Kur “kryqëzohej” ministri Hazbiu/ Rexhep Kolli: Në vitin 1967 kur isha Drejtor i Sigurimit, më thirri Kadriu dhe më tha se Feçor Shehu…

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat kanë qenë të panjohura për 40 vite me radhë dhe shohin për herë të parë dritën e botimit, ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale sekrete e dokumente që i përkasin muajt tetor të vitit 1982, ku është pasqyruar materiali i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së me titull “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të shokut Kadri Hazbiu në kohën që ishte ministër i Brendshëm”, autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut, “Vendimi i Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror e nga Partia si dhe shkarkimi nga të gjitha funksionet shtetërore dhe shoqërore të Kadri Hazbit”, si dhe proces-verbali i Plenumit të Komitetit Qendror të mbajtur në datat 13 e 14 tetor të vitit 1982 në sallën kryesore të godinës së Komitetit Qendror, ku është diskutuar dhe është marrë në analizë puna dhe veprimtaria e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, i cili akuzohet për “veprimtaria armiqësore” e tij për periudhën gati 30 vjeçare kur ai shërbente në funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme. Dosja e plotë e me të gjitha dokumentet që botohet për herë të parë nga Memorie.al, ku përveç materialit “Tepër sekret”, të Byrosë Politike me akuza ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, publikohet edhe proces-verbali i Plenumit, ku Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe anëtarëve të Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Simon Stefani, Haki Toska, Pali Miska, Prokop Murra, Spiro Koleka, Rita Marko, Lenka Çuko, Muho Asllani, Llambi Gegprifti, Vangjel Çerava, dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, si; Nexhmije Hoxha, Gafur Çuçi, Xhelil Gjoni, Pilo Peristeri, Sofo Lazri, Piro Kondi, Petro Dode, Behar Shtylla, Shefqet Peçi, Qemal Bregasi, Dritëro Agolli, Mine Guri, Themie Thomai, Mehmet Elezi, Lumturi Rexha, Tefta Cami, Vito Kapo, Harrilla Papajorgji, Anastas Kondo, Miti Nito, Sulejman Baholli, Halil Leli, Jashar Menzelxhiu, Enver Halili, Ali Vukatana, Tahir Minxhozi, Naunka Bozo, Luan Muhameti, Rexhep Kolli, Ndreçi Plasari, Sofie Çuadari, Nezir Gorica, etj., jo vetëm kanë akuzuar ish-ministrin Hazbiu, si bashkëpunëtorin me të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por edhe kanë debatuar ashpër me të gjatë gjithë mbledhjes së plenumit që zgjati dy ditë, duke i kërkuar atij që të jepte shpjegime për punën dhe veprimtarinë e tij që nga dita që ishte ulur në zyrën e ministrit, duke filluar nga marrëdhëniet e raportet me këshilltarët rusë, Konferencën e Tiranës në 1956-ën, e deri tek “bashkëpunimi i tij me grupet armiqësore” të kryesuara nga Teme Sejko, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi dhe “poli-agjenti” Mehmet Shehu, si dhe vendimet shkarkimet nga detyrat dhe për përjashtimin nga Komiteti Qendror të Rexhep Kollit, Nazar Berberit, Veli Llakajt, Ndreçi Plasarit, etj.

Proçes-verbali ‘Tepër sekret’ i mbledhjes së Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 13 dhe 14 tetor të vitit 1982

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

KOMITETI QENDROR Tepër sekret

-Sektori i Përgjithshëm-

PROCES-VERBAL I MBLEDHJES SË PLENUMIT TË 5-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 13 DHE 14 TETOR 1982

Seanca e dytë

SHOKU ENVER HALILI: Me leje, shoku Enver?

SHOKU ENVER HOXHA: Urdhëro.

SHOKU ENVER HALILI: Kam një çështje: Unë dëgjova gjithë veprimtarinë armiqësore të grupit, përfshirë këtu dhe Kadri Hazbiun, po kam një pyetje për shokun Rexhep Kolli.

