Shqipëria dhe Kosova në agjendën franceze të BE-së

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Macron, udhëheqës de fakto i Bashkimit Europian. Nga 1 janari Franca merr presidencën evropiane dhe kulla eifel vishet me ngjyrën blu. Kush janë tre prioritetet

 

Nga Mentor HOXHA (Paris)

 

Mesnata e ndërrimit të viteve 2021-2022 në Francë, solli edhe një ngjarje tjetër të shënuar për kombin francez dhe për qiramarrësin e Elizesë. Franca mori Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian duke i dhënë Presidentit Emmanuel Macron mundësinë për t’u paraqitur udhëheqësi de fakto i BE-së në prag të zgjedhjeve presidenciale franceze që do mbahen në prill 2022. “Vëzhguesit kanë vërejtur se logoja franceze për presidencën përfshin shkronjat U dhe E për “Union Europeene” me një shigjetë gri në mes që duket se krijon një shkronjë tjetër -një M anash për Macron (The French EU presidency logo).

Franca ka marrë kryesimin e 27 vendeve evropiane me një program ambicioz për një Evropë “të fuqishme” dhe “sovrane”, e cila rrezikon të tronditet nga shpërthimi i ri i Covid-19 dhe zgjedhjet presidenciale të prillit”, shkruan “Le Monde”. Macron e mori presidencën e BE-së nga Sllovenia, e cila kryesoi Këshillin e BE-së që nga 1 korriku 2021 dhe do ta mbajë deri në qershor 2022, kur do t’ia dorëzojë Çekisë. Për të shënuar fillimin e Presidencës 6-mujore, Franca ndriçoi ndërtesat historike me ngjyrën e flamurit të BE-së në mesnatën e ndërrimit të viteve.

 

KULLA EIFEL VISHET ME NGJYRËN BLU TË EVROPËS

Marrja e stafetës së BE-së nga Franca, ndryshoi edhe ngjyrat e monumenteve dhe ndërtesave kryesore historike dhe atraktive në Paris. Simbol të kësaj stafete u bënë Kulla Eifel dhe Pallati Elize, të cilët u veshën me ngjyrën blu të Evropës. Flamuri evropian zëvendësoi trengjyrëshin e zakonshëm nën Harkun e Triumfit, duke shkaktuar reagime të forta nga kandidatët e djathtë presidencialë. Dhjetra monumente të tjera ikonike në gjithë Francën do të zbukurohen me ngjyrën blu evropiane gjatë javës së parë të janarit. Këshilli i BE-së përfaqëson interesat e 27 shteteve anëtare përpara Komisionit dhe Parlamentit Evropian. Presidenca e Bashkimit Evropian thërret mbledhjet e ministrave, përcakton axhendën dhe  zhvillon negociatat.

Kjo është presidenca e 13-të e rradhës e mbajtur nga Franca që nga viti 1958, dhe e para që nga viti 2008. “Megjithatë, zgjedhjet presidenciale në prill dhe zgjedhjet legjislative në qershor në Francë do ta godasin atë kokë më kokë, duke reduktuar me të njëjtën masë hapësirën-kohën për të vepruar. Rritja e variantit Omicron do të pengojë gjithashtu axhendën e presidencës franceze – rreth katërqind takime janë planifikuar në Francë – të paktën në janar, kur shumë takime do të lihen pas”, shkruan “Le Monde”.

 

PRIORITETET KRYESORE TË PRESIDENCËS EVROPIANE FRANCEZE

“Viti 2022 duhet të jetë një pikë kthese për Evropën” -tha kreu i shtetit francez në fjalimin tradicional që mbajti më 31 dhjetor në natën e ndërrimit të viteve për t’u uruar francezëve Vitin e Ri 2022.

Franca i ka vendosur vetes tre projekte prioritare gjatë presidencësn së saj: vendosjen e pagave minimale në të gjithë BE-në, rregullimin e gjigantëve dixhitalë dhe krijimin e një takse karboni për produktet e importuara në Evropë sipas ndikimit të tyre mjedisor. Presidenti Macron mbron gjithashtu një reformë të zonës Shengen për të “mbrojtur më mirë kufijtë evropianë” përballë krizave të migracionit, një temë që do të jetë në qendër të fushatës presidenciale franceze. Ai synon gjithashtu të vendosë në tavolinë një rishikim të rregullave buxhetore – kriteret e famshme të Mastrihtit, të cilat kornizojnë deficitet evropiane në mënyrë që të jetë në gjendje të financojë më shumë investime dhe rritje evropiane. Do të shqyrtohen temat që kanë të bëjnë me forcimin e autonomisë strategjike të BE-së, si rritja e kapaciteteve mbrojtëse, reforma e zonës Shengen, mbrojtja e mjedisit, energjia dhe shumë tema të tjera brenda dhe jashtë Bllokut Evropian. Prioritet do të jetë edhe mbrojtja e Evropës, pavarësisht ngurrimit të disa partnerëve, të shqetësuar mbi të gjitha me mbrojtjen e NATO-s.

