Ringritja morale është rithemelim i PD

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Besnik Gjongecaj

 

Para se të jetë një humbje mbështetësish dhe votash, para se të jetë humbja e aftësisë për të shkuar drejt pushtetit që si mirazh largohet sa më shumë i afrohesh, para se të jetë një rënie e pranisë publike dhe zgërlaqje argumentesh, debatesh, që megjithëse artikulohen nga njerëz me shkollë reflektojnë në mënyrë të pakuptueshme injorancë; pra, para se të jetë gjithshka tjetër, rënia e PD është një rënie morale. Ja pse edhe ringritja e saj nuk mund të jetë çështje vule, as çështje gjykatash, as çështje kuvendesh të improvizuar dhe të pakuptimtë, as çështje fjalimesh, as çështje datash apo statutesh, as alibi të zgjedhjeve fantazmagorike që nuk janë bërë kurrë, as çështje mandatesh të marra me shpejtësinë e krijimit dhe të zhdukjes së hijeve. Ringritja e PD nuk është çështje numrash, nuk është çështje zyrash, madje as çështje kafkash të parfumuara që, si punëtoret e seksit në rutinën e tyre, flasin dhe ironizojnë pa përjetuar asgjë nga ato që thonë. Çështja e ringritjes së PD është vetëm një çështje morale. Prandaj, edhe mjetet që do të duhen të përdoren në këtë ringritje janë në thelb të tillë. Janë, për fatin e keq, ekzaktësisht ato mjete, ato standarde, që kanë filluar të përmenden më pak, të konsiderohen arkaikë nga fodullët e sotëm, të konsiderohen të panevojshëm, të dalë mode. Besa ose fjala e dhënë, integriteti i autoritetit partiak ose krejt konstitucioni i tij moral i dhënë një copësh dhe jo si flamur i shqyer dhe abuzuar nga shumëpërdorimi, apo tretja e vesit të vjedhjes, rrenës, korrupsionit në solucionin e sinqeritetit dhe ndershmërisë njerëzore, janë disa nga mjetet që, si në përfytyrimin e levës, mund të ringrejnë PD edhe njëherë në këmbë. Dhe pastaj, sigurisht, vijnë rrjesht edhe mjetet e moralit politik. Të bëhesh pjesë e regjimit ekzaktësisht kur demokratët kanë konsoliduar vullnetin për ta rrëzuar atë, të bëhesh pjesë vjedhjesh në nivel shtetror dhe të mos i përgjigjesh kurrë pyetjeve që jo vetëm demokratët, por të gjithë shqiptarët i emetojnë në eterin e politikës sepse nuk kanë asnjë shans të marrin përgjigje konkrete, ta konsiderosh pushtetin moral që prodhon opozita si një pushtet të konvertueshëm në para, mall dhe privilegje të fëlliqura, e gjitha kjo do të thotë që PD zyrtare kishte kohë që e kishte humbur moralin politik dhe në një perspektivë më të gjerë, vendi ka humbur fuqinë e pluralizmit. Ja pse sot përplasja brenda PD, para se të jetë e tipit “sa herë ka humbur apo ka fituar dikush”, është një përplasje autoritetesh moralë, në të cilën nxin shëmtia morale e njeriut të formuar me shpejtësi, pa dinjitet dhe të korruptuar në substancën e tij, i cili, si struci, paradoksialisht, akoma tund një vulë para demokratëve, si për t’i joshur me çmimin e një malli që pret për t’u ndarë ose për t’u shitur. Ja pse, të parët që do të dorëzohen në këtë përplasje janë ata që nuk e kanë kuptuar kurrë se të jesh në politikë, herët a vonë dhe parasëgjithash, është një çështje karakteri.

 

* * *

 

Politikanët satelitë të njeriut që mban vulën e skaduar të PD më në fund mundën të konvergojnë në dy qëndrime. Në sejcilin prej tyre ata orvaten të spjegojnë pse baza e demokratëve e frymëzuar nga z. Berisha do të duhet të heqë dorë nga rithemelimi i PD dhe prandaj, edhe nga zgjedhja e z. Berisha në krye të saj. Qëndrimi i parë formulohet i tillë që z. Berisha nuk mund të zgjidhet në krye të PD, sepse ai është shpallur “non grata” nga ShBA. Qëndrimi i dytë e konsideron “berishizmin” si “enverizëm” dhe prandaj, me të njëjtin vendosmëri si në vitet 90, kërkon fshirjen nga PD të “berishizmit” dhe Berishës, duke e zëvendësuar “berishizmin” me një frymëzim të ri, të cilin, për shkak jo vetëm të nxitimit, por mbi të gjitha për shkak të sforcimit që iu është dashur për të arritur deri në këtë pikë të paimagjinueshme, nuk kanë mundur ta formulojnë akoma.