SHOKU ENVER HOXHA: Po.

SHOKU ENVER HALILI: Prej shumë vitesh është zhvilluar një veprimtari armiqësore në kokën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Po kaq vite, 25-30 vjet, punoi atje dhe shoku Rexhep Kolli. Më lind pyetja: çfarë thotë ky shok për përgjegjësinë e tij të madhe, bile për mendimin tim ai mban përgjegjësi shumë të madhe. Çfarë i ka thënë ai Partisë dhe shokut Enver, para dhe pas vetëvrasjes së armikut Mehmet Shehu si dhe gjatë kësaj periudhe kur po bëhen edhe hetime?

Kam dhe një pyetje tjetër, përsëri për shokun Rexhep që do t’ia bëja dhe Kadri Hazbiut. Kush e ka propozuar në atë kohë Murat Kamanin, zëvendësdrejtor të hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe prokuror për të përfaqësuar çështjen për akuzën në gjyqin e komplotistëve? Ta thotë në qoftë se është në dijeni.

SHOKU ENVER HOXHA: Shoku Rexhep, përgjigju kësaj pyetjeje.

SHOKU REXHEP KOLLI: Unë isha përgatitur me shkrim, shoku Enver dhe shokë të plenumit, dhe e kam këtu diskutimin. Besoj se disa gjëra do mundohem t’i konsumoj, duke parë se epiqendrën e kësaj veprimtarie kriminale e shumë të rrezikshme, çerdhja kryesore e saj ishte në Ministrinë e Punëve të Brendshme, bile jo vetëm tani, po edhe disa herë me radhë nga kjo Ministri kanë dalë, janë prodhuar këta agjentë e kundërrevolucionarë.

Për kohën kur unë kam punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mbaj përgjegjësi të madhe dhe me të drejtë Partia të më japë jo vetëm këtë masë, po edhe masa të tjera, shumë më të rënda, unë i meritoj plotësisht, se këto çështje që dolën nuk janë probleme të vogla, po janë probleme të fateve të Partisë dhe të revolucionit. Këtu kemi pasur të bëjmë me banda të tilla kriminale, që do ta çonin Partinë tonë, popullin dhe revolucionin, në katastrofën më të madhe.

Çfarë përgjegjësie mbaj unë? Dihet përgjegjësia që mbaj, prandaj e them me bindje të plotë se çfarëdo mase që të marrë Partia në drejtimin tim, unë me ndërgjegje të pastër them që e meritoj. Pse ndodhën këto? Mendoj se shumë faktorë kanë ndikuar në këtë drejtim. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme është bërë një punë e mbyllur, kurse Partia dhe shoku Enver vazhdimisht e kanë shtruar me forcë që rritja e rolit udhëheqës dhe kontrollues të Partisë, si faktori bazë, në këtë Ministri nuk ka ecur. Qoftë këta armiq, qoftë dhe unë si komunist dhe si anëtar i plenumit, në këtë drejtim nuk kam luftuar.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ti, Rexhep, i bëre një pyetje shumë konkrete Kadri Hazbiut, i the, lëri fjalët e përgjithshme, po thuaj ku janë gabimet konkrete. Po ta bëjmë ty tani këtë pyetje.

SHOKU SIMON STEFANI: Ashtu na fol, konkretisht.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ti, Rexhep ke reflektuar? Ku janë gabimet konkrete?

SHOKU REXHEP KOLLI: Ja, konkretisht, u bë Konferenca e Partisë e Tiranës në vitin 1956? Unë si komunist, them që Ministria e Punëve të Brendshme duhej të bënte analizën e thellë të kësaj çështjeje sepse kishte qenë në bisht të situatës, pa llogaritur atë që morëm vesh tani që këta armiq kishin dorë në këtë çështje. Kërkova që të bëhej analiza, sepse drejtor i sigurimit atëherë ishte Mihallaq Ziçishti dhe drejtor i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës ishte Feçor Shehu.

