Përplasja në PD/ Sot dita e Bashës në Kuvend, Berisha e sfidon me referendum

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Për demokratët data 18 dhjetor do të jetë dita e luftës së shifrave. Kush nga demokratët do shkojnë pas Berishës për referendumin dhe kush do të shkojë pas Bashës në Kuvendin Kombëtar. Sot zgjidhet dilemma e kryetarit të PD-së dhe ish-kryetarit të PD-së.

Të dy sot janë kokë më kokë për të arritur qëllimet e tyre konkurruese. Lulzim Basha, kreu i demokratëve mbledh sot Kuvendin Kombëtar, ndërsa Sali Berisha, ish-lideri i demokratëve e sfidon atë më referendumin. Asnjeri prej tyre nuk lëshon pe, ndërsa kanë mprehur shpatat për dyluftimin, ku njeri do të dalë me kupën e fitores. Sot në Kuvendin Kombëtar e thirrur nga Basha do të lexohet edhe përkrahja që ka kryetari i Partisë Demokratike nga institucioni më i lartë vendimmarrës. Po ashtu Berisha ka ngritur infrastruktrën për të zhvilluar referendumin dhe për të legjitimuar vendimet që u morën më 11 dhjetor për shkarkimin e Lulzim Bashës. Edhe pse Berishës ju mbyllën dyert e selive, ai do të vijojë me procesin e referendumit. Ditën e sotme demokratët do të jenë të ndarë, duke vulosur se çfarë do të ndodhë në Partinë Demokratike. Kush ka më shumë kredibiltet dhe kë duan shqiptarët e djathtë. Sot është sfida e shifrave mes Bashës dhe Bershës.

Basha

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, publikoi një video-mesazh një ditë para mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të partisë. Në videon e publikuar në rrjetet sociale, kryedemokrati Basha thekson se nesër partia më e madhe opozitare në vend “do të zgjedhë të ardhmen”. Ndërkohë, duke e shoqëruar me pamje nga Kuvendi i PD, Basha iu kujton të gjithë demokratëve se mbledhja do të nisë në orën 11:00 te Pallati i Kongreseve. “Nesër zgjedhim të ardhmen”, shkruan Basha.

Referendumi

Deputeti Tritan Shehu dhe kreu i PD në Gjirokastër, Dasho Aliko, kanë folur dje mbi referendumin që do të mbahet ditën e sotme nga ish-kryeministri Sali Berisha, pikërisht në ditën kur kryedemokrati Lulzim Basha mbledh Kuvendin Kombëtar të partisë. Duke folur për media, të dy demokratët janë shprehur se do të ketë pjesëmarrje masive në referendumin e nesërm, për të votuar sipas tyre, për ndryshimin. Shehu tha se: “Unë jam në Gjirokastër për të ndjekur përgatitjet që po bëhen nga degët e PD në këtë qark për referendumin e nesërm, që është i rëndësishëm, sepse do të ratifikohet vendimi jo thjesht për shkarkimin e Bashës si kryetar i PD, por edhe në vazhdimësi të një procesi shumë të rëndësishëm që ka nisur në PD, për nxjerrjen e saj nga këneta, ku ra me zgjedhjet e 25 prillit. Unë mendoj se referendumi i nesërm është shumë i rëndësishëm, thelbësor, do të ketë një pjesëmarrje shumë të gjerë, më të gjerë se çdo herë tjetër. Ju bëj thirrje anëtarëve të PD në Gjirokastër të marrin pjesë nesër masivisiht, të votojnë të lirë me vullnetin e tyre, për vendimet e Kuvendit, për ndryshimet e mëdha që kërkon PD, pikërisht për të realizuar aspiratat tona, që përputhen me ato të shqiptarëve në tërësi. Hapet rruga e disa elementëve të gjerë demokratikë, hapet rruga e ndryshimeve drejt një partie më të madhe, më të hapur”, tha Shehu. Ndërsa Dasho Aliko tha se: “Për ne demokratët dita e sotme është një ditë e madhe, sepse është një vlerësim dhe vlerë që u jepet anëtarëve të PD për të treguar forcën e tyre, mbështetjen e tyre për PD dhe për të votuar për ndryshimin. Mendoj që ne do të kemi një pjesëmarrje, në krahasim me 17 korrikun, 20-30% më shumë. Nesërm besoj se pas orës 19:30 do të kemi një rezultat real mbi të gjitha qendrat e votimit dhe të gjitha degët. Qëllimi jonë kryesor është që njerëzit dhe anëtarët e PD kanë krijuar një vlerësim për Kuvendin e datës 11, i cili u vërtetua që ua dha fuqinë këtyre anëtarëve të PD. Sot ata janë të vlerësuar, që do të kenë në dorë fatin e çdokujt që pretendojnë të jenë në forumet drejtuese të PD, duke filluar nga seksioni deri te kryetari i madh. Ne nuk shkojmë të votojmë nesër se duam apo nuk duam Bashën, apo dikë tjetër, por shkojmë të votojmë ndryshimin. Ky ndryshim do të jetë shumë i madh”, tha Aliko.