Megjithëse ka kaluar një kohë e konsiderueshme në të cilën PD është zhytur në krizë, satelitët që mbahen në orbitën rreth vulës së skaduar nga forca jo qartësisht të identifikuara, nuk kanë mundur t’i detajojnë këto qëndrime, të japin argumente në mbështetje të tyre. Përkundrazi, ato janë paraqitur në publik si dogma, apriori. Ja pse, një analizë e detajuar nuk do të mund të bëhej për asnjërin prej dy qëndrimeve. Një koment i shkurtër, gjithsesi, mund të bëhet.

 

* * *

 

Formuluesit e qëndrimit të parë mendojnë se të jesh “non grata” për të shkelur në tokën e një vendi tjetër, qoftë edhe SHBA, do të thotë të humbësh të drejtën për të qenë në krye të PD, edhe pse votohesh rëndshëm nga anëtarësia e saj. Qartësisht, satelitët që orbitojnë rreth vulës së skaduar, në këtë rast prekin fundin, sepse konkludojnë që, të jesh ose jo një autoritet politik në këtë vend nuk është funksion i shqiptarëve, por i të huajve. Ky është standard i një morali politik mizerabël, të cilin nuk e kanë patur as punistët e dikurshëm në raport me ish Bashkimin Sovjetik. Satelitët vazhdojnë edhe më tej kur konstatojnë se nëse z. Berisha vendoset në krye të PD, atëhere PD humbet çdo mbështetje dhe partneritet me ShBA. Pra, në thelb, njerëzit e individit Basha mendojnë që ShBA do të duhet të përcaktojë se kush do të jetë opozitë në këtë vend, përmes një procesi që mund të konsiderohet si “ndryshim i opozitës” së vendit. E gjithë kjo është një absurditet edhe për faktin se, në shqyrtimin e aktivitetit ndërkombëtar të ShBA, qëndrime të tilla lidhen vetëm me regjime në fuqi dhe jo me opozita. Pra, me qëndrime që synojnë “regime change” (ndryshim regjimi) dhe jo “opposition change” (ndryshim opozite). Arsyeja pse ShBA merret me ndryshim regjimesh dhe jo me ndryshim opozitash është çështje e demokracisë së atij vendi. Arsyeja pse kjo nuk po ndodh në Shqipëri, ndërsa regjimi në mes të Tiranës ia bën mu, është përsëri çështje e ShBA. Por, dhe kjo është më e rëndësishmja, ndryshimi i regjimit të Tiranës nuk ka se si të mos jetë çështje e demokratëve të këtij vendi, Shqipërisë. Të cilët, më mirë se çdo herë tjetër e kanë kuptuar deri në asht që ndryshimi i regjimit të Tiranës kalon vetëm nëpërmjet rithemelimit të opozitës.

 

* * *

 

Formuluesit e qëndrimit të dytë mendojnë se “berishizmi” në demokraci është njësoj i dëmshëm aq sa edhe “enverizmi” ka qenë në diktaturë. Në pikpamjen time, më e shumta që më shkon në mëndje kur përmendet “berishizëm”, meqënëse formuluesit nuk e përcaktojnë saktësisht atë, është kulti i individit, të cilin më shumë se z. Berisha ishin servilët rrotull tij që e zhvilluan deri në nivelin e zëvendësimit të vetë PD me këtë kult. Ndërsa ajo që më shkon në mëndje kur përmendet “enverizëm”, pa asnjë hezitim, është ferri. Qindra e mijra të vrarë, të internuar, të poshtëruar. Një shoqëri e groposur në varrin e hapur të diktaturës. Poshtërimi i një kombi që nuk u lejua të besojë në fe, te fuqia e lirisë, te vetë ekzistenca e tij.

Lexo edhe :  Përse i duhet Ilir Metës simbolika e fitores së partisë së Gruevskit?