“Për gjashtë muaj, Franca do të ketë fuqi të konsiderueshme ndikimi për të çuar përpara disa subjekte dhe për të gjetur kompromise midis 27 vendeve. Presidenti Macron e ka vendosur shiritin shumë lart për këtë presidencë franceze të BE-së”, shkruan “Le Monde”. “2022 duhet të jetë viti i një kthese evropiane”, tha ai në urimin e tij për Vitin e Ri. Bëhet fjalë për ta bërë “Evropën të fuqishme në botë, plotësisht sovrane, të lirë nga zgjedhjet e saj dhe zotëruese të fatit të saj”, pati deklaruar ai më 9 dhjetor. Ai vetë nuk do të kryesojë samitet apo mbledhjet e Këshillit Evropian – një rol që i është dhënë belgut Charles Michel – por ai do të jetë në gjendje të ndikojë në diskutime dhe të ndërhyjë në rast krize. BE-ja është në një udhëkryq për një sërë temash, nga siguria në Evropë – dhjetëra mijëra ushtarë rusë janë grumbulluar në portat e Ukrainës – te kriza shëndetësore, e cila errëson përsëri horizontin ekonomik evropian. Emmanuel Macron mund të llogarisë mbështetjen e kancelarit të ri gjerman, socialdemokratit Olaf Scholz, i cili do të kryesojë G7 në 2022. Në fjalimin e saj të parë kombëtar të fundvitit, pasardhësi i Angela Merkel u lut për një “Evropë më sovrane dhe më të fortë”. “Miqtë tanë francezë mund të mbështeten në mbështetjen tonë”, shtoi ministrja e jashtme gjermane Annalena Baerbock në një deklaratë për Agence France-Presse.

 

SHQIPËRIA DHE KOSOVA NË AGJENDËN FRANCEZE TË BE-SË

Krahas temave dhe problematikave të ndryshme brenda Bllokut Evropian të 27 shteteve, në agjendë të Presidencës Franceze të BE-së do të jetë edhe Ballkani Perendimor dhe çështjet globale. Sipas një diplomati të lartë në BE-së, pritet zhbllokimi dhe rinisja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nisja e këtyre negociatave ka mbetur peng nga bllokimi i Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut në Këshillin e BE-së. Si pasojë e këtij bllokimi disa shtete nuk duan që negociatat të nisin vetëm me Shqipërinë. Pas zgjedhjeve të fundit dhe formimit të Qeverisë së re në Bullgari, diplomatët në BE janë optimistë se gjatë Presidencës 6-mujore Franceze do të nisin këto negociata. Pritet gjithashtu edhe një konferencë për Ballkanin Perëndimor, të cilën e ka paralajmëruar kohë më parë Macron kur tha se Ballkani Perëndimor do të jetë në fokus gjatë kryesimit të Francës. e, ku ndër “problemet specifike” sipas diplomatëve, do jenë kriza aktuale politike në Bosnje e Hercegovinë dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilat po zhvillohet dialogu në Bruksel. Diplomatët në BE nuk dinë se sa do të jetë Franca e përkushtuar për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, i vetmi vend në rajon pa liberalizim vizash. Arsyeja kryesore pse ka hezitim nga disa shtete të BE-së për liberalizimin e vizave për shtetasit kosovarë është ajo që nga disa shtete konsiderohet si “përvojë e keqe në rastin e Shqipërisë dhe Gjeorgjisë”. “Kur janë liberalizuar vizat për Shqipërinë dhe Gjeorgjinë, Komisioni pati thënë se janë përmbushur të gjitha kushtet, por, pas heqjes së vizave shumë njerëz erdhën në vendet tona, përfshirë edhe kriminelë dhe ekstremistë. U keqpërdor ky liberalizim”, thonë disa diplomatë. “Në rastin e Kosovës duam së pari të bindemi se ka besim të plotë me autoritetet se nuk do të kemi problem, e atëherë të liberalizohen vizat. “Po bashkëpunojmë, në një moment do të ndodhë liberalizimi, por ai moment nuk është tash”, tha një burim diplomatik duke mos dashur të saktësojë nëse gjatë Presidencës së Francës pritet ndonjë veprim në këtë drejtim. Presidenti francez, Macron, ka paralajmëruar se do të kujdeset në mënyrë të veçantë për Ballkanin Perëndimor. “Fqinjësia jonë më e afërt është Ballkani Perëndimor. Në qershor do të organizojmë konferencën për Ballkanin Perëndimor sepse Ballkani është më shumë se fqinjësi, është në zemër të Evropës. Mjafton të shikohet harta dhe historia jonë. /…/ nuk mund ta ndërtojmë Evropën në paqe për 50 vjetët e ardhshme nëse e lëmë Ballkanin Perëndimor në situatën ku ndodhet sot. Kjo do të thotë se duhet të sqarojmë perspektivën evropiane, të investojmë në rajon, në unitetin e tij dhe të kemi një ambicie të përbashkët për dekadën që vjen”. Ky paralajmërim është kuptuar si shumë inkurajues nga diplomatët në BE, pasi Franca gjatë viteve të fundit ka qenë ndër shtetet skeptike ndaj procesit të zgjerimit të BE-së”, citon RFE/RL (1 janar 2021).

