Ekonomia dhe sistemi financiar gjatë 2021-shit dhe pritshmëritë për vitin 2022

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Elvin Meka

Dekan i Fakultetit Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit

UET

 

Viti 2021, viti i shpresës së rikthimit të normalitetit

Viti 2021, si viti i parë i plotë pas shpërthimit të pandemisë COVID-19 do të shënonte disa aspekte brenda, por edhe jashtë pritshmërive, që aktorët e ndryshëm në ekonomi kishin përllogaritur dhe ndërtuar si skenarë ekonomik dhe financiar.

Ndër aspektet disi të “papritura” ishte rikthimi i i prirjeve të forta rritëse të ekonomisë, sidomos gjatë tremujorit të dytë, që sipas të dhënave të INSTAT arriti në 17.9%, paçka se baza e krahasimit nisej nga një rënie e fortë e tremujorit të dytë të 2020, ose kulmit të shpërthimit të pandemisë COVID-19 dhe mbylljes thuajse të plotë të veprimtarisë ekonomike, gjë që u pasqyrua në një rënie të fortë ekonomike gjatë po këtij tremujori (T2) të 2020-ës. Aspekti tjetër pozitiv, por tashmë brenda pritshmërive të arsyeshme ishte ruajta e prirjes pozitive të zhvillimit ekonomik përgjatë gjashtëmujorit të dytë, dhe rikthimit të saj në një terren normal rritjeje, në përgjigje të zhvillimeve ekonomike dhe shëndetësore, si në rrafsh rajonal ashtu dhe atë global.

Nga ana tjetër, kjo ecuri e mirë e rritjes ekonomike ishte pjesërisht dhe frut i mbështetjes së ofruar nga qeveria gjatë vitit 2020 dhe moratoriumit të ri-pagimit të kredive, të zbatuar nga Banka e Shqipërisë dhe bankat tregtare, çka shërbyen si garanci e fortë jo vetëm për frenimin e përkeqësimit të situatës ekonomike gjatë 2020-ës, por dhe për shtysën e fortë të ekonomisë, kryesisht gjatë gjashtëmujorit të parë të 20221-shit. Po ashtu, lehtësimi i masave shtrënguese gjatë tremujorit të tretë, mundësoi mbajtjen e një inercie pozitive të kësaj rritje, kryesisht nga sektori i shërbimeve e konkretisht turizmi. Ndërkohë, gjatë tremujorit të katërt (pavarësisht shifrave që deklarohen në nivelin e 6.7% por që pritet ende të saktësohen në vijim), jam i mendimit se kjo rritje në finale do të moderohet në drejtim disi rënës, nisur nga shtrëngimi i masave anti-COVID në rajon, por kryesisht nga rritja me ritme të shpejta të çmimeve thuajse për çdo lloj malli konsumi (kryesisht ushqimet dhe energjia) dhe një pjesë të shërbimeve, çka përkthehet në mënyrë të pashmangshme në një “komprometim” të rritjes reale ekonomike gjatë këtij tremujori, në raport me një vit më parë, kryesisht për shkak të kërcimit të inflacionit në kufijtë e 3%.

Për sa i përket zhvillimeve në sistemin financiar, e konkretisht në sektorin bankar, disa zhvillime pozitive u vunë re gjatë vitit 2021:

-ulja e mëtejshme e nivelit te kredive me probleme, deri në 6.3%, nivel ky që nuk shihej që nga shpërthimi i krizës globale ekonomiko-financiare të 2008-ës,

-rritja e shpejtë e kredisë së re për ekonominë, me mbi 63 miliardë lek, veçanërisht ajo për bizneset dhe individët, për blerje pasurish të paluajtshme, çka tregoi për një rikthim në nivele të kënaqshme të besimit në ekonomi,

-rritjes rekord gjatë këtij viti të depozitave, me një shtesë prej mbi 101 miliardë lek, në pasqyrim të drejtpërdrejtë të këtij fenomeni në gjithë botën dhe rritjes së dërgesave të emigrantëve, dhe mbajtjes ende të një niveli “sigurie” nga qytetarët, lidhur me zhvillimet në ekonomi dhe në situatën e shëndetit publik.