Ja pse, me gjithë përpjekjet e mëdha që kam bërë në eksperimentet e mia të mendimit (nuk ke ç’bën tjetër), nuk kam mundur deri më sot të kuptoj se ç’mynxyrë e ka pllakosur atë mëndje që ka prodhuar paralelen midis “berishizmit” dhe “enverizmit”. Dikush më tha një ditë se nuk do të duhej të merakosesha shumë për këtë dhe kur e pyeta se pse, bashkëbiseduesi, me një qetësi olimpike, më tha se ai që ka hequr këtë vijë paralele midis “berishizmit” dhe “enverizmit” me siguri do të duhet të jetë një njeri i vogël, burracak, mediokër, pa të shkuar shoqërore, i rrethuar nga mjergulla e një vetmie cfilitëse, i cili, me të shkelur në një qytet të madh, i zbritur nga zona e tij e largët, ka kërkuar ethshëm të vihet re nga të tjerët, ka kërkuar vëmendje, që me siguri e ka ëndërruar për një kohë të gjatë…Po pse e kërkon këtë vemendje me paralelen midis “enverizmit” dhe “berishizmit”, më duket se e pyeta bashkëbiseduesin, i cili vazhdoi menjëherë të më thotë që ai bën bllof, sepse bashkon gjëra që nuk kanë lidhje të brendshme… por, ekzaktësisht pse janë të tilla, pa lidhje, ato kanë një efekt të jashtëm hutues, që e zë në befasi auditorin, prodhon vëmendje, megjithëse të përkohshme, sigurisht. U befasova nga e gjitha kjo. Është si te ajo novela e Kadaresë, vazhdoi bashkëbiseduesi, në të cilën dikush kërkonte t’i këndohej një këngë dhe që të ndodhte kjo nuk la gjë pa bërë për të fituar aq vëmendje sa t’i këndohej edhe atij një këngë…por që nuk e arriti dot sa ishte gjallë…dhe vetëm kur një karvan dasmorësh në kthim gjetën një kufomë anës rrugës improvizuan një këngë pa e ditur se po i këndonin një njeriu që s’kishte lënë gjë pa bërë për të patur atë këngë sa ishte gjallë. Prandaj, kënga lyp kokë…dhe ja pse, kushdoqoftë ai ose ajo, e ka kot me spërdredhjet midis “enverizmit” dhe “berishizmit”, sepse katunar do mbetet, nxitoi të thotë bashkëbiseduesi. Madje, vazhdoi ai pa marrë frymë, atij “nuk do t’i këndohet kurrë një këngë” edhe pse mbajtësi i vulës së skaduar të PD po bën përpjekje të mëdha për ta mbështetur në misionin e tij dezinformues, duke shpallur si kuintesencë të aksionit të PD, pasi vuajti aq shumë për ta gjetur, një nga ato postulatet maoceduniste, si “të shohim përpara dhe jo prapa”, gjë që, sipas mbajtësit të vulës së skaduar të PD, në thelb, është e njëjta gjë me kërcënimin për të zhdukur “berishizmin” njësoj si “enverizmin”…

Çdo të thotë të fshish si me gomë historinë e PD, partisë që rrëzoi diktaturën?! A nuk është e njëjta gjë si të vuash sindromin e Penelopës!? Të shkatërrosh atë që ke ndërtuar më parë për të rifilluar përsëri nga e para?! Këto ishin fjalët e mija, të cilat bashkëbiseduesi im nuk i dëgjoi për shkak se ishte pushtuar nga një revoltim i papritur, por unë, megjithatë, vendosa t’i shkruaj për lexuesin.

 

* * *

 