Degët e kyçura të PD-ve në rrethe, Berisha zgjedhe lokalet

Sot në të gjitha degët e PD-së në rrethe Sali Berisha dhe grupi që ai drejton do zhvillojë atë që e quan referendumi për shkarkimin e kryetarit Lulzim Basha, ndërsa kanë nisur edhe përgatitjet. Ky referendum zhvillohet për të ratifikuar vendimin që mori Kuvendi i thirrur nga Berisha më 11 dhjetor. Komisioni i Rithemelimit ka ngritur edhe Komisionin e Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, që do të merret me drejtimin e procesit, ku kryetare do të jetë Albana Vokshi. Në Durrës 2700 anëtarët e kësaj partie janë ftuar në Pallatin e Kulturës të shprehin me votë vullnetin e tyre. Procesi i votimit do të zhvillohet nga ora 08.00-17.00, ku në njësitë administrative të Sukthit, Manzës dhe Ishmit, krahas qendrës së votimit të Pallati i Kulturës, një qendër tjetër do të jetë në një subjekt privat pranë bashkisë Sukth. Dega Krujë, e cila ka rreth 700 anëtarë, do të votojnë në dy qendra votimi, një në Thumanë dhe një në Krujë, ndërsa sipas drejtuesve të kësaj partie, pritet që në votim të marrin pjese rreth 50 % e anëtarëve. Në Fushë-Krujë, votimi pritet të zhvillohet në një pikë të vetme, te qendra shëndetësore, ku është dhe zyra e partisë. Drejtuesi i Degës së PD në Fushë-Krujë, Agron Loka thotë se nuk e njeh Kuvendin e PD që do të mbahet me 18 dhjetor, teksa shton se çdo gjë është gati për referendumin. “Kam marrë një njoftim në rrugë elektronike, një njoftim nul. Sepse ata nuk janë drejtuesit e partisë demokratike, ata janë deputet, ndaj dhe nuk e njoh vendimin. Unë jam drejtuesi i degës së PD në Fushë-Krujës, unë jam zgjedhur me vote. Në total kemi rreth 870 anëtarë, duke u bazuar në zgjedhjet e fundit, pjesëmarrja pritet të jetë mbi 50%, pritet një fluks i madh i demokratëve në referendum. Materialet zgjedhore kanë ardhur, çdo gjë është gati. Votimi do të hapet në 8 këtu në selinë e Fushë- Krujës. Numërimi po ashtu do të bëhet këtu.  Nuk do të ketë tensione mes demokratëve”, thotë ai. Në Krujë e Thumanë votohet në lokale, ambiente të marra me qira. Materialet kanë shkuar në të dyja degët e PD. Në bashkinë e Korçës ka një qendër votimi, që do të jetë te ish-kinema Millemium. Edhe në Pogradec do të jetë po një qendër votimi, te kinemaja e qytetit. Në Korçë janë 3500 anëtarë, në Pustec 3600. ndërsa në Pogradec janë 900 anëtarë. Në Gjirokastër janë gjithsej 1100 anëtarë të PD me të drejtë vote, ndërsa janë ngritur 4 qendra votimi pë të votuar për shkarkimin e Bashës.