SHOKU RITA MARKO: Dhe ti ishe zëvendës?

SHOKU REXHEP KOLLI: Po, unë në këtë kohë isha zëvendës.

SHOQJA NEXHMIJE HOXHA: Të dhëna kishe nga deponimet.

SHOKU REXHEP KOLLI: Hetuesinë nuk e kisha unë.

SHOQJA NEXHMIJE HOXHA: Nuk dije ti?

Lexo edhe :  19 Prill 1943/ Geto e Varshavës, hebrejtë nisin rebelimin

SHOKU REXHEP KOLLI: Nuk dija unë të dhëna për elementë antiparti.

SHOQJA NEXHMIJE HOXHA: Nuk dije ti të dhëna për këto, nuk flisnit ju aty në kryesi?

SHOKU REXHEP KOLLI: Jo, unë sinqerisht them që nuk dija.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Analiza është analizë, nuk është hetuesi. Analizën, siç thua ti këtu, mund ta bëje shumë mirë.

SHOKU REXHEP KOLLI: Pikërisht këtu e gjej unë përgjegjësinë time se në këto raste dhe në rastin e dhënë, megjithëse më bie ndërmend për Hulusi Spahiun, po për elementë të tjerë kanë dalë goxha të dhëna dhe ato i janë paraqitur edhe udhëheqjes, duke e njoftuar që ka dalë kjo apo ajo e dhënë operative. Por Kadri Hazbiu gënjeu, se ai proceset nga hetuesia i merrte drejtpërdrejt nëpërmjet Mihallaq Ziçishtit, ose dhe vetë.

Këtu mendoj unë, nuk është problemi se doli diçka e thjeshtë, në këto materiale doli Legata Jugosllave me të tëra veprimet e saj. Me këta, rusët diskutuan dhe hapën parullën që janë persona të veçantë. Ne thamë që nuk është e vërtetë, këtu është punë e organizuar. Po a e ngrita unë këtë çështje deri lart në Parti? Jo, këtë nuk e bëra.

SHOQJA NEXHMIJE HOXHA dhe BEHAR SHTYLLA: Pse s’e ngrite?

SHOKU REXHEP KOLLI: Pse s’e ngrita? Ja këtu është problemi, mendoj unë, dhe këtu qëndron faji im, pikërisht që nuk e ngrita.

SHOKU VANGJEL ÇERAVA: Ju i drejtuat Kadri Hazbiut pyetjen: “I’a keni thënë këtë shokut Enver”?

SHOKU REXHEP KOLLI: Po, kështu ia ngrita çështjen.

SHOKU VANGJEL ÇERAVA: Tani ne të themi ty: ti çfarë ke thënë nga këto që ke parë? Kur pe që këta njerëz të cilët ndiqnin deponimet nuk i thoshin këto, nuk merreshin masa, bile ngandonjëherë këta njerëz gradoheshin dhe ngriheshin në përgjegjësi, çfarë ke bërë ti si komunist?

SHOKU REXHEP KOLLI: Po, unë nuk e kam bërë detyrën time.

SHOKU VANGJEL ÇERAVA: Po pse nuk e ke bërë detyrën?

SHOKU REXHEP KOLLI: Pikërisht për këtë, pse nuk e kam bërë, unë ndjej përgjegjësi, unë kam menduar që udhëheqja e Ministrisë së Punëve të Brendshme e informon Partinë.

SHOQJA NEXHMIJE HOXHA: Mirë thua “e informon”, po fakti është që nuk po merreshin masa ndaj atyre njerëzve, emrat e të cilëve dilnin në deponimet e armiqve.

SHOKU REXHEP KOLLI: Jo.

SHOQJA NEXHMIJE HOXHA: Atëherë nuk të vë ty në dyshim kjo gjë? Po të isha unë në vendin tënd dhe ti të ishe anëtar byroje, unë do të të thosha se do të revoltohesha pse nuk merren masa ndaj këtyre njerëzve që dalin në proceset gjyqësore.