Befasisht, bashkëbiseduesi im bëri një kthesë interesante. Megjithatë, e gjitha kjo rreth “berishizmit” nuk është pa ndonjë të vërtetë që do të duhet të merret seriozisht, tha ai dhe vazhdoi menjëherë. Ja psh, në një prej intervistave të tij të kohëve të fundit, duke trajtuar çështjet e korrupsionit, z. Berisha mori dy tri shembuj se si ministrat e tij kanë qenë të ndershëm dhe akuzat ndaj tyre për korrupsion kanë qenë të fabrikuara. Më vonë, sipas z. Berisha, drejtësia vërtetoi qëndrimet e tij. Që disa prej ministrave të z. Berisha kanë qenë rrënjësisht të korruptuar, jasht çdo dyshimi kjo është e vërtetë, madje, pavarësisht se si është shprehur drejtësia. Që z. Berisha ka qenë nën peshën e mentalitetit se duke mbrojtur ministrat ndaj akuzave ai mbronte qeverisjen e tij, edhe kjo ka qenë një thyerje e standardit, sepse është pastërtisht një tentativë për të vendosur autoritetin e tij mbi drejtësinë (në fillim flet drejtësia!). Ose, në Foltoren e Devollit, ai u tha demokratëve që ministri i tij devolli, ai i financave në 1996-97, nuk kishte asnjë përgjegjësi për piramidat financiare, të cilat shkaktuan qindra të vrarë, ndërsa u tret pjesa jugore e PD! Edhe pas 25 vitesh, edhe pse i është thënë qartë që zotëria në fjalë nuk mund të ishte në të njëjtën kohë edhe ministër financash i PD edhe ish vullnetar i Enverit, z. Berisha akoma përsërit një opinion që është tërësisht jasht realitetit dhe dëshmon për autoritarizëm, përfundoi bashkëbiseduesi im i vështirë.

 

* * *

 

Përpjekja për rithemelimin e PD është katërcipërisht një përpjekje për ringritjen e saj morale. Morali njerëzor, morali politik, standardi i opozitarizmit; të tri këto kanë rënë dhe janë zëvendësuar me një mbajtës vule të skaduar dhe ca satelitë që vijnë vërdallë tij për shkak të një force të paqartë që i mban akoma në orbitë. Prandaj, edhe përplasja është, parasëgjithash, një përplasje midis autoriteteve morale të partisë. Mbajtësi i vulës së skaduar të PD, i cili ka prekur jo vetëm fundin e moralit politik, por mbi të gjitha edhe fundin e moralit njerëzor, po përplaset me z. Berisha, që as më shumë dhe as më pak ka mbetur autoriteti më i lartë moral në PD edhe sot e kësaj dite. Le të mos harrojmë që autori i këtij shkrimi është edhe autori i kritikës më serioze të qeverisjes dhe autoritarizmit të z. Berisha në drejtimin e PD, kritikë të cilën e kam përmbledhur kryesisht te libri “Në morgun e politikës”. Përgjegjsia kryesore e z. Berisha ka qenë në thyerjen e raportit midis standardit dhe vullnetit të tij autoritar, vendosjen e të dytit jo rrallë mbi të parin, por asnjëherë nuk ka qenë në cënimin e moralit njerëzor dhe moralit të tij politik. Ja pse z. Berisha është fitues i pa diskutueshëm në procesin e ringritjes morale të PD dhe prandaj, edhe udhëheqës i rithemelimit të saj. Ja pse, prandaj, mbajtësi i vulës së skaduar, në këtë histori tragji-komike, do të konsiderohet edhe si sharlatani më keqbërës në historinë e PD.

 

Të fundit

Beleri kandidat për eurodeputet në Greqi, studiuesi Bido zbardh prapaskenat e forta

Përfaqësues të klasës politike të shtetit grek e ka quajtur studiouesi Ardit Bido, kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi...

SHBA/ Gjykata e Lartë shqyrton vlefshmërinë e një prej akuzave të 6 janarit

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara filloi sot dëgjimin e argumenteve për një prej dy çështjeve që mund të ndikojnë në dy paditë...

Beleri simboli i ri i Greqisë për në PE, Strasburgu ‘fiton’ një hidraulik

Nga Jakin Marena Nga Greqia mbërriti lajmi se Fredi Bejleri, kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës është përzgjedhur në listën e kandidatëve për eurodeputet...

Durrësi, temperatura ekstreme deri në 2040/ BB: Shkak mungesa e hapësirave të gjelbra

Deri në vitin 2040, qyteti i Durrësit do të përjetojë rritje ekstreme të temperaturave. Sipas Bankës Botërore, në raportin e fundit të saj, parashikohet...

Çfarë ndodhi? Jep dorëheqjen nënkryetari i njohur, ja arsyeja (Emri)

Pas akuzave të Ilir Metës, ka plasur konflikti në Partinë e Lirisë. Endrit Braimllari ka dhënë dorëheqjen nga posti i nënkryetarit. Reagimi Jap dorëheqjen nga funksioni...

Lajme të tjera

Web TV