Lexo edhe :  10 seriale në Netflix, që ia vlen t’i shohësh

Në Gjirokastër qendra e votimit do të jetë në Pallatin e Sportit, në Lazarat do të jetë në një lokal në qendër të fshatit, në Libohovë në një lokal në qendër të qytetit dhe në Urën e Kardhiqit do të votohet te ish-zyra elektorale e PD. Ndërkohë ende nuk ka mbërritur baza materiale për referendumin. Në Elbasan votimi është thënë se do të kryhet brenda ambienteve të degës së partisë demokratike në këtë qytet, por ende dyert e kësaj dege qëndrojnë të mbyllura pasi një ditë më parë u ndërruan bravat. Në Vlorë janë rreth 1400 anëtarë të PD-së, ku qendra e votimit do të jetë pranë selisë së PD në qytetin bregdetar. Ndërkohë nga një qendër votimi do të ketë edhe në Selenice e në Himarë. Sa i përket pjesëmarrjes, kryetari i PD Selenicë, Shezai Balilaj u shpreh se do të marrë pjesë nesër në Kuvendin zyrtar të PD në Tiranë. “Ne njohim kuvendin zyrtar, PD nuk është pronë e askujt, është e demokratëve”, u shpreh ai.

Basha ngre Komisionin e Përhershëm Statutor

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mblodhi Kryesinë e partisë, pak orë se të mbahet Kuvendi Kombëtar i PD-së. Ai zgjodhi komisionin e përhershëm me gjashtë anëtarë. Po ashtu në këtë Kuvend Basha bëhet gati për në zgjedhjet e radhës që përkojnë me ato lokale në vitin 2023.

Një ditë para mbajtjes së Kuvendit Kombëtar, Partia Demokratike ka mbledhur mbrëmjen e djeshme kryesinë. Në kryesi është vendosur për ngritjen e Komisionit të Përhershëm Statutor, i cili përbëhet nga 6 anëtarë. Gjashtë anëtarët janë Enkelejd Alibeaj, Jorida Tabaku, Ervin Salianji, Kreshnik Çollaku, Taulant Zeneli, Jonila Godole. Po ashtu para takimit të kryesisë u vendos edhe për agendën e Kuvendit Kombëtar që do të mbahet sot. Pika e parë e rendit të ditës lidhet me situatën politike si edhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e PD-së. Pika e dytë me aksionin politik të PD-së dhe pika e tretë me miratimin e programit për ta përgatitur strukturën e partisë në zgjedhje. Basha e konsideron 18 dhjetorin si Kuvendin e vetëm të PD-së dhe si mundësinë për bashkim dhe zgjidhje të krizës. Gjithashtu, një tjetër vendim ka të bëjë me rënien e disa kompetencave të kryetarit. Nga ana tjetër, Referendumi i marrë nga ish-kryeministri Sali Berisha, nuk do të njihet nga kryedemokrati Lulzim Basha, pasi ky i fundit e cilëson Kuvendin e 11 dhjetorit si anti-statutor.

Agjenda

Një prej pikave çfarë do të diskutohet në takimin e Kuvendit Kombëtar ka të bëjë me vendimarrjen për situatën politike, duke tërhequr veshin për çdo anëtar që dëmton agjendën politike. “Vendimmarrje mbi situatën politike me si edhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e PD, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD dhe agjendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës”, thuhet në një prej pikave të rendit të ditës. Po ashtu pritet që sot të bëhet edhe miratimi i Aksionit Politik për të ardhmen e PD-së si dhe shpalljen e Platformës Qytetare.

“Miratimin e Aksionit Politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e Platformës Qytetare për demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend si edhe ndërtimin e mekanizmit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës, i cili në aleancë me krimin e organizuar ka shkatërruar çdo mjet të funksionit demokratike të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit, kryesisht nga të rinjtë”, thuhet në pikën e rendit të ditës. Po ashtu pritet që të miratohet edhe programi organizativ për tu bërë gati për zgjedhjet e ardhshme. “Miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme, sipas Objektit: Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm-Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri”, thuhet në dokumentin zyrtar të PD që do ju paraqitet delegatëve në Kuvendin Kombërtar të 18 dhjetorit.