SHOKU REXHEP KOLLI: Kjo është shumë e drejtë.

SHOQJA NEXHMIJE HOXHA: Po prandaj, të dish gjëra për elementë të ndryshëm dhe të mos vësh në dijeni udhëheqjen?!

SHOKU XHELIL GJONI: Në jetën civile sekretari i Partisë e urdhëron instruktorin që të bëjë këtë punë apo atë tjetrën, kurse të jesh zëvendësministër i parë dhe të mos e urdhërosh drejtorin përkatës apo ndonjë tjetër që të bëjë analizën? Unë këtë nuk e kuptoj, janë ca gjëra që nuk dalin të qarta.

SHOKU REXHEP KOLLI: Po nuk isha unë zëvendësministër.

SHOKU XHELIL GJONI: Nuk ishe zëvendësministër?

SHOKU REXHEP KOLLI: Jo, zëvendësdrejtor kam qenë atëherë. E kam fjalën për analizën e Konferencës së Tiranës.

SHOKU XHELIL GJONI: Drejtor ishte Mihallaq Ziçishti?

SHOKU REXHEP KOLLI: Ai ishte edhe zëvendësministër. Unë isha zëvendësdrejtor.

SHOKU XHELIL GJONI: A, zëvendësdrejtor?

SHOKU REXHEP KOLLI: Po.

SHOKU XHELIL GJONI: Më fal.

SHOQJA NEXHMIJE HOXHA: Po në vitet 1973-1975?

SHOKU REXHEP KOLLI: Në vitet 1973-1975 unë kam qenë zëvendësministër po nuk e kam pasur unë në vartësi drejtorinë e Sigurimit.

SHOQJA NEXHMIJE HOXHA: Nuk lidheshit ju me sigurimin?

SHOKU REXHEP KOLLI: Nuk lidheshim, shoqja Nexhmije, unë mund t’jua shpjegoj si i kishim lidhjet.

SHOQJA NEXHMIJE HOXHA: Atje kishte familjaritet të sëmurë, kjo dihej nga të gjithë ne dhe nuk dihej nga ju? Ju dhe si kuriozitet mund ta merrnit vesh.

SHOKU REXHEP KOLLI: Ja t’jua shpjegoj, shoqja Nexhmije.

SHOKU SPIRO KOLEKA: Ju si zëvendësministra nuk flisnit për të gjitha çështjet? Ju ndarje pune patjetër që kishit, po ju dhe bisedonit me njëri-tjetrin, nuk kishit sekret.

SHOKU PETRO DODE: Ata merrnin dhe informacion për këto.

SHOKU BEHAR SHTYLLA: Juve nuk keni bërë përgjithësime pas këtyre ngjarjeve që ndodhën me komplotistët?

SHOKU REXHEP KOLLI: Përgjithësime për të dhënat konkrete jo, se ato nuk jepeshin.

SHOKU PILO PERISTERI: Ti the që “unë kërkova të bëhet analizë”?!

SHOKU REXHEP KOLLI: Po.

SHOKU PILO PERISTERI: Meqë nuk u bë pse nuk e ngrite çështjen si komunist atje ku punoje në aparat?

SHOKU REXHEP KOLLI: Drejt?

SHOKU PILO PERISTERI: Ta bëje shembull që nuk po bëhet analizë, kur duhej të bëhej e të shikoheshin se ishin gjëra me rëndësi të madhe. Atëherë ti si komunist, pse nuk e bëre çështje, pavarësisht se si ishte problemi?

SHOKU REXHEP KOLLI: Nuk e bëra.

SHOKU PILO PERISTERI: Kur thua të bëhet analizë, do të thotë se është gjë e madhe, kështu gjykohen gjëra të mëdha, pse pastaj nuk e the si komunist?

SHOKU REXHEP KOLLI: Nuk e bëra detyrën.

SHOKU PILO PERISTERI: Po pse?