Nga ana tjetër, sektori bankar u karakterizua nga një qëndrueshmëri në stabilitetin financiar, kryesisht edhe si pasojë e masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë (të tilla si pezullimi i shpërndarjes së dividendit nga bankat tregtare), e shprehur kjo në terma të: një niveli të kënaqshëm të mjaftueshmërisë së kapitalit, prej mbi 18,3%, përmirësimit të kthimit nga kapitali (ROE), mbi 12,8% (shtator 2021) nga 10,7% në fund të vitit 2020.

 

Viti 2022 – kthesa, apo “ankthi” i madh?

Viti 2022 do te rezervojë shumë aspekte interesante, ku padyshim: (1) niveli i rritjes ekonomike, (2) inflacioni, (3) kosto e shërbimit të borxhit publik dhe (4) efikasiteti i ndryshimeve në politikën fiskale, do të jenë ndër më të vëzhguarat dhe më të diskutuarat.

Për sa i përket rritjes ekonomike dhe objektivit ambicioz të qeverisë në nivelin e 7.8%, besoj se do të përbëjë sfidën më të vështirë për t’u arritur, për vet faktin e presioneve të forta inflacioniste, kryesisht gjatë dy tremujorëve të parë të vitit 2022. Konkretisht, kjo lidhet me elementët kryesorë, që kushtëzojnë një rritje të pashmangshme të nivelit të inflacionit gjatë periudhës në vijim, si më poshtë:

Lexo edhe :  Duhet të tregohemi të kujdesshëm! Çfarë po ndodh me ekonominë globale

-problematika e vazhduar e zinxhirëve të furnizimit në rrafsh global në të gjithë stadet e tij (porte, transport, magazinim, etj.) dhe rritja e fortë e kostove të transportit ndërkombëtar,

-rritja e çmimeve të lëndëve të para dhe kryesisht të “metaleve të gjelbër”: aluminit dhe bakrit, të cilët mund të vijojnë të kontribuojnë fort në rritjen e të ashtuquajturit “greenflation” të lëndëve të para, ose uljen e ofertës së lëndëve të para (dhe rritjen automatike të çmimeve të tyre),

-rritja e kostove dhe çmimeve finale të produkteve ushqimore dhe atyre bujqësore,

-niveli ende i lartë i çmimeve të energjisë (veçanërisht gjatë periudhës së ftohtë të vitit) dhe efektit të tyre kaskadë në të gjithë çmimet e mallrave dhe shërbimeve të ofruara në ekonomi,

-rritja e kostos së punës, si pasojë e ndryshimeve demografike dhe “rrallimit” të fuqisë së kualifikuar punëtore.

Inflacioni pritet të jetë ndoshta treguesi më “problematik” nga të gjithë treguesit makroekonomikë, për vet rolin që ka në përcaktimin e treguesve të tjerë. Pavarësisht opinioneve dhe pritshmërive të bankave qendrore kudo në botë, por edhe në Shqipëri, për nivelin e rritur të inflacionit gjatë muajve të fundit, si një fenomen tranzitor, tremujori i dytë dhe i tretë do të jenë vendimtarë për të kuptuar jo vetëm prirjen, por dhe qëndrueshmërinë e tij në të ardhmen. Fakti që aspekti shëndetësor që paraqet pandemia COVID-19 mbetet ende problematike dhe “kompromentuese” në drejtim të funksionimit optimal të ekonomisë globale dhe ri-modelimit në vijim të biznesit ndërkombëtar drejt “afrimit” të zinxhirëve të furnizimit, krijojnë përshtypjen se inflacioni do të vijojë të mbetet i lartë dhe në kufirin e sipërm, përtej të cilit banka qendrore do të duhet të marrë një vendim, lidhur me rritjen e normës bazë të interesit. Sigurisht, ecuria në vijim e këtij treguesi do të kushtëzojë jo vetëm qasjen e bankës qendrore, lidhur me normën bazë të interesit, por dhe madhësinë e borxhit publik dhe konkretisht koston e shërbimit të tij. Një rritje e normës bazë të interesit, jo vetëm në tregun vendas, por dhe atë ndërkombëtar, do të ketë efekt thuajse të menjëhershëm në “shtrenjtimin” e borxhit publik, duke rritur kështu dhe koston e shërbimit të këtij borxhi. Kjo rritje e mundshme e kostos do të ushtrojë presion mbi financat publike, të cilat edhe në nivelin aktual të kostos së borxhit e kanë thuajse të pamundur të arrijnë konsolidimin fiskal gjatë 2022-shit, duke e bërë edhe më komplekse sfidën e menaxhimit të tyre.