Berisha mesazh komisionerëve: Sa më shumë votues për të sjellë shpresën

Një ditë para mbajtjes së referendumit, i cili do të ratifikojë vendimin e Kuvendit të 11 dhjetorit për shkarkimin e Lulzim Bashës, ish-kryeministri Sali Berisha u ka drejtuar një mesazh komisionerëve, ku kërkon përpjekjet maksimale për të siguruar pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike në votim. “Mesazh: Drejtuar komisionerëve të Referendumit të Shpresës. Një përshëndetje të përzemërt të gjithë ju komisionereve dhe komisionerëve te qendrave te votimit. Këto orë që na ndajnë nga hapja e qendrave të votimit le të bëjmë përpjekjet me maksimale që të sigurojmë pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike në votim”, shkruan Berisha komiisonerëve. Berisha thekson se në këtë referendum rëndësi ka transparenca e procesit dhe administrimi me korrektesë absolute i çdo vote. “Për ne, rëndësi përcaktuese dhe absolute në këtë festival të votës së lirë ka mbi të gjitha, transparenca e procesit dhe administrimi me korrektesë absolute i çdo vote. Në këtë referendum jetike është vota e lirë e anëtarësisë të PD! Suksese!”, përfundon mesazhin ish- lideri i demokratëve.

Referendumi/ Logu: Është nul, nuk do i njihet asnjë vendim

Sot do të mbahet Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Lulzim Basha, ndërsa Marash Logu, këshilltar i grupit parlamentar të PD-së shpjegoi sesi do të verifikohet kuorumi i nevojshëm për nisjen e punimeve. Logu tha se kryetarët e degëve të PD-së ose sekretarët do të jenë përgjegjës për verifikimin e delegatëve që më pas do t’i kalojnë komisionit. Për të mbajtur Kuvendin Kombëtar duhet të jenë të pranishëm 3824 delegatë nga 7647 që ka gjithsej partia. “Së pari delegatët e PD vijnë nga degët që ka rreth 71 degë, dhe secili kryetar caktohet si person përgjegjës për të verifikuar a janë paraqitur delegatët. Komisioni pasi merr informacionin e plotë vendos nëse edhe plotësuar kuorumi i nevojshëm”, tha Logu. Ndërkohë, sot Sali Berisha do të zhvillojë aksionin e tij për shkarkimin e Bashës, ku pritet votimi i anëtarëve të degëve të PD-së do të votojnë, por sipas Logut ky referendum është nul pasi statuti i PD-së nuk e njeh referendumin si një organizëm vendimmarrjeje. Ai theksoi se asnjë vendim i referendumit nuk do të njihet, pasi referendumi ka ardhur si rrjedhojë e një Kuvendi ilegjitim të mbajtur në ‘Air Albania’. “Në mënyrë që këto mbledhje të fitojnë legjitimetin duhet ndjekur rruga statusore. Statuti i PD-së e ka të përcaktuar në mënyrë shumë të qartë, mbledhja mund të thirret nga kryetari, këshilli kombëtar dhe në raste të caktuara ¼ e delegatëve mund të kërkojnë Kuvend, por nuk vetëmblidhet. Ishte një mbledhje e demokratëve në të cilën u diskutua dhe meriton respekt, por nuk ka prodhuar asnjëlloj vendimmarrje. Përsa kohë një mbledhje nuk thirret sipas statutit ajo nuk mund të prodhojë asgjë”, u shpreh Logu.

Të fundit

Liverpool mposht Atalantën por eliminohet nga Europa, Leverkusen mbetet e pathyeshme

Atalanta nxjerr jashtë Europës Liverpoolin. Skuadra bergamaske u mposht 0-1 në shtëpi nga “The Reds”, por kualifikohen në gjysmëfinale...

Roma triumfon sërish ndaj Milanit dhe kualifikohet në gjysmëfinalen e Europa League

Roma kalon në gjysmëfinalet e Europa League, ndërsa eliminon Milan-in, pas fitores me rezultatin e përgjithshëm 3-1 të dy ndeshjeve çerekfinale. Pas takimit në “San...

Më 20 Prill, Dielli kalon në Dem, ja çfarë u ndodh këtyre 5 shenjave të Zodiakut

Më 20 Prill, Dielli kalon në Dem dhe fillon zyrtarisht sezoni i shenjës së dytë të kalendarit astrologjik. Kjo ditë do të sjellë ndryshime...

Çfarë është “mashtrimi i së ardhmes? Flamuri i kuq në një raport në çift

Është normale të imagjinoni një të ardhme me dikë që ju intereson, sidomos pasi takimi i parë ka shkuar shumë mirë dhe jeni në...

“Ajo që po bën Meta nuk është sjellje politike”/ Çani reagon ashpër: Ish-presidentit …

Gazetari Arian Çani në një intervistë për një emision televiziv ka komentuar deklaratat e kreut të Partisë së Lirisë ndaj SPAK. Ai theksoi se kjo...

Lajme të tjera

Web TV