SHOKU REXHEP KOLLI: Po sepse kam menduar,… a ndofta ky ishte familjaritet?!

SHOKU TAHIR MINXHOZI: Po atëherë dhe ti qenke fajtor!

SHOKU REXHEP KOLLI: Unë e ndjej veten fajtor.

SHOKU TAHIR MINXHOZI: Për çfarë konkretisht je fajtor, mos na thuaj gjëra të përgjithshme.

SHOKU REXHEP KOLLI: Unë jam fajtor që vija e Partisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme ku unë kam punuar është cenuar; unë jam fajtor se është shkelur ligjshmëria.

SHOKU HAKI TOSKA: Po i dije ti këto. Në qoftë se i dije thuaj atëherë ku është shkelur ligjshmëria, konkretisht.

SHOKU REXHEP KOLLI: Ja do t’i them.

SHOKU RAQI IFTICA: Dhe deri në vitin 1976 Rexhepi udhëhiqte dy drejtori të Sigurimit, Drejtorinë e Dytë dhe Drejtorinë e Tretë, drejtonte dhe Hetuesinë.

SHOKU REXHEP KOLLI: T’jua shpjegoj: Në vitin 1967, kur unë isha Drejtor i Sigurimit, mbasi u transferua Mihallaq Ziçishti, Kadri Hazbiu më tha se: është menduar nga lart që të vinte Drejtor i Sigurimit, Feçor Shehu. I kam thënë atij, jo Partisë, që ju e mendoni, e gjykoni vetë, po mbani parasysh se: Feçor Shehu është kapadai e mendjemadh dhe në një post e funksion të tillë, unë gjykoj se nuk është i përshtatshëm.

Po shtrohet problemi pse nuk ia thashë unë Partisë? Kritika unë i kam bërë Feçor Shehut. Dhe unë desha t’i them plenumit se pikërisht mbasi doli komploti i Beqir Ballukut, Ministria e Punëve të Brendshme, duhet të bënte analizën dhe secili të merrte përgjegjësinë e tij mbi këtë komplot dhe të përgjigjej, në mënyrë të veçantë, duhet të përgjigjej Feçor Shehu që ishte dhe Drejtor i Sigurimit dhe i Ushtrisë, ishte dhe zëvendësministër, se pas vitit 1967, ai i mori këto funksione, Kadri Hazbiu ka dalë gjithnjë me parullën: “Të bëjmë analizën, po përgjegjësia na përket të gjithëve”. /Memorie.al

Të fundit

“Kjo verë parashikohet me temperatura të larta”, ja masat për parandalimin e zjarreve

Edhe vera e këtij viti parashikohet të jetë me temperatura tepër të larta për shkak të ndryshimeve klimatike ndaj...

“Kishte dorë që i vogël!”/ Avokati shpërthen ashpër ndaj Metës: Si e shtriu hajdutërinë

Avokati Idajet Beqiri ka treguar sot një episod nga jeta e tij gjatë kohës që punonte në Skrapar. Sipas tij, Ilir Meta njihej si hajdut...

Ndodh në Pogradec! Peshkatari kap në liqenit të Ohrit koranin mbi 13 kg (FOTOT)

Ndodh në Pogradec! Një peshkatar kap në ujërat e liqenit të Ohrit një peshk Koran më shumë se 13 kg. Peshkatari, i cili e ushtron...

Kumbaro ultimatum prefektëve: Zero tolerancë për struktura betoni në plazhe

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro mblodhi në një takim prefektët e 12 qarqeve të vendit për t’u komunikuar prioritetet mbi mbarëvajtjen e...

Dosja “Black Eagle” i “Sky ECC”, si arritën shqiptarët të korruptonin latino-amerikanët

Është zhvilluar dhe në Belgjikë seanca e radhës për një nga proceset “SKY ECC” me 40 të pandehur, shqiptarë e kolumbianë, të akuzuar për...

Lajme të tjera

Web TV