Nga ana tjetër, mbetet për t’u parë efekti që do të kenë ndryshimet e reja në politikën fiskale, sidomos lidhur me bujqësinë, të cilat do të ndikojnë në vijim në modelin e konsumit, si dhe vijimit të investimeve në këtë sektor. Ndoshta fundi i vitit do të mund të projektojë edhe ndonjë ndryshim të mundshëm në qasjen e trajtimit fiskal të përpunimit aktiv të mallrave dhe ofrimit të shërbimeve me vlerë të shtuar në favor të biznesit të huaj, nisur nga ekzigjencat e korporatave evropiane për ri-modelimin e zinxhirit të furnizimeve më pranë tregjeve finale evropiane, çka mund të përkthehet në mundësi evidente për më shumë biznes prodhues në Shqipëri.

Lidhur me sistemin financiar dhe kreditimin e ekonomisë, ecuria përgjatë 2021-shit, në drejtim të uljes së nivelit të kredive me probleme dhe rritjes së kreditimit, në të gjithë segmentet e klientelës, pritet që të vijojë edhe përgjatë 2022-shit. Për sa i përket ritmeve të rritjes së kreditimit, ai do të varet thuajse thelbësisht nga vendimi i bankës qendrore për rritjen ose jo të normës bazë të interesit. Ky vendim, i bazuar natyrisht në ecurinë e inflacionit, do të jetë dhe vija ndarëse midis vijimit më tej të politikës monetare lehtësuese të viteve të fundit, apo fillimit të “shtrëngimit” të saj, pavarësisht bazamentit ende të dobët mbi të cilin mbështetet ekonomia kombëtare, pas dy goditjeve domethënëse të tërmetit të 2019 dhe pandemisë gjatë 2020-ës e në vijim.

Të fundit

Aksident i rëndë në Tiranë/ “Golfi” godet urbanin e Kamzës, zbardhen detajet e para

Një aksident ka ndodhur pasditen e kësaj të marte në Tiranë. Një automjet tip “Golf“ ka goditur në pjesën e...

Moti i keq ‘bën kërdinë’ në këtë vend,mbyllen shkollat dhe anulohen…

Emiratet e Bashkuara Arabe janë prekur nga moti i keq, me shirat e dendur që kanë përmbytur autostradat kryesore. Ndërkohë, numri i të vdekurve...

Njëlloj sikur të mundë miza, elefantin

Nga Artur Ajazi Po të dëgjosh Gazin, Këlliçin, Nokën, apo dhe ndonjë këshilltar të Bashkisë së Tiranës mbrëmjeve në emisionet televizive, mëndja edhe mund të...

Do përjashtojë Kryemadhin nga partia?/ Meta: Kemi vuajtur pasojat e nepotizmit

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi mbrëmjen e djeshme se do të lufojë nepotizmin në parti, duke ngritur aludimet se do të...

Ndryshimet klimatike po kontribuojnë në një rritje të goditjeve në tru

Ndryshimi i shpejtë i kushteve të motit, si dhe çekuilibri i temperaturave globale, për shkak të ndryshimeve klimatike, kanë një ndikim të rëndësishëm në...

Lajme të tjera

Web TV