta takime apo konferenca.  Memorie.al


Të fundit

Ukraina synon të evakuojë mijëra banorë nga Donetsku para dimrit

Qeveria ukrainase po synon të evakuojë dy të tretat e banorëve nga zonat që ajo ende kontrollon në rajonin...

Studiuesit në alarm, temperaturat në Arktik po rriten shumë më shpejt se mesatarja

Sipas një studimi të ri skandinav, temperatura në rajonin e Arktikut po rritet shumë më shpejt se mesatarja globale sesa kanë vlerësuar më parë...

FBI kontrolle në shtëpinë e Trump, flet prokurori i përgjithshëm: E urdhërova unë

FBI ka hyrë në shtëpinë e ish-presidentit Donald Trump për të bërë kontrolle por ende nuk dihet arsyeja e kontrollit. Mbi ngjarjen ka folur vetë...

Nga Trump te lufta në Ukrainë, zbulohet si “The Simpson” parashikojnë të ardhmen

Nëse doni të dini se ku po shkon bota, shihni “The Simpsons”. Shfaqja popullore e karikaturave për të rritur ka parashikuar ngjarje të egra dhe të...

Ishte i shpallur në kërkim, arrestohet ish-shefi i policisë së Dhërmiut!

Ish-shefi i Policisë së Dhërmiut, Sokol Bode është arrestuar mbrëmjen e sotme gjatë një aksioni policor në qytetin e Beratit. Bode është dënuar me 12...

Lajme të tjera

Web TV