Lexo edhe :  Përpjekje për të shpëtuar nga “normalizimi”

 

KRYESIMI I BE-SË RRIT SHANSET E MACRON PËR NJË MANDAT TË DYTË SI PRESIDENT, POR KRIJON DHE RREZIQE PËR TË

Drejtimi i BE-së nga Franca përkon me zgjedhjet presidenciale në Francë, por, zyrtarët nga Franca kanë thënë se zhvillimi i zgjedhjeve kombëtare nuk do të jetë pengesë për Francën që të kryej detyrat si kryesuese e radhës e BE-së, ndërkohë rrit rrit shanset e Macron për një mandat të dytë presidencial në Francë. “Presidenca e BE-së i jep atij një platformë të mirëpritur për të diferencuar veten nga rivalët e tij dhe për të sjellë propozime dhe ide të reja në tryezë,” -thotë Claire Demesmay, një eksperte në think-tank Marc-Bloch në Berlin. Qendra që bëri pikëpamjet eurofile të Macron, një pjesë kyçe e fushatës së tij politike kur fitoi mandatin e parë si president në 2017, thotë se kjo do t’i shërbejë përsëri në zgjedhjet e planifikuara për 10 dhe 24 prill. “Edhe pse presidenca franceze e BE-së, e para që nga viti 2008, ofron mundësi për Macron, ajo shihet nga vëzhguesit edhe si mbartëse e rreziqeve. Axhenda e tij për ta bërë Evropën “të fuqishme” në mbrojtje, teknologji dhe sigurinë kufitare – rrezikon të errësohet nga kriza shëndetësore e përshpejtuar e Covid-19”, shkruan Michael Fitzpatrick (AFP, 01.01.2022 – 10:27). Sebastien Maillard, drejtor i Institutit Jacques Delors, një institut pro-BE-së me qendër në Paris, thotë se “Macron nuk mund të shkojë në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale më 10 prill pa marrë disa rezultate nga presidenca evropiane. Kjo është sfida për të, por mund të jetë gjithashtu një mundësi reale”. “Udhëheqësit evropianë do të takohen në Paris më 10-11 mars, gjë që mund të jetë një shans për të rënë dakord për një reformë të madhe të rregullave buxhetore të bllokut. Kjo do të varet shumë nga kancelari i ri i Gjermanisë, Olaf Scholz, qeveria e koalicionit e të cilit shihet si skeptike ndaj reformave buxhetore, por mbështetëse e agjendës së Macron. Udhëheqës të tjerë evropianë, si kryeministri i krahut të djathtë të Hungarisë, Viktor Orban, të cilin Macron e etiketoi si një “kundërshtar politik” në dhjetor, mund të mos jetë në disponim për të forcuar shanset e liderit francez për t’u rizgjedhur. “Si kreu simbolik i Këshillit Evropian, Macron do të duhet të ecë në një vijë të mirë pasi ai gjithashtu nis fushatën e tij për rizgjedhje, e cila pritet të shpallet zyrtarisht deri në shkurt. Brenda vendit, kundërshtarët e kanë akuzuar Macron-in për organizim elektoral.  “Ai po e bën për interesat e tij, jo për ato të Francës,” -tha rivalja e tij e djathtë Valerie Pecresse nga partia republikane muajin e kaluar. “Ka katër vjet e gjysmë që ai është në pushtet dhe nuk ka marrë asgjë dhe bërë asgjë nga Europa, përveç arritjes së një lloj nënshtrimi ndaj Gjermanisë në emër të çiftit franko-gjerman, -tha udhëheqësja dhe kandidatja e RN, Marie Le Pen gjatë një interviste në radio.

Kryesimi gjashtë mujor i BE-së, nuk do të jetë shumë i lehtë nga Macron. Kjo, jo vetëm për problemet e shumta brenda 27 vendeve të BE-së, por edhe për përhapjen me shpejtësi të Covid-19 në Francë dhe në mbarë botën. Në 24 orët e fundit, Franca regjistroi më shumë se 232.000 raste të reja të infektimit me koronavirus. Një numër i paprecedentë që nga fillimi i pandemisë, megjithëse afër pragut të më shumë se 200.000 rasteve në ditë, u regjistrua të mërkurën dhe të enjten, kundrejt 180.000 rasteve të martën. Si rezultat i Covid-19, 96.660 njerëz kanë vdekur në spital. Varianti Omicron ka përjetuar “përparim të rëndësishëm” ditët e fundit. Pandemia Covid- 19 zuri vendin qendror në fjalimin 10 minutësh tradicional që Macron mbajti në në kopshtin e Elysee dhe shatërvanët e tij në sfond në natën e 31 dhjetorit 2021. “Javët e ardhshme do të jenë të vështira. Virusi po qarkullon dhe do të qarkullojë edhe më shumë”, paralajmëroi ai. Gjithësesi, ai shpreson në mposhtjen e këtij virusi. “2022, ndoshta, do të jetë viti i fundit të epidemisë,” por “bëni gjithçka që është e mundur “për të” kufizuar kufizimet sa më shumë që të jetë e mundur “. Qiramarrësi i Elizesë mbrojti menaxhimin e tij të krizës shëndetësore, por kundërshtarët e akuzojnë se ka marrë masa të pamjaftueshme për të shmangur ngopjen e spitaleve dhe se ka vendosur rregulla “liberticidale”.

Krahas Covid -19 në rritje, kundërshtarët euroskeptikë, si figurat e ekstremit të djathtë Marine Le Pen dhe Eric Zemmour po kërkojnë largimin e Francës nga Bashkimi Evropian. Kjo ishte shtylla e programit të Marine Le Pen në 2017: largimi nga euro që vazhdon ta trumbetojë sërish si kandidate për zgjedhjet 2022. Në zgjedhjet e kaluara Le Pen doli në balotazh më Macron Le Pen, por fitoi Macron me një përqindje të madhe votash. Kandidati i së djathtës ekstreme, Eric Zemmour është kundër euros në librat e tij, por tani përsërit se nëse “bashkimi me euron ishte një ide e keqe, largimi nga ajo do të ishte më keq”. Ai imagjinon të qëndrojë në BE duke u çliruar nga rregullat e tij dhe duke “luftuar” me institucionet. Një formë të “frexit të butë” që “do të ishte më pak e frikshme, por që nuk duhet të injorohet”, -beson Thierry Pech. Prej 14 vitesh, presidenti i Unionit të vogël Popullor Republikan (UPR) synon “të çlirojë Francën nga anëtarësimi i saj në Bashkimin Evropian, euro dhe NATO”. Një mbështetës i një “Frexit”, ai mirëpret faktin se “një ide që dukej e largët është në mendjen e të gjithëve sot” (Le Monde, 29 tetor 2021). Ndonëse disa politikanë kanë kritikuar shpesh Bashkimin Evropian se është tepër liberal, francezët mbeten shumë të lidhur me monedhën e tij (74% e tyre janë, krahasuar me 79% mesatarisht të banorëve të vendeve anëtare të eurozonës), thuhet në një studim të Institutit Jacques-Delors, i botuar në dhjetor.

Të fundit

Binjaku i tij martohet sot, çfarë po përgatit Donaldi për Romeon? (FOTO)

Sot në darkë në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, “Big Brother VIP3”, do të ketë dasmë. Vëllai i...

Tensionet në Himarë/ Rama: Zgjedhja e Blerina Balajt, zhvillim pozitiv

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për zgjdhjen e Blerian Balajt për drejtimin e Bashkisë Himarë. Në një postim në rrjetet sociale, Rama nënvizon se zgjedhja...

Mënyra për të përfituar pension për të moshuarit që nuk figurojnë në regjistra

Indeksimi i pensioneve këtë vit pritet që të bëhet në muajin tetor. Në tetor pensionistët do të marrin ca para më tepër në pagesën...

Studimi: Qentë mund të lidhin fjalët me objektet

Qentë janë në gjendje të kuptojnë disa fjalë që iu referohen objekteve në mënyrë të ngjashme sikurse njerëzit, gjeti një studim që ka analizuar...

Rriten temperaturat në vend, në fundjavë rikthehen grimcat e pluhurit nga Saharaja

Gjatë ditëve të ardhshme vendi ynë do të jetë nën mbizotërimin e masave ajrore të ngrohta që vijnë nga Afrika veriore. Në një lidhje “skype”...

Lajme të tjera

Web TV